Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ish-shkencat dhe ish-natyra

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Ish-shkencat dhe ish-natyra

E para qe fjala, thotë Bibla. E para na la natyra, them unë. U kujtohen ato ç‘na mësonin për "malet e Shqipërisë e lisat e gjatë", për Shqipërinë që "kish pas shum t‘mira e begati", e ku di unë ç‘përralla të tjera. Them përralla, se po t‘i vini këto vargje për Shqipërinë e sotme, do t‘u duket sikur ose Naimi me Pashko Vasën janë tallur, o përndryshe ne ja dolëm t‘i nxjerrim themelitë vëndit me lisa të gjatë e bregore bukuroshe. Ndaj them se e para që na braktisi qe natyra që, brenda këtyre 28 mijë kilometrave katrorë, u kthye në ish-natyrë.

E dyta që na la, qe shkenca. Për këtë them të mos lodhem shumë, se s‘ka nevojë t‘u flas unë për t‘u mbushur mëndjen që në këtë vënd me zor bëhen shkollat, e jo më të bëhet shkencë. S‘ka kandar që i mban ato që i bëri për katër dekada trashëgimisë dhe shkencës, regjimi që shkoi. Po m‘anë tjatër, s‘ka as kandar të ngrerë ato ç‘ka bëri regjimi që shkoi për të ngritur sidoqoftë shkolla e shkencë me sa mundej. Tani ka ardhur koha të gjejmë një kandar të tretë, që të ngrerë ato çka i kemi bërë trashëgimisë e shkencës ne në këta 18 vjet, dhe ca më veçan, në këta 4 vjet të fundit, që shërbyen më së shumti për të varrosur pa epitaf atë pak çka kish mbetur nga shkencat shqiptare.

Para tri ditësh na la edhe Muzeu. Janë prishur shumë muze në këtë vend në këto dy dekada, më të shumtit, me sebepin se vallaha paskan politikë brënda. E quaj sebep, se janë prishur edhe shumë muze që brënda kishin vetëm armët e gjyshërve apo folklorin e gjysheve. Dhe vetëm ca të këtillë makutë injorantë si këta tanët, mund t‘ja dalin të gjejnë politikë edhe në brekushet e pleqve të Krujës.

Për një çast, u duk sikur vala e barbarisë kish reshtur e kaluar tutje. Ç‘u prish u prish dhe shkoj e vate, ç‘mbeti, shpëtoi e hajt ta ndreqim. Kjo përshtypje e rreme m‘u krijua pasi, duke nxjerrë kokën me kujdes nga istikami, pashë që më nj‘anë barbarët ishin bërë drejtorë e ministra dhe, m‘anë tjatër, pak ose aspak kish mbetur nga e shkuara për t‘u prishur. Më paskëshin gënjyer sytë. Plasi një tjatër bombë. Gjykata mori vendim të mbyllet Muzeu i Shkencave të Natyrës.

Ç‘ËSHTË KY MUZE?

T‘u them me dy fjalë historinë e tij. Në vitin 1928, në fund të Rrugës së Kavajës, u ndërtua një konvikt privat për nxënësit e shkollës dhe i vunë emrin "Konvikti Naim Frashëri". Mbani mënt, është llafi për atë Naimin që këndonte për natyrën e bukur të Shqipërisë, që do ekspozohej më pas në po atë godinë, që ne po e prishim sot.

Në kohë të Italisë, në vitin 1940, godina u shpronësua nga qeveria e kohës dhe u përdor si ofiçinë për aeroplanët. Me këtë rast, u ndërtuan edhe tri ndërtesa të tjera rreth saj që ishin gati sa trefishi i godinës origjinale. Pastaj më ‘44-ën, në kulm të luftës, anglo-amerikanët, ata që sot i kemi aleatë në NATO, e bombarduan dhe dogjën godinën, për të mos u përdorur nga gjermanët, që atëherë ishin armiq, por që sot janë edhe këta bashkë me ne në NATO. Lesh harapi me një fjalë, siç kanë qenë gjithmonë punët në këtë vënd.

Nejse, pas lufte, godina mbeti në pronësi të shtetit dhe në vitin 1948, u restaurua dhe u bë Muze i Shkencave të Natyrës. Kjo u bë, pasi ndërkohë ishin sekuestruar pjesa më e madhe e koleksioneve të Jezuitëve dhe Françeskanëve të Shkodrës dhe nuk kishte ku të vendoseshin këto koleksione. Enveri bëri ç‘bëri, po koleksionet e Françeskanëve i shpëtoi të gjitha. Librat e letrat shkuan në Arkiv të Shtetit, ndërsa për koleksionet e kafshëve dhe bimëve, ndërtoi një muze të tërë, pikërisht këtë që po prishim ne sot.

Vetë fillesat e koleksioneve të Shkodrës, datojnë që prej viteve ‘20, që kur priftërit e dijshëm të Veriut, filluan të grumbullojnë si milingona zahiretë, visaret e vëndit që posaqe bërë shtet. Bashkë me koleksionet e Shkodrës, në Muze, Enveri depozitoi edhe koleksione të tjera të mbledhura nga shkolla të tjera të huaja, që u mbyllën pas luftës, si Shkolla Amerikane e Tiranës, Shkolla e Bujqësore e Kavajës etj. Prapë Enveri e shau Fullcin dhe e kërdisi, por koleksionet ja shpëtoi dhe ja ruajti.

Veç këtyre, në këta 40 vjet, atje janë depozituar të gjitha raritetet e florës dhe faunës shqiptare, e gjithë historia e saj, si edhe të gjitha të dhënat dhe speciet të cilat janë zhdukur dhe nuk ekzistojnë më. Kemi bërë ç‘kemi bërë, kemi vrarë e kemi djegur, kemi shfarosur me çifte, çarqe e dinamit, por të paktën në Muze kish mbetur nga një kopje e balsamosur, sa për nishan të brezave që do vijnë.

Kështu që ky Muze është unikal në Shqipëri dhe ndër 3 apo 4 muzetë e llojit për të gjithë Rajonin. Si i tillë ai është referenca unikale, për të gjithë botën shkencore ndërkombëtare dhe universitetet e huaja.

ISH-MUZEU

Vit pas viti vazhduan të prehen në paqë këto shenja të së shkuarës për 6 dekada, derisa në epokën e ndritur të demokracisë, pikërisht në vitin kur Muzeu duhej të festonte 60-vjetorin, gjykata para tri ditësh mori vendim që godina të zbrazet dhe t‘u dorëzohet ish-pronarëve. E gjithë godina! Paçka se e shpronësuar një herë nga shteti, paçka se e djegur në kohë të luftës, paçka se 2/3 e saj janë ndërtuar po nga shteti, paçka se e gjithë godina u rindërtua pas lufte prapë nga shteti. Paçka të gjitha këtyre, ata burrat që ne i paguajmë të vënë drejtësi dhe që janë betuar para Zotit dhe Kushtetutës për drejtësi, vendosën ndryshe, natyrisht me vullnetin e tyre të lirë. Dhe siç ndodh gjithmonë, kjo bëhet para zgjedhjeve, kur s‘e ka kush mëndjen të merret me këto punë. Meqë ra llafi, e kini vënë re se sa shtohet e dendësohet numri i pazareve, allishverisheve, privatizimeve, dhe lloj-lloj akaparimeve në këtë vend, sa herë që jemi në prag të zgjedhjeve?!

Përfundimisht rruga e gjyqit u mbyll. S‘e merrni dot me mënt, me sa siklet i dëgjoja punonjësit e Muzeut kur më tregonin me zë të dredhur se ç‘kanë hequr këta dhjetë vjet që mbetën gjyqeve, për ta shpëtuar atë që nuk ja dolën dot ta shpëtojnë, jo për vete, por për të gjithë ne. S‘më kish ndodhur të ndahem me njeri, duke ja dhënë dorën pa e parë në sy. Më ndodhi me ata.

Sa për t‘u lënë një rreze shpresë: ka ende një shteg që mund ta shpëtojë Muzeun dhe ky është Presidenti i Republikës. Ca, meqë është vetë njeri i kënduar, e ca, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mjaft të kërkojë të verifikohen letrat e gjyqeve dhe do shohë se e gjitha bie erë nga ajo më e çpifura fare. Bashkë me ca të tjerë, po mbledhim firma t‘i bëjmë një peticion për këtë punë. Nuk di ç‘t‘u them, do lozë nga vëndi apo jo, po ne të paktën do ta provojmë edhe këtë.

Shkrojta një çikë gjatë, po të paktën nxora dufin, duf i cili më ish mbledhur për një tjetër punë. Pikërisht këto ditë që po merrem me këtë punën e Muzeut, Sokol Olldashi më ka bërë denoncim në prokurori, për një artikull që kam shkrojtur para ndo një muaji. "Shpifje për shkak të detyrës" e ka qojtur shkrimin tim. Ehuu, ku ai e ku unë, që nxorra kokën nga llogorja, se mendova që mbaroi dyndja e barbarëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama