Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Liria e të kapurve

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Liria e të kapurve

Kastriot Islami, në vitin 2005 u bë oponent i Fatos Nanos dhe përkrahës i Edi Ramës, por mbeti për të disatën herë deputet i Parlamentit. Gramoz Ruçi e mbështeti Edi Ramën në aksionin e këtij të fundit për të marrë PS-në, ndonëse socialist s‘ka qenë asnjë ditë të jetës së vet. Arben Malaj në vitin 2009 ripërsërit me të njëjtën dëshirë, por gjithashtu me të njëjtën gjasë mosfitoreje, kandidimin për postin e kryetarit të PS-së, si disa vjet më parë. Andis Harasani, me lehtësinë e ndarjes së dikurshme nga ish-kryetari Fatos Nano, po rikthehet tek oponenca ndaj Edi Ramës. Kronika e sjelljes së socialistëve politikëbërës në raport me postin e kryetarit të partisë së tyre është shumë më e gjatë dhe më e kokolepsur se kaq. Prej këtij fragmenti mund të kuptohet lehtë se në këtë forcë është amalgamuar demokracia e sjelljes me atë të pragmatizmit konjuktural, demokracia hibride me demokracinë e hipokrizisë dhe të "kapjes". Në këtë brendi të pareshtur, kriza e së ashtuquajturës "e majtë" vijon riciklimin dhe kapitujt e vet, ndërkohë që shoqëria shtresëzon të shkuarën e vet të afërt nëpër iluzione ndryshimi dhe ndryshuesish.

E ashtuquajtura "e majtë" përpëlitet nëpër kapje të reja dhe tenton të lëvizë falë lirisë së të kapurve të vet. Reformimin e kësaj të majte s‘ka profet që e parashikon, sikundër s‘ka fallxhore që e rrëfen si fat të mëtejshëm. Në skotën e të regjurve të kësaj së majte të zhbërë, çuditërisht përfshihen shpejt edhe të rinjtë që "kapen" me lehtësi. Skema e lëvizjeve pro dhe kundër e politikëbërësve socialistë në PS-në që nuk dihet se çfarë aspekti programor e mban në këmbë si të majtë apo socialiste, ndryshon me stinë dhe përshtatet me ditë. Kjo demokraci e çrregullt e kësaj force politike është imazhi rraskapitës i demokracisë që mishëron pushteti, i cili buron në rastin e të qenit ajo fituese. Kjo demokraci e çrregullt në PS-në e Edi Ramës nuk është as bolshevike dhe as hibride, por është një karikaturë e shitur si abstraksionizëm politik. Antropoideologjia politike e PS-së është hibridizuar në atë farë feje, sa s‘ka laborator e profesor ta korrigjojë, apo udhëheqës ta riformësojë.

Kjo pamje e së majtës nuk ndryshon shumë prej së ashtuquajturës "së djathtë", e cila e ka pranuar si fat të pazhbëshëm autoritarizmin e jetëgjatit politik Berisha. Rotacioni amorf dhe jo periodik në politikën e vendit ka mavijosur mjaft probleme të hapura për shtetin dhe shoqërinë, qysh në fillesë të viteve ‘90 dhe fatkeqësisht në këtë kah shtimi po mbart problemet e sfidës së krahasimit me standardet e përdorura demagogjikisht. Dilemat e ecjes së mëtejshme të qeverisjes së të djathtës në aleancën e fundit kabinet-formues me të majtin Ilir Meta, janë edhe më të mëdha për shumë arsye. Nuk është fjala se a do t‘ia dalin së bashku të vjelin pushtetin që u beson ky mandat qeverisjeje, por është fjala se a do të ketë dikur llogaritës së faturave që lenë për shoqërinë dhe vendin këta qeverisës?! Mekanizmi i sofistikuar i mbulimit të të vërtetave dhe i bjerjes së besueshmërisë ndaj fakteve, nga dora në dorë, është bërë edhe më determinues. Në thelbin funksionues të këtij mekanizmi është humbja, dhe pse jo zhdukja e transparencës si detyrim dhe normë sjelljeje në shërbim të publikut. Ky mekanizëm i përdorur makutshëm në gjithë këtë tranzicion, e ka bërë këtë shoqëri të "treguarën me gisht" për administratën që ka dhe ka pasur. Demokracia jonë është liliputja përballë shtetarëve zotër.

Klasa politike ka vënë dorë në mjedisin dhe sidomos në mjedisin urban, si dhe ka vrarë e vijon të vrasë tragjikisht dimensionet e mjedisit dhe indit kombëtar njerëzor. E pohuar më shkurt, kjo vrasje tragjike që vijon mund të vihet në dukje përmes pyetjes: "Po Njeriu? Ku është Njeriu"?

Në një analizë të para pak ditëve, kolegu Fatos Lubonja, duke ia drejtuar pyetjen "Si t‘u duk Shqipëria?", një mikut të vet italian, mori si përgjigje: "Duket se ka ardhur koha t‘ia filloni"!

E kishte fjalën padyshim për një fillesë serioze të të gjithë shoqërisë, institucioneve të saj, organeve dhe organizmave, komunitetit njerëzor në tërësi dhe sidomos të elitës udhëheqëse të vendit. Natyrisht ky është konstatim dhe nuk mjafton si dëshirë.

Kur mund të ndodhë që ne t‘ia nisim?

Ne kemi dhënë prova të njëpasnjëshme të vrasjes së fillimeve. Sloganet partiake të shpalosura në fushatat e bujshme dhe të kushtueshme të këtij tranzicioni, në disa raste kanë qenë: "Fillim i ri", "Bashkimi për ndryshim", "Koha për ndryshim", "Bashkimi për fitore" etj., etj.

Të gjitha këto kanë qenë slogane dhe si të tilla kanë përfunduar. Jetëgjatësi sloganesh kanë pasur dhe kurrsesi jetëgjatësi devize. Udhëheqësia politike e së ashtuquajturës e majtë në tërësi dhe ajo e së quajturës e djathtë në veçanti, ka pasur vetëm qëllimin e pushtetkapjes dhe jo të ndryshimit të shoqërisë e aq më tepër të shfrytëzimit të kohës së mbetur për të kapur trenin e kohës së humbur, në misionin për t‘u bërë pjesëtarë të "shtëpisë politike të BE-së".

Ndryshimi i premtuar dhe ai që planifikohet për premtime të ardhme, nuk mund të jetë ai i duhuri kur vjen prej lirisë së të kapurve. Këta të kapur, natyrisht jo prej krimit dhe abuzimit, siç rëndom kanë akuzuar dhe janë akuzuar gjatë këtij tranzicioni, por prej sjelljes abuzive me të vërtetat e besueshme ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj përkatësisë së tyre politike, nuk mund të gjenerojnë më besim ndryshues. Ata në kësi sjelljesh, keqtrajtimesh të ndërgjegjes dhe moralit politik, në kësi akrobacirash dhe pehlivanllëqesh partiake, mbajnë të "kapur" partinë e tyre, pra institucionin që klloçkon demokracinë dhe standardet reale të një shoqërie. E ashtuquajtura e majtë e sotme dhe e ashtuquajtura e djathtë, deri më sot kanë qenë "klloçka" të kapura jo prej vezëngrohjes për "zogj", por prej ceneve për abuzim dhe "mjelje" të pushteteve.

Kjo liri e të kapurve në mjedisin e sotëm politik të vendit, duket se po riciklon një kapje të re për gjendje të vjetër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama