Familja në kthetra rrënimi

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Familja në kthetra rrënimi

Teatri Kombëtar i një vendi ka shumë mënyra për të dëshmuar se është i vogël si godinë e si skenë, përballë prurjes dhe triumfit artistik. Letërsia për skenë, si në rastin e "Filumena Marturano"-s, ka gjithmonë shansin për të dëshmuar kohezion dhe për të ruajtur vlerën aktuale të saj. Vepra e Edoardo de Filippo-s, e ngjizur në kohën e Luftës së Dytë Botërore, përfshihet ndër rastet e asaj letërsie që përmbys kufizimet kohore të vlefshmërisë së vet. Sfidën e fituar në mënyrë të përsëritshme ajo e pohon edhe në rivënien e këtyre ditëve, në skenën shqiptare, prej regjisorit të njohur Albert Minga. Ky regjisor, duke ndjekur kalendarin e ndërmarrjeve të veta profesionale, po ripohohet dhe rifaktohet si artisti që mbetet i akorduar me kohën dhe me nevojën e kumtit të ditës, për bashkëkombësit e vet artdashës. Ndryshe nga arritja e suksesit të paramenduar, me dramën "Pamje nga Ura", regjisori Minga, në aktin e fundit realizues, riarrin suksesin duke i besuar, jo nevojës për strukturë dhe kërkim të qëllimshëm regjisorial, por mishërimit të sentencës Wildiane se "jeta duhet bërë nxënëse besnike e Artit".

Si të tillë e ka kuptuar dhe i ka shërbyer komedisë sociale të De Filippo-s regjisori për llogari të skenës shqiptare. Teatrin e sotëm të jetës sonë reale e ka ngritur në skenën e teatrit, duke i futur artdashësit e Teatrit Kombëtar, këto ditë, në një marrëdhënie të veçantë ndjeshmërie dhe refleksioni.

Subjekti i komedisë sociale të De Filippo-s, fokuson një imazh real të problematikës me të cilën përballet dhe përleshet, në përditshmëri, struktura më klasike dhe më bazike e organizimit shoqëror, pra familjes. Në këtë gjetje, regjisori ka kapur fillin e artë të ecjes drejt suksesit dhe rivlerësimit. Për shkak të konteksteve të sotme, të realitetit kompleks në të cilin gjenden në tërësi familjet shqiptare të këtij tranzicioni shoqëror, për shkak të kohëvonesës në përsëritje të problemeve të familjes së sotme shqiptare në krahasim me familjet italiane të Luftës së Dytë Botërore, apo atyre evropiane në atë kohë, kjo risjellje në skenën shqiptare, falë lojës së aktorëve me përvojë dhe investim të suksesit dhe afirmimit (Yllka Mujo, Bujar Asqeri, Tinka Kurti, Vangjel Toce, Neritan Licaj, Arben Derhemi, Gjergj Mena, Olta Gixhari, Fadil Kujovca dhe Migela Ruka), rikonfirmon edhe një herë mundësinë triumfuese dhe ndikuese që ka arti skenik edhe në këtë vend. Disa prej protagonistëve të kësaj loje në skenë na japin mundësinë për të riformuluar vlerësime dhe komplimente për lojën dhe interpretimin e tyre mjeshtëror. Yllka Mujo, në skenat e kësaj loje të veçantë, shpall sfidën e paimitueshme të artistes që i beson moshës së gjithhershme të artit dhe jo grupmoshës klasike në të cilën gjendet si qenie njerëzore. Ka rifituar duartrokitjet e artdashësit qytetar, në atë mënyrë që vetëm të talentuarit e virtytshëm mund t‘i rifitojnë. Filumena e Yllka Mujos është imazhi real i nënave të kohës së sotme, të cilat dramat e përditshmërisë i luajnë në jetën reale dhe që kjo jetë reale, fatkeqësisht, nuk bëhet dot art prej dramaturgëve shqiptarë.

Por atë që e le mangët dramaturgu, e gjen gjetkë dhe e sjell për sukses regjisori. Kur arrihet kjo, atëherë ne duhet të besojmë te deviza e Brehtit, se realiteti i një vepre ndikuese është e thënë edhe për jetën individuale dhe të popullit tënd. Në një ndër batutat e saja, Filumena-(Yllka) shprehet: "Legalizojini marrëdhëniet tuaja"!

Çastet e refleksionit amortal të Filumenës janë një kulm interpretimi, ato janë pjesë e filozofimit emocional prej njeriut. Ky refleksion dhe rrëfim shpirtëror shpërthyes arrin kulmin në batutën: "Fëmijët janë fëmijë. Ata duhet ta mësojnë të vërtetën… Fëmijët nuk blihen me para..."!

Në shoqëritë e tranzicionit, arti klasik dhe kolana e veprave të sukseseve të ripërsëritura, pashmangshmërisht sjellin ndjesi dhe reagime suksesi. Drama sociale e kësaj vepre të shekullit të kaluar shërben si një pasqyrë rishfaqjeje e problemeve që mbajnë të mbërthyer dhe dhembin në përditshmëritë e familjeve të sotme shqiptare. Te Filumena e Yllka Mujos janë imazhet krahasimtare të nënave të shoqërisë sonë. Tek ajo lojë dhe ai interpretim gjen klithmat e dashurisë nënësore, sikundër edhe fiton inatin për aventurizmin e etërve të papërgjegjshëm të tranzicionit. Në vepra të tilla, që ngjiten në skenë në kohën kur përgjegjësia dhe kujdesi për familjen shpesh shemben, ke mundësi të fitosh vëmendjen dhe të ngjitesh në aktin e reflektimit njerëzor. Albert Minga, një sukses të tillë e ripërsërit në skenën e Teatrit Kombëtar, pikërisht duke mundësuar të vlerësojë artistikisht këtë meritë që kanë vepra të pakoha, si te "Pamje nga Ura" dhe afërsisht në kohë edhe te "Filumena Marturano".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama