Krimi i Edisonit si kontribut

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Krimi i Edisonit si kontribut

Ka kaq kohë që në mediumet tona dhe në shtypin e përditshëm, herë pas here riciklohet debati, apo mendimdhënia për situatën kritike dhe problemet e thella deontologjike që shfaqen në tregun mediatik dhe në përditshmërinë e këtij profesioni. Rastet enumerohen, ndonëse ata janë gjithnjë e më të ndryshëm nga koha në kohë. Më i fundit rast, ai i shkrimeve të Edison Ypit ndaj kolegut Mero Baze, ka për të qenë pa mëdyshje një kazus, të cilin breza studentësh të Gazetarisë dhe pedagogë të fakulteteve të Shkencave të Komunikimit kanë për ta pasur si një model flagrant, si një shembull që mungon edhe për shtypin propagandistik të luftës apo luftërave në shumëformësinë dhe polipërmbajtjen e tyre në vitet 1870, apo në vitet 1940.

Ky kazus mbart një datë të vitit 2009 dhe për këtë shkak, fatkeqësia që konstatojmë dhe shijojmë është edhe më e madhe nga sa e trajtojmë.

Në fakt, në mediat tona fatkeqësitë e mëdha (profesionale) janë bërë objekt i bashkëdiskutimit dhe debatimit të sojshëm më pak nga sa duhej. Reagimi dhe forca ndërhyrëse për bllokimin, apo ndaljen e tyre ka qenë gjithmonë liliput. Kjo gjë vazhdon të ndodhë ende dhe do të thotë se ne ende jemi rob të fatkeqësisë që dominon mbi ne.

Pa rënë në teoritë lodhëse të interpretimit, apo të përcaktimit të asaj që ndodh, do të doja të ngrija më shumë shqetësimin si punëtor i zellshëm i gazetarisë së sotme në këtë vend, si një ndër ata që aspiroj se revolucioni etik në profesionin tonë do të shënojë pashmangshmërisht një stad të ri të etikës shoqërore në përgjithësi dhe do të bëjë të mundur që agresiviteti komunikues i mediave tona të shndërrohet realisht në një metamorfozë të informimbërjes cilësore e virtuoze.

Patologjia e shkrimeve të Edison Ypit nuk është thjesht një fenomen individual. Kjo është një tipologji e mbartur në shtypin tonë përgjatë 18 vjetëve të fundit. Në një sentencë të vjetër gazetarie thuhet se: "Kurrë kolegu nuk mund të jetë personazh negativist për kolegun". Ky është edhe një nen etik, i një kodi universal etike në gazetari. Mirëpo vetëm si i tillë ky nuk është respektuar në traditën 18-vjeçare të këtij shtypi të shkruar shqiptar. Ka ndodhur e kundërta. Një shkarrashkruajtje vrasëse kohë më kohë e vit pas viti. Mëkati është shlyer me mëkat, krimi është shpërblyer me krim, linçimi publicistik është sulmuar prej linçimit të dyfishuar dhe mes gazetarëve ka triumfuar fatalizmi se gazetar të bën ai që të lë në dispozicion sipërfaqen e botimit dhe jo shkolla, apo kryeredaktori që ndjek karrierën dhe investimin tënd kualifikues. Mënyra se si rekrutohen sot komentonjës apo "editorialistë", "opinionistë", apo edhe "analistë" në shtypin shqiptar është e krahasueshme me vendet pa stabilitet dhe standard shoqëror, e krahasueshme me vendet që janë, ose në luftë, ose në destabilitet shoqëror dhe politik. Sot po shfaqemi në një gjendje të krahasueshme me atë të fillimviteve ‘90. Madje më keq, pasi në fillim të viteve ‘90, në vend kishte pak gazeta dhe ambicia intelektuale për t‘u shprehur dhe për të analizuar atë revolucion shoqëror e politik që po përjetonte vendi, ishte natyrshëm e lartë dhe me më tepër legjitimitet. Ndërsa sot, gjendja po ecën në një hulli përkeqësimi. Një sjellje dhe promovim vrastar, i cili po zhvleftëson realisht misionin dhe aspiratën për media profesionale, prish konkurrencën dhe shkatërron ambiciet implementuese të vlerave që sjellin të kualifikuarit. Është kjo një ndër arsyet që shumë prej ish-studentëve të diplomuar për Gazetari në universitete evropiane dhe perëndimore në përgjithësi, e kanë të pamundur të gjejnë sot një vend si editorë, apo drejtues informacioni në mediat kombëtare të Shqipërisë. Përgatitja e tyre dhe ideali profesional me të cilin janë formuar, nuk ka qasje fare me këtë realitet dhe këtë gjendje që ofron Shqipëria e egërsisë informale.

Por kjo e keqe bëhet edhe më e frikshme, kur përdoret prej palëve që kanë detyrim ndalimin dhe përjashtimin e kësaj patologjie, apo këtij barbarizmi profesional mediatik, siç është ai që manifeston Edison Ypi. Riaktualizimi i këtij rasti të shton brengën se do të jetë ende e largët koha që kjo tipologji të mërgohet njëherë e përgjithmonë nga jeta dhe praktika mediatike e vendit. Kjo përgjegjësi morale dhe etike për moslejimin e saj, nis qysh prej botuesit, editorit, prej redaksisë dhe pas këtyre, kjo përgjegjësi mbërrin e ashpër deri te shoqatat dhe organizmat vetërregulluese.

Rasti i zotit Ypi është një kazus, të cilin nuk do ta kishte toleruar asnjë Kod Etike, nuk do ta kishte kaluar në neglizhencë dhe harrim asnjë Urdhër Gazetari dhe natyrisht nuk do ta kishte kaluar në heshtje asnjë organizëm ligjor, që merret me çështjet dhe parimet morale të së drejtës dhe të përgjegjësisë në komunikimin e artikulimin publik.

Kjo heshtje dhe ky pranim fatalist na ndëshkon të gjithëve, të gjithëve ne që kemi ardhur në këtë profesion nga puna e mundimshme dhe sakrifikante e reporterit në terren, nga ngjitja me mundim në pozicionin e ish-kryeredaktorëve dhe editorëve të shtypit kombëtar dhe që aktualisht merremi me angazhim konkret për ndryshim të diçkaje në këtë kënetë aprofesionalizmi dhe këtë mjedis ku ndotja është arti që dominon më së shumti.

Kjo e keqe vepruese në tregun tonë mediatik po zvogëlon mediat. Ky është një zvogëlim i frikshëm, të cilin si humbje të rëndë po e shijon aktualisht vetë shoqëria. Në shtypin dhe mediat e këtij vendi, sot ka shumë hapësirë për t‘u shprehur e për të shkruar. Por kjo liri tinëzare është vrasja vetë. Pak kohë më parë, unë e kam etiketuar atë si liri të pacilësishme. Ajo ka prishur prej vitesh hierarkinë e vlerës së fjalës dhe ka bërë të mundur që përmes politikës inflacioniste të fjalës dhe sipërfaqes së paadministruar, të prishet miti i fjalës së vlershme.

Ky është një projekt që po implementohet rrezikshëm në realitetin mediatik të vendit. Askush nuk bëhet solidar me të përkundërtën e duhur, pra me atë që e shohim si realitet në vendet e BE-së, në SHBA, apo në vende të tjera modeli. Shumëkush injoron prononcime, apo deklarata të ndryshme denoncuese, kur ka raste të kësaj dhune, pasi menjëherë mbi aktin e dhunës vendoset analiza se kush është ai që është dhunuar dhe cilat janë krimet profesionale të tij në të shkuarën e afërt. Me një fjalë, nuk na hyn në sy dhimbja, por na vlen vetëm gjykimi si hakmarrje, apo si shpagim. Kështu po ngjet edhe me rastin e Edison Ypit.

Pa humbur kohë, do të doja të kishim solidaritetin e komunitetit tonë profesional në raport me këtë rast-kazus. Do të duhej të formulonim një reagim ndryshe nga të deritanishmit të gjithë gazetarët. Jo të formulonim një deklaratë në mbrojtje të Meros, por të kërkonim vetëm të respektonim, qoftë edhe në formë imituese, një masë reagimi nën moton dhe respektin e patjetërsueshëm të Kodit të Etikës dhe të Urdhrit të Gazetarit. Natyrisht këto na mungojnë ne si institucione, por le të shërbejë ky rast si shtysë për promovimin e vetë institucioneve të paqena të vetërregullimit. Kjo do të ishte më e vlefshme se çdo gjë tjetër. Në këtë rast Edison Ypi do të kujtohej si kontributor përmes mëkatit të tij, për nisjen e revolucionit të vetërregullimit në shtypin dhe në mediat shqiptare të shekullit XXI. Në të kundërt, evolucioni zvogëlues i vlerës dhe misionit të mediave të sotme shqiptare, paskan pasur shkrimet e Edisonit si ogurin e patjetërsueshëm të zvogëlimit dhe vrasjes së mëtejshme të vetë mediave dhe shtypit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama