Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vaterla

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Vaterla

Të shtunën socialistët kanë kongres. Thuhet se do fryjë shumë erë e do bëjë goxha furtunë atë ditë, ndaj janë të shumtë ata që po bëjnë gati gunat për t‘u mbrojtur. Që të mos më thonë edhe mua se e ktheva gunën sipas erës atë ditë, po i hedh në letër ca mendime qysh sot, ashtu siç më vijnë. Pa në më daltë era përballë pastaj, s‘ke ç‘i bën, kështu paskësh qënë e shkruar.

I ulur mes një grupi socialistësh, prej atyre që gjithë pasion u aktivizuan gjatë kësaj fushate elektorale, ndiqja pa bërë zë debatin e tyre. Edhe njëqind herë sikur të bëjmë zgjedhje, po s‘u bashkuam me LSI-në, njëqind herë do humbasim. Me ato kandidatura që vumë ne dhe që s‘i njihte as pallati i vet, natyrisht që kjo punë kështu do shkonte. Le pastaj programi, që as e pa e as e mori vesh njeri, e mbajtët të fshehur si të ish sekret shtetëror. Jo, se s‘ish punë programi, por e keqja ishte te kryetari që nuk dha dorëheqjen nga Bashkia dhe njerëzit thanë që ky e dashka "një dorë në bakllava e një në revani". Ore po le të mos hiqte dorë nga Bashkia, por të paktën duhej të kandidonte vetë patjetër për deputet në krye të listës se, si shkoi kjo punë, dukej sikur "nisuni ju, se unë s‘po vi". Jo, jo, e keqja ishte te parulla "përtej së majtës dhe së djathtës", që në vënd që t‘i ngrohte të dyja palët, i la të ftohta që të dyja. Po bazën, bazën e partisë, që se pyeti njeri asnjëherë për asgjë në këta vjet? Vazhduan pastaj ca arsye të tjera që shkonin edhe më thellë. Jo po modeli i Tiranës nuk është i gjithi flori, jo po jemi katandisur vetëm fasadë, jo po kemi braktisur njerëzit, jo po... Desha ta le fare atë tryezë, se filloi të më zinte dyshimi e t‘i thoja vetes: po sikur larg qoftë, ndonjë prej këtyre arsyeve të jetë e vërtetë? Pastaj dëgjova një tjetër të shtonte: Po pse ore, me stilolapsat e Ballit do fitonim ne?

Këtu më zunë ngushtë, se e kisha hequr vetë mbi kuriz këtë gjë, ndaj po jua rrëfej edhe juve që po më lexoni. Aq na kish hyrë tmerri i vjedhjes së votave në këto zgjedhje, sa ç‘nuk shpikëm për t‘ju shmangur kësaj belaje. Ndër shpikjet e ruajtjes së votës këtu në Tiranë, ish edhe një si punë stilolapsi, që na thanë se kishte të instaluar një kamera të vockël, si ato të Xhejms Bondit. Stilolapsin-kamera, komisionerët tanë duhej ta mbanin në xhep të këmishës dhe, nëse do të vërenin shkelje a parregullsi, mjaft që të drejtonin xhepin e këmishës (ku ish pozicionuar mikrokamera) andej nga po ndodhte shkelja dhe tak-fak gjithçka dokumentohej. Siç na i dhanë, ua shpërndamë një natë para zgjedhjeve stilolapsat njerëzve tanë, duke u bërë edhe instruktazh se si përdoreshin. I shihja, njerëz të mirë, burra të urtë që qëndronin në rradhë për të marrë këto armë që ua kish siguruar Partia dhe që pa fjalë do t‘i bënin ballë betejës së nesërme.

E nesërmja erdhi. Beteja vajti si vajti, njerëzit tanë u shtynë e u sherrosën sa herë shihnin parregullsi dhe i qëndruan përballë të gjithave, me bindjen se gjithçka filmohej me armën sekrete. Jepi, jepi, thonin, më bjer po deshe, por gjithçka do plasë në darkë, kur të dorëzojmë kamerat me filmimet e qametit. Darka erdhi, por nuk ndodhi asgjë. Pak nga pak, u zbulua se stilolapsat-kamera ishin bosh nga brenda, as kamera as bateri. Sa turp, i kishim çuar njerëzit në luftë me dyfekë të zbrazur. Dhe ata e kishin bërë detyrën e tyre, me besimin te komandantët. Llaf pas llafi e, të pyetur pas të pyeturi, doli që këto stilolapsat-kamera pa kamera, i paskësh sjellë nga jashtë një goxha funksionar që punon në Bashki të Tiranës. Pyes dhe më thonë që ky funksionari para se të fillonte punë në Bashki, paskësh qenë Kryetar i Rinisë së Partisë së Ballit Kombëtar në një qytet tjetër. Që andej ndërroi qytet dhe bashkë me të edhe partinë dhe hop tani na furnizoi me armatim pa municion.

Qënkësh thënë që Balli dhe Legaliteti të mos ndërrojnë fytyrë asnjëherë. Më ‘39-ën kur hyri Italia, zogistët u hoqën shulat pushkëve, duke na lënë të ç‘armatosur përballë hasmit, ndërsa shtatëdhjetë vjet më pas, ballistët na bënë të njëjtën gjë, por jo me shulat e pushkëve por me kamerat e fshehta.

Nejse, të kthehemi tek arsyet e humbjes. Ulur mes njerëzve që rreshtonin shkaqe, në një orë dëgjova argumenta për të paktën nja dhjetë arsye që e çuan Partinë Socialiste në humbje. Po të kisha ndënjur akoma, do kisha dëgjuar edhe kushedi se sa të tjera, e mbi këto duheshin shtuar edhe ca të tjera që m‘i thotë mëndja mua.

Po le ta kthejmë e ta shohim çështjen në krahun tjetër, argumenti që jepet kundër secilës prej arsyeve të humbjes, është se asnjë prej tyre nuk mund ta përmbyste rezultatin. Pra, mund të nxjerrim dyzina arsyesh për humbjen, por që asnjëra prej tyre nuk është vendimtare për humbjen, asnjëra prej tyre veçmas nuk e vendosi rezultatin. Por ç‘ndodh nëse i llogarisim të gjitha bashkë?

Një studionjës i ngeshëm, na paska numëruar 30 arsye se pse e humbi Napoleoni betejën e Vaterlosë kundër anglezëve dhe për këtë ka shkruar edhe një libër. I numëron me radhë, që nga fakti që nuk ia doli të mobilizonte njerëz sa ç‘i duheshin në javët e fundit; që oficerët e zgjedhur në komandë të trupave ishin të demoralizuar; që ditën e betejës ra shi dhe e vonoi sulmin; që Garda u dëmtua në një sulm pa vlerë; që çalonte organizimi dhe, në çastin më kritik, korpusi i marshallit Grushi nuk arriti në kohë; që i kishin thënë se prapavijat ishin të papërgatitura por s‘kish dashur të dëgjonte; e deri tek arsye ku s‘të shkon mëndja, si për shembull që topave francezë u munguakësh një vegël që e kishin harruar nga nxitimi kur qenë nisur nga Franca.

Duke vrarë mëndjen rreth këtyre arsyeve, njeriu zë e mendon. Po sikur ndihmat të kishin mbërritur në kohë, çdo të kish ndodhur? Asgjë, thjesht do qenë vrarë ca englezë më shumë, por kjo nuk mjaftonte për të ndërruan anën e peshores. Po sikur të mos i kishin lënë në Francë ato veglat e topave, çdo të kish bërë vaki? Asgjë, se vërtet do të ishin capërluar nga gjylet ca englezë të tjerë, po prapë kjo nuk mjaftonte. Po sikur Napoleoni t‘i kish pasur parasysh dhe të ndreqte në mos të gjitha, të paktën gjysmat e këtyre arësyeve që përpara betejës, çdo të kish ndodhur. Atëhere po, atëhere do kish fituar.

Në një betejë, janë një mori faktorësh që ndikojnë tek rezultati, kush më shumë e kush më pak, kush është më i rëndësishmë e kush me më pak vlerë, por të gjithë kanë peshën e tyre ama. Aftësia e Komandantit, e atij që është në krye të njerëzve dhe që e sheh fushën e luftës ashtu siç nuk e sheh dot askush tjetër, është që t‘i marrë parasysh të gjithë këta faktorë, të mos harrojë asnjërin prej tyre dhe të asnjëanësojë efektet e sa më shumë prej tyre që para betejës. Në ia daltë t‘i asnjëanësojë, t‘i zgjidhë a t‘i kthejë në të mirë të tij, më të shumtën e këtyre faktorëve, atëhere po, beteja është e fituar. Pa edhe në s‘ia del të kthejë ca syresh, dy, a tri, a katër, prapë kjo s‘prish punë, se ka zgjidhur të tjerat që e kanë lëvizur shigjetën e peshores fort në krahun e tij. Në mos po, po i la gjërat me varja kësaj e varja asaj, këtë s‘e dua e ai s‘më pëlqen, aha, e ka të sigurtë humbjen.

E njëjta gjë, si në betejat e kohëve të vjetra, ndodh edhe në betejat politike të kohës sonë. Asnjëra prej atyre dhjetra arësyeve që dëgjova të rreshtoheshin për humbjen, veç e veç nuk qe në gjendje të çonte në humbje PS-në, ndërsa të bëra bashkë qenë në gjendje të bëjnë gjëmën. Përshtypja ime është që në këtë betejë, ne nuk qemë në gjendje të asnjëanësonim gati asnjë prej faktorëve negativë që, për më tepër, ishin identifikuar që gjatë fushatës. Rjedhimisht, ata faktorë, që të veçuar nuk qenë në gjendje të na çonin në humbje, të grupuar bashkë na çuan në disfatë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama