Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ortakeri armike

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Ortakeri armike

Propaganda është aleat me dy fytyra. Kur është e mirë dhe e sinqertë, të bëhet ortake për sukses, kur është e përdorur për imazh të përkohshëm dhe përfitime koniunkturale, të shndërrohet në ortake armike. Propaganda mediatike, e shndërruar në qëllim në vetvete, dëmton së pari, përdoruesin e drejtpërdrejtë dhe të porositurin për të. Kjo gjë mund të rrezikojë aktualisht shumë prej protagonistëve kryesorë të politikëbërjes në Shqipëri. Propaganda, si mbuluese e së vërtetës reale, "të hedh në erë shumë shpejt", thotë Eduard Baladyr. Sepse, matanë saj, janë shumica e njerëzve që tashmë e njohin qëllimin faktembulues të propagandës.

Mes propagandës pro qeveritare dhe asaj pro opozitare ka një mungesë të madhe kohezioni. Në vend po prishet sistemi funksional i sistemit klasik politik. Në fakt, po prishet ose po bllokohet funksionaliteti i këtij mekanizmi balancues. Qeveria e Kryeministrit Berisha ka dy muaj që qeveris dhe kësaj qeverisjeje duket se po i mungon recenca e fortë opozitare. Jeta aktive e kësaj qeverisjeje të re ka mbetur qëllimisht jashtë fokusimit opozitar. Natyrisht, kjo ka lidhje me aktin e përkohshëm dhe kushtëzues të bojkotit të shpallur prej opozitës. Mirëpo qeverisja po shton ditët kalendarike të saj. Pas një muaji ajo do të mbërrijë 100 ditët e para dhe natyrisht që do t‘i ofrojë publikut bilancin e parë të tremujorit. Ndër bilancet negative, jashtë vullnetit të pozitës, do të kryerenditet edhe ai i mungesës së një kontributi prej faktorit institucional opozitar të vendit.

Ortakëria antagoniste e dy palëve të politikës po formësohet dhe po orientohet si një ortakëri armike. Gjatë dhjetë ditëve të fundit, deklaratat e kryesuesve të lartë të opozitës dhe ato të shumicës në qeverisje, duket se e kanë bërë edhe më të theksuar distancën e mosmarrëveshjes, apelimet standarde për t‘u futur opozita në Parlament dhe përballë tyre, reagimi i patundur për të ngritur "komisionin hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit", kanë qenë investimet e vetme dhe të vjetra për ngritjen e një situate të vjetër konfliktualiteti në vend. Kjo skemë armiqësie, po e bën gjithçka, mjet provokues për të dyja palët. Secila tenton të krijojë efektin e vet. Matanë tyre, publiku dhe vendi, seriozisht sodisin këtë absurd shqiptar, të cilin elita politike po e risjell në përditshmërinë tonë për llogari vetjake dhe jo për arsye ndërgjegjeje. Tashmë palët kanë rrëshqitur thellë antagonizmit, duke ezauruar në një farë mënyre edhe shtirjen e tyre. Ky antagonizëm po kapërcen për çdo orë, mundësinë që dy partitë kryesore të tallen me arsyen e tyre në publik. Për këtë shkak, opozita në mitingun-sipar të aksionit të vet protestues nëpër qytete shijoi mospjesëmarrjen masive. Ndërkohë që shumica parlamentare, shumë shpejt do të njihet me efektet negative të këtij qëndrimi dhe aksioni politik të opozitës.

Por si paraqitet gjendja dhe funksionaliteti real i dy kampeve institucionale të politikës, në këtë rrëshqitje nga ortakëria antagoniste në ortakërinë armike?!

Opozitës i ka reshtur së punuari "kombinati i ideve". Departamente të tëra të saj nuk po japin një imazh të nevojshëm projekti dhe program për publikun dhe anëtarësinë. Duket se detashmenti i vetëm funksionues në atë godinë politike është ai i protest-organizimit dhe i bindshmërisë ndaj kryetarit. Kjo opozitë po investohet për motorë proteste dhe bojkoti. Ky është një kurs i ri, disi i papritur në rrjedhën e normalitetit të fituar në politikëbërjen shqiptare qysh prej vitit 2004 e deri para 28 qershorit 2009. Ky kurs i ri në marrëdhëniet bipolare, sipas gjasave, do të vijojë në kohë, kah konfliktualiteti politik. Periudha e gjatë e tranzicionit na mësoi se kur politika gjeneron konfliktualitet, koston apo faturën, e pëson vendi dhe shoqëria dhe jo udhëheqësia politike dypalëshe. Për këtë arsye, ky protagonizëm matanë antagonizmit, nuk duhet lënë në gjendjen e vet të pandërhyrjes apo të paarbitrimit. Përvoja politike e rasteve të ngjashme ka dëshmuar se lehtësisht ato rrëshqasin në kokëfortësi dhe në vënien dorë mbi institucionalizmin. Vendit tashmë po i kërcënohet seriozisht institucionalizmi. Ndonëse duhet thënë se syçeltësia duhet shtuar ndaj sinqeritetit dhe qëllimit të pretenduar opozitar për transparencën ndaj votës së hedhur më 28 qershor. Nëse ky qëllim ka lidhje me kauzën për paprekshmëri të ardhme të votës, atëherë duhet bekuar, por nëse ka lidhje me këtë koniunkturë të sotme, atëherë "mëkatari të nxirret në fytyrën reale"! Opozita në një moment do të ndihet para përgjegjësisë se pse nuk e realizoi, qoftë edhe jashtë sallës, misionin e vet opozitar për paketën e ligjeve të miratuara deri tani. Asnjë deputet i opozitës nuk ka dëshmuar publikisht pjesëmarrje në debatin dhe diskutimin jashtëparlamentar për ligjet që shumica i ka kaluar deri tani në Parlament. Kjo opozitë nuk i ka shpjeguar publikut se cilat janë efektet dhe vlerat e këtyre ligjeve të votuara në mënyrë monokromatike. Kjo opozitë nuk po e kryen në përditshmëri misionin e vet recensionues të qeverisjes së këtij koalicioni të anatemuar.

Gjatë këtyre dy muajve, në vend nuk mund të flitet për funksionalitet dhe normalitet parlamentar. Ky Parlament, me gjysmën e deputetëve jashtë tij, nuk mund të quhet normal dhe kujdesi i shumicës për të mos rënë pre e monokromitetit politik, duket i neglizhuar. Nuk mund t‘i përgjigjet zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, kësaj situate me cinizmin e partiakut: "Opozita si estradë e Ballshit". Ky zhargon i tëhuajtur me lehtësi, i shkakton një kosto shumëplanëshe këtij politikani jo vetëm në publik, por edhe matanë tij. Në pozicionin në të cilin ai gjendet, do t‘i vlente më shumë antagonizmi luajal e konstruktiv dhe jo ai armiqësor.

Propagandologjia ka qenë vesi i regjimeve autoritariste, por edhe i protagonistëve autoritaristë, ka qenë ves i personazheve dhe segmenteve politike, që pushtetin e perceptojnë si kapje dhe jo si detyrim reciprociteti. Mungesa ekstreme e reciprocitetit në politikën shqiptare ka gjeneruar dhe fatkeqësisht vijon gjenerimin e ortakërisë armike, e cila është kohë dhe vlera vrasëse për Shqipërinë postkomuniste.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama