Zeri modest i studenteve

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Zeri modest i studenteve

Padija e publikut shqiptar po bashkëshoqërohet fuqimisht me mpirje të forcës së reagimit publik. Kjo padije na ka shembur ambicien për cilësi, na pajis me indiferencën komunitare, na ka hequr instinktin e solidaritetit dhe ndjellakeqësisht, po na klasifikon si shoqëri e fabulës: "kështu i do mushka drutë".

Prestigji i të diturve të kësaj shoqërie, po bëhet gjithnjë e më i pashfaqur dhe fatkeqësisht, aspak rezistent në jetën publike. Duhet thënë hapur se, ky prestigj, nuk po e kryen funksionin e duhur, atë të kontribuuesit në emër dhe në shërbim të shoqërisë.

Prej disa ditësh, në disa protesta që të lënë shijen e keqe të sorollatjes, një grup studentësh të Universitetit të Tiranës, të Fakultetit të Shkencave të Komunikimit, po denoncojnë ironinë dhe injorimin zyrtar me diplomat e tyre. Ata janë përfaqësues të gjeneratës së ardhshme të reporterëve dhe publicistëve të vendit.

E nisin padrejtësisht, përballjen me sfidat, pikërisht nga papërgjegjshmëria që nuk nis te qeveria e ditës, por te Parlamenti i këtij mandati.

Ankesa publike e studentëve ka zbuluar maskarallëkun politik me të ashtuquajturin "implementim shqiptar të sistemit të Bolonjës".

Historia e maskaradës me diplomat e tyre nuk nis me dy apo tre ministrat e fundit të Arsimit, ajo e ka fillesën tek informaliteti i kopjimit të formulave apo të të ashtuquajturve sisteme që ofron realiteti i vendeve të BE-së. Kjo është një provë flagrante e diletantizmit të administratës që ka vendi dhe, sidomos e përgjegjësisë së shpërdoruar prej të mandatuarve.

Papërgjegjësi të tilla, që i shkaktojnë shoqërisë vite vonesë dhe prapambetje skandaloze, mbeten fatkeqësisht pa ndëshkim. Ky ndëshkim i munguar apo i penguar, vijon t‘i shtojë kostot e padijes dhe paaftësisë në administratat dhe fatkeqësisht edhe në shkollën tonë, në shumë nivele të saj.

Shkolla jonë është e pambrojtur, sepse po i farohet realisht përvoja dhe prestigji i përvojës së saj në kaq dhjetëra e qindravjeçarë. Me këto adaptime që i bëhen sistemit apo më tepër programeve, me pakujdesinë që dëshmohet në përvetësimin dhe kualifikimin e administratës arsimore në tërësi, shteti vetë po zhvlerëson arsimimin dhe shkollimin.

Studentët diplomantë të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, i ofruan publikut në sy, një dokument qesharak të diplomave. Për këtë tip diplome, dikur është bërë një tender, është fituar një shumë të hollash, është paguar ndoshta një dizenjues dhe është printuar me gabime trashanike drejtshkrimore, duke u quajtur burokratikisht; një punë e kryer". Ditë e zezë do të thoshin në qytetin e ministrit aktual, zotit Fatos Beja, pavarësisht se faji i sotëm është mëkat i paraardhësve të tij në vite të mëparshme.

Injorimi zyrtar me dokumente të tilla ( si diplomat) të cilat në ndërgjegjen e njeriut të arsimuar, marrin një kuptim të shenjtë, risolli në vëmendje të publikut, realitetin e përdhosur të cilësisë dhe seriozitetit tonë arsimor. Kjo u shpall, kur studentët u interesuan se çfarë kartoni do të merrnin në dorë, ndërkohë që ndoshta një vit më parë, në Parlament shumica e deputetëve, qoftë të pozitës qoftë të opozitës, besoj se nuk e kanë ditur, se ç‘ligj kanë votuar për legjitimimin e sistemit të Bolonjës në arsimin e lartë të vendit. Padija në këtë rast, votoi, dhe fjalën e ka tashmë, …shembja e përditshme e cilësisë dhe standardit.

Analisti Fatos Lubonja pak kohë më parë në një artikull me referim prej themeluesit të "La Republica", Eugenio Scalfari, nënvizon disa të vërteta për korrupsionin dhe "demokracinë hibride" shqiptare. Lubonja nënvizon idenë se paralelizmi mes Italisë dhe Shqipërisë është evident: "Veçse me ndryshimin, se gjendja e Italisë së djeshme është gjendja e Shqipërisë të sotme. Me ndryshimin gjithashtu se, nëse në Itali ka pasur një 25% shtresë shoqërore që nxirrte klasën drejtuese, kjo shtresë në Shqipëri edhe sot është më e hollë, më pak e kulturuar dhe qytetëruar, më pak e stabilizuar, më pak demokratike dhe shumë më kriminale dhe më e pamoralshme. Ashtu sikurse edhe pjesa tjetër e shoqërisë, ajo e mpira, pa gojë, është shumë më primitive".


***

Shqetësimi i madh i të ndërgjegjshmëve për këtë gjendje buron nga vonesa e kurës. Rotacioni politik ndodh. Kabinetet qeverisëse ndërrohen. Mirëpo, kurimi i sëmundjeve dhe devijimeve në sistem, nuk bëhet e nuk ndalet. Sëmundjet tona shtohen, mavijosja e problemeve po deformon pamjen natyrale të shtetit dhe deformimi i institucioneve na bën të besojmë në skepticizmin e gjetur të kohëve të shkuara se "këtu shteti s‘bëhet!".

Reagimi i studentëve të Gazetarisë është vetëm një akt natyral dhe realisht i meritueshëm. Ai reagim modest, menjëherë e zbuloi shëmtirën e realitetit institucional në arsimin tonë. E drejta e tyre edhe me aq reagim, na bën me dije se sa e ka informalizuar përgjegjësinë e shtetit në raport me kontingjentet që diplomohen në universitetet tona, klasa jonë politike. Ajo diplomë e neglizhuar, zbulon hapur papërgjegjësinë e shtetit për tregun e punës, për raportet e punësimit të ardhshëm dhe të drejtës së të diplomuarve për të qenë të përkrahur prej shtetit në vijimin e mëtejshëm të kualifikimit dhe aftësimit profesional. Diplomat-certifikata janë dëshmi e mentalitetit "shkel e shko" që ka një klasë qeverisëse, pavarësisht se ç‘ngjyrë partiake apo ideologjike mbart ajo. Nëse gërvishtim më thellë gjendjes faktike dhe vlerës formuese që ka sistemi universitar i vendit, atëherë do të ripohojmë në mënyrën tonë, të njëjtën gjë që konstaton me të drejtë kolegu Lubonja e shumëkush që i është referuar sinqerisht realitetit dhe gjendjes së sotme të arsimit të lartë shqiptar. Me këtë pakujdesi institucionale ndaj universiteteve, Shqipërisë po i shembet e drejta e pasjes së brezave më cilësorë.

Reagimi i studentëve edhe në raste të tjera për arsye të tjera, ka qenë fatmirësisht zëri i duhur për të tronditur ndërgjegjen vrastare të burokracisë politike. Historia jonë shoqërore e ka përfshirë më shumë se një herë këtë përvojë. Në rastin e reagimit modest të studentëve të Gazetarisë, le të shohim së paku nojmën e pamjaftueshme të "demokracisë hibride", të cilën si të tillë, nuk e kemi klasifikuar ne, por fatkeqësisht e shijojmë dhe e përjetojmë, nervozisht si tranzicion të tejzgjatur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama