Kur i padrejti ka te drejte

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kur i padrejti ka te drejte

Kryeministri Sali Berisha javën e shkuar, në një përballje me reporterët e mediave që mbulojnë çështje të ekonomisë, iu drejtua atyre me këto fjalë: "Problemi juaj si media është ky: Në tërësi njohuritë tuaja për rritjen ekonomike janë zero, për të mos thënë minus, pasi, nëse dikush ju jep stilolaps dhe letër dhe ju thotë që të shkruani treguesit se nga del llogaritja për rritjen ekonomike, ju nuk jeni në gjendje të shkruani as dy prej tyre. Por juve ju interesojnë kundërshtitë ose diversiteti, që është sigurisht një pjesë shumë normale e jetës".

Ky është një pohim i vërtetë apologjik, për formimin e pjesës dërmuese të reporterëve të ekonomisë që punojnë skllavërueshëm në mediat tona. Ky pohim u pranua përmes heshtjes së gazetarëve, si të atyre që u gjendën në atë sallë përballë Kryeministrit edhe të atyre që ishim jashtë (përfshi edhe autorin e këtij artikulli). Kryeministri i vendit prej kohësh ka nisur t‘i bëjë sfida medias së vendit të vet. Sfidat kurrsesi nuk i ka më vetëm me pronarët, por hapësirën e dominimit po e shtrin edhe mbi gazetarët, madje edhe ata të terrenit.

Dikush mund të shprehet se kjo nuk është tipike dhe vetiakisht e Kryeministrit Berisha. Unë mund t‘i shtoja këtij argumenti edhe një rast më të freskët. Në librin e tij të fundit, "Gazetaria Investigative", profesori i shquar i gazetarisë britanike "Hugho de Borg", në kapitullin "Vitet e Blerit" sjell një shembull. "Kur prezantuesi i respektuar i BBC-së, Nick Clarke, u dha leksion studentëve në 1998, ai u kërcënua nga zëdhënësi i Kryeministrit se do t‘i shkatërrohej karriera. Nëse do të lejonte skuadrën World at One të ngrinte pikëpyetje mbi pronat e ministrit dhe t‘i prishnin punë aleates së Blerit, Tessa Jowell‘s".

Pra, mëkati mbi mediat paska qenë edhe ves i Kryeministrit më të suksesshëm të dekadave të fundit në Britani. Madje më troç, duhet thënë se "kërcënues paska qenë edhe Tony Bler!" (Ha, ha,ha,-do të pasonte dikush.)

Kryeministri Berisha, për një shumicë qytetarësh të këtij vendi, mund të konsiderohet me prova, si i padrejtë. Kjo është natyra e gjykimeve në liri. Në cilësinë e tij si Kryeministër në fuqi, ai është logjikshëm, shumë i padrejtë për shumë gjëra. Por pse në rastin e vlerësimit të gazetarëve të ekonomisë, ky i padrejtë paska të drejtë!

Sepse vetja jonë (vetja e sojit të gazetarëve që ka ky vend) në shumë çështje dhe fusha, shfaqet pamëshirshëm i paditur. Mirëpo, pasi pranojmë pohimin e tij të drejtë për injorancën që merr provë edhe në cilësinë e sotme të reporterit, na lind e drejta për të argumentuar se kjo e drejtë e tij bazohet në disa padrejtësi që burojnë, ndër të tjera, edhe prej përgjegjësive të qeverisë dhe qeverisjes.

Këto padrejtësi zbresin te dhuna mbi mediat e cila nuk ka formën e grushteve apo të shkopinjve, por të robërimit dhe mjerueshmërisë sociale dhe financiare të tyre. Në këtë vend po ngrihet miti i pronarëve të pasur të mediave, por po aq keqësisht po riafirmohet edhe miti i reporterëve në hall për "financën e ditës". Në këtë vend rekrutohen reporterë shkollëpambaruar, sikundër "afirmohen" partizançe gazetarë të ardhur nga fati i të qenit "kushëri i pronarit apo politikanit". Sistemi informal i mediave tona nuk mbahet në fuqi prej gazetarëve, por prej bashkëjetesës dhe bashkëkorruptimit pronësi-politikë". Liria ekziston në kokën time, por nëse nuk formësohet në fjalë të shprehur apo të shkruar në media, atëherë ajo është e paqenë si "fëmija në mitër". Mekanizmi i kontrollit mbi mediat dhe tregun e tyre është sofistikuar, duke u shfaqur, herë si kujdestar i bollëkut inflacionist të tyre dhe, herë si kontribuues për madhimin e mediave që mbështesin pushtetfortin. Në këtë skemë, shumë pak terren dhe klimë mund të kërkosh për anticensurën dhe për anti-autocensurën.

Të gjitha këto, kanë lidhje me "të drejtën e të padrejtit" Kryeministër. Po jo vetëm me protagonizmin e tij. Shprehja pa kompleks e Kryeministrit Berisha se:" Në tërësi njohuritë tuaja për rritjen ekonomike janë zero, për të mos thënë minus, pasi, nëse dikush ju jep stilolaps dhe letër dhe ju thotë që të shkruani treguesit se nga del llogaritja për rritjen ekonomike, ju nuk jeni në gjendje të shkruani as dy prej tyre", është e drejtë e thënë për këtë realitet. Mirëpo, pas kësaj, duhej reagimi i një pjese të mirë të të diturve të sojit tonë profesional.

Natyrisht, shumica e kësaj pakice vazhdon të shprehet jo si recenzente e fjalëve të Kryeministrit, por si analizuese e realitetit dhe zhvillimeve ekonomike të vendit, e politikave dhe strategjive ekonomike të qeverisë "Berisha". Në këtë pjesë, serioziteti dhe vërtetësia e pakicës së të diturve, ndër gazetarët e këtij vendi, janë të veshur me kualitetin e dijeve dhe referencave profesionale. Këtyre, burokracia dhe kasta politike e vendit po u largohen në një mënyrë idhnake, cinike dhe nihiluese. Distanca që kasta e vendit po krijon me këtë kategori profesionistësh dhe përfaqësuesish me dije, nuk mund të ezaurohet nga flirtet me pronarë dhe kolegë konformistë. Përmes kësaj lidhjeje, Kryeministri dhe kasta politike në tërësi nuk bëjnë gjë veçse kontribuojnë në shtimin e skepticizmit të gabuar të mediave të kontrolluara mbi politikën. Në Britaninë e Tony Blerit, një afinitet i tillë mes qeverisë dhe mediave, solli pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e radhës. Në ditët e sotme të këtij vendi, po ndodh në dritë të diellit edhe manipulimi i mediave, por edhe nënshtrimi i tyre prej institucioneve politike dhe zyrtarëve të lartë. Kjo është më e rrezikshme për demokracinë e vendit, kjo sjell si pasojë uljen e indekseve të lirisë dhe pavarësisë së pushtetit të katërt. Përgjegjësitë e një qeverie, në këtë rast, shtohen edhe më tepër kur, mbi këtë gjendje, afishohen edhe precedentët me emra të veçantë mediash e gazetarësh.

Nëse një qeveri investohet më shumë për një status të gazetarëve dhe për një mirërritje të brezave të rinj të gazetarisë kombëtare, atëherë mund të thuhet se është garantuar shëndeti i debatit për teoritë e mediapolitikës. Në këtë vend dhe këtë shoqëri, kemi ende nevojë që media të jetë një oponencë dhe pse jo edhe opozitë e vërtetë. Mbështetës të kësaj teorie në Evropë dhe Britani janë editorët e famshëm nga Alan Rusbridger i "The Guardian" deri te David Lloyd i "Channel 4", "të cilët e quanin veten si zëvendësuesit e një opozite të dobët dhe se ofronin analizat e vetme serioze dhe kritike për qeverinë e dikurshme Bler".

Shoqëria jonë ka nevojë ta denoncojë Kryeministrin për të drejtën e tij, edhe kur ai është në shumë aspekte i padrejtë. Ne pashmangshmërisht i themi Kryeministrit se padija e pajustifikuar e reporterit shqiptar, ka për rrënjë informalitetin në mediat tona.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama