Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

NATO dhe pylli i sodës

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
NATO dhe pylli i sodës

Të shtunën Berisha ishte në Gjermani. Unë vajta në Vlorë. Ai shkoi me Jozefina Topallin të fliste për NATO-n, unë shkova me Mentor Kikinë të flisnim për mbrojtjen e mjedisit. Berisha dhe Jozefina u folën frëngjve për bashkimin e shqiptarëve me ushtrinë e NATO-s, ndërsa Mentori dhe unë u folëm labërve për bashkimin me Korpusin e Vullnetarëve të Mjedisit. Ajo, ushtria e NATO-s për të cilën foli Berisha do na mbrojë Shqipërinë, paçka se plot me plehra, ndërsa Korpusi i Mjedisit do përpiqet ta pastrojë me sa mundet që, kur të na mbrojë NATO-ja, të mos lemë nam me plehra.

Mund të gjesh sa të duash shqiptarë që nuk e dinë ku bie Brukseli, por zor të gjesh ndonjë që nuk e di se ku është Pylli i Sodës. Ose më mirë të them "ku ishte Pylli i Sodës", se pako gjë ka mbetur nga kjo mushkëri e Vlorës. Më e shumta ose është prerë nga shqiptarë që duan të hyjnë në NATO, ose është mbjellë me ndërtime pa leje shqiptarësh të tjerë që duan të hyjnë në NATO, ose është mbushur me plehrat e ca shqiptarëve të tjerë që edhe ata duan të hyjnë në NATO. Tani të gjithë janë të qetë, se më në fund në NATO hymë dhe lebërit mund të thonë me krenari se, vërtet nuk kemi më Pyllin e Sodës, por kemi NATO-n ama.

Historia e shteteve njeh dy mënyra për t‘u mbrojtur nga sulmi i të tjerëve. E para është të zhvillohesh sa më shumë, të bësh aleatë ngado, të përparosh e forcohesh aq sa askush të mos ketë kurajën të të sulmojë. Këtë rrugë ka ndjekur shumica e shteteve që sot janë anëtarë të NATO-s. Mënyra e dytë, është të mbetesh sa më prapa, të izolohesh, të zhytesh në pellgocen tënde, që askujt të mos i bjerë në mënd për ty. Kështu bënte Turqia dikur me trojet shqiptare që, për të shmangur nepsin e Evropës drejt saj, e la vendin sa më të pazhvilluar e rrënuar si një skaj të humbur të botës.

Me ç‘duket edhe sot ne, ndoshta pa vetëdije, por po bëjmë të njëjtën gjë, duke i vënë kazmën çdo gjëje të bukur, sëpatën çdo gjëje të gjallë dhe duke mbuluar me plehra ç‘mbetet, duke u përpjekur kështu ta bëjmë jotërheqës vendin për ndonjë pushtonjës. Ehuuu, i pret mëndja hollë qeverisë dhe, ne pastaj, po qe puna për kazmë e sëpatë, nuk është nevoja të na thuash dy herë. Mirëpo me ç‘duket, të mëdhenjtë e kësaj bote, kanë zgjedhur për ne rrugën e parë, atë të integrimit dhe zhvillimit, ndaj edhe na muarrën me zor në NATO, edhe pse deri më sot, me armët tona ja kemi dalë të vrasim vetëm njëri-tjetrin dhe asnjëherë armikun. Kështu që nuk na mbetet tjetër, veç të përveshim mëngët e t‘i hyjmë punës, të pastrojmë e të ndreqim vendin, të heqim plehrat e të mbjellim pemë.

Meqë ra fjala te pemët. Në një qytet që është rrugës për Vlorë, një biznesmen që po përpiqej të ndërtonte kapitalizmin me forcat e veta, ndërtoi një reklamë elektronike bash ngjitur me ndërtesën e ish-hotel Turizmit. Reklamë goxha e madhe, gati tre kate e lartë, ku do reklamonte pa pagesë bukuritë e qytetit të tij dhe, me pagesë bizneset e të tjerëve. Mirëpo për dreq, vetëm pesë a gjashtë metra përpara reklamës, na qëllon një goxha palmë më e lartë se reklama po e po, por edhe se vetë ndërtesa. E mbjellë para nja 30 vjetësh, e trashë dy bojë njeriu, madhështore, hijemadhe e hijerëndë, palma nuk lejonte të dukej mirë reklama. Biznesmeni, që me ç‘duket nuk e kishte marrë vesh ende se nuk do ta mbrojmë më Shqipërinë duke e shkatërruar, por duke hyrë në NATO, i futet me motosharrë dhe, për tërë natën, e preu, e copëtoi dhe me vinç, kamion e punëtorë, zhduku çdo shenjë. Si të gjithë shqiptarët e vërtetë, ai do të kishte dashur ta priste me sëpatë, por pema ishte aq e madhe sa, edhe me motosharrë u desh e gjithë nata. Sot aty shkëlqen gjithë nur reklama, ndërsa përdhe shquhet trungu rrethor i ish-palmës, i madh sa një tavolinë.

Ah sikur të kishim hyrë në NATO para një muaji, sa mirë do kishte qenë edhe për palmën por, edhe për qytetarët që, kur u gdhinë panë të tmerruar zhdukjen e një prej simboleve të qytetit të tyre. Them kështu se, po të kishte shkuar Berisha dhe Jozefina në Gjermani që para një muaji, do ta kishim marrë vesh që atëherë se ka ndryshuar strategjia e mbrojtjes së vendit. Tani do ta mbrojmë jo më duke e shkatërruar, por do vijë NATO të na mbrojë sa herë të duam ne.

Mentori dhe unë do shkojmë prapë në Vlorë për të pastruar Pyllin e Sodës, ndërsa Berisha zor ta thërresin më në NATO, se nuk u duhet më.

HALL

Macet urrejnë dy gjëra: ujin dhe të ftohtin. Aq e urrejnë, sa mjaft t‘u hedhësh një pikë ujë në kurriz dhe do të shohësh se si ikin të tmerruara. Para ca ditësh, mes atij shiut të ftohtë, ndalova diku në periferi të Parkut, se shoh dy mace të ulura në bisht përkrah njëra-tjetrës, që rrinin pa lëvizur. Shiu i kish bërë qull dhe, megjithatë, ato qëndronin stoike pa bërë çap, duke u dridhur nga i ftohti. Ishte një gjë kundër gjithë mekanizmit milionavjeçar evolutiv të tyre.

Në mijëra vjet që ato bashkëjetojnë me njeriun, ato janë mësuar të qëndrojnë majë pullazeve, poshtë çative, mbi mure, duke u fshehur nëpër hatulla, apo duke kërcyer nëpër tjegulla. Kushdo i mban mend kështu, pranë nesh, por në jetën e tyre paralel me tonën. Dilte dielli, ato hop mbi çati larg gurëve të kalamajve, binte shi, ato hop futeshin poshtë hatullave apo nëpër mbulesa të tjera prapë larg nesh.

Kohët moderne ua prishën ekuilibrin. Shtëpitë sa vijnë e rrallohen nëpër qytetet tona. Vendin e tyre po e zënë godina betoni, pallate të larta, tarraca pa hyrje, ku ato me gjithë elegancën dhe aftësitë e tyre nuk arrijnë dot. Gjëja më e thjeshtë është të më thoni se kështu ndodh kudo, se edhe çdo qytet evropian është mbushur me pallate ku macet nuk kanë ku fshihen apo ku nuk hipin dot nëpër tarraca. Eshtë e vërtetë, por në çdo qytet të Evropës, ku zhvillimi modern zhduku çatitë apo hatullat, macet zbritën në tokë dhe tani rrojnë të përkëdhelura mes njerëzve. Ecin pa frikë mes njerëzve, diku në një park i përkëdhelin fëmijët, kur bie shi futen nëpër hyrjet e pallateve ku kushdo që u kalon pranë i përkëdhel apo u jep diç për të ngrënë dhe ato fërkohen lozonjare nëpër këmbët e kalimtarëve. Ndërsa shqiptarët ende nuk janë të gatshëm që, kur shohin një mace në rrugë, t‘i rezistojnë tundimit për të marrë një gur e t‘i bien. Dhe gurë ka boll ky vend.

Kështu që maceve shqiptare u polli belaja me demokracinë shqiptare. Kohët moderne këtu zhdukën ambientet ku ato shtynin ekzistencën e tyre paqësore, duke i zëvendësuar me pallate ku ato nuk hipin dot, por nga ana tjetër, njerëzit janë po ata të vjetrit që, kur shohin macen, kërkojnë edhe gurin t‘i bien.

Ato janë sot përpara dilemës që, ose të presin derisa të zbuten e qytetërohen shqiptarët, ose të egërsohen ato vetë dhe t‘i rikthehen jetës së egër në pyll. Unë vetë uroj që të ndodhë e para, jo vetëm për të mirën e shqiptarëve të mi, por edhe për të mirën e këtij bashkudhëtari mijëvjeçar e qimebutë të njeriut.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama