Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lufta për rregullat

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Lufta për rregullat

Historia e botës në të paktën këta 4 a 5 mijë vjetët e fundit, qëkurse egziston e shkruar në letër, është e mbushur me komandantë e gjeneralë, me mbretër e prijës, që kanë bërë luftra e përplasje, që kanë përpjekur brirët me njëri-tjetrin për tokë e sundim. Midis tyre janë të panumërt shembujt kur njëra palë i është shmangur përballjes, sa herë që e ka ndjerë veten të dobët para kundërshtarit, është tërhequr taktikisht në pritje të një momenti kur do të ndjehej i gatshëm për t‘u përballur e për të fituar. Por në këta mijëra raste, që nga koha e Faraonëve të Egjiptit e deri tek sheshi Tien An Men, nuk do të gjeni as edhe një rast të vetëm, kur një prijës të ketë deklaruar se nuk hyj në betejë sepse kundërshtari nuk zbaton rregullat. Dhe, rastin e parë të këtij lloji po e shënon në histori të botës Partia Socialiste, duke u shprehur se nuk i hyn betejës me Saliun se ai nuk zbaton rregullat. Jo Saliu, por edhe sikur Nënë Tereza të ish, po të shkonim e t‘i thoshim që na i lësho Urdhrin tënd se mja e mbajte, do na sikteriste, e jo më që ky burri është SALIU dhe ajo që po i kërkojmë është as më pak e as më shumë por PUSHTETI!!!

Fukujama shkruan se pavarësisht nga drejtësia apo padrejtësia e një çështjeje, gjithmonë më të prirur për rregulla loje dhe për të kërkuar barazi, janë të dobëtit. Shihni në OKB, ku gjithmonë shtetet e vogla dhe të pafuqishmit, janë ata që kërkojnë trajtim të barabartë, se i fuqishmi e merr gjithmonë me hir atë që i takon. Po ta bindnim Fukujamën të na begeniste të bënte një analizë për rastin e Shqipërisë, pa një pa dy do thosh në atë anglishten e tij amerikançe, se PS-ja pavarësisht nga drejtësia e kauzës së saj, ndjehet e dobët përballë PD-së dhe ky është shkaku që kërkon rregulla dhe barazi. Nuk po e them unë, do e thosh Fukujama. E pra unë nuk dua të pranoj në asnjë mënyrë që Partia Socialiste është e dobët, që mbështetësit e saj janë pjesa e dobët e shqiptarëve.

Lufta politike në demokraci bëhet me rregulla, ndërsa lufta për demokracinë, nuk ka rregulla. Nëse do kërkonim rregulla loje më 1991-shin, do ishim ende me Enver Hoxhën mbi kokë. Nëse do kërkonim rregulla loje, kur studentët kërkonin në grevën e urisë heqjen e Enver Hoxhës nga Universiteti dhe Sheshi, atëhere atë do e kishim ende sot në Universitet dhe në Shesh, se sipas rregullave të kohës kjo u dashkësh bërë me vendim të Byrosë Politike të PPSH-së, e cila kishte marrë edhe vendimin për t‘i vendosur atje. Nëse do kishim kërkuar zbatimin e rregullave, sot edhe Ramiz Alia duhej dënuar se aso kohe lejoi ushtrimin e fesë, gjë që binte në kundërshtim me Kushtetutën e kohës. Apo, i bie që, Skënderbeu t‘i thosh Vrana Kontit lere fare këtë punë, lëshoje Krujën, se Sulltani nuk zbaton rregullat e rrethimit.

Të jap edhe një shembull nga një fushë tjetër që e kam shumë për zemër. Të gjithë qahemi për kaosin urban të qyteteve tona, por harrojmë se këto qytete (jo periferitë e tyre) nuk u shkatërruan nga ndërtimet pa leje, por nga ato me leje. Të gjitha kullat që po na zënë frymën në Tiranë, të gjitha ndërtimet që kanë shkatërruar Durrësin antik, e kështu edhe në qytetet e tjera, nuk janë ndërtime pa leje, jo, të gjithë janë ndërtime me leje. Në një vend ku rregullat e lojës, ku ligjet e normat, shërbejnë vetëm për të larë faqen, ato nuk kanë asnjë vlerë, për sa kohë mungon vullneti politik për t‘i shndërruar ato në pjesë e jetës reale të njerëzve dhe jo thjesht në makiazh e fasadë demokracie.

Diktaturat dhe autokracitë nuk përmbysen pa forcë e përballje, veçanërisht kur janë në kulmin e shijimit të pushtetit, siç është rasti i Saliut tonë. Vërtet që ka ndodhur edhe e kundërta e kësaj, si në rastin e Spanjës më 1975-ën, por atje kalimi në demokraci ndodhi se vdiq Diktatori dhe se vetë ai e kish mbyllur në tavolinë pazarin për demokracinë me ata që do vinin pas tij. Nëse duam të bëjmë të njëjtën gjë, hajt ta bëjmë. Le të biem dakord në tavolinë me Saliun që, pasi Ai të ndërrojë jetë (pas 20 a 30 vjetësh), pas tij pushteti t‘u kalojë socialistëve (atyre që do jenë gjallë deri atëhere) dhe, si shkëmbim familja e Tij do të lihet e qetë të gëzojë frytet e pushtetit të gjatë. E pra shqiptarët e mij, në daçi bëjeni edhe kështu, por unë vetë po shkoj të gjej ata shqiptarët që duan të ndjekin atë rrugën tjetër, të lëftojmë për demokracinë sot, kur s‘ka rregulla se, po pritëm që rregullat të bien nga qielli, aha, nga qielli vetëm shiu dhe glasat bien.

KALORESIT E RASTIT

S‘ka ca ditë që, i ftuar në një debat televiziv për punë të bojkotit, po mbroja mendimin tim se nuk ia vlen të bëjmë bojkot për kutitë, por për sistemin gjyqësor. Nuk ka vlerë të vëmë rregulla loje, kur mungojnë dy gjëra të tjera: vullneti politik për t‘i zbatuar ato dhe sistemi gjyqësor i pavarur që të gjykojë zbatimin. Se ja, edhe po i vumë rregullat e lojës, kush do jetë arbitri? Gjykata, do më thonë çunat dhe gocat me mastera. Po cila gjykatë, ajo që i shkon ujët e hollë nga Saliu, apo ajo që ka gjetur një avaz dhe i mbyll të gjitha çështjet pa i hapur fare?

Këto po thoja dhe përballë kisha një nga ato figurat autoritare që u zbardhën 20 vjet rresht në politikë (në këto zgjedhjet e fundit, në atë të djathtën). Ky m‘u kthye e s‘më la llaf pa thënë, se po ia fusja kot, se s‘është punë gjykatash kjo, por duhet ta zgjidhin partitë (se si mund të zgjidhin një lëmsh partitë, unë nuk e marr vesh, kur ato egzistojnë vetëm për të tjerrë lëmshe, po nejse). Megjithëse më shumë se argumenta, po rreshtonte fjalë, se si unë nuk merrja vesh nga politika e madhe (as që e kam pretenduar ndonjëherë këtë nder), prapë për etikë dhe respekti për moshën, më bënte ta mbaja gojën.

Dola i thartuar dhe me shije të keqe nga debati dhe, kur po ndahesha nga pjesëmarrësit, dëgjoj këtë politikanin e rregjur, të thosh se nxitonte pasi duhej të arrinte te një televizion tjetër për të njëjtën temë. Shkoj në shtëpi ende buzë varur, ndez televizorin dhe shqyej sytë. Kalorësi kish arritur ndërkaq në televizionin tjetër dhe, meqenëse atje ai që kish përballë po i thosh se puna e kutive ish detyrim i Partive, ky i kthehet e i thotë se jo s‘është ashtu, nuk ka vlerë t‘ua lemë partive, kjo është punë e gjykatës dhe për sa kohë do kemi gjykatë leniniste nuk ka zgjedhje të ndershme në Shqipëri, se gjykata duhet të jetë e pavarur që të gjykojë partitë, e ç‘t‘u them tjetër. Me ç‘duket, udhës nga studioja A për në studion B, i kish pëlqyer ideja ime dhe, meqë ai që kish përballë po mbronte tezën që ai vetë e kish mbrojtur gjysmë ore më parë, ky tani pa e bërë qefin qeder u hodh të mbronte dhe argumentonte të kundërtën e 30 minutave më parë. Isha buzëvarur kur e dëgjova herën e parë, mbeta gojë hapur kur e dëgjova herën e dytë.

E gjatë e gjithë kjo histori që u tregova, por ua thashë jo për të dalë vetë i larë, por për t‘u tërhequr vëmëndjen mbi një arradhe të madhe politikanësh, politikë-bërësish e politikë-prodhonjësish, që as e kanë patur e as kanë për ta patur ndonjëherë për gjë që, të mbrojnë çfarëdolloj teze, të drejtë a të shtrëmbër, të mirë a të ligë, të majtë, të djathtë a përtej të dyjave, mjaft që kjo punë t‘i mbajë në pjacë. Në pjacë të pushtetit, të medias a të mikrofonave, këta kalorës të rastit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama