Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nga urë tashmë nyje

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Nga urë tashmë nyje

Koha ka bërë të vetën, por më të vetën, kanë bërë shkëmbimet ndërnjerëzore mes dy vendeve më të vjetra të Ballkanit Perëndimor, pra Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo rrjedhë dhe fluksi i ndërlidhjeve njerëzore në dy dekadat e fundit, kanë siguruar një pakthyeshmëri në sedrat dhe sidomos në kapriciot e vjetra politike të dy vendeve. Mekanizmi që i mbajti në fuqi vepruese ato politika, tashmë është bërë tërësisht i vjetër, saqë edhe strukturat e investuara për llogari të tij, janë katandisur në gjendjen e "zhurmuesve pa zarar". Gjeopolitika ka triumfuar mbi kapriciot ballkanase, për shkak të shumë arsyeve. Ky triumf ka imponuar edhe përshtatjen e politikave dhe sjelljeve bilaterale, i ka lehtësuar ato nga tendencat dhe kapriciot nacionaliste, sikundër i ka mveshur më tepër me pragmatizëm politik të lidershipeve.

Mes Greqisë dhe Shqipërisë, në vitet e afërta, era ka për të fryrë në kahun e shtimit të vlerës së paritetit fqinjor. Kjo favorizohet më tepër si prirje prej proceseve intensive integruese, që përjeton pjesa më e madhe e Ballkanit, procese këto, të cilat Greqia i ka kryer gati 20 vjet më parë.

Në 10 vjetëshin e fundit, Greqia është shfaqur si shteti me supremaci, për shkak të avantazhit që kishte si "e vetmja dhe e para e Ballkanit në Evropë". Këtë status ajo e shfrytëzoi dhe e përdori me pragmatizëm të pashoq, falë edhe vizionit që patën kryesuesit dhe kryeqeverisësit politikë me emër, si majtisti Andrea Papandreu (PASOK) dhe Konstandin Micotaqis (Nea Demokratia). Në kohën e këtyre kryeqeverisësve, për shkak të agonisë komuniste dhe rilindjes postkomuniste, në raportet mes dy vendeve, ndikim të fuqishëm patën qarqe dhe struktura para politike dhe politike nacionaliste. Kjo periudhë faktorizoi promovimin e përfaqësuesve të parë politikë të minoritetit grek në Shqipëri, për kohën e pluralizmit politik. Pararendja në këtë promocion, u shndërrua në bashkëinvestitore e shënimit të incidenteve dhe tronditjeve të raporteve diplomatike e politike mes dy vendeve. Me kalimin e kohës, kur Shqipëria doli nga delikatesa e demokracisë së brishtë, u formësua edhe grupi përfaqësues i elitës së minoritetit grek, i cili u pajis me një ndërgjegje të dukshme për investim të ndërgjegjshëm në realpolitikën shqiptare dhe jo për bindje të ndërgjegjshme për shkak të stereotipisë përdorëse dhe inspiruese prej vatrave të patetizmit politik.

Një natë para se Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, të zbriste në aeroportin "Nënë Tereza", kryetari i organizatës OMONIA, një minoritar i vetëpretenduar dhe i paqenë, me një shfaqje publike shpesh me emër të korrektuar (herë Vasil, herë Vasilis, herë Vasillaq), kërkoi përmes një deklarate, që Kryeministri Karamanlis, të anulonte vizitën dyditore në Tiranë. Zëri i tij i paktë, brenda pakicës greke, në fakt ishte i padëgjueshëm edhe prej krerëve të tjerë partiakë dhe politikë të pakicës greke, e jo më, për Kryeministrin e shtetit fqinj. Dallesa mes krerëve të përfaqësimit politik të minoritetit dhe kreut të OMONIA-s, prej shumë kohësh është thelbësore dhe diametralisht e ndryshme si për nga koncepti dhe shërbimi publik e politik që kryejnë ashtu edhe për nga kultura dhe formimi arsimor që mishërojnë. Mes OMONIA-s dhe PBDNJ-së, duhet thënë se prej disa vitesh, inteligjenca është cilësia e parë që i dallon, ndërsa përdorimi, aq më pak po i bashkon. Krerët partiakë të minoritetit grek në Shqipëri, të cilët realisht formësojnë një grup të investuar elitar (Dule, Solis, Peçi, Miço, Barka etj., etj) evidentohen, sidomos gjatë viteve të fundit, për një maturi dhe inteligjencë, por edhe për një pragmatizëm dhe interes komunitar në sjelljen dhe veprimin politik.

Natyrisht, dikush mund të shtojë se kjo është koha që rolet me kohë i ka ndarë. Sidoqoftë, koha ka rrjedhur për të pasur një moment ndryshe. Dhe ky moment është produkt i një historie që konsumon dhe njëherësh mbërrin në rrethana të tjera.

Ka gati dy dekada që politika shqiptare, jep garanci dhe shumë pak garanci merr, për çështje madhore të vendit. Në rastet e shkëmbimeve bilaterale dhe sidomos të vizitave dhe takimeve në nivele kryeministrore me Greqinë fqinje, Shqipëria ka dhënë provën e vendit që flijon deri në humbje paritetin. Fatkeqësisht, këtë e bën shpesh, për të përfituar vetëm pak partneritet. Në një farë mënyre, sa herë që kryeministrat e Greqisë kanë mbërritur në Tiranë, është realizuar e shfaqur për kronikën diplomatike dhe shfaqjen politike rajonale, një partneritet dyvendësh, por njëkohësisht është mërguar dhe pse jo, zhbërë pariteti. Transparenca e bisedave "kokë më kokë" të kryeministrave gjatë këtij harku kohor, mbetet gjithmonë e cunguar dhe duhet thënë, se këto vizita të ndodhura shpesh në kohë elektorale, vlejnë dhe përdoren edhe për kontekste të tilla.

Sidoqoftë, vizita e këtyre dy ditëve e Kryeministrit që kryeson partinë "Demokracia e Re" në Greqi, Kostas Karamanlis, është vizitë që ngjet, në kohë të rrethanave të reja. Pragmatizmi i kësaj vizite kapërcen interesin ditor dhe elektoral që kanë në mënyra të ndryshme dy homologët.

Reporterët e kujdesshëm të mediave profesionale, në Greqi dhe Evropë, bëjnë me dije se Greqia, edhe kësaj here, ka mundur të sanksionojë në dokumentacione të paretifikueshme, disa çështje që nevojisnin nënshkrimin në formatin e marrëveshjeve protokollare. Greqia dhe Kryeministri i saj, prej marrëveshjes në parim dhe nënshkrimit përfundimtar, ka rezultuar e fituar, ndërsa qeveria e Kryeministrit Berisha nuk ka pasur as më të voglin reagim-telash. Dhe fjala është për shenjimin e kufirit detar në zonën jugore të vendit, proces ky që, sipas vetë mediave greke, ka befasuar qeverinë e zotit Karamanlis për bujarinë dhe bindjen e lehtë shqiptare.

Sipas njoftimit paraprak zyrtar për axhendën e takimeve të Kryeministrit grek në Tiranë gjatë dy ditëve, çështje të tilla si ajo e Çamërisë, as që nuk do të përmendeshin si në takimin "kokë më kokë", ashtu edhe në konferencën për shtyp, pa të drejtë pyetjeje nga gazetarët. Kryeministri Berisha ka qenë më i avancuar në entuziazmin e tij karakterizues për "shëndetin" e plotë të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ai u shpreh:… "tashmë nuk ka çështje të mbetur pezull midis dy vendeve, pasi ato janë zgjidhur me anë të bashkëpunimit…", Nga ana e tij, Kryeministri grek ia ka dalë lehtësisht të vendosë dominueshëm, interesimin e tij për të drejtat e minoritetit grek, përballë pretendimeve rutinë të homologut Berisha për emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë prej gati dy dekadash në vendin e tij. Për herë të parë në zhargonin e njohur diplomatik, Kryeministri Karamanlis korrekton metaforën "urë", me të cilën karakterizohet vlera, kontributi dhe ndikimi i minoritetit në raportet mes dy vendeve, duke e zëvendësuar atë me termin "nyje": "Minoriteti grek në Shqipëri është një nyje shumë e rëndësishme e lidhjeve Shqipëri-Greqi". Korrektimi i kësaj metafore tradicionale mbart kumtin e plotë të konceptit që aktualisht Athina zyrtare ka për përfaqësimin e grekëve në Shqipëri. Përmes kësaj korrekture, gjithkush që njeh rrjedhën e artikulimeve dhe proceseve që ndjek diplomacia greke me Shqipërinë, lexon qartë rolin ndryshe që tentohet t‘u jepet politikëbërësve të pakicës që është e përfaqësuar në institucionet politike shqiptare. Në këtë pamje, Greqia përballë Shqipërisë shfaqet si shteti me vizione dhe trashëgimi institucionale, përballë shtetit që e përdor "halli elektoral".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama