Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Liria pa cilesi ne mediat tona

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Liria pa cilesi ne mediat tona

Ka kohë që, më së shumti, për shkak të angazhimit tim si kryesues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, vazhdoj të mbart dilemën: "Çfarë mund të bëj unë dhe bashkësia ime profesionale, nëpërmjet institucioneve"?! E kam fjalën për të mbrojtur disa prej synimeve dhe qëllimeve tona, por edhe për të mbrojtur lirinë tonë të përbaltur apo të nëpërkëmbur prej shumë aktorëve.

Kjo e jona sot është një liri pa kualitet.

Sot liria e mediave në vend ka një armik tjetër potencial, veç kundërshtisë së shfaqur dhe të pashfaqur që ka me pushtetet politike. Kjo liri është e ndrydhur prej një pushteti tjetër të padukshëm, por tërësisht të ndjeshëm. E kam fjalën për arbitraritetin dhe deformimin që shkakton informaliteti. Tregu mediatik shqiptar është ende larg së respektuarit të normave dhe ligjeve të shoqërisë së të drejtës, është larg të qenit një vend me standarde dhe me kode të respektuara. Në këtë treg mungojnë aktualisht disa prej fondamenteve që sigurojnë standard, kualitet dhe afirmim profesional.

Këto mungesa kanë emrin e kontratës së punës, të Urdhrit të Gazetarit, të Ligjit të shtypit dhe të autoritetit të enteve kontrolluese dhe rregullatore. Këto mungesa janë dëshmia reale e mosfunksionimit apo edhe e mungesës së lirisë së medias së lirë, sepse në thelb legjitimojnë refuzimin e profesionalizmit dhe ndëshkimin e tij prej amatorizmit. Por këto janë edhe arsyet e mëdha pse në tregun e medias sonë sot nuk është ai autoritet i duhur i gazetarit, nuk është ajo hierarki e vlerave profesionale e mbrojtur nga konkurrimi profesional e jo nga trafiku i influencave apo emërtesave klanore e arbitrare. Në tregun tonë mediatik nuk merret për referencë CV-ja profesionale, kurrikula dhe investimi profesional, por dominon ende spontaniteti dhe nisja e karrierës më së shumti prej një shkaku apo rasti spontan. Përballë këtij realiteti mbetet aktuale pyetja që ngriti Herbert Spenser dikur: "Si mund ta kontrollojmë qeverinë të mos shndërrohet në Frankejshtain që shkatërron vetë lirinë në mbrojtje të së cilës e kemi krijuar atë"?!

Në një farë mënyre kërcënimi i lirisë jemi vetë ne.

Po sjell disa argumente në favor të këtij pohimi. Prej vitesh në mediumet tona dhe sa herë Parlamenti i këtij vendi ka ofruar aktet rizgjedhëse të enteve kombëtare që merren me kontrollin dhe rregullimin e tregut mediatik, komuniteti ynë, organizatat tona mospërfaqësuese kanë rënë pre e porosive, e interesave të ngushta të pronarëve dhe operatorëve. Në asnjë rast nuk është dëshmuar prej nesh një pjesëmarrje aktive dhe rezistente në këto organe, siç është për shembull KKRTSH, apo Këshilli Drejtues i RTVSH. Edhe në ndonjë rast kur emra të njohur brenda komunitetit tonë profesional janë zgjedhur për shkak të presioneve, deformimeve dhe abuzimit me qëllimin dhe prezencën e tyre janë dorëhequr. Ç‘ka ndodhur më pas? Vendet bosh të tyre janë zënë menjëherë nga persona që përfaqësojnë në mos një kualitet më të dobët profesional, së pari një bindshmëri partiako-politike. Dhe këto ente apo organe vazhdimisht mbeten të përdorura dhe të bindura për autoritetet politike të vendit. Është kjo arsyeja që sot në mediat tona publike kemi një tregues të dobët paanshmërie, profesionalizmi dhe tregues keqardhës për numrin e audiencës dhe ndikimit publik.

Prej vitesh ne nuk kemi një ligj për shtypin. Kemi nenin e vetëm kushtetues. Kjo mungesë nuk e dëshmon progresin apo regresin real që ngjet në tregun e shtypit të shkruar shqiptar. Kjo e vërtetë e hidhur nuk denoncohet prej komunitetit tonë. Para një viti Unioni i Gazetarëve u kërkoi disa institucioneve që merren me kontrollin dhe verifikimin e tregut të punës të ushtrojnë kontrolle dhe ndikim mbi punëdhënësit mediatikë të vendit për kontratat e punës së gazetarëve, për verifikimin e treguesve të pagesave për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, për verifikimin e CV-ve dhe dëshmive profesionale.

Natyrisht pati një reagim sa për sy e faqe. U përdor kërkesa jonë si një justifikim para pronarëve të mediave, duke i dhënë kërkesës sonë vlerën e një denoncimi konjuktural. Reagime të tilla institucionale për verifikimin dhe rregullimin e marrëdhënieve informale në tregun mediatik janë të efektshme kur janë intensivisht periodike. Në këto raste askush nuk mund ta paragjykojë qeverinë apo institucionet rregulluese. Natyrisht, organizatave tona u mungon konsistenca, pasi ato ose kanë probleme organizative, ose nuk kanë rregullsi statutore, ose mbeten të kompleksuara për shkak të interesave të ngushta dhe të trafikut të influencës me partnerët tanë, pronarët. Në këtë rast, qeveria dhe institucionet e linjës, ose fshihen ose shmangen. Në një farë mënyre, hyzmeqarja e lirisë sonë shpesh shndërrohet në kërcënuese të saj.

Doktrinat që lidhen me njeriun si profesionist të lirë mungojnë së vepruari te ne. Kjo mungesë, natyrisht e bën edhe më pasive vetë qeverinë për akte vendimmarrëse dhe për përmirësime ligjore.

Kohët e fundit është debatuar disi pak, ose debati ka dalë shumë pak në sipërfaqe. E kam fjalën për kalimin dhe diskutimin në Komisionin parlamentar të Medias dhe Informimit për projektligjin e mediave audiovizive. Ky projektligj u është përcjellë edhe ekspertëve në Bruksel, por nga dijenia ime, zyrtarisht asnjë prej organizatave tona nuk ka marrë dhe s‘i është kërkuar zyrtarisht një pjesëmarrje diskutuese apo sugjeruese.

Ky projektligj mund të bëhet ligj, por ankesat tona si dhe informaliteti në marrëdhëniet e punës mbetet në fuqi dhe garantohet se do të mbartet. Ky ligj ende nuk rregullon statusin e editorëve në mediat publike, nuk rregullon mbrojtjen e kualitetit profesional dhe nuk garanton konkurrimin real profesional për informim dhe shërbesa ndaj publikut.

Treguesit e lirisë së shtypit sot janë disi më të përmirësuar në raport me ata të viteve 1998-2000. Liria jonë e shtypit sot ka shpëtuar prej dhunës dhe prej arbitraritetit të pushtetit apo politikës. Dhe kjo arritje duhet vlerësuar.

Kjo liri fitohet, sipas mendimit tim, duke respektuar principet bazë të një tregu që pretendon dhe ngre standarde. Në këtë treg ka ardhur koha të lihet pas tranzicioni dhe të respektohen vlerat e përvojës së akumuluar dhe vlerat që ofron tregu me standard të lartë profesional dhe me pasuri integruese, siç është tregu evropian.

Në 18 vjet gazetari plurale, në Shqipëri ka pasur qindra dhe qindra ecejake gazetarësh, drejtuesish dhe editorësh sa nga njëra media te tjetra, por ka vetëm një ose dy raste të qëndrimit të një editori deri në katër vjet në vendin e tij të punës. Ky destabilitet flet qartë për përmbajtjen zezuese të marrëdhënieve dypalëshe në këtë treg.

Sikundër mund të thuhet se vetëm për vitin 2005 janë lënë në mëshirë të fatit për largim nga puna ose mbyllje të mediave më tepër se 184 gazetarë. Vetëm gjatë vitit 2007-2008, për herë të parë kemi rreth 69 gazetarë që i janë drejtuar gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me pronarët për paga të padhëna. Ky është një tregues i reagimit komunitar, por ende nuk është një tregues i përmirësimit të gjendjes.

Për shkak të kësaj gjendjeje dhe këtij mosrregullimi, sot ka dhjetëra reporterë dhe gazetarë të dëshpëruar me gjendjen dhe statusin e tyre informal. Varfëria e tyre reale po censurohet prej editorëve të mirëpaguar dhe të bindur. Kjo është një kontradiktë e brendshme, e cila meriton tërheqjen e vëmendjes së gjithë komunitetit tonë profesional. Nga ana tjetër, donatorët ndërkombëtarë janë duke e lëshuar Ballkanin dhe vendin tonë, pasi ai është bërë "lajm i së djeshmes". Në këto kushte, vendimmarrjet qeveritare duhet t‘i referohen kësaj nevoje. Është momenti që vendi ynë të ketë, sikundër e kanë gjithë kolegët tanë në vendet e BE-së, fondin e përkrahjes sociale për gazetarët.

Po ashtu, problem i rëndë është sot ai i dyndjes brenda nesh. Kjo dyndje amatorësh në këtë profesion, natyrisht që ul indeksin e kualitetit dhe meritokracisë profesionale. Në vetvete edhe ky fakt është kërcënim për lirinë e shtypit dhe të mendimit profesional. Vendimmarrjet institucionale mund të kontribuojnë edhe në këtë aspekt, duke qenë të lidhura jo prej urdhrave dhe ndërhyrjeve verbale, por prej respektimit të detyrimeve që rrjedhin mes institucioneve, Kodit të Punës, Ligjit të munguar për shtypin, ligjit për sindikatat e gazetarëve, ligjit për shoqatat në tërësi dhe shumë e shumë adresimeve të tjera institucionale. Nëse do të vazhdohet kështu, atëherë anarkia informale do të jetë sistemi ynë i justifikuar si tranzicion dhe në tregun tonë mediatik do të ketë rikthime të politizimit, siç po ngjet aktualisht, sikundër do të vijojë ecja retrograde në treguesit e ulët të lirisë së shtypit në tërësi.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama