Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kosova, nje histori ende e hapur

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 16 vite më parë

Besnik Mustafaj
Kosova, nje histori ende e hapur

Sa ditë u bënë qysh kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, i paraqiti Beogradit dhe Prishtinës planin e tij prej 6 pikash, lidhur me shpalosjen e misionit EULEX në Kosovë? Duket sikur ka kaluar një kohë shumë e gjatë. Ky iluzion buron nga ritmi shumë i ngadalshëm, me të cilin ky problem shumë i madh për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën, edhe për krejt rajonin, u ngjit lart për të dalë sadopak në qendër të vëmendjes së opinionit të gjerë publik. Ngadalësia, me të cilin ky problem doli nga konfidencialiteti i kancelarive diplomatike, për të zënë një farë vendi të dukshëm në vëmendjen publike, lidhet me një miopi që dëshmoi në radhë të parë diplomacia e Kosovës, por edhe diplomacia e Shqipërisë, edhe diplomacia e Maqedonisë, edhe diplomacia e Malit të Zi gjatë një periudhe të konsiderueshme, kohë kur ky plan përgatitej në Beograd dhe tek aleatët e tij dhe pastaj negociohej në Nju Jork.

Askush nuk i ra ndonjë kambane paralajmëruese nga Prishtina, por as nga Tirana, as nga Shkupi e as nga Podgorica për rrezikun që mbart një plan i tillë. Përvoja ime më thotë se gjithë kjo punë, e filluar në aksin Beograd-Moskë dhe e përmbyllur jo në një ditë në selinë e OKB-së, nuk mund të jetë zhvilluar aq në një fshehtësi sa misionet e tri vendeve fqinje të Kosovës nuk morën vesh gjë. Jo. Ka ndodhur diçka tjetër më e rëndë për rajonin, diçka që nuk mund të reduktohet në mungesë të thjeshtë informacioni.

Me sa duket, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe mandej njohja e saj e menjëhershme nga tri prej pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e që janë SHBA, Franca dhe Britania e Madhe, mandej njohja pa ndonjë vonesë të dukshme nga të shtatë vendet më të zhvilluara të botës, për të arritur ndërkohë te njohja nga 22 prej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe po ashtu njohja e sovranitetit të Kosovës nga të gjitha vendet që kanë kufi të përbashkët me këtë shtet të ri, përjashtuar Serbinë, pra kjo njohje substanciale ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, ka shuar në diplomacinë e vendeve tona, e kam fjalën për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, refleksin për të përgjuar rreziqet që mund sjellin destabilitet në rajonin tonë.

Dhe kjo është e rëndë, shumë e rëndë, veçanërisht për ne, që jemi më të interesuarit e planetit për ta parë bashkësinë tonë të shkëputet nga e kaluara, në emër të ndërtimit të një të ardhmeje tjetër për popujt tanë. Nuk u lejohet më këtyre tri vendeve fqinje të Kosovës vetëm të ankohen për "paudhësitë" e Beogradit dhe të Moskës. Diplomacitë e këtyre tri vendeve duhet më së paku të dëshmojnë se kanë kapacitet dhe një përvojë të mjaftueshme sa ta parandiejnë afrimin e të keqes. Nuk mund të pretendojmë ne që simptomat e sëmundjeve të vjetra, të cilat duam s‘duam, ekzistojnë ende nën lëkurën e kremosur të realitetit tonë, t‘i diagnostikojnë ekspertët e Brukselit e të Uashingtonit më mirë se vetë ne.

Thënë shqip, gjatë gjithë kësaj stine kur u negociua me Beogradin, vetëm me Beogradin, plani prej 6 pikash për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, diplomacia dhe politika kosovare, me heshtjen e thellë, dëshmuan se ende, fatkeqësisht, nuk kishin fituar sjelljet e një udhëheqësie serioze të një shteti sovran. Ndërsa diplomacia dhe politika shqiptare, ajo maqedonase dhe ajo malazeze, po me heshtjen dhe shpërfilljen e tyre, dëshmuan se kujtesa nuk u funksiononte më, që do të thotë se janë kruspullosur rreth egos së tyre, pra, që secili nga këto shtete, transformimin e vendit të vet për të plotësuar standardet e integrimit evropian, e sheh jashtë kontekstit të një stabiliteti të qëndrueshëm në rajon.

Me pak fjalë, as në Tiranë, as në Shkup e as në Podgoricë nuk shtrohet më pyetja se çfarë do të ndodhë nëse destabilizohet Kosova. Dhe unë nuk shoh arsye më të madhe për destabilizim sesa mundësia pranimit ndërkombëtar të ndarjes de facto e këtij vendi. E shprehur qartë apo jo, ky moment do të çonte në një legjitimim të ndarjes, që do të thotë se destabilizimi që do të pasonte, do të ishte në përmbajtje krejt i ndryshëm nga ç‘ndodhi në vitet 1998-1999. Një destabilizim i tillë ose duhet parandaluar, dhe kjo do të ishte më e mira, ose duhet parashikuar ku mund të çojë për krejt rajonin.

Është shumë e rëndë kur kjo shpërfillje shndërrohet në sjellje diplomatike në Shkup e në Podgoricë. Është dramatike kur shfaqet si e tillë në Tiranë. Rrjedhimisht, unë do të thosha se kjo heshtje e qetësi shurdhmemece e përcjellë në radhë të parë nga Prishtina e Tirana, por edhe nga Shkupi e Podgorica gjatë periudhës së gatimit të këtij plani, në Bruksel e në Nju Jork është lexuar si leje për të shkuar përpara në drejtimin e nxitur nga Beogradi. Të gjithë të mëdhenjtë, me mbështetjen e të cilëve u arrit pavarësia e Kosovës, kanë pasur të drejtë kësaj here të preokupohen për t‘i pëlqyer vetëm Beogradit dhe natyrshëm indirekt Moskës.

Përjashtuar Prishtinën, më të shumtët që janë shprehur deri tani kundër këtij plani, janë jashtë rajonit tonë. Tashmë që gjërat dihen, kjo shkujdesje këtu ndër ne bëhet edhe më e pakuptimtë. Asnjë zë i fuqishëm nuk është dëgjuar ende nga Tirana, dhe aq më pak nga Shkupi e Podgorica. Ndërsa analizat serioze nga personalitete që na vëzhgojnë nga Brukseli, Uashingtoni, Londra apo Berlini, me të drejtën e shqyrtimit të interesave të vendeve të tyre, përpiqen të kuptojnë se pse e pranoi kaq lehtë dhe pa arsye parimore Bashkimi Evropian këtë plan, ndërkohë që EULEX-i është një investim shumë i kushtueshëm vetëm evropian për paqen në kontinentin tonë. Shumica prej tyre vënë në dukje se në këtë tulatje të Bashkimit Evropian ka ndikuar mosmarrja në konsideratë e realiteteve të vërteta kosovare, për shkak të frikës së ngjallur nga përvoja e hidhur ruse në Oseti.

Pa synuar aspak në këtë rast të jap ndonjë gjykim mbi atë çka ndodhi në Oseti, prirem të kujtoj Aristotelin, i cili thotë se çdo krahasim çalon. Por krahasimi i rastit ruso-gjeorgjian, për Osetinë me rastin serb-kosovar për Mitrovicën, është më i keq se çalaman, ai nuk ka këmbë fare ku të mbahet. Qoftë edhe një aspekt meriton të theksohet: Kosova nuk ka ushtri, pra, nuk ka asnjë mundësi praktike të përdorë dhunën për të vendosur rendin kushtetues në veriun e vet. Funksionet e sigurisë kombëtare për këtë shtet të ri i kryen ekskluzivisht UNMIK-u. Rrjedhimisht, çfarë ndërhyrjeje ushtarake në Kosovën e Veriut synon të shmangë Brukseli nëpërmjet një kompromisi jo parimor me Beogradin? Nga kush mund të trembet NATO?

Tashmë udhëheqja e Kosovës e refuzoi planin 6 pikash të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe mirë bëri. Nuk bashkohem me ata skeptikë që shprehen se kjo udhëheqje nuk do të mund t‘i qëndrojë deri në fund një presioni ndërkombëtar për të pranuar një diçka të ndërmjetme e që përsëri nuk do ta varroste përpjekjen serbe për ndarjen e Kosovës. Udhëheqja e Kosovës më duket më në fund e vetëdijshme dhe e vendosur, ashtu siç më duket e qartë strategjia serbe për të mbërritur sa më shpejt te një ndarje e Kosovës. Opsionin e ndarjes e ka artikuluar disi me majat e buzëve fillimisht edhe Presidenti Tadiç, para disa ditëve. Por, analistët ndërkombëtarë e mbajtën shënim dhe shtruan pyetjen nëse kishte një skenar rezervë në anën tjetër, në rast se ky opsion i ndarjes bëhej realitet?

Kjo pyetje, bashkë me përgjigjen, do të duhej të dëgjohej më së pari në rajonin tonë. Nuk është ende vonë të marrim një përgjigje. Me aq sa kam mundur unë të kuptoj, ekzistenca e këtij opsioni ka nxjerrë krye në strategjinë serbe, qysh kur në Beograd u pa se pavarësia e Kosovës ishte e pashmangshme, që do të thotë të paktën qysh nga pranvera 2006. Opsioni i ndarjes ka qenë opsioni i tyre rezervë. Të marrim ç‘mund të merret, ama, në një mënyrë që të lëmë një Kosovë të gjymtuar, pa e përhapur dhimbjen e këtij gjymtimi përtej territorit kosovar. Kështu është menduar dhe vazhdon të mendohet në Beograd.

Shumë muaj para pavarësisë së Kosovës, në fillim të periudhës shtesë, që u dha pas mbylljes së raportit të Presidentit Ahtisari, përfaqësuesi rus në trojkën SHBA-BE-RUSI, që ishte caktuar të mbikëqyrte seancat e fundit të bisedimeve Prishtinë-Beograd, u shpreh nga Vjena se nuk duhej përjashtuar perspektiva e ndarjes së Kosovës. Duke qenë i bindur se rreziku i ndarjes shmanget vetëm duke e nxjerrë problemin nga qerthulli i një çështjeje dypalëshe Prishtinë-Beograd, ku synon ta mbajë dinakërisht Serbia, kam bërë një artikull me pyetjen se me kë duhet të bisedojë Beogradi për ndarjen e Kosovës. Sigurisht që jo thjesht me Prishtinën. Pra, sot, kur gjithnjë e më fort shtrohet pyetja nëse ka një skenar rezervë për t‘ju përgjigjur opsionit të ndarjes, do të ishte me vend të shtrohej edhe pyetja tjetër se ku duhet të ekzistojë ky skenar.

Vetëm në Prishtinë? Do të ishte e pamjaftueshme. Shqipëria në radhë të parë, por edhe Maqedonia, edhe Mali i Zi do të ballafaqoheshin me realitete të reja, në qoftë se do të ndodhte kjo ndarje. Të tri këto vende do të gjendeshin përballë zgjedhjesh dhe vendimesh shumë të vështira dhe delikate në qoftë se do të pranohej një ndarje qoftë edhe de facto e Kosovës. Ndërkohë, qetësia që sundon në këtë fillim të ftohtë dimri në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Podgoricë, mbart tharmin e një gabimi historik. Të tri këto vende do të duhej të vepronin së bashku dhe me shpejtësi.

Nuk dëgjojmë të flitet as edhe për ndonjë konsultim të posaçëm diplomatik ndërmjet këtyre vendeve si dhe konsultim të tyre veç e veç e së bashku me Prishtinën, krahas shkëmbimit të informacioneve dhe analizave me SHBA, BE, NATO e zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, lidhur me këto zhvillime të synuara nga Beogradi. Sakaq, në Prishtinë shfaqet gjithnjë e më e shqetësuar jo vetëm politika. Edhe njerëzit kanë dalë në rrugë në manifestime të gjera fundjavën e kaluar. Më e pakta që nevojitej në këto rrethana, do të ishte një deklaratë e përbashkët politike e tri qeverive fqinje me Kosovën, kundër çdo plani që i bie ndesh sovranitetit të Kosovës. Dhe i takonte Tiranës të merrte nismën. Nuk e ka marrë ende.

Besoj se një deklaratë e tillë do t‘i kishte shërbyer edhe shefit të diplomacisë evropiane, Havier Solana, në bisedimet që pati tri ditë më parë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, autorin e planit prej 6 pikash, Ban Ki Mun, bisedime që, me sa duket, nuk prodhuan asgjë, përderisa zoti Solana u tregua aq i heshtur në mbyllje. Ai njoftoi se po nuk u arrit një marrëveshje, EULEX-i do të nisë vendosjen në Kosovë në fillim të dhjetorit. Por ai nuk sqaroi nëse kjo punë do të fillonte po në bazë të planit të Ban Ki Mun. Nuk dha po ashtu asnjë shenjë lidhur me seriozitetin, me të cilin ishte konsideruar plani i paraqitur nga autoritetet kosovare. Fillimi i dhjetorit është pas një jave. Kohë shumë e shkurtër për të shpërndarë gjithë këtë mjegull.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama