Kthjelltesia per nje rruge te mundimshme

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kthjelltesia per nje rruge te mundimshme

Në kohën e sotme është e vështirë të tregohesh i kthjellët, sepse nuk ka asnjë dyshim që kjo kohë e sotme është e vështirë dhe, më shumë se aq, komplekse në gjithë brendinë dhe zhvillimet e saj. Për ne, shqiptarët, kjo kohë e vështirë nuk është edhe aq komplekse sa mund të ankohen shumica e politikëbërësve tanë. Madje, ata në mënyrë alibike vazhdojnë ta përdorin këtë ankesë, duke besuar iluzivisht se rrejnë të parrejshmin, qytetarin.

Në librin analitik "Sfidat e radhës", që sjell një vlerë të munguar, në refleksionin e deritanishëm kombëtar, personalisht, sikundër çdo lexues, fitoj rastin të shtoj njohjen me autorin e tij. Sepse vetë autori, Ibrahim Kelmendi, është një personazh që ta vërteton thënien e mjeshtrit të aforizmave Pitigrilit: "Historia është aventura e lirisë".

Autori është një personazh tipologjik në historinë e këtij procesi magjik, që ka përjetuar Kosova dhe pse jo krejt hapësira jonë kombëtare. Një personazh me itinerare të njohura e të panjohura, me një axhendë vetjake që do t‘ia kishte zili çdo diplomat profesionist, sikundër përpjekjet e tij të shtrira në kohë për disa dekada rresht, janë të mjaftueshme për daltimin karakterizues të një portreti të luftëtarit kombëtar në ditë të shekullit XXI.

Libri "Sfidat e radhës" i përcillet lexuesit shqiptar pikërisht në kohën kur Kosova është shteti më i ri në Botë, që përjeton dëshirën dhe hutesën e mosnjohjes së menjëhershme prej të gjithëve. Sot në Kosovë dhe përreth saj në hapësirën tonë kombëtare, lehtësisht e besojmë se sa të drejtë kishte ish-Presidenti amerikan, Klinton, kur në ditët e goditjes fatndryshuese të NATO-s mbi Serbinë, në ditët e shënjimit legalizues të lirisë shtetbërëse të Kosovës, iu drejtua largpamësisht shqiptarëve. "Ne bëjmë luftën, ju fitoni paqen".

Për vështirësinë unike të shtetndërtimit dhe shtetbërjes, Ibrahim Kelmendi na sjell këtë libër. Nuk është një ndërmarrje e motivuar prej studimeve politologjike, apo prej sedrës për pasje referencash të lodhshme historike. Jo! Eshtë hedhja në letër me dimension natyral sinqeriteti e kësaj analize që autori i bën procesit të sotëm historik të Kosovës, si shtet rishtar. Autori nuk është individi i ekzaltuar prej fasadës së lirisë, apo prej ndryshimeve të dukshme gjeopolitike. Ai është qytetari meditues dhe reflektar, të cilin, siç do të thoshte Hervieu: "Nuk e gënjen veten vetëm nga optimizmi".

Apeli i parë i tij drejtuar shoqërisë së sotme të Kosovës ka lidhje me "thembrën e Akilit". Ka lidhje me atë parim që rrezëllon kur zbatohet, i cili vendoset në kryelistën e parimeve të së drejtës, të atyre parimeve që aplikohen dhe për të cilat militohet në botën e sotme europerëndimore. Autori e ka fjalën për integrimin e pakicës serbe, të asaj pakice, të cilën emancipueshëm ai e quan pjesë e bashkështetasve të tij. Kjo është sjellja e duhur e trimërisë inteligjente që nevojitet të mishërohet duhet në terrenin konkret.

Natyrisht, sipas asaj çka kumton autori, kjo është një sfidë substanciale, jo vetëm për devizën shtetbërëse dhe shtetngritëse, por edhe për atë shtetnjohëse. Në këtë kontekst, nisma e tij e para disa kohëve, bashkë me një grup tjetër intelektualësh shqiptarë, e përcjellë virtualisht në mijëra adresa qytetarësh shqiptarë, ishte pjesë e një vizioni kontribues për strategjinë dhe procedimin real politik të institucioneve politike të Kosovës. At‘kohë, Ibrahim Kelmendi inicioi një nismë sfidante për pajtim dhe paqe mes dy popujve të mbajtur në jetëgjakderdhje të tmerrshme. Një nismë zemërgjerësie, por kurrsesi mendjelehtësi. Në emër të fitimit të kësaj sfide, udhëheqësia e sotme e tranzicionit të Kosovës, duket se nuk ka shpenzuar mjaftueshmërisht iniciativa. Dikush mund të shprehet se: të kritikosh të mosbërën, nuk është trimëri.

Trimëri jo, por inteligjencë po!. Të thuash se e pabëra duhet, në çastin dhe momentin e duhur, atëherëë kjo është mençuri e vlefshme.

Shtetbërja e sotme në Kosovë ka nevojë për këtë guxim dhe këtë nevojë e pohon kthjellët Ibrahim Kelmendi. Autori flet në librin e vet për kohën që u duhet dhënë bashkështetasve serbë në Kosovë: "për të kuptuar drejt ardhmërinë e tyre në këtë shtet të ri. Por, çështja është se ata duhet të çlirohen nga privilegjet e së kaluarës si pushtues-sundimtarë dhe t‘i kthehen së ardhmes -bashkëjetesës së barabartë si bashkëqytetarë".

Me vëmendshmëri dhe realizëm, Kelmendi nënvizon se respektohen dhe duhen respektuar të drejtat e serbëve etnikë të Kosovës, e serbëve kolonistë, të cilët qeveria mbretërore e Beogradit i kishte sjellë në Kosovë në vitet 1912-1941, e më pas qeveria komuniste serbe në vitet 1945-1990. Kurse serbët, që pushteti i Millosheviçit i solli në Kosovë, pas vitit 1990, autori mendon se nuk duhet të gëzojnë me "automatizëm" të drejtën e shtetësisë.

Me mprehtësi analitike paraqiten në këtë libër të dhëna krahasimtare mes të drejtave që gëzojnë pakicat e ndryshme etnike në hapësirën shqiptare në katër shtete ballkanike. Nacionalizmi serb, si një pengesë komplekse dhe e rafinuar për shtetbërjen dhe shtetndërtimin e Kosovës, duhet përballur me hapa të matur, që të çojnë në destinacione dhe sfida të fituara. Kthjelltësia e këtij autori për atë çka duhet bërë, është një sfidë e fituar e tij në raport me lexuesin e librit të vet. Ai pohon të duhurën dhe sugjeron të duhurën më të domosdoshme. Refleksioni i tij sugjerues për ekonominë, aktorët politikë dhe shoqërinë civile të Kosovës, për shkurtimin e tranzicionit dhe fitimin e sfidës së madhe të shtetbërjes, ka vlerat e një guide të admirueshme. Autori pohon se "katharsisi" duhet nisur pa qenë nevoja për ndotje të mëtejshme. Ai ka fituar ndërgjegjen e luftëtarit në paqe të arritur, kur pohon se "nuk e bëmë kryengritjen çlirimtare për të filluar luftë hakmarrëse".

Natyrisht, autori, si bir i Kosovës, për të cilën mund të quhet pa drojë si një maratonomak nëpër qytete dhe kanceleri të Evropës, enumeron edhe sfidat që duhen fituar me veten, me pengestarët e ndreqshëm dhe të pandreqshëm në procesin tonë të vetbërjes. Ai në këtë libër rendit pengesat dhe faktorët pengues, llogarit "elementët shqiptarë si pengesë serioze për shtetbërjen dhe shtetndërtimin e shtetit të Kosovës", por edhe kryevendos optimizmin kombëtar për pakthyeshmëri të procesit shtetbërës.

Francis Fukuyam shprehet diku se "ajo që kemi zhvilluar në këtë shtet, është një kategori e tërë e të brengosurve profesionistë".

Autori nuk është një individ që e kaplon brengosja, por e mposht atë qysh në moment të parë me lëvizje dhe me kontribut vetjak, me interesim dhe mision vetëkryerës. Dilema për atë që duhet, nuk është e mishëruar te ndërgjegjja e autorit, por ai retorikisht u adresohet të tjerëve: "Vërtet, duam apo nuk duam të bëjmë shtet të mirëfilltë - kjo është pyetja. Në dukje sikur duam, por dukja nuk mjafton". Kelmendi apelon për zvogëlim mërish mes bashkështetasve të Kosovës së sotme. "Uroj të mirëkuptohem edhe kur nuk ia kam qëlluar, uroj të falem kur kam qortuar me tepëri…"

Dhe natyrisht që librin më së shumti e ka shkruar në vetë të parë, në atë vetë unike për komunikim, si "primus inter pares" (i barabartë midis të barabartëve) në dashurinë e tij për atdheun, që e meriton këtë fatmbërritje kombëtare.

Kjo është kthjelltësia për një rrugë të mundimshme dhe patjetër të përshkueshme në gjithë gjatësinë e saj….

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama