Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Matja e detit

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Matja e detit

Sikur u harrua ajo puna e marrëveshjes së detit me Greqinë. Gazetat i zbuluan të gjitha ç‘mund të zbulonin, analistët bënë analizat, teknikët teknicizmat, u prodhua një seri patriotësh të orës së fundit, që deri një ditë më parë askush nuk i kish parë t‘i qanin hallin mëmëdheut, pushteti u gëlltit e u mërmërit dhe në fund gjithçka po harrohet. Dolën të tjera skandale, ARMO në Fier, tuneli në Thirrë, pallati në Tiranë, pylli në Lurë, tokat në Orikum, plazhi në Lalëz, e kush i numëron dot të gjitha. E humba rastin të tregohem patriot ato ditë që u bënë të gjithë, ndaj i lashë për sot të them dy fjalë për këtë punë.

Qëkurse shtetet kanë filluar të ndahen me kufij, ka pasur edhe mosmarrëveshje për ta që, ose zgjidhen me dyfek, ose zgjidhen me marrëveshje. Nga kjo pikëpamje, nuk më duket aspak skandaloz fakti i të bërit të një marrëveshjeje në vetvete. Këtu s‘do harruar se, përtej përbetimeve për miqësi të përjetshme, marrëdhëniet midis shteteve janë kryesisht marrëdhënie nervash dhe, gjithnjë është njëra nga palët që, pavarësisht se si do të rezultojë marrëveshja në fund, bëhet sebep për të bërë hapin e parë. Për rrjedhojë, marrëveshje të këtij lloji kalojnë në tri nivele.

Niveli i parë, ka të bëjë me faktin se kush e kërkon marrëveshjen. Në këtë moment, shteti që "e lëshuan nervat" të parin dhe kërkon uljen në bisedime (në rastin konkret Greqia) ka disavantazhin e kërkuesit, ndërsa shteti tjetër (në rastin tonë Shqipëria), ka avantazhin të kërkojë favore për të pranuar ftesën. Për shembull, Shqipëria mund të deklaronte se ne nuk ulemi në bisedime pa u hequr Ligji i Luftës, apo pa u institucionalizuar Çështja Çame, apo pa u plotësuar ky apo ai favor tjetër politik.

Vetëm pasi të plotësohej kushti i parë, vjen ulja në bisedime dhe kalohet në nivelin e dytë, që është ai i koncesioneve të ndërsjella për vetë marrëveshjen. Meqë bëjmë fjalë për ujëra, edhe këto diskutime mbeten në këtë gamë. Më jep det këtu të të lëshoj atje, e kështu me radhë. Pasi është rënë dakord në nivel politik në vija të përgjithshme për shkëmbimet apo koncesionet eventuale, kalohet në nivelin e tretë, që është ai teknik, ku ulen të debatojnë e përleshen ekspertët. Dhe, meqë ekspertët e marrin rrogën pikërisht për t‘u përleshur me njëri-tjetrin, askush nuk ua merr as për ters këtë punë. Kjo është rruga që ka ndjekur e do të ndjekë çdo marrëveshje e këtij lloji anekënd globit.

Tani, që ta lëmë globin në punë të vet e të vijmë këtu në qoshen tonë, ne duhet t‘i kërkojmë Berishës se çfarë favori për shqiptarët u mori grekëve që pranoi të ulej në bisedime me ta, pastaj t‘i kërkojmë Bashës dhe Metës se çfarë përfitoi në terren Shqipëria nga vetë bisedimet dhe, vetëm në fund, mund të merremi edhe me ekspertët, që janë vrima e fundit e kavallit. Në vend të bëjmë këtë, ne jemi lëshuar të gjithë me kompas dhe vizore në dorë dhe zihemi me kompasin dhe vizoren e Gervenit. Ky pastaj, që sheh papritur gjithë Shqipërinë të merret me të, i duket vetja i rëndësishëm dhe na mban me muhabet të gjithëve. Nga momenti që Berisha na pa të gjithëve me kompas në dorë, po fle i qetë, se ja doli ta spostojë vëmendjen nga niveli politik në atë teknik. Pikërisht për këtë shpjegim që bëra (megjithëse si gjithë shqiptarëve të tjerë, më hanë duart të marr vizoren e të mat detin), refuzoj të hyj e të bëj debatin absurd për metrot pa kaluar më parë në dy shkallët e tjera.

Problemi tjetër i madh i kësaj marrëveshjeje, qëndron në faktin se ajo është marrëveshje midis një shteti nga njëra anë dhe, partisë në pushtet në shtetin tjetër. Çdo qeveri që dëshiron të hyjë e qetë në Librin e Madh të Historisë, edhe pas 100 apo 200 vjetësh, marrëveshje të tilla i bën duke marrë domosdoshmërisht edhe konsensusin e opozitës. Kjo bëhet për të qetësuar subkoshiencën popullore, e cila është shumë e ndjeshme për çështje që kanë të bëjnë me trupin e Atdheut. Kanë shkuar mbi 80 vjet nga marrëveshja e Zogut për Shën Naumin dhe ajo ende i shfaqet atij si makth edhe në varr ku ndodhet që prej 40 vjetësh. Berisha duhet t‘ia kursejë vetes dhe Qeverisë së tij një tjetër makth të tillë.

NUK SHKRUAJ

Mora pa fund mesazhe këto ditë që të shkruaja diçka për punë të gafës së Ministrit të Kulturës, që po biseduakësh me italianët për të sjellë në mëmëdhe eshtrat e Ismail Qemalit që, në fakt, kanë plot 90 mote që flenë e nderohen në Vlorë. Mirëpo puna është se mua më ndizet llamba e të shkrojturit për ato gjëra që nuk u shkon mëndja njerëzve, e jo për ato që i kuptojnë të gjithë, apo ja vlen të shkruash për gjëra për të cilat njerëzia ndahen, e jo për ato që i mejtojnë të gjithë njësoj, kështu që vendosa se s‘ja vlente barra qeranë të shkruaja. Se, çfarë do t‘i shpjegoja unë më shumë, njërit që shkruante në një forum në internet se: "pas kësaj që bëri Ministri, do shkrojtur volumi i dytë i ‘Kush e solli Doruntinën‘, me titull ‘Kush e solli Ismailin‘. E si thoni?" Dhe, po në këtë frymë, një tjetër më poshtë ja kthente: "Po ky, kur ja dalka ta sjellë dy herë të vdekur, pse s‘provon të na i sjellë të gjallë". Po atij tjetrit, që në një tjetër forum, ja merrte me bejte: "Unë jam Smail Qemali / prapa më vjen Xhaferr djali" dhe që në përgjigje, merrte këtë "Që sot s‘do themi më ‘e humbi si Xhaferri simiten, por ja futi si Xhaferri Ismailit‘". Hë më thoni, a vlen të shtoj edhe unë një shkrim mbi të gjitha këto, apo mbi pyetjen që i bëri Doktori Saimirit te "Fiksi": "Mos ja ka mbathur Ismaili në Itali më ‘97-ën dhe duan ta sjellin tani prapë?".

Nga kjo histori ka megjithatë dy njerëz që dolën të fituar. I pari është Saliu, që thotë, flisni, merruni e talluni me Xhaferrin, se s‘ua merr për keq, kështu që humbisni mëndjen e kohën për t‘u marrë me punët e fukarallëkut e të hajdutllëkut". I dyti njeri që doli i fituar, është vetë Xhaferri. Te forumi "Peshku pa ujë", vura re se për lajmin e Kadaresë që mori çmimin "Princi i Asturias", kishte 56 komente, ndërsa për lajmin e Xhaferrit, ishin plot 66. A do ja kish dalë në këtë jetë Xhaferri të tërhiqte mbi vete më shumë komente se Kadareja dhe këto pa shkrojtur as edhe një rresht të vetëm në jetë të vet? E pra, ja doli vetëm me një të hapur të gojës.

Dhe ju më thoni të ulem e të shkruaj pastaj! Ah, me që ra llafi tek e shkrojtura. Ministria e Kulturës, që s‘bën punë as për ministër, në fakt, veç këtij, ka edhe 3 zv.ministra, më shumë pra se çdo ministri tjetër. Thojini Ministrit t‘i vërë të tre zëvendësit në një tavolinë dhe të shkruajnë në kompjuter një copë letër. Ata që s‘ja duan të mirën ministrisë, thonë se të paktën njëri prej tyre nuk di as si ndizet kompjuteri, e jo më të dijë se qysh të shkruajë me të. Dhe ky burri është bash zv.ministër i Kulturës!!! "Ti Halim që s‘di këndim / je ministër për arsim", shkruante gjithë dhëmbje Noli 80 vjet më parë. Ndërsa unë, 80 vjet më pas, nuk them dot as "hapu dhé të futemi" se, edhe po u hap dheu të na përpijë, vjen e të zhvarros Xhaferri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama