Kosova në BE, jo nën BE

Shkruar nga: Enis Sulstarova  
Botuar më: 12 vite më parë

Enis Sulstarova
Kosova në BE, jo nën BE

Kur njerëzit vendosin se duan të jenë të lirë, asgjë nuk mund t‘i ndalë - Desmond Tutu

"Kosova në BE, jo nën BE!" ishte një nga parullat që u hodhën në tubimin e djeshëm masiv në Prishtinë për të kundërshtuar protokollin EU-LEX-Serbi. Një parullë tjetër ishte edhe "Kosova në BE, pa EU-LEX". Të dyja parullat e përmbledhin mjaft mirë qëndrimin popullor në Kosovë. Shprehja më e përmbledhur për të përshkruar gjendjen e tanishme të Kosovës është se ajo është një vend i pavarur, por pa sovranitet! Ndokujt kjo mund t‘i duket një paradoks logjik, mirëpo nuk është hera e parë që paradokset logjike për shqiptarët janë vetë realiteti ku ata jetojnë.

Le të shpjegohemi. Sovraniteti në ditët tona qëndron me popullin, institucionet shtetërore veprojnë kurdoherë si përfaqësues të sovranitetit popullor. Teoria e demokracisë e ka forcuar sovranitetin me mekanizmin e votës periodike, e cila konfirmon legjitimitetin e qeverisë. Sovraniteti mbështetet në idenë që populli duhet të vendosë për fatin e tij, me fjalë të tjera të vetëvendosë. Në rrethana vendimtare, si p.sh. me krijimin e shteteve të rinj, miratimin e një Kushtetute, për ngjarje të tjera madhore vetëvendosja e popullit shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetësimin e Parlamentit, me anë të referendumit. Referendumi mbarëpopullor i jep legjitimitetin më të lartë institucioneve qeveritare dhe i emëron si përfaqësuese të sovranitetit të popullit.

Kjo nuk është rruga që u ndoq për pavarësimin e Kosovës dhe prandaj themi se Kosova është e pavarur, por jo sovrane, diçka kjo që në analizë të fundit e nxjerr pavarësinë pa substancë dhe Kosovën një shtet të varur. Siç dihet, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk u bë me referendum, por me anë Parlamentit dhe në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, bazuar në dokumentin Ahtisari. Nga ana procedurale, u shmang sovraniteti. Pavarësia ishte e kushtëzuar qysh në fillim nga Pakoja Ahtisari dhe u miratua nga një Parlament i cili në çastin vendimmarrës ishte edhe ai me kompetenca të kufizuara sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB. Sipas kësaj rezolute, Përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Kosovën kishte fuqi për ta shpallur të pavlefshëm vendimin e Parlamentit për pavarësi. Kjo sigurisht që nuk ndodhi, sepse KS nuk ishte e njëzëshme as për ta kundërshtuar dhe as për ta miratuar pavarësinë.

"Modus operandi" mbeti Pakoja e Ahtisarit, e trupëzuar edhe në Kushtetutën e Kosovës, që për paradoks nuk është ligji themeltar i shtetit, sepse vazhdimisht i referohet një traktati ndërkombëtar, pra vetë Pakos Ahtisari. Edhe një paradoks tjetër ky për një shtet të pavarur, por që për shqiptarët është realiteti. EU-LEX-i parashikohet në Pakon Ahtisari si mision policor i BE. BE ka interesin e saj për sigurinë në një zonë të afërt, mirëpo duke qenë se vetë BE nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, EU-LEX-i nuk është një mision ndihmës, por jashtë juridiksionit të institucioneve qeverisëse të Kosovës. Sigurisht që ai vepron me miratimin e tyre formal, por ekzistenca e tij dhe nismat e tij vepruese janë të pavarura nga institucionet që burojnë nga Parlamenti i Kosovës. Ja përse EU-LEX-i e harton protokollin drejtpërdrejt me Serbinë dhe nga qeveria e Kosovës kërkohet vetëm që të bindet me kushtet e protokollit. Paradoksale, apo jo? Mjerisht është realiteti i Kosovës.

EU-LEX-i varet nga BE, por jo nga Kosova. Statusi i EU-LEX-i i ngjason atij të një policie koloniale dhe Kosova i ngjason një protektorati të BE. Kjo ndodh sepse BE nuk e ka njohur për vend sovran dhe megjithatë vepron në Kosovë pikësëpari me anë të EU-LEX. Disa mund të mendojnë se nuk ka asgjë për t‘u shqetësuar, se duke qenë protektorat Kosova de facto është në BE. Por jo, në BE bëjnë pjesë vetëm vendet sovrane, të cilat me vullnetin e plotë të tyre kanë rënë dakord të mbledhin së bashku disa prej kompetencave kryesore të sovraniteteve të veçuara për t‘i ushtruar më mirë së bashku. Pra BE e forcon sovranitetin e shteteve anëtare dhe nuk e dobëson atë. Prandaj është EU-LEX-i në Kosovë, për të garantuar sigurinë e jashtme të BE. Prandaj BE i intereson më shumë protokolli i EU-LEX-it me Serbinë për luftën rajonale kundër krimit, se sa sovraniteti, apo pavarësia e Kosovës.

Për të qenë në BE, Kosova duhet të jetë më parë një shtet sovran. Këtë e kanë kuptuar ata dhjetëra-mijëra qytetarë që dje mbushnin rrugët e Prishtinës, mirëpo çështja është nëse e kanë kuptuar qeveritarët dhe politikanët e Kosovës. Në mënyrë paradoksale, është shoqëria civile ajo që kërkon të pajisë me sovranitet Kosovën, pra të themelojë kushtin për shoqërinë politike të Kosovës. Është shoqëria civile që po vepron si subjekt politik dhe jo institucionet e Kosovës, që duhet ta refuzojnë vendosshmërisht jo vetëm protokollin në fjalë, por vetë EU-LEX në mënyrën se si ai është themeluar dhe po vepron si institucion brenda Kosovës. Brenda territorit të Kosovës nuk mund të lejohen më shumë se sa një njësi sovrane dhe kjo e fundit duhet të jetë vetë shteti i pavarur i Kosovës. Nyja gordiane e lidhur prej Rezolutës 1244, Pakos Ahtisari, EU-LEX, nuk zgjidhet duke u përpjekur t‘i gjesh fillimin apo fundin, sepse protokoll pas protokolli ajo trashet edhe më. Ajo duhet prerë dhe herët a vonë do të pritet! Nuk mund të ketë popuj pa sovranitet! Rruga e Kosovës për në BE kalon nëpër fitimin e sovranitetit!

Lufta për Kosovën e pavarur dhe sovrane vazhdon, shpallja e pavarësisë shënoi fillimin e një faze të re. Ajo thjesht është transferuar në tryezat e diplomatëve dhe politikanëve që zhvillojnë negociata pa fund, ndërsa populli zbret në rrugë për të kërkuar të drejtat e tij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama