Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të gjithë bukës bukë i thonë...

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Të gjithë bukës bukë i thonë...

Në vitin 1951, me rastin e vendosjes së një bombe në Ambasadën Sovjetike, Partia dënoi pa gjyq 22 intelektualë. Drejtësia heshti, ata u pushkatuan, por të paktën ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, nuk pranoi të firmoste, duke dhënë edhe dorëheqjen. Dorëzimi i atëhershëm, i kushtoi drejtësisë shqiptare gjysmëshekulli vartësi politike. 57 vjet më pas, Gërdeci shpërtheu njëmijë herë më shumë dhe politika, që atëherë i kishte kërkuar Drejtësisë të dënonte të pafajshmit, kësaj radhe i kërkoi të mos dënonte fajtorët. Që prej dorëheqjes së famshme të Manol Konomit gjysmëshekulli më parë, akti i kësaj radhe i sistemit të drejtësisë, është më i rëndi që na ka shkuar mbi kurriz.

Të gjithë themi se shpërthimi i Gërdecit ishte si një bombë atomike. E themi dhe e përsërisim, se na pëlqen si batutë, por harrojmë të themi rezultatin e asaj bombës atomike, asaj të vërtetës: Gjashtëdhjetë vjet të shkuara, Perandori i Japonisë u dorëzua nga bomba atomike, ndërsa këtu te ne sot, veç atyre që lanë kokën, askush nuk lojti nga karrigia. Bota ka njohur shumë hajdutërira e krime si të Gërdecit. Ka njohur edhe krime të papara, karshi të cilëve ky i Gërdecit do të duket hiçmosgjë. Ka parë e ka hequr shumë bota nëpër breza. Por ajo që ka ardhur më pas, është se sa herë kanë ndodhur gjëra të tilla, pas tyre janë përmbysur qeverira, kanë rënë shtete e janë këmbyer sisteme. Turpi shqiptar, turpi i ne të gjithëve, nuk është vakia e Gërdecit por që, pas vakisë nuk ndodhi asgjë. As u dënuan përgjegjësit që të qetohej populli e të mos hidhej në revoltë, e as populli nuk lojti vendit e të hidhej në revoltë kur pa që s‘u dënua njeri. Atëherë, pse nuk duhet të vjedhin prapë ata që qenë dje, këta që janë sot, apo ata që do vijnë nesër?

Gjëra të këtilla të mëdha si kusaria e Gërdecit, nuk ndodhin kur çmendet apo është dru i kalbur një i vetëm, ministër qoftë a Kryeministër. Jo, gjëra të tilla ndodhin kur çmendet njëherësh dhe është i kalbur i gjithë sistemi. Kjo është ajo që po ngjet në Shqipëri, e që nuk po e ndreqim dot. Pastaj, gjëra të tilla edhe në ndodhshin, nuk ndreqen dot nga një njeri i vetëm, Kryeministër, prokuror a gjykatës qoftë. Ç‘prisnit ju vëllezër të bënte gjykatësi? Pse, vërtet prisnit ju të bënte një gjykatës, atë që nuk e bëri askush në një shtet të tërë? Ja ta zëmë se prokurori lojti nga fiqiri dhe e çoi çështjen për gjykim kur duhesh. Pse, vërtet mendoni se edhe gjykata do ishte aq e lojtur nga fiqiri sa të jepte dënime? Nuk bën vaki të lozin nga fiqiri njëherësh të gjithë dhe të bëjnë punën e tyre, se kështu do ish bërë Shqipëria, e nuk do kish mbetur kështu, ku vërtet i kemi të gjithë mendtë në vend, por vendin po e merr lumi. Të gjithë këta, bukës bukë i thonë dhe, do shohin hallet e karriget e tyre para se t‘u bjerë ndër mend për hallet tona.

Pa më thoni, cili prej juve që po më lexoni, do ta kish dënuar Salinë a Medinë, po të ishte gjykatës? Le që, edhe në daltë ndonjë e të më thotë se do ta dënonte po të ish gjykatës, ia pres unë hovin duke i thënë se në do kish pasur mendje të tillë, nuk do ta kishin lënë kurrë të bëhesh gjykatës, se do ia kishin prerë hovin e karrierën me kohë e me vakt.

Mirëpo, pse u dashkëshin dënuar Saliu apo Mediu? Pa më thoni, ku ndryshojnë këta nga ata 500.000 shqiptarët që plaçkitën ç‘mundën nëpër depot e ushtrisë, që nga batanije, rroba e ushqime e deri te pushkë, topa, mitraloza, arka me bomba e gjerdanë me fishekë. Ata gjetën e morën pushkë e barot sa mund të mbanin në krahë apo me karrocë, ndërsa Saliu e Mediu morën pushkë e barot sa mbanin makinat e ushtrisë që kishin nën komandë. Të dy palët bënë të njëjtën gjë, secili sipas mundësisë që iu dha. Pse, pak shqiptarë fatzinj u vranë më ‘97-ën nëpër tunelet e ushtrisë duke zbrazur barotin e gjyleve? Mos më thoni që këta e bënin nga halli, se do t‘u them: po Mediu nga se e bënte, nga qejfi? Edhe ky nga halli e bënte, të shfrytëzonte atë që kish në dorë, për sa do e kish në dorë, se edhe ky bukës bukë i thotë.

Apo le ta kthejmë nga ana tjetër. Ushtria e depot e Shqipërisë nuk i zbuloi Mediu, e zu t‘i bëjë rrush e kumbulla, se kur ai i mori në dorë, ato kishin të paktën nja dhjetë a dymbëdhjetë vjet që bëheshin rrush e kumbulla. Kishin dhjetë vjet që shiteshin armë e privatizoheshin godina e prona të ushtrisë, ishin shitur tanke e aeroplanë, anije e nëndetëse. As MEIKO-n e as Delijorgjin s‘i shpiku Mediu, po i gjeti gati, të hazërtë e të sprovuar, që ditën kur zuri zyrën e ministrisë. Mediu ishte thjesht vazhduesi i radhës i kësaj murtaje por, tashmë që më të shumtat qenë shitur, plaçkitur, privatizuar, vjedhur e shpërdoruar, nëpër depo kish mbetur vetëm baroti e gjylet dhe ai, ato gjeti me ato u muarr. Tanket e shitur dhe kazermat e privatizuara nuk pëllcasin, ndaj ishin tretur pa zhurmë e bujë vit pas viti, ndërsa gjylet e baroti po s‘i terezite mirë, të bëjnë gjëmën dhe ky, absolutisht vetëm ky, është ndryshimi i vetëm i midis asaj që kishte ndodhur për dymbëdhjetë vjet rresht me ushtrinë dhe asaj ç‘ka bëri ai në tre vjetët e tij.

Tamahu zë stomahun, thosh ime gjyshe, ndjesë pastë, dhe kjo e gjeti edhe Salinë e Medinë me punën e gjyleve. Po të kishin pasur pakëz më shumë kujdes, po të kishin pajtuar qoftë edhe me pagesë skllavi ca nga oficerët e nxjerrë në reformë dhe jo fëmijë siç edhe bënë, po të kishin përdorur një vend ca më të veçuar, asgjë nga ç‘ndodhi nuk do të ndodhte. Depot do ishin zbrazur pa zhurmë e bujë deri në fund, amerikanët do na jepnin një medalje për realizimin e demontimit, Saliu, Mediu dhe e gjithë hordhia tjetër do tresnin në paqë paratë e kësaj pune pa u hyrë gjemb në këmbë, siç kishin bërë edhe të tjerët para tyre, Deliu do vazhdonte të ishte biznesmen i nderuar dhe mik me të gjithë dhe, Henri Çili e Mimoza Dervishi, nuk do bënin dot as peticionin kundër Mediut në qeveri.

Ç‘prisni ju të bënin gjyqtarët e prokurorët, hetuesit e spiunët, agjencitë e sigurimit e institucionet e kontrollit? Të gjithë këta në një vend e pinë kafen, në një vend i bëjnë pushimet, shtëpitë i kanë në një pallat, në po ata ashensorë ngjiten e zbresin, te po ai fshat turistik i kanë shtëpitë e pushimit, kanë miqësira e krushqira mes tyre, kanë kushërinj për të rregulluar në punë, e soj e sorollop për të sistemuar. Unë kam nusen që ma merr ti në punë, ti çoje vëllanë tek ai për shofer, ai ka djalin e hallës që mbaroi shkollën ndaj ma nis në ambasadë, kështu njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë të pasmet. Të gjithë këta kanë halle, e të gjithë i thonë bukës bukë. Dhe pse duhet t‘i vinte ndokush kazmën këtij sistemi e të prishej me të gjithë këta që e lidhnin interesa e njohje, apo për hir të ca fshatarëve që as i njihte njeri? Mirë, mirë, po ata të gjorë fshatarë që vdiqën? Po pra, vdiqën dhe tani ç‘vlerë ka të dënojmë edhe këta të tjerët, se mos do i ngjallim dot të vrarët?! Ma kundërshtoni dot këtë arsyetim të stilit "bukës, bukë".

Por edhe ata që e dinin ç‘bëhej dhe që nuk rrojnë në një pallat me ministrat e gjykatësit apo që s‘e pinë kafenë me ta, ata pra, proletarët e shtetit, oficerë kapterë e shoferë, investigatorë e gazetarë, inspektorë e punëtorë të thjeshtë, pse s‘hapën gojë? Se edhe ata, vërtet plasnin së brëndi me ç‘u shihnin sytë ç‘do ditë, por edhe ata kishin hallin e copës së tyre të bukës, se edhe ata bukës bukë i thonë. "Kur zhytet i gjithë stapi në gropë të halesë, nuk ke nga ta zësh pastaj", thotë populli hallexhi, ai populli që ia hipin të gjithë sipër.

Ylli Manjani, deklaroi dy ditë më parë në televizor, se opozita duhet të marrë nismën në Kuvend për shkarkimin e gjykatësve që mbyllën pa e hapur fare gjyqin e Mediut. I telefonoj Manjanit dhe e pyes: "Nga thesi tënd e pate këtë propozim, apo ta sugjeroi Partia?". Se po ta kish nga Partia, do të thotë se diç do të bëhet vërtet. "Jo mo ç‘ne, më thotë, ishte propozim i imi si jurist". Më bie tavani në kokë. Deri tani, i vetmi reagim i opozitës ka qenë vetëm një deklaratë-mërmërimë e Sajmir Tahirit e bërë ditën e gjyqit pa gjyq, sipas së cilës Partia Socialiste do ta ndjekë këtë çështje. Sajmir, nuk e di nëse të tha partia të dalësh apo edhe ti dole vetë, por aman Sajmir, të lutem më sqaro edhe mua edhe shqiptarët, se si do ta ndjekë partia këtë punë? Më ha fyti për të vënë ulërimën dhe, të gjithëve bashkë na hanë duart për t‘i mbledhur grusht para Kryeministrisë, por po nuk dole të na thuash se si do ta ndjekë Partia këtë punë, njerëzia s‘kanë ç‘bëjnë. Po me ç‘duket, edhe në parti, bukës bukë i thënkan.

Në gjithë këtë katrahurë të ndyrë, patëm vetëm një ngushëllim. Çështja u mbyll pa u gjykuar, kështu që çdo shqiptar është i lirë të mendojë si të dojë, të mendojë se kemi të bëjmë me hajdutë të pagjykuar dhe jo me hajdutë të pafajshëm. Se, merreni me mend, sikur gjyqi të ish bërë dhe, po të ish bërë, me siguri që do i nxirrte të gjithë të larë llagar e të pafajshëm si qengja.

Pas 20 vjetësh, kur ime bijë të ketë hyrë në jetë, kjo histori e ndyrë do të jetë harruar, kështu që falë Zotit, ajo nuk do ta ndiejë veten të pështyrë në fytyrë, siç e ndien veten sot çdo shqiptar normal.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama