Një kujtesë demokrate për zgjedhjet në PD

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Besnik Mustafaj
Një kujtesë demokrate për zgjedhjet në PD

Javët e fundit, duket se faza e parë e fushatës zgjedhore në Partinë Demokratike po shkon drejt përmbylljes së saj. Siç e kemi marrë vesh nga mediat, në mjaft rrethe janë zhvilluar madje tashmë edhe konferencat e janë zgjedhur kryesitë e kryetarët. Bukuri! Në shumë rrethe të tjera, siç kemi mësuar po nga mediat, dhe shyqyr që janë mediat, këto konferenca do të zhvillohen në ditët në vazhdim, çka do të thotë se edhe atje janë caktuar përfundimisht kandidatët konkurrues. Me këtë rast është shfaqur  një shkelje tjetër e rëndë e statutit të Partisë, po i thosha një miku të vjetër, i cili nuk e ka pëlqyer asnjëherë të përfshihet në partira, por ka votuar gjithmonë për ne, demokratët, qysh nga viti 1991. Ai më pa me një shprehje të madhe çudie dhe rrudhi vetullat plot keqardhje për mua. Sipas tij, unë që e përmendja kaq seriozisht statutin, isha budallallepsur fare. Përtej ironisë së tij miqësore, apo se ndoshta vërtet jam budallallepsur ca, vazhdova t’i shpjegoj se në statutin e Partisë Demokratike janë të përcaktuar shumë qartë procedurat, që duhen ndjekur për emërimin e kandidatëve, që hyjnë në garë për funksionin e kryetarit të degës së Partisë.

Në përputhje me këto procedura, propozimet e shumta, të dala nga militantët gjatë mbledhjeve zgjedhore nëpër seksione, apo edhe të vetëshpallura, siç ishte shembulli im, bashkohen në Kryesinë Qendrore të Partisë dhe seleksionohen me kujdes, në mënyrë që gara të përqendrohet te kandidatët më cilësorë. Statuti, por edhe dokumentet e tjera të rëndësishme të Partisë, sqarojnë mirë edhe se çfarë kuptohet me cilësi të kandidatit për kryetar të degës. Kjo marrje e përgjegjësisë kolegjialisht e me transparencë nga ana e Kryesisë së Partisë për seleksionimin e listës së kandidatëve garues për kryetar të degës është e dobishme jo vetëm për t’i dhënë peshë garës, por edhe për t’i qetësuar edhe ata që mbeten jashtë garës, të cilët binden se vendin në listën e ngushtë nuk e kanë zënë për arsye parimore, në interes të organizatës sonë politike dhe jo se nuk i ka patur me sy të mirë njëri apo tjetri nga delegatët e Qendrës. Rrjedhimisht, në mbyllje të procesit, dega është përsëri e kompaktësuar dhe e vitalizuar për të hyrë me besim të ri në betejën elektorale kombëtare, që kemi përpara.

Ndërkohë që rezulton se as për konferencat e zhvilluara tashmë dhe as për ato që priten të zhvillohen së shpejti, Kryesia e Partisë nuk ka marrë fare mundimin të mblidhet. Gabim i rëndë, i mëshova unë zërit, si për t’ia përforcuar mbështetësit tonë përshtypjen se isha budallallepsur. Është nxjerrë kështu jashtë funksionimit një nga institucionet më të rëndësishme të Partisë e që është Kryesia e Partisë, ku presupozohet se është e përqendruar pjesa më cilësore e elitës politike demokrate. Për pasojë, është shmangur gjykimi kolegjial rreth kandidaturave të mundshme, duke u zëvendësuar ky gjykim kolegjial me përzgjedhjet subjektive të një grushti të vogël drejtuesish të shquar, që do të thotë se i është hapur fushë e lirë veprimi klientelizmit dhe klaneve të dy a tre vetave me poste të larta në Parti.  Rrëqethemi pastaj kur shohim në faqet e para të gazetave, me tituj të mëdhenj, se atje, ku shkon ndonjë i deleguar si puna e Sokolit (Olldashi), mbështetësit e kandidatit të pëlqyer nga Qendra dhe mbështetësit e kandidatëve të papëlqyer nga Qendra, nxjerrin deri edhe koburet kundër njëri-tjetrit. Zot na mbro nga të deleguar të tillë, që i fryjnë sherrit midis militantëve me shpresën se kështu mund t’i sundojnë! Militantët i binden argumentit që vjen nga hierarkia partiake dhe jo urdhrit. Shtrirja e klientelizmit dhe klaneve deri në degët e rretheve i bën një dëm të pandreqshëm partisë, sepse mbart tharmin e përçarjes së partisë në bazë në një moment veçanërisht delikat, siç është periudha para zgjedhjeve parlamentare.

Kjo mënyrë jo institucionale dhe jo statutore në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të degëve nëpër rrethe cenon gjithashtu rëndë një nga parimet më themelore, mbi të cilin mbështetet demokracia e brendshme e Partisë e që është parimi i konkurrencës. Vetëm Kryesia e Partisë e ka tagrin të gjykojë e të vendosë mbi vlerat e reja dhe kontributet e mëparshme që mbart secili nga të propozuarit e bazës për të drejtuar degën, si edhe të shprehet në mënyrë zyrtare e me transparencë për përputhshmërinë e secilit kandidat me standardet që shtron koha dhe objektivi ynë i përbashkët politik për drejtuesit lokalë të  Partisë në katër vitet e ardhshme. Shmangia e konkurrencës së ndershme dhe doemos transparente largon vetvetiu njerëzit e aftë nga Partia Demokratike dhe u çel rrugën servilizmave dhe sëmundjeve të tjera të ngjashme, të cilat e zvetënojnë kuptueshëm autoritetin e Partisë Demokratike tek elektorati i gjerë. Ky është një mësim i vjetër i politikës, të cilin duhet ta rrënjosin në kokë edhe udhëheqësit e rinj.

Por ka edhe një të keqe tjetër të madhe kjo, që ka ndodhur këto tre vjet e gjysmë me ne, demokratët, dhe për më keq vazhdon të ndodhë. Shmangia e debatit të shëndoshë në Kryesinë e Partisë dhe në Këshillin Kombëtar rreth personalitetit dhe kontributit politik në dinamikë të pushtetarëve tanë në të gjitha nivelet, u ka krijuar shpesh e më shpesh këtyre pushtetarëve një sjellje apolitike, që nuk do të thotë medoemos se ata u bënë sakaq nëpunës të mirë civilë. Ky takëm zyrtarësh ka fituar rëndom një sjellje hibride, e cila tamam-tamam nuk i shërben kristalizimit  dhe forcimit të rolit të politikës në ndërtimin e shtetit ligjor, nuk i shërben as konsolidimit të administratës publike si trupë thelbësore në funksionimin e shtetit ligjor. Ata që e mendojnë politikën si dituri, e dinë se apolitizmi dhe depolitizimi janë dy koncepte krejt të ndryshme e madje, në shumë aspekte, apolitizmi vepron si një sëmundje ndaj depolitizimit.  Funksionarët në fjalë kanë ardhur në poste në sajë të fitores tonë në zgjedhjet politike të 3 korrikut 2005.

Por politika për ta identifikohet me një apo dy drejtues të lartë të PD-së, ndaj të cilëve përkulin kurrizin deri në tokë, po të jetë nevoja. Strukturat politike të PD-së për ta, siç duket, as nuk kanë patur e as nuk kanë kurrfarë vlere. Ndërkohë, ndaj atyre që kanë poshtë vetes dhe ndaj hallexhinjve, ligjërojnë sikur ta kishin fituar atë post me konkurs të pastër. As njërën dhe as tjetrën nuk e bëjnë mirë dhe as me sinqeritet, që do të thotë se as programi politik i PD-së nuk realizohet me efektivitet përmes tyre dhe as statura e nëpunësit civil nuk rritet. Ky hibrid i servilizmit me arrogancën prodhohet pikërisht kur institucionet politike, siç janë instancat e partisë, përjashtohen nga marrja e përgjegjësisë mbi vlerësimin e njerëzve të promovuar në pushtet përmes politikës.

Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nga institucionet politike të PD-së është një detyrim jo vetëm ndaj militantëve të kësaj partie, por ndaj gjithë shoqërisë, sepse kjo parti, në fushatën e saj elektorale, është angazhuar përpara gjithë shoqërisë dhe kështu do të angazhohet përsëri me 28 qershor. Këtë realitet të degraduar kishte parasysh, me sa duket, ai votuesi ynë i pa parti, kur më tha se, duke iu referuar me aq këmbëngulje statutit, po tregoja se isha budallallepsur fare. Ky votues përmbledh një masë qindra mijë zgjedhësish shqiptarë, të cilët e kanë dhënë besimin e tyre për Partinë Demokratike dhe vazhdojnë ta japin para së gjithash pse kanë parë aty një bashkim njerëzish  me parime. Ne, demokratëve të zgjedhur, nuk na lejohet t’i zhgënjejmë ata pikërisht tani, kur ne dhe Shqipëria kemi nevojë për besimin e tyre më shumë se kurrë. Dhe, siç tregon shembulli që solla, ata po na vëzhgojnë me vëmendje.

Megjithatë, unë po vazhdoj në budallallëkun tim. Parë në kontekstin aktual të fushatës ku jam përfshirë, do të thosha se shmangia e debatit të shëndoshë dhe parimor në Kryesinë e Partisë dhe, pse jo, edhe në Këshillin Kombëtar, rreth personalitetit të  kandidatëve, ndikon dashje pa dashje në topitjen e debatit edhe në konferencat e degëve. Njerëzit seriozë e besojnë si të dobishme këshillën e të parëve tanë, se duhet folur aty ku të dëgjojnë. Dhe militantët demokratë janë njerëz seriozë. Pra, debatet në strukturat lokale të Partisë do të kishin vlerë, në qoftë se problematika e shtruar aty nga anëtarët dhe të zgjedhurit, do të trajtohej me një cilësi të re, natyrisht më të lartë, në Këshillin Kombëtar dhe në Kryesinë e Partisë, me qëllim që të nxirreshin përfundime realiste dhe perspektive në shërbim të përmirësimit të punës së krejt Partisë për katër vjetët e ardhshme. Kur në selinë qendrore mbretëron heshtja, atëherë edhe demokratët poshtë mbyllin gojën ose edhe më keq: kthejnë shpinën e mbyllen në hallet e tyre vetjake. Këta të fundit kanë filluar të quhen demokratë të zemëruar. Jo gjithmonë heshtja është flori. Kërkesa, që po shtroj unë tani, është fare minimale, shumë larg nevojës së pranuar për reforma të thella brenda Partisë Demokratike.

 Por, reformat fillojnë pasi është shteruar mirë mundësia për rezultat, që jep sistemi i tanishëm organizativ i partisë. Kjo mungesë komunikimi nëpër të gjithë sistemin vaskular, doemos që dobëson zemrën e forcës politike, në të cilën ne jemi bashkuar, që do të thotë se rrezikon të cenohet fuqia, me të cilën ne duhet të shkojmë në zgjedhjet e 28 qershorit dhe të fitojmë. Sepse duhet të fitojë kjo maxhorancë edhe një herë. Mjaft të kujtojmë mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Tiranës, për të kuptuar se çfarë metode qeverisjeje do të instalonte në qeverinë shqiptare një ngjitje atje e Edi Ramës. Me ç’na panë sytë, kemi të drejtë të gjithë të trembemi për të nesërmen e vendit tonë.

 Në të vetmin rast që u detyrua të përballonte një situatë të tendosur politike, Edi Rama na tregoi se jo vetëm nuk është bartës i ndonjë politike të re, por nuk është as në parametrat e asaj që ai e quan politikë e vjetër. Ai thjesht nuk ka asnjë lidhje me politikën, e tillë siç kuptohet dhe kërkohet politika në demokraci. Ne e pamë atë mirëfilli si një kapo, që rri në këmbë kur të tjerët rrinë ulur dhe i bën hesapet me gishta, kur të tjerët votojnë me kartonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama