Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Karikatura e diplomacise sipas Blushit

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 9 vite më parë

Besnik Mustafaj
Karikatura e diplomacise sipas Blushit

Para disa ditësh, deputeti Ben Blushi, njëherësh dhe anëtar i Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë, botoi një analizë sipas tij të zgjeruar mbi përplasjet e fundit diplomatike të Shqipërisë me fqinjët dhe më konkretisht me Turqinë, me Greqinë dhe Maqedoninë. Pa i lejuar vetes as dyshimin më të vogël, ai arrin në  përfundimin se diplomacia shqiptare ka thyer një rekord për mbrapsht, duke dëmtuar brenda një jave marrëdhëniet me këto tri shtete, të cilat, siç dihet, kanë qenë dhe mbeten të një rëndësie specifike në politikën e jashtme të vendit tonë. Për arsye që lidhen me përvojën time në këtë fushë, që do të thotë edhe me një pasion të mbetur gjithsesi brenda meje për veprimtarinë diplomatike, kjo ishte nga ato analiza, që unë vazhdoj t’i lexoj me një vëmendje të veçantë.

Të them të drejtën, nuk isha ndeshur ndonjëherë me një vështrim më të habitshëm lidhur me diplomacinë dhe me përmbajtjen në përgjithësi të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sikur autori të mos ishte ai që është, kam parasysh këtu mandatet politike që ai mban, nëpërmjet të cilave ushtron një ndikim dashje pa dashje të caktuar si mbi praktikën  e përditshme diplomatike të shtetit tonë, ashtu edhe mbi perceptimin e politikës së jashtme nga opinioni ynë publik, një lexim i tillë do të mbetej për mua thjesht një fantazi argëtuese. Sepse, për artin e karikaturës asnjë temë nuk është e përjashtuar.

Do të thosha se imagjinata e autorit shkëlqen veçanërisht kur shqyrton marrëdhëniet e sotme të Shqipërisë me Greqinë. Me të drejtë, ai e merr si të mirëqenë dëmtimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Por kjo, sipas tij, ka ndodhur për shkak  të “kontrastit ideologjik. Pra, të nevojës për të bërë diferencën mes kapitalizmit tonë dhe atij grek. Dikush në Tiranë beson se kapitalizmi ynë është europian, pra është në drejtimin e duhur, prandaj është më i madh, ndërsa ai grek është në rrugë të gabuar, është në humnerë, prandaj është më i vogël… Sot në Tiranë duken sikur mezi presin që qeveria greke të dështojë si model. Kjo është frika e përhapjes së modelit. Ky është sërish kompleksi i përmasës ideologjike. Është frika se modeli i qeverisë greke mund të kalojë kufirin… Në përgjithësi, ky është një kompleks servil ndaj Europës, së cilës në këtë rast duam t’i themi se, megjithëse një vend i varfër, ne nuk ndotemi nga virusi grek i mbështetjes për të varfrit dhe i huamarrjes së negociueshme… Edhe nëse sot Greqia është gabim në rrugën e vet, kjo nuk është arsye që ne të acarojmë marrëdhëniet me Greqinë për arsye ideologjike”.

Me fare pak shkurtime, ky është i gjithë shpjegimi që jep Ben Blushi lidhur me zymtinë e krijuar së fundmi në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Është me vend t’i lyp ndjesë lexuesit për citimin e gjatë, por sinqerisht nuk arrita dot ta shmang. Disa përpjekje për ta përmbledhur me besnikëri argumentimin e autorit, më lanë mua të parit përshtypjen se po lajthisja, aq larg realitetit që njihja unë më ngjanin shtjellimet e tilla.


Sepse, fakt është se marrëdhëniet shqiptaro-greke janë më keq se të acaruara. Ato janë në krizë të vërtetë, siç pranohet me zë të lartë në Athinë e në Bruksel dhe me gjysmë zëri në Tiranë. Sipas Ben Blushit, faji është i tëri në anën e qeverisë që ai vetë ka votuar. Ai është në të drejtën e tij ta shpërndajë përgjegjësinë ashtu siç e mendon.

Por përfundimi i tij se qeveria shqiptare po i fryn zjarrit të acarimit për arsye ideologjike, shtyn logjikisht te nënkuptimi se edhe Rama me ekipin e tij kanë një ideologji udhërrëfyese në ushtrimin që po i bëjnë pushtetit. Profesor Servet Pëllumbi, por edhe vetë Ben Blushi, Kastriot Islami, Erion Braçe e ndonjë tjetër, të paraqitur gjatë kohës para opinionit tonë publik si ideologë të së majtës klasike, e kanë qortuar haptas Edi Ramën për zbrazëti të plotë ideologjike në program e po aq në praktikën qeverisëse. Dhe ashtu është. Çdo vëzhgues i jetës politike shqiptare e vë re pa vështirësi se kjo është një qeverisje pa fizionomi ideologjike, por kjo është një çështje tjetër. Një qeveri pa ideologji ka kritere të tjera në përcaktimin e kundërshtarëve të vet të jashtëm. Nga ky rregull nuk bën përjashtim as qeveria Rama-Meta. Edi Ramës i pëlqen ta pohojë se “ne socialistët shqiptarë jemi pragmatikë”. Ai tregohet i sinqertë në këtë rast. Por pragmatizmi nuk është ideologji politike. Aq më pak mban erë ideologjike pragmatizmi i Kryeministrit tonë.

Përvoja si më i vjetër në rrugën e politikës më lejon ta këshilloj Ben Blushin që ta kërkojë pikërisht te ky pragmatizëm allasoj i Edi Ramës edhe të keqen që ka sjellë krizën në marrëdhëniet shqiptaro-greke, ashtu si dhe në marrëdhëniet me Maqedoninë apo me Turqinë. Pragmatizmi i Edi Ramës nuk ka asgjë të ngjashme, ta zëmë, me pragmatizmin në politikë të amerikanëve, thelbi i të cilëve në procesin e marrjes së vendimeve është braktisja e çdo dogme ideologjike kur është fjala për të gjetur zgjidhjen më të shpejtë e më të përshtatshme për problemin në interes publik e kombëtar.
Pragmatizmi i Edi Ramës, ashtu siç e njohin shqiptarët tashmë, është përshtatja ndaj situatave, me qëllimin e vetëm ruajtjen dhe zgjerimin e pushtetit të vet. Pra, asnjë lidhje me interesin publik. Është pragmatizmi i një politikani me prirje të theksuar autoritariste, i cili nuk e ka për gjë të kapërcejë me deklaratat dhe me sjelljet e tij brenda ditës nga njëri ekstrem në tjetrin, domethënë nga një liberal kozmopolit te një nacionalist ksenofob, pa e vrarë mendjen se këto deklarata mbahen mend, mbahen madje edhe shënim e prodhojnë veprim jo vetëm nga ata, që Rama kërkon ta duan e ta ndjekin, por edhe nga ata që ai stigmatizon.

Të tjerët e marrin Kryeministrin e Shqipërisë më seriozisht nga ç’e merr ai veten në përditshmëri, duke bërë fotografi selfie me papagaj. Kështu ka ndodhur disa herë për sa i përket Greqisë, qysh kur ai ka marrë drejtimin  e qeverisë dhe, për pasojë, marrëdhëniet me fqinjin tanë jugor nuk janë rrënuar në një javë, siç mendon Blushi. Madje, është publike tashmë që ky rrënim nuk ka filluar as me ardhjen në pushtet të Tsipras-it, që do të thotë se “modeli ideologjik i qeverisjes së majtë” të Tsipras-it nuk ka kurrfarë ndikimi në diplomacinë e keqe të Ramës.


Nisur me predispozitën se po lexoj opinionet e një politikani të sprovuar, më duket befasuese bindja e Blushit se ardhja në pushtet e ekstremit të majtë grek “duhej të ishte një mundësi për të rinegociuar çështjen e kufijve detarë, për të cilën janë përgjegjëse dy qeveritë e shkuara greke, bashkë me qeverinë tonë të djeshme”. Sipas Blushit, kjo zvarritje ka ardhur sepse “ne besojmë se ideologjikisht jemi më afër Europës, ndërsa Greqia është më larg dhe prandaj ka ardhur dita të sqarojmë hesapet”. Blushi sigurisht që e njeh nga afër Ramën, gjë që nuk është rasti im, dhe ky pohim nga ana e tij meriton vëmendje të posaçme.

Do të kishte qenë mirë që Blushi të sqarohej pak më shumë në këtë pikë. Përndryshe, i mbetet lexuesit të hapërdahet nëpër hamendje. Një e tillë, më e skajshmja, do të ishte se Rama, si ballkanas, i ngopur me mentalitetin e të fortit, do t’i sqarojë hesapet me Greqinë e drobitur nga hallet e veta, duke e shtyrë kufirin detar përtej nga sa është e jona. Një prognozë si kjo do të ishte jo vetëm irreale, por edhe fort shqetësuese. Një hamendje tjetër të çon ndoshta më afër asaj që po ndodh: që Rama ka nevojë për konsum të brendshëm për retorikën e fortë nacionaliste, populiste dhe për këtë po përdor thjesht si pretekst madhor kufirin detar. Mund të shtoja edhe një numër të madh spekulimesh të tjera, por që asnjëra nuk më çon te vetëdija e Ramës për ndonjë epërsi ideologjike ndaj qeverisësve të sotëm grekë.

Me të drejtë, Blushi thotë se rinegocimi i kufijve detarë “mbart interesa strategjikë për të dy vendet.” Si i tillë, ai paraqet urgjencë veçanërisht në rrethanat e ditës kur qeveria greke ka autorizuar kompani të mëdha të huaja për të zhvilluar në atë hapësirë kërkime për hidrokarbure. Por do të ishte padrejtësi dhe shmangie nga e vërteta që përgjegjësia për këto zvarritje të shkarkohej e tëra mbi qeverinë shqiptare. Për të kryer negocime duhet që të dyja palët të jenë në një mendje, të pajisur me të njëjtën gatishmëri e të njëjtin vullnet pozitiv. Unë nuk kam arritur të mësoj asnjë fakt, sipas të cilit majtistët e Tsipras-it apo nacionalistët me të cilët ai po qeveris, të kenë bërë ndonjë përpjekje sado të vogël në këtë drejtim. Përkundrazi, ashtu si paraardhësit e tyre të rrëzuar me votë, ata as nuk e kanë ratifikuar në Parlament marrëveshjen e mëparshme, mbi të cilën duan të mbështeten.

Pra, as nga ana e vet nuk e kanë legjitimuar qoftë edhe formalisht këtë marrëveshje të rrëzuar tashmë nga Gjykata jonë Kushtetuese. Dhe mirë kanë bërë që e kanë shmangur një karshillëk më tepër. Ama, shteti grek nuk e ka firmosur ende Protokollin e Firences, përfunduar në vitin 1926, sipas të cilit rregullohej tërësia e kufirit shqiptaro-grek, përfshirë, pra, edhe kufirin detar. Për të mbetur vetëm te rasti i fundit, po shohim se autoritetet greke, në një non sens të plotë juridik, kërkojnë tani me kokëfortësi të mbështeten mbi një marrëveshje dyfish jo legjitime: edhe në Athinë, edhe në Tiranë. Për një shtet të së drejtës, anëtar i Bashkimit Europian, kjo sjellje është e papërfytyrueshme e që vetëm ekstremistët, qofshin ata të majtë apo të djathtë, apo edhe të bashkuar si në rastin e qeverisë së Tsiprasit, mund t’ia lejojnë vetes.

Por unë nuk di gjithashtu as që qeveria jonë, ajo që kishte shpallur me bujë të madhe se do të kishte “zero probleme” me fqinjët, të ketë bërë nga ana e vet ndonjë përçapje konkrete në këtë drejtim.  Kjo afërmendsh që nuk është harresë. Janë të gjitha arsyet e përmendura më lart, por është edhe një tjetër, që mua më duket kryesorja. Përveç “interesave strategjikë” të lidhur me rezervat e hidrokarbureve, përcaktimi i këtij kufiri ka të bëjë drejtpërdrejt me sovranitetin territorial të atdheut tonë. Qoftë apo jo e vërtetë, në librat e historisë së Shqipërisë do të përmendet si një njollë  e përafërt me tradhtinë kombëtare mbi emrin e Sali Berishës marrëveshja e mëparshme. Edi Rama kujdeset qysh tani t’ia kujtojë kohë pas kohe Berishës se ai “shiti 300 kilometra katrorë hapësirë shqiptare”.

Ama, për vetë konfiguracionin e zonës, është e pamundur të arrihet një marrëveshje, që nuk do të ngjallte debate në opinion tonë publik. Për këtë unë jam i bindur. Dhe Edi Rama e di mirë. Kësisoj, ai burrë shteti në Tiranë, që do të ndërmarrë zgjidhjen e kësaj nyje, ka para së gjithash nevojë për një guxim të jashtëzakonshëm për t’u përballur sot e në jetë të jetëve me kritizerët. Edi Rama, me delirin që i ushqen vetes për të zënë një vend të madh në histori, delir për të cilin është rrëfyer vetë në shtypin shqiptar dhe të huaj kur mori drejtimin e qeverisë, natyrshëm që nuk e ka një guxim të tillë. Për më keq, ai nuk ka rreth vetes as njerëzit, me të cilët mund ta ndante këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme përpara kombit. Afro nëntëdhjetë vjet më parë, Ahmet Zogu bëri disa ndryshime që dihen në kufirin me Jugosllavinë. Por ai ia ngarkoi këtë punë të birit të Abdyl Frashërit, një rilindësi të vërtetë, pra, i cili vështirë të akuzohej se shiti interesat kombëtarë. Diplomacia delikate kërkon doemos njerëz me besueshmëri të lartë morale, nga ata që nuk janë të gatuar me brumin e Rilindjes së Edi Ramës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama