Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqiptarët, sa afër janë

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Shqiptarët, sa afër janë

Ndërsa politika po lëshon në mënyrë të ndrojtur idenë test të bashkimit të shqiptarëve, ia vlen barra qiranë të merresh me atë sa afër janë shqiptarët me njëritjetrin. Ata të Kosovës me të Shqipërisë. Për arsye hapësire nuk po merremi me shqiptarët e Maqedonisë, me gjithë parashikimin që vinte prej një greku kësaj radhe - Samarasit, dikur ministër i Jashtëm, se hipoteza e Shqipërisë së madhe që nis me shkatërrimin e Maqedonisë është reale. Analiza që po parashtrojmë nuk mbështetet mbi studime integrale katedrash, por me vëzhgime ....të rastit në një eksperiencë shumëvjeçare udhëtimesh apo kontaktesh me dy komunitetet kryesore shqiptare në rajon - ata të Shqipërisë dhe ata të Kosovës. Kështu që duhet mirëkuptuar dhe duhet trajtuar me indulgjencë. Janë disa elementë të konsideruar në këtë analizë: raporti me pronën dhe biznesin; raporti me ligjin; raporti me kulturën.

Raporti me pronën dhe biznesin

Për shkak të vijimësisë thuajse natyrale të shtetit në ish-Jugosllavi, Kosova ruajti një strukturë pronësore të paprekur, me gjithë reformat agrare apo shpronësimet që mund të jenë kryer. Komunizmi jugosllav nuk ishte aq i ashpër sa yni. Fshatari kosovar ruajti një pronë bujqësore të një farë madhësie, kështu që ai nuk e humbi raportin e shëndetshëm me pronën. Për këtë shkak bujqësia kosovare është më e përparuar sesa ajo e Shqipërisë, megjithëse kosovarët e punojnë tokën më pak sesa maqedonasit, sipas një studimi të Bankës Botërore. Por mbi të gjitha në Kosovë nuk ka konflikte të konsiderueshme as në sasai as në cilësi për pronën, hiq njëlloj problematike shtesë nga shitja e sforcuar dhe pa dokumente e pronave të serbëve te shqiptarët, që mund të krijojë kosto të mëdha në të ardhmen. Shqipëria ndërkaq është e helmuar nga problemet e pronës që mbajnë peng zhvillimin dhe çdo ndërhyrje gjoja rregulluese, e njëanshme nga qeveritë e radhës shton problematikën dhe për pasojë dhe proceset gjyqësore. Zhvillimi ka mbetur peng i palëvizshmërisë së tregut të tokës, ashtu si në Kosovë problem janë bizneset e mëdha publike.

Por përkundër kësaj duket se shqiptarët e Shqipërisë kanë fituar kohën e humbur në ndërtimin e ndërmarrjeve private. Nëse shqiptarët e Kosovës kishin një sens ndërtimi të biznesit dhe nga hiçi, siç dukej në vitet e para të tranzicionit në qebaptoret kosovare jo vetëm të Tiranës, Shqipëria ka arritur të krijojë ndërmarrje të mëdha dhe të menaxhuara në nivel të lartë dhe në sektorin prodhues, siç tregon veç të tjerash rruga që lidh Durrësin me Tiranën. Kosova nuk duket se ka arritur të ketë ndërmarrje të mëdha që qarkullojnë aq shumë vlera monetare, por duket se përgjithësisht biznesi në të dy vendet, siç theksojnë dhe disa studime mbetet të jetë biznes pronarësh unikë dhe shumë-shumë rrallë ka shoqëri për aksione të përmasave të mëdha. Mabetex-i, ndoshta ndërmarrja më e madhe në pronësi shqiptarësh është më shumë produkt perëndimor sesa kosovar, d.m.th lindur dhe rritur në perëndim. Shqiptarët e Shqipërisë ia dalin të marrin rroga më të mëdha se sa ata të Kosovës dhe kjo vihet re dhe në ndërmarrjet private, megjithëse pagesat me euro kanë hyrë më herët në Kosovë, sesa në Shqipëri.

Raporti me shtetin dhe ligjin

Ndërkohë ka disa diferenca të tjera të rëndësishme midis kosovarëve dhe shqiptarëve të Shqipërisë. Raporti i secilit komunitet me shtetin, apo me ligjin dhe këtu mund të shohim të përfshirë dhe raportin e politikës me shtetin. Kosovarët duken më të respektueshëm ndaj shtetit të tyre të ri dhe këtu kanë ndikuar me shumë gjasa qoftë tradita, megjithëse e dhimbshme e shtetit jugosllav, por dhe qeverisja ndërkombëtare, e cila ia doli ta ruante këtë traditë. Ka sigurisht cenime të rënda të këtij raporti, veçanërisht në fushën e ndërtimeve pa leje, kryesisht në Prishtinë, por në Shqipëri ky është një problem makroskopik. Shqiptarët e Kosovës paguajnë taksa më shumë, e sipas disa të dhënave dhe energjinë e paguajnë më shumë. Ndërmarrjet e biznesit paguajnë gjithashtu në mënyrë më korrekte taksat; policët e Kosovës jo vetëm janë veshur në mënyrë shumë më serioze, por reflektojnë korrektësi ekstreme, falë trajnimit britanik si dikur policia e Zogut. Të përpiqesh të korruptosh një polic të Kosovës mund të përfundosh brenda, ndërsa ai i Shqipërisë, apo i Maqedonisë ta kërkon paturpësisht ryshfetin. Trafiku duket shumë më i rregullt në Kosovë dhe taksitë të marrin më pak para se në të gjithë Europën. S'ka asnjë kuptim të bësh krahasim me Shqipërinë në këtë sferë të jetës urbane, ku kosovarët janë sërish më para se shqiptarët e Shqipërisë.

Por mbi të gjitha klasa politike e Kosovës nën modelin e Ibrahim Rugovës, nën ndikimin e ndërkombëtarëve, nën ndikimin e traditës zakonore ruan nivele të ulëta animoziteti, megjithëse Kosova është një vend i dalë nga lufta, që ka tradita klanike apo tribale të forta. Hashim Thaçi me mesazhet e veta pajtuese po i ngjan gjithnjë e më shumë Rugovës që urrente pamasë, ndërsa sot i falet para varrit të tij. Parlamenti kosovar ngjan me atë danez, shtypi kosovar është gjithashtu i përmbajtur dhe sherrxhinjtë më të mëdhenj kanë qenë disa gazetarë që vinin nga Shqipëria. Me gjithë përpjekjen e politikanëve të caktuar të Shqipërisë për të ndezur fërkime në Kosovë, duke privilegjuar këtë apo atë palë, politika kosovare mbetet në nivele të qeta dhe zgjedhjet janë të pranuara universalisht. Edhe nëse ato kanë filluar të vidhen, ekspertët vijnë prej Shqipërisë. Diçka që ka shumë anë pozitive sakohë që objektivat kombëtarë shtetformues janë prioritet absolut, por ama ka dhe anë negative, sepse mungon ai fërkim i brendshëm i shëndetshëm për demokracinë që denoncon korrupsionin etj. Niveli i administratës kosovare mund të jetë më i ulët në pikëpamje kulturore, por jo në pikëpamje etike, siç vënë në dukje shumë ekspertë të huaj që kanë punuar në Kosovë.
Ndërkohë Kosova duket se është shumë më para Shqipërisë në shoqërinë civile. Protestat e organizuara prej saj në lidhje me planin e Ban Ki Munit treguan se organizmat e saj e kanë të fortë dhe dimensionin mobilizues, ndërsa ato të Shqipërisë kanë të zhvilluar thjesht dhe vetëm dimensionin raportues apo analitik. Kjo lidhet me ekzistencën në krye të këtyre organizmave në Kosovë të figurave të referueshme për integritet moral, diçka që ende nuk vihet re në Shqipëri.

Raporti me kulturën dhe arsimin

Raporti me kulturën dhe arsimin është gjithashtu një element interesant për t'u konsideruar në këtë udhëtim sipërfaqësor në evolucionin e shqiptarëve drejt demokracisë. Ndërsa kosovarët kanë patur nivel relativisht të lartë arsimor, veçanërisht në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme para viteve 1990, sot ky nivel ka rënë. Mësuesit e sotëm të tyre janë studentët e arsimuar bodrumeve të sistemit paralel rugovian. Si pasojë cilësia e shkrimit shqip është skandaloz, shitja e librave, d.m.th leximi është në nivele të ulëta, arsimi universitar mbahet gjerësisht me pedagogë nga Shqipëria, që jo gjithmonë janë më të mirët. Ndërsa Shqipëria me gjithë disa luhatje vazhdon të lexojë shumë dhe shkollimi para universitar prapë ka zona të nivelit të lartë. Arsimi privat në Shqipëri ka maja dhe diçka po bëhet dhe në Kosovë. Por ka ama ca lajme të mira: fëmijët e edukuar me televizionet e Tiranës, po e flasin dhe shkruajnë më mirë gjuhën amtare se prindërit e tyre.

Mbi të gjitha në Kosovë po mungojnë pikat e referimit kulturor, autoritetet e gjithëpranuar në kulturë, në letërsi, ta zëmë të ngjashëm me Kadarenë (jo domosdoshmërisht në nivelin e tij) etj. Përfshirja e disa prej këtyre autoriteteve në politikë i ka dëmtuar atyre reputacionin në gjithë popullsinë, kështu që shoqëria e re kosovare nuk ka pika referimi. Në Kosovë janë ende ekzistuese struktura si Lidhja e Shkrimtarëve, që në Shqipëri kanë reshtur së funksionuari, por ama shkrimtarë të gjithëpranuar që dalin dhe jashtë kufijve me vlerat e tyre mungojnë. Ky ishte një udhëtim sipërfaqësor në hapësirën shqiptare në të dy anët e kufirit. Ndoshta mund të ketë shumë boshllëqe që i detyrohen pafuqisë apo selektivitetit të vëzhgimit, por ama ky navigim në qytetërimin që po krijojnë shqiptarët në shekullin e 21 duket se mund të shërbejë si një bazë e mirë diskutimi. Sepse duhet të fillojmë e të diskutojmë sa afër jemi, para se të vendosim të bashkohemi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama