Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të pavarur s‘ka!

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Të pavarur s‘ka!

S‘ka asnjë dyshim se pavarësia si funksion dhe realitet në Shqipërinë e sotme është gati inekzistente. Kjo cilësi apo virtyt që lidhet me integritetin njerëzor, duket se po tretet për shkak të rrethanave dhe realitetit. Ecja po orientohet pashmangshmërisht kah dominimi i të pushtetshmëve bipartiakë dhe struktura poliarkike që ata i imponuan së fundi edhe skenës politike të vendit e afirmon plotësisht këtë realitet. Bipartitizmi në Shqipërinë e vitit 2009 është realitet i legjitimuar, por edhe parathënës i problemeve që do të paraqesë demokracia e cilësuar si hibride deri më tani.

Ne do të ecim sërish në vitet e ardhshme, në gjendjen e demokracisë hibride e mbështjellë në këtë demokraci, do të fshehim deformimet dhe pjesët monstruale të saj. Ky deformim erdhi së pari, prej autoritetit që politika imponoi mbi gjithë pushtetet, por sidomos mbi ligjin dhe ndërgjegjen institucionale. Kahu i fuqizimit të pushtetarëve politikë nuk u ndërrua, për t‘u kthyer në kah të fuqizimit dhe autoritetit të padiskutueshëm të ligjit. Ligjet në këtë vend u përdorën dhe nuk u respektuan. Vetëm fakti që në harkun kohor të 19 vjetëve të fundit Shqipëria, për arsye të udhëheqësisë partiake të saj, ricikloi krizën e mosmarrëveshjes për ligjet zgjedhore, flet qartë se si e ka përdhosur cilësinë e sistemit dhe të demokracisë së saj.

Nuk gjen vend si ky vendi ynë, që një ligj zgjedhor të miratuar në rrethana arbitrare dhe me një prepotencë bipolare partiake para një muaji nga data e zgjedhjeve, si ato të 28 qershorit 2009, befas ta deklarojë si të pavlefshëm një muaj më pas, kur në fron hipën një qeveri mikse e refuzuar nga partia tjetër kryesore. Ky rast është një precedent i pagjetur në praktikën ligjbërëse dhe atë zgjedhore të vendeve të Europës Juglindore apo në Ballkan. Por ky fakt, në thelbin e vet, mbart shembjen e besueshmërisë dhe të jetëgjatësisë ligjbërëse të një Parlamenti që mund të ndryshojë disa individë, por nuk ndryshon protagonistët dhe mbi 60 për qind të vendimmarrësve politikë për reformat. Raporti i ditëve të fundit i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, është modeli i manipulimit për llogari të polemistikës partiako-politike të dy forcave tona politike.

Ai raport ka mjaft të meta dhe në kohë të afërta, në mediumet dhe mjediset tona analitike duhen sjellë në vëmendje të publikut aspektet munguese apo mangësitë e misionit të OSBE-së në historinë e tranzicionit shqiptar, si dhe në përvojën elektorale e atë të administrimit të praktikës zgjedhore shqiptare. Por diçka është e pazhvendosshme në këtë raport. Skaneri i mangësive dhe deformimeve e sidomos përgjegjësitë që dalin nga mosmanifestimi i një sjelljeje dhe ndërgjegjeje ligjore dhe institucionale nga partitë dhe udhëheqësit tanë edhe në procesin e fundit zgjedhor. Ai raport, në nëntekstin e tij, është shumë herë më realist se me tekstin. Prepotenca dhe arbitrariteti ligjor, në këtë vend, nis qysh në momentin kur ligjbërësit janë kandidatë për të tillë. Mediat serioze të këtij vendi duhet të investigojnë dhe denoncojnë faktin tronditës që disa kandidatë për deputetë nuk e respektuan ligjin për dorëzimin e detyrave apo posteve që mbanin në afatin e parashikuar nga ligji para datës së zyrtarizimit të kandidimit. Një numër i konsiderueshëm të tillësh kanë vazhduar të firmosin borderotë dhe madje në mënyrën më antiligjore edhe të firmosin shkresa e dokumente.

Ky investigim mund ta vendosë para dilemash qenien e tyre me mandatin e deputetit. Por të gjitha gjasat janë që kjo gjë të anashkalohet dhe lihet në fshehje, pasi deputetë të të dyja palëve janë në këtë mëkat antiligjor. Institucioni ligjor që ka tagrin për ta penguar dhe ndaluar këtë, e humbi, me qëllim apo pa dijeni, shansin për ta ushtruar këtë përgjegjësi ndaluese. E kemi fjalën për Komisionin e Verifikimit të Mandateve, apo edhe për vetë KQZ-në. Mirëpo, mesa duket është e tepërt të themi se pavarësia e këtyre institucioneve apo edhe kuraja e tyre për të mbetur besnikë të Kushtetutës, është një pretendim që kapërcen shtatin dhe mundësinë e tyre. Realiteti i humbjes, zhbërjes apo edhe tkurrjes tronditëse të mëvetësisë apo pavarësisë institucionale, nuk është vetëm një konstatim. Shembja deri këtu ka prekur shumë gjëra.

Konvertimi i partive kryesore në piramida sulltanore të pandryshueshme është akti më tronditës në qelizën e demokracisë institucionale në vend. Ky proces nuk është deformim, por një transformim i qëllimshëm. Arketipi i demokracisë nën autoritetin e kryesuesit që përbën tipologjinë dhe monomodelin e Partisë Demokratike, u tëhuajt dhe shkaktoi zilinë vepruese edhe prej kryesuesit të Partisë Socialiste. Zoti Rama zgjodhi pretekstin e metaforës së "telenovelave" që anarkizuan veprimin dhe vendimmarrjen socialiste gjatë periudhës së paraardhësit të tij Nano. Mirëpo koha rrodhi dhe tashmë ai pashmangshmërisht po e fut PS-në nën kostumin e demokracisë autoritare të vetes. Se deri ku do të shkojë imponimi i modelit të shquar të kryetarit Berisha, në PS, kjo nuk lë shumë hapësirë për dilema. Integriteti i shumë protagonistëve politikë në jetën partiake të së majtës, tashmë është i kërcënuar seriozisht për shkak të dilemës që sjell ekzistenca në parti si oponent. Ideja e orëve të fundit, për bashkimin e spektrit opozitar, duket si një ide utopike.

Shfaqet utopike për shumë arsye. Arsyeja e parë lidhet me faktin se pretendohet bashkim individësh, pa pasur dhe njohur një platformë bashkimi, në të cilën të nguliten rregullat dhe parimet që normësojnë kriteret bashkuese. Në këtë mënyrë, bashkimi nismohet si model i ri rindarjeje. E majta nuk mund ta kopjojë modelin e suksesit autarkik të Kryeministrit Berisha, sepse ai model nuk i vlen asaj, për asnjë ditë e jo më, për kurim të një krize shumëvjeçare. Investimi i protagonizmit me integritet dhe vlera rritjeje te përfaqësues të shumtë të së majtës, shumëfishon kapacitetet e saj, por, nga ana tjetër, rrit edhe valencën e kontributit në përballje me kundërshtarin politik. Kur socialistët kishin më shumë oponentë të kryetarit të dikurshëm Nano, ata ndiheshin më gjenerues brenda vetes dhe në funksion të shoqërisë.

Vlerat plurale në demokracinë dhe shoqërinë tonë po afirmonin një administratë publike dhe shumëfishonin kapacitetet institucionale të republikës. Më vonë, kur oponenca mori brendi dhe pamje konflikti, atëherë fjalën e mori degradimi dhe partizimi. Kjo përvojë është e mjaftueshme për një deduksion që duhet të favorizojë mëvetësinë e institucioneve dhe autoritetin e vlerave të individëve kontribuues në parti. Në të kundërt, autoritarizmi i kryetarit do të mpakë partinë dhe do të riciklojë krizën sikundër edhe do të shtojë mundësitë shantazhuese të kundërshtarit të fuqishëm politik. Fatkeqësisht, PS-ja e sotme nuk ka vetëm një kundërshtar, por ka disa aktorë dhe faktorë potencialë, sikundër në disfavor ka edhe këtë prolog vendimmarrjeje refuzuese deri në bojkot, apo edhe aksionin e paralajmëruar politik si opozitë zyrtare.

Në këtë gjendje dhe në këtë prolog politik, opozita nuk garanton qenien e afërt të një garanteje të pavarësisë funksionale dhe institucionale në vend. Modeli që ajo do t‘i luftojë Berishës, është parathënë të jetë modeli që do të aplikojë në kohën e saj si qeverisëse. Ky riciklim modeli prej protagonistëve që shkëmbejnë kohën refuzuese me atë adaptuese, është procesi që zhbën sistemin, vlerat dhe sidomos demokracinë.

Në Shqipëri sot nuk ka akt masakrues të pavarësisë apo të të drejtave. Pra nuk ka vendim prej ekzekutivit apo brutalitet të hapur dhunues prej shërbestarëve të pushteteve politike, por ka zhbërje të pabujshme të sistemit të pavarësisë dhe integritetit institucional. Kjo është e vërteta e pabujshme e "kancerit" që po e zvetënon demokracinë hibride shqiptare. Matanë apo pas saj, nuk janë armiqtë klasikë, por janë udhëheqësit tanë, të cilët antagonizmin e shndërrojnë kosto për vendin dhe përdorin si kamë të rreme, në duelin kronik mes tyre.

Duke mbërritur në një marrëdhënie gati zhdukëse të pavarësisë institucionale, ne kemi hyrë realisht në një kohë të re kritike. Le të mos e prekim bërthamën e optimizmit tonë për ndryshim dhe progres, por le ta themi hapur se pavarësi ndër ne s‘ka më. Ajo ndërsa humbi prej institucioneve, po bjerret edhe tek individët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama