Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Biberaj u ndeshkua

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Biberaj u ndeshkua

"Për arsye të brendshme, nuk pyes për kostot e jashtme". Kjo mund të jetë një ndër përgjigjet e pashprehura për shkaqet reale të shkarkimit të deputetit të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj nga përfaqësimi i tij si zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Natyrisht në këtë urdhër të përcjellë zyrtarisht prej kryetares së Parlamentit pranë Asamblesë së KE-së, mund të lexohen shumë marrëdhënie, sikundër edhe mund të dyshohet për një "luftë të brendshme" partiake.

Por ajo që është më evidente është një lloj prepotence zyrtare e kryeparlamentares Topalli. Kjo masë ndëshkuese e ekzekutuar prej kryetares së Parlamentit, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike, lexohet si një detaj që zbulon diçka më tepër nga "nën jorgani" i jetës së brendshme të partisë që kryeson shumicën qeverisëse dhe atë parlamentare. Kjo është mirëfilli një përplasje e brendshme. Sipas të gjitha gjasave, kjo përplasje mund të jetë sipari i një debati në shpërthim, brenda partisë në pushtet dhe që si i tillë, mund të pasohet edhe për shkak të proceseve që mbart fushata elektorale dhe veçanërisht procedura selektuese e emrave përfaqësues për Parlamentin e ardhshëm.

Shkresa e zonjës Topalli, në Asamblenë e KE, fiton vlerën e një mesazhi dhe njëherazi të një dyshimi, se në PD ka nisur të shpërfaqet problematika e marrëdhënieve të brendshme.

Urdhri i zonjës Topalli është një veprim prej të pushtetshmi. I pakonsultuar me struktura dhe forume partiake dhe parlamentare, i pa lajmëruar më parë dhe natyrisht, i kryer befasueshëm. Ky shkarkim është i beftë për arsyen e thjeshtë se kontekstet në të cilat gjendet qeveria dhe Parlamenti aktual i vendit, janë të tilla që nuk e pranojnë komfortin e kuadërbërjes për shkak se angazhimet diplomatike për integrimin janë në pikun e tyre. Si i tillë, ky urdhër të krijon mundësinë të hamendësosh disa skema në marrëdhëniet mes pushtetit të sipërm të PD-së, sikundër mund të pohohet logjikisht se zëvendësimi i zotit Biberaj me ish-ministrin e dorëhequr të Drejtësisë, deputetin Ilir Rusmajli, ndoshta ka lidhje me një ristrukturim elektoral të përfaqësimeve institucionale nga ana e shumicës së kryesuar prej zotit Berisha. Ky ndryshim i kryesuesit të delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës ndodh në një moment kur gjithë procedurat shqiptare për procesin e integrimit në BE dhe sidomos diplomacia jonë parlamentare në BE, kanë nevojë jo për delegatë të herës së parë, e as për promovime për motive brendapartiake, por për njerëz me njohje dhe forcë fjale në atë mjedis vendimmarrës.

Sidoqoftë, shkarkimi i zotit Aleksandër Biberaj lexohet prej publikut të gjerë si një ndëshkim partiak. Nuk përjashtohet mundësia edhe e arsyeve të panjohura politike, por përderisa ato nuk artikulohen prej askujt, atëherë le t‘i mos përfillim. Nëse këto arsye ekzistojnë, ato pashmangshmërisht do të bëhen të njohura. E vërteta është se zëvendëspresidenti i Asamblesë së KE-së është një individ politik dhe parlamentar, që jo vetëm mbart cilësinë e përfaqësuesit, atë të deleguesit dhe të negociatorit, por edhe një ndër bashkëformuluesit e reagimeve dhe raporteve për çështje të standardeve dhe legjislacioneve në vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Muajt e fundit, në adresë të qeverisë së zotit Berisha, janë shpeshtuar reagimet kritike për disa sjellje, reagime apo edhe ligje të kaluara me forcën e kartonëve. Këto reagime apo ndërhyrje kritike shënojnë një cikël të pasur, duke mbërritur së fundi deri te shqetësimi për situatën në media apo në raportet institucionale mes Parlamentit, qeverisë dhe disa institucioneve me pavarësi kushtetuese. Për të gjitha këto, zoti Biberaj në mos qoftë debatues paraprak, së paku mund të quhet i parainformuar. Në mos faji i tij fshihet këtu, atëherë diku tjetër duhet kërkuar përgjegjësia që lidhet me shkakun e shkarkimit të tij.

Në planin e angazhimit në jetën e brendshme politike dhe sidomos në raport me kritikat e thëna apo më së shumti të nënzëshme, brenda Partisë Demokratike, deputeti Biberaj përfshihej te të paprononcuarit. Shpesh është evidente heshtja kontestuese e tij në marrëdhënie me kamerat apo me dialogimet mediatike, për disa sjellje qeverisëse dhe për situatën e konkurrimit për postet brenda strukturave të partisë.

Në këtë mënyrë, shkresa shkarkuese e zonjës Topalli në Asamblenë e KE-së duket se ka transferuar me dëshirë apo pa dëshirë, një provë konkrete të imazhit real të demokracisë së brendshme të PD-së. Me këtë shkresë, zonja Topalli nga ana tjetër, mund të ketë fituar edhe një provë pranësie me Kryeministrin dhe kryetarin e partisë, Berisha.

Reagimi kontestues i vetë deputetit të shkarkuar Biberaj dhe menjëherë edhe ai i forcës kryesore të opozitës, përmes anëtarit të delegacionit shqiptar në Asamble, e ekspozojnë edhe më tepër shkakun e brendshëm të shumicës. Natyrisht reagimi i zotit Biberaj ishte mjaft i matur dhe i butë, i mveshur kontestimi i tij ndaj kësaj shkrese me argumentin e një institucionalisti. Deputeti i shkarkuar, në reagimin e parë, nuk dha asnjë provë protestimi e as nuk pohoi se do të vijojë reagimin për zbardhjen e arsyes reale të shkarkimit.

Sidoqoftë "rasti Biberaj", diferenca e thellë e antagonizmit mes Kryeministrit dhe akteve dekretuese të Presidentit të Republikës, problemet me procesin e zgjedhjeve në PD-në e Tiranës, antagonizmi i shpallur dhe më së shumti ai i heshtur me deputetin Besnik Mustafaj apo edhe heshtja tinëzare e shumë prej të pakënaqurve deputetë për shkak të mosmarrjes pjesë në hisenë e pushtetit ekzekutiv, janë argumentet në lëvizje për debatin e ndezur në "nën jorganin" e partisë kryesore të vendit. Mes protagonistëve politikë të shumicës së djathtë që administrojnë kryesimin e pushteteve kryesore të vendit ka kohë që zhvillohen insinuata dhe sjellje pakënaqësie. Antagonizmi i heshtur mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Bamir Topi padyshim që e ka korkolepsur besimin e shumicës së përfaqësuesve të së djathtës. Shumëkush prej komentonjësve dhe vëzhguesve të jetës politike e konsideron këtë brendi të "nën jorganit", një krizë të heshtur në partinë pushtetare.

Ky debat "nën jorgan", nuk mund të mbahet gjatë i mbuluar. Arsyet e daljes apo të nxjerrjes në publik të tij, janë të shumta, por arsyeja më e fortë dhe më e pashmangshmja është ajo që lidhet me zgjedhjet dhe veçanërisht me presingun "mes vedi" që ndjen kjo shumicë, për të fituar me çdo kusht zgjedhjet e ardhshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama