Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pro Fatmir Mediut në qeveri

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 15 vite më parë

Besnik Mustafaj
Pro Fatmir Mediut në qeveri

Dje, më datë 9 shtator 2009, në shumicën e gazetave të ditës, është botuar një peticion i nënshkruar prej një numri gazetarësh e opinionistësh, nga më të nderuarit e shtypit tonë, nëpërmjet të cilit i kërkohet Kryeministrit Berisha të mos e përfshijë në kabinetin e vet të ri kryetarin e Partisë Republikane, zotin Fatmir Mediu. Në gjykimin tim, teksti, që i drejtohej publikisht zotit Berisha me cilësinë e të mandatuarit për të krijuar qeverinë e re, dukej i hartuar me kujdes, për të përmbajtur çdo emocion negativ kundër zotit Mediu dhe as nuk përmendeshin fakte të paqena. Në këtë pikëpamje, mua vetë, si gazetar më i vjetër në këtë profesion se të gjithë nënshkruesit e peticionit në fjalë, por edhe si njeri që ka bërë afro njëzet vjet në rrugën e politikës, teksti si i tillë më la vetëm shijen e korrektësisë.

Më tej fillon mospajtimi im e që do të doja ta shprehja po ashtu publikisht siç edhe kolegët e mi. Praktika e peticioneve të organizuara nga komuniteti i njerëzve të medias është e njohur dhe e dobishme në demokraci. Por, me aq sa e njoh unë përvojën e vendeve me demokraci të zhvilluar, por edhe përvojën e vendeve me demokraci të kërcënuar, gazetarët bashkohen si komunitet për të reaguar së bashku me peticione apo forma të tjera të protestës kolektive, vetëm në rastet kur kërcënohet liria e shprehjes, apo preken aspekte parimore të funksionimit strukturor të mediave, përfshirë këtu edhe cenimi i dinjitetit njerëzor apo profesional të gazetarit nga njerëzit apo institucionet e pushtetit a të shtetit.

Të tilla po më vijnë shpejt e shpejt ndër mend tani tek shkruaj dy raste shqiptare: protesta e gazetarëve para Ministrisë së Brendshme para pak vitesh, për shkak të brutalizmit fizik nga ana e ministrit të Brendshëm të asaj kohe të njërit nga kolegët tanë, e ku kërkohej mirëfilli dorëheqja e ministrit dhe peticioni i njerëzve të medias kur u dhunua nga qeveria redaksia e gazetës “Tema”. Me siguri ka edhe të tjera raste, por që nuk është nevoja të përmenden.

Për çdo lloj problematike tjetër, me ç’njoh unë nga përvoja e vendeve të tjera, njerëzit e penës reagojnë vetëm individualisht në hapësirat e mediave të tyre. Dhe problemi i shtruar në peticionin e kolegëve të mi kësaj here nuk më duket se ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë e as të tërthortë me problematikën funksionale të medias. Megjithatë, mospajtimi im në këtë aspekt mbetet vetëm në nivelin e formës. Si i tillë, nuk meriton vëmendje më shumë se kaq.

Për t’u kthyer te kërkesa e nënshkruesve të peticionit, e që është arsyeja parimore për hartimin dhe shpalljen e tij, mendimi im është pa mëdyshje se Fatmir Mediu mund të përfshihet në koalicionin e ri qeverisës. Mund edhe të mos përfshihej. Duke i përmendur këto dy eventualitete dhe nuk ka të tretë, dëshiroj të theksoj se përfshirja ose jo e tij në kabinet është vetëm çështje e vullnetit të tij personal si dhe e atyre që e kanë mandatuar.

 Çdo presion për të kundërtën, qoftë nga jashtë, si në rastin në fjalë apo edhe qoftë nga brenda koalicionit, sipas gjykimit tim nuk është parimor. Demokracia piqet dhe institucionet e saj forcohen kur gjërat shtrohen parimisht. Fatmir Mediu, edhe pse i ri në moshë, është një politikan me karrierë të gjatë në skenën tonë politike dhe me një profil të qartë, i cili mund të ngjallë simpati ose antipati në popull, por të paktën është i qartë e i kristalizuar si profil, gjë që nuk e kanë shumica dërrmuese e politikanëve tanë që paguhen me ofiqe të larta.

Për të mos bërë as histori të gjatë dhe as biografinë e Mediut, e ndjej për detyrë të ndalem një çast vetëm te sjellja e tij politike në momentin tragjik të shpërthimit të Gërdecit. Siç mund të kujtohet lehtë, ai pa ngurrim mori të gjitha përgjegjësitë që i takonin si politikan. Dha menjëherë dorëheqjen nga funksionet e ministrit të Mbrojtjes dhe u shpreh publikisht i gatshëm të bashkëpunonte me drejtësinë për zbardhjen e të vërtetës.

Çfarë mund të bënte tjetër një politikan në Berlin, në Paris, në Londër apo në Uashington? Sipas meje nuk mund të bënte asgjë më tepër. E theksoj: fjala është për të marrë përsipër përgjegjësitë politike. Përgjegjësitë ligjore mund dhe duhet t’i përcaktojë vetëm drejtësia. Duke parë shpejt e me seriozitet përgjegjësitë politike, dhe kaq kërkon një shoqëri e lirë nga të zgjedhurit e vet demokratikisht, Fatmir Mediu vendosi një standard të munguar me politikën tonë asokohe. Unë e kam përgëzuar publikisht në atë periudhë kur edhe isha koleg i tij në parlament, e përgëzoj edhe tani, që nuk jam më në politikë.Ishte një standard i munguar në politikën tonë institucionale, sepse gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni, janë me qindra rastet skandaloze të natyrave nga më të ndryshmet, kur një ministër do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen.

Për të mos u larguar nga Ministria e Mbrojtjes, po përmend vetëm njërin: tragjedinë e 9 janarit 2004, kur humbën jetën 29 veta, burra, gra e fëmijë hallexhinj, 8 nga të cilët mbetën të humbur në zgafellet e detit edhe sot e kësaj dite. U pranua botërisht se të paguarit nga taksapaguesit shqiptarë për të ndihmuar viktimat e shkreta, nuk bënë asgjë atë natë. Shkurt: nuk kryen detyrën e tyre as edhe minimalisht. Por ministri i Mbrojtjes i kohës nuk dha dorëheqjen. Nuk mori para shoqërisë shqiptare dhe as para familjarëve të viktimave asnjë përgjegjësi politike. Një tragjedi e ngjashme ndodhi këto ditë në liqenin e Ohrit dhe ne pamë se ministri përkatës në qeverinë maqedonase dha menjëherë dorëheqjen.

Ky standard i marrjes së përgjegjësive politike në raste me pasoja të tilla tragjike apo jo për mbarë shoqërinë, standard që prek thelbin e metodës së qeverisjes, jo vetëm nuk ekzistonte në kohën kur Fatmir Mediu u tërhoq kokulur nga zyra e tij, por as nuk u pasua nga të tjerë. Me shumë pastërti dhe ndershmëri, në ato momente shumë të vështira emocionalisht për mbarë kombin, unë kam kërkuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kur bëja pjesë, që marrja e përgjegjësive politike të bëhej e plotë nga qeveria. Sipas analizës time të asaj kohe, analizë që i qëndroj edhe sot e kësaj dite, përgjegjësi shumë të madhe, të patolerueshme, kishte edhe ministri i Financave, edhe ministri i Brendshëm.

Me mbajtjen nën sqetull të kompanive që vepronin në Gërdec, disa departamente të Ministrisë së Financave, si tatimet, doganat e ndonjë tjetër, si dhe disa departamente të Ministrisë së Brendshme, si ai që ndjek krimin ekonomik, ai që ndjek kontrabandën etj.; kishin shkelur aq rëndë detyrimet e tyre ligjore, sa ministrat përkatës nuk kishin më as të drejtë morale dhe as të drejtë politike të ngrohnin kolltuqet e zyrave të larta. Kishte përgjegjësi natyrisht shumë të madhe edhe vetë Kryeministri Berisha, për të cilin nuk ka asnjë vlerë përgjigjja: “Nuk e dija”. Fjala ime ra në vesh të shurdhër, më vjen keq, por nuk ndryshoj mendje se duhet ta inkurajojmë të gjithë me aq sa mundemi, që të zërë vend standardi i dorëheqjes, thënë thjesht standardi i marrjes së përgjegjësive politike tek të zgjidhurit tanë. Të paktën neve, që i drejtohemi opinionit publik, nuk na lejohet të përdorim në gjykimin tonë dy standarde.

Kolegët e mi, në peticionin e tyre, me ndershmëri i referoheshin parimit të prezumimit të pafajësisë dhe e vlerësonin me vend për rastin në fjalë. Unë bashkohem tërësisht me ta. Unë e di, si të gjithë shqiptarët, se Fatmir Mediu është në një proces gjyqësor. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, mesa di unë. Me sinqeritet, nuk them dot ende nëse miku im Mediu është i fajshëm apo i pafajshëm. Bindjet e mia të brendshme mund të më shërbejnë vetëm mua. Për opinionin publik ato nuk kanë asnjë vlerë të qëndrueshme. Për opinionin publik verdiktin e jep vetëm drejtësia.

Por, prezumimi i pafajësisë si parim madhor vepron vetëm në vendet ku sundon shteti ligjor dhe ka lindur nga vullneti që një qytetari të mos i mohohen të drejtat e tij themelore, ndër të cilat e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur është substenciale. A nuk po kërkohet kështu nëpërmjet këtij, që Fatmir Mediut t’i mohohet padrejtësisht kjo e drejtë themelore? Unë them se po dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Nuk na shkon sidomos ne, njerëzve të mendimit të lirë, të kërkojmë mohim të drejtash.

Në mbyllje edhe unë, për aq sa më takon mua, do t’i drejtohesha publikisht Kryeministrit Berisha, për t’i thënë se nuk shoh asnjë pengesë morale e as politike që zoti Mediu të përfshihet në kabinetin e tij të ri. Dhe shpresoj se kështu do të ndodhë.
9 shtator 2009

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama