Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Koteci i paloburrave

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Koteci i paloburrave

Në dhjetë ditë, shpresa e shqiptarëve se mund t‘ia dalim të bëjmë shtet, mori dy goditje. E para, Ina Rama dhe shqiptarët humbën gjyqin për Krimin e Gërdecit dhe e dyta, Ina Rama dhe shqiptarët humbën gjyqin për hajdutërinë e Rrugës Patriotike. Mes dëshpërimit të kësaj maskarade, ajo që më bëri të ulem e të shkruaj, qe kur pashë të fillojmë sakaq thirrjet e analizat se Ina Rama nuk na doli gjë, se Ina Rama duhet të lërë karrigen, fishkëllima të përhershme këto, të atyre që duke përtypur fara nuk ju pëlqen filmi.

Në njërën anë të kësaj beteje deri tani të humbur, patëm të gjithë shtetin që iu kundërvu me të gjithë strukturën e vet këtyre dy hetimeve. Patëm shumicën parlamentare që për një fije sa nuk i ngriti komision hetimor Ina Ramës për ta shkarkuar. Patëm ligjin e lustracionit, që u bë enkas për të trembur gjykatësit dhe prokurorët, apo edhe për t‘i hequr qafe fare dhe që, me thënë të drejtën, ia doli t‘i paralizojë. E ç‘zell në punë do kenë prokurorët kur, në vend që si shërbëtorë të shtetit, ata presin që shteti të cilit i shërbejnë t‘u thotë një llaf, t‘i mbështesë a t‘i inkurajojë, ndërsa përkundër, shteti me Kryeministrin në ballë, u bën ligj si t‘i shkarkojë, t‘i mallkojë e t‘i sikterrisë! Po patëm gjithashtu edhe një takëm mediash, që nuk i lanë sharje harbute pa i bërë Ina Ramës, jo vetëm si Kryeprokurore, por edhe si femër, se të mos harrojmë që ajo është femër, një femër që e ka parë diellin vite e vite pasi ustallarë si Sali Berisha apo Fahri Balliu, kishin marrë teserën e Partisë së Punës. Patëm pastaj shtetin, që u mobilizua edhe me mekanizma nga më perfidët dhe të fshehtët, për të bllokuar çdo veprim, kujtoj këtu që puna shkoi deri te rojet e prokurorëve që u hoqën, te fondet në buxhet që u shkurtuan, tek ankesat e zj. Rama se s‘kishte pará as për të paguar ekspertët, te mungesa zyrash, kompjuterësh, e njëmijë e një vogëlsira të tjera, që shërbenin vetëm për t‘ia bëjnë punën sikterr. Dhe mbi të gjitha këto, qe rrjeta e tmerrshme e njohjeve, miqësive, ndereve, zhdukjes së dëshmitarëve, tavolinave, kërcënimeve, thasëve me pará e pazareve të bëra mbi këto dy çështje të mëdha, ku kanë ngjyer bukën, gishtin e krahun aq shumë vetë, të bardhë e të zezë, sa s‘mund të vinte tani një Inë, e t‘ua ngecte kafshatën në fyt.

Ndërsa në anën tjetër të gjithë këtyre qe vetëm një grua, nga e cila të gjithë prisnim që të ndreqte Shqipërinë, ndërsa ne do vazhdonim të rrinim në kafen përballë, duke parë se si do ta bënte këtë. Me thënë të vërtetën, Ina Rama e pati një aleat të vetëm, në personin e ambasadorit amerikan, falë të cilit sot Ina Rama është ende në atë karrige ku është, se po të mos kish qenë për të, Saliu do e kish fluturuar me kohë e vakt, që ditën kur ju gërmush se do t‘i bënte komision hetimor. Mirëpo edhe ky aleat, i fuqishëm është vërtet, por s‘ka besë hiç, se ja llafi që bie i vjen letra nga Washingtoni dhe e transferojnë diku gjetkë, e kështu shkoj e vate edhe mburoja e Inës.

Me ç‘duket beteja është e pabarabartë. Të gjithë palo-burrat që tani i gërmushen Ina Ramës, do vazhdojnë ta gjejnë llafin me njëri-tjetrin deri në fund, pasi, tmerri për ç‘i bënë këtij vendi dhe interesi për ç‘ka i hodhën xhepit, janë çimentua më e fortë që i mban e i lidh bashkë. Të tilla mburoja të së keqes, e kanë pasur të vështirë t‘i çajnë, paçka se në fund ia kanë dalë, edhe shtete shumë më të forta e më të konsoliduar se ky i yni që, le që s‘është shtet, por as që e duam të jetë e të bëhet. Përvoja e derisotme e Ina Ramës në krye të Prokurorisë Shqiptare, shërbeu vetëm për të na treguar se sa burrecë qenkëshin paloburrat e këtij vendi. Përvoja e mëtejshme e saj, do na tregojë nëse ajo do ta neverisë këtë kotec paloburrash, apo do t‘i vejë atij pas avazit.

O ju që më lexoni, a ju kujtohet historia e Norës së Kelmendit, që i preu kokën Vuçí pashës? A e kini vrarë mendjen ndonjëherë, ç‘ne që i erdhi radha Norës të ndeshej me pashanë, kur malet kishin plot burra? E pra, ua them unë. Nëse sot neve na ka mbërritur historia e saj, kjo ka ndodhur veç për tri arsye. E para, se Norës s‘i doli askush për zot mes gjithë atyre burrave me nga dy pëllëmbë mustaqe; e dyta, se u detyrua t‘i dilte vetë zot vetes dhe, e treta, se pasi ajo u bë trime, dolën nga vrimat edhe burrat me mustaqe, e nxituan t‘i ngrinin këngë. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas 400 vjetësh, paçka se paloburrat nuk mbajnë më mustaqe dhe pashai s‘është më turk po flet shqip, si unë e si ti.

SHPËTONI FËMIJËT

Ajo që po ndodh këto ditë me Jozefinën dhe Saliun, që po përdhosin çdo limit të përdorimit të fëmijëve dhe të miturve nëpër mitingje, është jo vetëm e turpshme, por edhe e dënueshme, jo vetëm e dënueshme, por edhe maskarallëk.

Mbaj mend më ‘96-ën, tim vëlla, asokohe në 8-vjeçare, që nuk donte të shkonte në një miting të Saliut, ku mësueset donin t‘i çonin pasdite me listë. "Ou, thoshte im vëlla, s‘dua të shkoj, s‘kam qejf, pse me zor duan ata". Im vëlla, kalama 12 vjeç, e kishte mendjen më të pastruar, sesa Saliu, 50 e kusur vjeç aso kohe. Kaluan vite, im vëlla është bërë dy metro, po i vjen radha time bije tani për në shkollë dhe ne prapë jemi po aty, me Saliun që merr kalamajtë me zor në miting. Tani atij i është shtuar edhe Jozefina. Mirë se Saliu komunist ka qenë, e komunist do vdesë, po Jozefina, që e ka ndjerë në kurriz që në të ri të saj çdo të thotë indoktrinim, as kaq nuk ka kuptuar nga ç‘ka hequr në jetë?

Mos t‘u duket se flas kështu pasi po e bën këtë punë Saliu me Jozefinën dhe se po ta bënte Nano apo Rama s‘do hapja gojë. E para, mua nuk më kujtohet që në ndonjë fushatë elektorale në kohë të socialistëve, të kem parë shkollarët në rresht të përdoreshin nëpër mitingje. Nëse juve ju kujtohen, thomëni që po gënjej. I mendoni dot pak Argitën apo Shkëlzenin apo vajzën e Jozefinës, duke shkuar në rresht me shkollën, për në mitingun e Fatos Nanos dhe me posterin e PS-së duart e vockla (se atëherë ishin të vegjël)? Qesharake, apo jo! E pra këtë po na bëjnë Saliu dhe Jozefina këto ditë. E dyta, dua t‘u bëj një premtim personal. Kurrë nuk do ta shihni time bijë kur të bëhet për në shkollë, që të dalë e të thërresë për xhaxhi Edi Ramën. Edhe Rama s‘do ia lejojë vetes, por edhe unë e çdo shqiptar normal, nuk duhet t‘ia lejojmë vetes të na përdhosen kalamajtë. Eshtë minimumi i dinjitetit njerëzor dhe i respektit ndaj brezit që vjen, që të mos jemi ne që vendosim se kush do të duhet t‘u duket burrë i mirë e kush jo, atyre që sot nuk janë në gjendje të vendosin për këtë gjë.

Bëjmë ç‘bëjmë ne të mëdhenjtë me njëri-tjetrin, është puna jonë. Shahemi, zihemi, grihemi apo puthemi, edhe kjo është puna jonë. Secili prej nesh, i ka mbushur të 18 vjetët dhe mban përgjegjësi vetë për çdo gjë. Na shanë, na ranë, na vranë, dy duar për një kokë janë dhe secili mund t‘i bëjë derman vetes. Por këta komunistë të pandreqshëm nuk merren me ne, por me fëmijët. Ftoj çdo shqiptar që ka një minimum respekti për veten dhe inteligjencën e vet, ftoj çdo shqiptar që i dhimbet pjella e vet, ftoj çdo shqiptar që do t‘i rrisë fëmijët si njerëz me dinjitet dhe jo si sahanlëpirës partish, t‘i nxjerrë sytë kujtdo partie, politikxhiu a politikxhieje që guxon të përdorë fëmijët e të tjerëve si shkallë për karrigen e vet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama