Ligji dosjeve po behet dosje

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Ligji dosjeve po behet dosje

Në muajt e fundit të mandatit të vet, Parlamenti aktual i vendit po shënon precedentin e parë përplasës me disa autoritete dhe institucione ndërkombëtare. Mes qeverisë së Kryeministrit Berisha dhe institucioneve më të larta evropiane, po vijon një përplasje e hapur dhe e ftohtë. Gjithçka nisi me propozimin e beftë për kalimin në Parlament të projektligjit për "Dosjet". Reagimet e menjëhershme refuzuese të opozitës kryesore dhe më pas të disa prej aktorëve të shoqërisë, formësuan ndarjen mes shumicës së z. Berisha dhe pakicës së kryesuar prej z. Edi Rama. I gjithë spektri opozitar e refuzoi këtë projektligj. Këmbëngulja e Kryeministrit ishte e paepur, deri sa me shumicë votash e bëri fakt të kryer në sallën e Parlamentit. Nga kjo ngutje dhe zelli për ta bërë ligj projektin e qeverisë, zoti Berisha nuk "u tut" as nga reagimet e menjëhershme dhe të prera të kryesuesve diplomatikë të vendeve kryesore të botës në Tiranë. As ambasadori amerikan Withers, as ambasadori i BE-së Lohan dhe as ai i OSBE-së nuk e ndalën ngutjen e Kryeministrit për ta kaluar me shpejtësi ligjin.

Beteja për këtë ligj nuk mbaronte këtu. Dosja për këtë ligj "dosjesh" tashmë ishte mbushur në fashikullin e saj të parë. Në këtë dosje nisën të stivoheshin komentet parandaluese dhe deklaratat e ashpra për ndalje. Më pas në këtë dosje u përfshi axhenda e takimeve dhe mbeten ende të pazbardhura publikisht dialogët mes Kryeministrit Berisha dhe ndërkombëtarëve në cilësi të ndryshme për këtë çështje. Kjo çështje po mbetet për më tepër se tri muaj thelbi i takimeve, dialogëve, komunikimeve dhe interesimeve mes institucioneve ndërkombëtare dhe qeverisë sonë. Pra, dosja e "dosjeve" po mbushet si kurrë ndonjëherë në mënyrë të pakrahasueshme me debate për ligje, të kaluara së paku në këta 5 vjet të fundit nga parlamentet e vendit. "Odiseja" e përplasjeve diplomatike dhe politike për këtë ligj, padyshim që nuk ka mbaruar. Kronologjia e reagimeve kundërshtuese është e njohur dhe e panjohur. Shumëkush e di mirë se diskutimi për këtë konsistencë të Kryeministrit Berisha me kohë ka shkaktuar interesimin dhe vëmendjen e Brukselit, Strasburgut dhe Uashingtonit. Jehona e ligjit ka shumështuar jo vetëm kontaktet dhe interesimet diplomatike, por në veçanti është bërë argument i fuqishëm analize prej laboratorëve dhe receptorëve të zhvillimeve politike. Koha, sipas të gjitha shenjave, po e dimensionon dosjen e ligjit të "dosjeve".

Po pse kjo ndarje kaq e madhe dhe pse kjo këmbëngulje e Kryeministrit?

Natyrisht konteksti i zhvillimeve të politikës dhe në skenën elektorale të vendit, është evidentuar vijueshmërisht në mediat tona dhe sidomos në interpretimet e shumëkujt. Vetë protagonistët partiakë kanë theksuar se cilat janë disa prej interesave ditore, për të cilat Kryeministri Berisha këmbëngul me kryeneçësi për këtë ligj lustracioni. Janë numëruar disa prej arsyeve që lidhen me koniunkturat e ndodhitë e fundit në skenën politike e shoqërore të vendit. Është arsyetuar prej opozitarëve dhe jo opozitarëve gjendja e vështirë për qeverinë, pas ndodhisë tronditëse të Gërdecit, pas akuzave dhe procesit për koston e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, si dhe pas akuzave e propagandimit të të ashtuquajturave afera që komprometojnë publikisht Kryeministrin, njerëz të afërt të tij, si dhe disa ministra. Proceset e hapura e vijuese, të cilat janë tashmë në fokus të vëmendjes dhe interesimit qytetar, mbartin në vetvete edhe dilemat për qëndrimet dhe veprimet e institucioneve të drejtësisë. Këto arsyetime, të cilat përgjithësisht i përkasin opozitës në spektër, natyrisht që pasohen edhe me trajtimin e procedimit konkret prej institucioneve të drejtësisë. Ligji i "dosjeve" po trajtohet prej opozitarëve dhe shumicës së analistëve kritikë me qeverinë si "varkë që të nxjerr nga limani" për proceset kritike ndaj pjesëtarëve të qeverisë. Pra, palët kanë nisur qysh në ditën e parë të hapjes së këtij debati arsyet pse i leverdis kalimi i shpejtë në kohë i këtij ligji qeverisë. Më pas, vetë opozita dhe analistët nisën të merreshin me çështjet e brendisë së ligjit dhe të analizonin përplasjet dhe privimet që sillte ligji. Kur palët e vunë "gishtin" mbi këto shkelje, reagimet e diplomacisë dhe institucioneve ndërkombëtare u intensifikuan më tepër. Në këtë moment, në diskutim u futën edhe ekspertë të çështjeve ligjore të lustracionit, përfaqësues me njohje në procedimet homologe të zhvilluara nga vende të ndryshme të BE-së dhe sidomos në krahasim me ligjin çek të lustracionit, aq i preferuar si model prej qeverisë dhe zotit Berisha.

Dosjes së ligjit sërish iu shtua volumi. Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian shprehën me tone më të theksuara shqetësimin e tyre. Në mënyrë insistuese, SHBA, përmes ambasadorit të vet në Tiranë, u shpreh fare troç se ky ligj duhej të mos implementohej. Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, i gjendur në një situatë të vështirë, madje i rrethuar në mënyrë ndëshkuese për çdo qëndrim, zgjodhi maturisht abstenimin dhe procedurën e rrallë të vetëdekretimit të ligjit pa nënshkrimin presidencial. Natyrisht, heshtja e Presidentit linte të nënkuptueshëm refuzimin dhe mosqenien dakord me të. Ky moment e komplikoi edhe më tepër legjitimitetin moral të ligjit dhe të forcës vepruese të tij. Në këtë përballje jo bindëse, Kryeministrit duket se nuk po i ndih as angazhimi populist i disa organizatave dhe përfaqësuesve të ish të përndjekurve politikë. Sfida për qeverinë dhe Kryeministrin po bëhet edhe më e madhe pas mbërritjes në Tiranë të reporterëve të Këshillit të Evropës, të cilët pas takimeve u shprehën hapur të çuditur nga këmbëngulja e Kryeministrit dhe qeverisë. Në këtë mision verifikues, reporterët, që erdhën si misionarë për shkak edhe të zëvendësimit të beftë të zëvendëspresidentit të Asamblesë së KE-së, deputetit të PD-së Aleksandër Biberaj me ish-ministrin e dorëhequr të Drejtësisë, Ilir Rusmali, parathanë kapitullin shtesë për diskutueshmërinë konstitucionale të ligjit të "dosjeve". Një ditë më pas, Këshilli i Evropës paralajmëroi palët partiake në vend dhe institucionet ndërkombëtare, se në Shqipëri ekziston mundësia e një përplasjeje të madhe partiako-politike, për shkak të këtij ligji. Reporterët nxitën Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe qeverinë, ta dërgojnë ligjin e miratuar të lustracionit në Komisionin e Venecias të KE-së. Propozimi i tyre si rrugëzgjidhje e shmangies së krizës është i ngjashëm me propozimin e avokat Spartak Ngjelës, deputet i djathtë, duke vonuar zbatimin e ligjit në fjalë.

Megjithatë, dosja nuk mbyllet këtu. Këmbëngulja e Kryeministrit është në veprim. Zhvillimet mbeten të hapura dhe të panjohura. Janë bërë shumë aktorë e faktorë kundër qeverisë për këtë çështje. Kjo përplasje tashmë ka marrë dimension politik dhe pashmangshmërisht edhe fuqi ndikuese në kontekstin dhe përballjen elektorale. Qeveria po ia del, që në këto kushte dhe në këta kapituj reagimesh e përplasjesh me palët e antiligjit të "dosjeve", të ushtrojë ndikim atje ku i nevojitet presioni dhe jo vetëm ai. Pra, te drejtësia. Dosja e ligjit të "dosjeve" është ende e hapur. Po shtohen në të zhvillime dhe po kapitulohen ndodhi politike, të cilat si kurrë ndonjëherë më parë në periudhën post ‘98 po e rikthejnë Shqipërinë zyrtare në një diskutim skeptik dhe kritik të diplomacisë amerikane e evropiane. Sa herë që një skepticizëm i tillë ka qenë në sintoni, na është dashur të shijojmë edhe ndëshkimin politik e pse jo edhe diplomatik nga aleatët tanë ndërkombëtarë. Mos qoftë e thënë të vuajmë sërish kokëfortësinë e tërheqjes në "çastin e fundit"!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama