Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mirupafshim me 29 qeshor

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Mirupafshim me 29 qeshor

Edvini vazhdon të organizojë gara dhe shfaqje me makina anekënd Shqipërisë dhe Ballkanit. E gjej para ca ditësh tek hiqte viza mbi një planimetri të sheshit ‘Nënë Tereza‘ të Tiranës. Ky është i vetmi shesh i vërtetë që ka mbetur në Shqipëri - më thotë - i vetmi ku mund të organizosh një çfarëdo aktiviteti dhe të ketë vend edhe për aktivitetin edhe për njerëzit që vijnë të shohin. Vras mëndjen. Ai shesh është ndërtuar nga italianët para 70 vjetësh, kur Tirana ishte vetëm 30 mijë banorë. Ishin pushtonjës italianët dhe kushedi se çfarë plani të fshehtë do kenë patur me atë shesh, por ne jua dogjëm planet se i hodhëm në det dhe kështu na mbeti sheshi.

Vërtet, duke lënë mënjanë qytetet e dorës së dytë, nuk më vjen ndër mend tjetër hapësirë qytetare. Hë provoni edhe ju, Shkodra, Lezha, Fieri, Lushnja, Vlora, Gjirokastra, Saranda, Korça. Të gjitha kanë ku dy e ku tri copëra sheshesh, gjysëm bosh e gjysëm të zëna, ku trekëndësha e ku pa formë, ku me parkime e ku me trafik makinash. I vetmi që ngjet disi me këtë të Tiranës është Sheshi i Durrësit, natyrisht po t‘i heqësh trafikun. Pastaj kujtohem që edhe atë italianët e kanë ndërtuar. Dhe, kur s‘i bëmë dot sheshet në kohë të Italisë a të Komandantit, ta harrojmë se mund t‘i bëjmë dot më tani kur çdo hapësirë e lirë është zënë dhe shteti i trëmbur vrapon të fshihet.

Ka qenë dikur një godinë qikllopike që i thoshin Pallati i Kulturës. Sot dergjet i copëzuar në qindra hoje të vockla, ku me kate të ndara më dysh e ku me salla të ndara më katërsh. Pas ca kohe as do ta kujtojmë dot se brenda tij ka qenë një holl i madh i lartë sa tre kate bashkë dhe me një galeri të gjerë që i vinte rrotull. Në kohë të regjimit diktatorial organizoheshin ekspozita e panaire në ato hapësira. Regjimi na i mori të keqen dhe bashkë me të edhe hapësira. Nuk ekziston më. Ka qenë dikur një godinë e stërmadhe, Ekspozita "Shqipëria Sot" e thonin. Edhe këtë e kish ngritur regjimi diktatorial për të ekspozuar ekonominë e tij. Regjimi ra dhe sot meqë nuk kemi më ekonomi, nuk kemi as ç‘të ekspozojmë dhe salla gjigante u nda njëqind copash, studiosh, zyrash, magazinash, korridoresh, dhomash, klubesh e ku di unë tjetër. E pandarë ka mbetur vetëm fasada e Pallatit, ku tani varim parullat për hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Kish mbetur edhe Piramida, ku mund të organizoheshin aktivitete publike masive. Aq e madhe ish, sa megjithëse edhe kjo e ndarë në qindra hoje të vockla private, ende kish hapësirë sallën e madhe. Tash së fundi, ç‘kish mbetur pa u copëzuar prej saj u mbyll përfundimisht dhe një zot e di si do i vejë filli. Po t‘i hyj të bëj inventarin e të gjithave, mund të vazhdoj deri nesër se do më duhej të rreshtoj stadiumet që ndahen edhe ato copëra-copëra, apo dyqanet e mëdha të dikurshëm të copëzuar, apo Kinostudion "Shqipëria e Re" të ndarë e stërndarë, e kështu me radhë, por po e mbyll listën jo thjesht me një shkatërrim, po me një krim. Në godinën e vjetër të Lidhjes së Shkrimtarëve, që dikur Naltmadhnia e ngriti si shtëpi e oficerëve dhe që sot është Ministri e Kulturës, ka qenë një sallë e madhe e lartë, që pa frikë ish ndër dy-tri sallat më të bukura që kishim në këtë vënd. Para një viti, edhe këtë sallë historike dhe monument kulture, e ndanë dhe e bënë dy kate. Shpëtuam edhe nga ky monument. I vetmi objekt që përballon sot gjithçka të rëndësishme në këtë vënd, ka mbetur Pallati i Kongreseve, ku bëhen që nga kongreset e miset e deri te panairet kombëtare. I ndrittë shpirti kujt e ndërtoi, se përndryshe do mblidheshim lart nga pylli i Liqenit që të bënim konferencat e kongreset, siç janë bërë jetë e mot kuvendet në këtë vënd, herë nën rrepet e Sulit e herë nën lisat e Mukjes.

Regjimi diktatorial, që nuk i duhej jeta qytetare, i ndërtoi të gjithë hapësirat e mundshme që i duhen kësaj jete, ndërsa koha jonë e demokracisë, që teorikisht bazohet në jetën kolektive, nuk po është ende në gjendje të bëjë gjë. Të shndërruar në brejtës të veckël, jemi sulur mbi karkasën e madhe të atyre ç‘ka ndërtuan të tjerët para nesh dhe ende rrojmë parazitarë në kurriz të tyre, pa qenë në gjendje të ndërtojmë trashëgiminë tonë për brezat që do të vijnë.

MIRUPAFSHIM ME 29 QERSHOR

Më thirrën në Gazetë si në gjyq dhe më thanë duke u përtypur: Gazeta është e pavarur ndaj, nëse kandidon për deputet, duhet të shkëputësh kontratën me gazetën. Sefte m‘u duk sikur e kishin inatin me mua, por më thanë se kështu kishin vepruar me të gjithë publicisto-analisto-kolumnistët që shkruanin rregullisht. U dhashë të drejtë dhe kuptova se nëse kandidoja për një parti, nuk mund t‘i thonja më vetes i pavarur.

Natyrisht që ndërprerja e kontratës do të thoshte edhe ndërprerje e pagesës, se unë s‘bëja venë e kuqe, që të më paguanin edhe pa shkrojtur. M‘u kujtua anekdota e atij plakut që shkoi të takonte vajzat që ishin martuar njëra me një bujk dhe tjetra me një poçexhi. Kjo e bujkut i tha: baba, nëse s‘bie shi që të na vadisë të mbjellat, morëm fund dhe do ja heq vetes. Ngrihet plaku dhe shkon te vajza tjetër, që i thotë se, nëse bie shi dhe lagen poçet që kishin nxjerrë për të tharë në diell, mbaruan dhe do t‘ja hiqte vetes. U kthye plaku gjithë siklet në shtëpi dhe i thotë plakës, që e pyeti se ç‘bënin vajzat: "Plakë, rënka, a s‘rënka shi, njërën nga çupat do e qajmë". Kështu më gjeti edhe mua që, sido që t‘i vejë filli, o kandidatllëkun o pagesën, do ta humbas.

Vendosa që kësaj radhe të humbas pagesën. Nuk mund të vazhdoj të shkruaj, të bëj debat me tërë botën, e të kritikoj orë e pa kohë dhe, tani që po më jepet shansi të bëhem pjesë e mekanizmit të të bërit të gjërave, të hiqem mënjanë e të them: "veten vrafshin".

Më kanë sharë e më kanë kërdisur sa u ka ngrënë kalemi a tastiera, nëpër forume e e-maile. Por edhe më kanë lëvduar, pëlqyer e falënderuar plot të tjerë. Mëndja më thotë se këta të dytët janë ca më shumë se ata të parët. Mjafton kjo, që të ndjehem mirë, megjithëse, edhe po të kishin qënë barabar, apo përkundër, prapë s‘do ndërroja as mëndje e as edhe një gërmë të vetme nga ato ç‘kam shkrojtur.

Përpos të tjerave, unë kam patur vazhdimisht edhe një arsye personale që më ka bërë të shkruaj. Erdhi një kohë që, miq e të njohur, filluan të më përdornin si një farë soj vend grumbullimi mbeturinash morale. Kishin ç‘kishin, dëgjonin ç‘dëgjonin lloj-lloj bëmash, m‘i thonin mua, e nxirrnin hallin e tyre dhe i thonin vetes: tani po fle i qetë, se rri Tan Lame pa gjumë. Pas këtaj unë bëhesha me dy halle, me hallin e asaj që më kishin thënë dhe me hallin që nuk kisha kujt t‘ja zbrazja. Pasi dhashë e mora, e gjeta zgjidhjen, t‘i hedh në letër e t‘i bëj publike të gjitha mendimet e mia që, nga një anë të flija edhe unë rehat se e nxora dufin, nga ana tjetër t‘u fusja xixat njerëzve dhe së fundi, nëse veç e veç jemi më të shumtë ne që i duam gjërat të ndryshuara, duhej të bëhemi bashkë për t‘u prishur gjumin tërë horrave, dallkaukëve e kopukëve të këtij vendi.

Që sot, Shqipnia e Tavolinave do ta lërë rehat gazetën dhe, deri më 28 qershor, do përpiqem t‘u mbush mëndjen se pse do ndërruar një orë e më parë kjo qeveri që na ka zënë derën. U falënderoj të gjithëve dhe, mirë u dëgjofshim më 29 qershor!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama