Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bakojanisi mes shqiptarëve

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Bakojanisi mes shqiptarëve

Vizita e ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis, njëherësh kryetare e radhës së OSBE-së, nuk solli lajme të mëdha të shpallura publikisht në mediat shqiptare, përveç atij më pozitivit dhe të shumëpriturit: Greqia do të ratifikojë shumë shpejt Protokollin për anëtarësim në NATO. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në, ky është lajm i mirë që vjen nga Greqia për të gjithë hapësirën shqiptare. Megjithëse nuk priteshin surpriza të mëdha, pra mosratifikim grek, prapëseprapë mbyllja e një procesi kaq të rëndësishëm prej një vendi ku pjesë të rëndësishme të shoqërisë dhe politikës janë pozicionuar kundër shqiptarëve tingëllon bukur. Pritet njohja e pavarësisë së Kosovës, por Greqia ka bërë disa hapa pozitivë në këtë drejtim.Parë kështu vizita e Bakojanisit në Shqipëri dhe në Kosovë pati dy përmasa kryesore, megjithëse jo të barabarta mes tyre. Përmasa e parë me cilësinë e kryetares së radhës së OSBE-së, më pak e rëndësishmja dhe e dyta si ministre e Jashtme e Greqisë.

Le të merremi pak me të parën. Në Kosovë, OSBE-ja është më e rëndësishme sesa në Shqipëri, megjithëse pesha e OSBE-së në arenën ndërkombëtare duket e rrënuar (pa folur që ajo varet kryesisht nga marrëdhëniet Rusi-SHBA). Kryesimi i OSBE-së i jep maksimumin e vizibilitetit ndërkombëtar fqinjit tonë, veçanërisht pas trazirave të brendshme që vunë në dukje sesa probleme ka shoqëria greke. Megjithëse OSBE-ja në Shqipëri nuk është dhe aq faktor kyç sa në Kosovë, këtë vit ajo pritet të bëhet e rëndësishme për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Greqia si kryetare e radhës pritet të ketë një rol goxha të konsiderueshëm për të legjitimuar ose jo mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve prej Berishës, dhe kjo duket se ishte arsyeja pse ekzekutivi shqiptar u ngut të konfirmonte gatishmërinë për zgjedhje të ndershme. Komentet për ligjin e lustrimit nuk mbajnë shenjën e ndonjë subjektiviteti të veçantë të Bakojanisit, hiq shqetësimet greke për pasojat e këtij ligji mbi zyrtarë me origjinë greke në gjyqësor apo në ekzekutiv.
Parë kështu, përmasa kryesore e vizitës së Bakojanisit ishte ajo e nxitjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Në fakt ashtu siç e treguan komentet e zonjës Bakojanis, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, Greqia zyrtare është shumë e interesuar që shqiptarët të mos mendojnë keq për të. D.m.th që imazhi i Greqisë në hapësirën shqiptare të jetë pozitiv. Në intervistën dhënë dje për "Panorama", zonja Bakojanis reagonte me njëlloj nervozizmi për konsideratën e gazetarit se Greqia ishte vendi i fundit që po ratifikonte Protokollin e anëtarësimit në NATO. Në të gjithë mesazhet e dhëna në takimet me zyrtarë të lartë shqiptarë, Bakojanis u kujdes të theksonte ndjenjën e miqësisë midis dy popujve dhe kombeve tona dhe nuk pati thuajse asnjë mesazh kritik për Shqipërinë. Edhe qëndrimi i saj ndaj pavarësisë së Kosovës nuk ishte i tipit refraktar, si ta zëmë i Sllovakisë apo i Rumanisë dhe Qipros. Me gjithë sqarimin se viza greke për kosovarët jepet në një copë flete të vlefshme për udhëtimin në territorin grek, qëndrimi grek është tejet më i diferencuar sesa ai sllovak apo rumun që nuk i njeh fare pasaportat kosovare. Bakojanis u kujdes të thoshte se kishte ardhur të vizitonte EULEX-in dhe KFOR-in, për të mos i konsideruar si autoritete shtetërorë zyrtarët kosovarë që takoi, por kjo nuk i qetësoi më shumë serbët që u bezdisën nga vizita e Bakojanisit në Kosovë.

Bakojanis përsëriti një formulë thuajse të konsoliduar në lidhje me zgjidhjen e çështjes së pasurive shqiptare në Greqi, duke iu drejtuar autoriteteve gjyqësore greke, një formulë që megjithëse mashtruese, është prapëseprapë më e edukuar sesa mohimi i problemit.
Imazhi grek mes shqiptarëve, shumë i rëndësishëm për Greqinë. Po pse Greqia është e interesuar të ketë imazh të mirë mes shqiptarësh, siç është dukur në shumë raste prej sjelljes së saj gjatë incidenteve me këngën e ushtarëve grekë, me shqetësimin për gjuhën e mediave shqiptare dhe me llastimin e një pjese të tyre me listat e konsullatës?

Së pari, me nevojën për të patur marrëdhënie të mira me një faktor si ai shqiptar, që po bëhet më i rëndësishëm se kurrë më parë në rajon. Pavarësimi i Kosovës, hyrja e Shqipërisë në NATO, janë dy shfaqjet kryesore të këtij forcimi. Duke mbajtur parasysh këtë, që në 1999 institutet e studimeve strategjike greke i kanë sugjeruar ekzekutivit të tyre që të distancohen avash-avash prej Serbisë dhe të orientohen kah marrëdhëniet e mira me Shqipërinë dhe kombin shqiptar sakohë që Greqia nuk ka fuqi për të ndaluar proceset e forcimit kombëtar të shqiptarëve. Dhe nëse e majta greke në pushtet e kuptoi shumë mirë këtë këshillë - Simitis kundër vullnetit popullor grek lejoi NATO-n të përdorte hapësirën ajrore për të bombarduar Serbinë, dërgoi ushtarë në KFOR, dhe mbi të gjitha shpalli dhe realizoi një program investimesh greke në të gjithë hapësirën shqiptare, e djathta e Karamanlisit sikur pati hezitime. Hezitimet që vinin prej nostalgjisë së vëllait serb, ndjenjat e forta nacionaliste, përpjekjet për realizimin e një axhende historike në Shqipëri (varrezat etj.) sollën një tkurrje të investimeve greke.

 Duke kuptuar këto vonesa pala greke po korrigjon diçka me vizitën e Bakojanisit. Nuk pati insistim të fortë për numrin e varrezave dhe nuk u vendosën kushte të tjera veç tyre për ratifikimin e dy marrëveshjeve në favor të Shqipërisë. Bakojanis e vuri theksin në nevojën e forcimit të investimeve greke, por dhe në përmirësimin e mëtejshëm të imazhit grek. Investimet e premtuara për rrugët e brendshme në zonën e Sarandës që lidhen me aksin Konispol-Sarandë, tregojnë se qeveria greke e ka kapërcyer frikën e mëhershme se forcimi i lidhjeve të komunikacionit në atë zonë, do të favorizonte ngjalljen e ndjenjës shqiptare tek çamët ortodoksë të Thesprotisë. Interesi grek për imazh të mirë tek shqiptarët lidhet dhe me ruajtjen e klimës së favorshme të investimeve helenike në vend. Ai vjen dhe si pasojë e nevojës së ruajtjes së marrëdhënieve të mira në rajon të paktën me shqiptarët pas ftohjes me Maqedoninë, marrëdhënieve jo shumë të ngrohta me Bullgarinë dhe Turqinë.

Si duhet të ndryshojnë shqiptarët

Por në një kontekst të tillë diçka duhet të ndërrojë tek sjellja e shqiptarëve.

Duke lexuar protokollet e bisedave të dikurshme të Berishës apo Meksit me Micotaqisin, në mandatin e parë demokrat mund të kuptosh fare lehtë se Shqipëria zyrtare e atëhershme ishte shumë më dinjitoze në raport me grekët. Edhe në lidhje me atë që është problemi më i madh në marrëdhëniet midis dy vendeve, çështja e pasurive shqiptare në Greqi. Asokohe dhe grekët gjithashtu ishin më të gatshëm për të ofruar zgjidhje të paktën në planin verbal.

Dobësimi i Shqipërisë me '97-ën, solli si pasojë dhe zbutjen e gjuhës ndaj grekëve që kaluan në avantazh në lidhje me problemet e së kaluarës. Pra, ata morën iniciativën.Por ky lloj raporti forcash nuk mund të jetë i përhershëm: Shqipëria e sotme nuk mund të jetë kaq e dobët si në 1997. Ky interes i Greqisë për të mbajtur marrëdhënie të mira me shqiptarët duhet shfrytëzuar për të shtruar në mënyrë përfundimtare për zgjidhje çështjen e pronave. Pikërisht sipas nenit 15 të Traktatit të miqësisë, të cilin nuk dihet pse Berisha në 1996 nuk pranoi vetë ta nënshkruante, por ia la ministrave të Jashtëm.

Së pari, duhet kërkuar mbledhja e komisioneve mikste për çështjen e pasurive pas 13 vjetësh.

Së dyti, Greqia ka patur gjithnjë ligje për pronat e shqiptarëve në territorin e vet, ndaj duhet të ketë një ligj të ri. Pra duhet kërkuar një zgjidhje e unifikuar me ligj e problemit të pronave të shqiptarëve në Greqi, që nuk kalon nga zvarritjet shpesh të pamundura të qytetarëve shqiptarë para gjykatave greke. Vetë Neni 15 e nënkupton këtë - d.m.th zgjidhjen e unifikuar që do të hiqte pengesat për gëzimin e lirë të pasurive të shtetasve të secilit vend në territorin e tjetrit. Sepse gjykatat greke të cilat i përmend jo vetëm Bakojanisi, por dhe Berisha të vendosin para hundës së pronarëve shqiptarë që po paguajnë deri në 50% të pronës së tyre avokatët, disa ligje që prekin pronën e shqiptarëve, pra disa pengesa ligjore. Së treti, duhet theksuar dhe njëherë ekzistenca e disa ligjeve që shkelin jo thjesht normat e fqinjësisë së mirë, por dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Më i rëndësishmi është ligji i luftës, i paabroguar zyrtarisht dhe që konsiderohet si efektiv qoftë prej gjykatave, qoftë prej zyrave kadastrale që nuk i japin dokumente shqiptarëve pronarë. Janë dhe disa ligje të tjera si ato të viteve 1950, të viteve 1960, por dhe ligjet për rikthimin e qytetarëve grekë në territorin e tyre, qofshin të majtë, qofshin të djathtë, me kusht që të kishin kombësi greke. Nene të veçanta të këtyre ligjeve, që janë miratuar me shumica të cilësuara dhe që gjejnë referencë në kushtetutën greke duhen abroguar. Ky është një proces i gjatë, por ama plotësisht i mundshëm në koniunkturën e re të rajonit ku shqiptarët po afirmohen si faktor.  Që shqiptarët duhen parë ndryshe në rajon, Greqia e ka kuptuar. Por jo aq vetë shqiptarët dhe klasa e tyre politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama