Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gabimi i gazetarit mbi mëkatin e politikanit

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Gabimi i gazetarit mbi mëkatin e politikanit

Nuk ka asnjë dyshim që fushata elektorale në vend ka mbërritur. Pozita dhe opozita e kanë rindezur Parlamentin, si skenën më të përshtatshme për përcjelljen e shtuar të inkadeshencës politike në vend.

Qeveria e zotit Berisha është në një moment të vështirë. E vënë nën breshëri akuzash dhe zbulimesh të lidhjeve komprometuese, e gjendur në kushte të një vështirësie financiare dhe në marrëdhënie me një krizë shumëplanëshe globale, qeveria Berisha po i shkakton një kosto të djathtës në pushtet.

Në këto kushte, një pjesë e guximshme e shtypit dhe mediave private në vend, po shënojnë një kontribut të ri angazhimi në misionin informativo-politik.

Në këtë kryesim misioni janë disa prej emrave më të angazhuar në opinion-shkrim dhe në atë artikulues, të cilët zotërojnë statusin e të qenit të mëvetësishëm.

Në këtë atmosferë politike që po i rritet me shpejtësi nxehtësia, s‘ka se si të lihet jashtë vëmendjes një fakt i cili në vetvete përbën një reminishencë me periudhën e njohur të konfliktualitetit agresiv të periudhës 1995-2000. Politikanët dhe disa prej opinionshkruesve, apo edhe analistë që kanë fituar statusin e profesionistit në këtë vend, po neglizhojnë Kodin Etik dhe më së shumti etikën e komunikimit.

Është prijës në këtë flagrancë së pari Kryeministri Berisha, i cili në disa raste të përsëritura nga foltorja e Parlamentit ka nxjerrë prej gojës së vet fragmente fjalish dhe klithma brutale sharjesh. Kurrë ndonjëherë më parë Kryeministri, që mbart në vetvete biografinë më të gjatë politike, ndër gjithë pjesëtarët e udhëheqësisë së sotme politike në vend, s‘kishte dalë në këtë mënyrë, në këtë lloj komunikimi të ndotur dhe ndotës. Fjalët e zhargonit të adresuara prej tij në adresë deputeti opozitar dhe të transmetuara drejtpërsëdrejti prej mediave private, përbënë arsye për një hutesë dhe habi publike. Përgjatë disa ditëve në mjediset shoqërore dhe mediumet tona ky rast u komentua dhe u diskutua si i pashembullt dhe i pahijshëm.

Përballë këtij rasti nuk funksionoi asnjë instrument apo reagim ruajtës i Kodit Etik dhe i etikës së komunikimit.

Këto institucione të sjelljes dhe formimit moral, në këtë vend nuk ekzistojnë. Ato janë faruar dhe në mënyrën më vrastare mbesin të paqena edhe në kohën kur ky tranzicion në ndërgjegjen e shumicës qytetare të këtij vendi konsiderohet i pjekur.

Dje, në gazetën me valencë opinionbërjeje në shtim, pra "Shqip", gazetari i njohur Mustafa Nano botoi shkrimin: "SHBA-të dhe matrica konspirative e shqiptarëve". Arsyetimet dhe komenti i guximshëm i kolegut Nano, në një pasazh të shkrimit më shkaktuan shijen e keqe dhe natyrisht reagimin mospranues. Në këtë pasazh kolegu shkruante: "Berisha pra, edhe për amerikanët është një plehrë, por një plehrë, me erën e së cilës janë mësuar; shkurt, për t‘i qëndruar besnik një clicha-je të njohur ndërkombëtare, "është një plehrë e tyre".

Ky pasazh përbën në vetvete një rast të dhunimit të Kodit Etik dhe etikës së komunikimit. Çdo koment i imi për pasazhin do të ishte i tepërt. Pasi naivisht mund të bija në pozitat e moralizantit në raport me kolegun.

Por ajo që duhet të ofroj për kolegun dhe lexuesit e nderuar, ka lidhje me nevojën e ngritjes së opinionit tonë profesional për të vënë në funksionim dokumentin dhe veprimin tonë vetërregullues.

Është momenti që tashmë ne si komunitet profesional të vëmë në veprim dhe t‘i japim besim Kodit Etik dhe etikës sonë të komunikimit. Ne kemi arsye të mbajmë në fuqi kontrastin me këtë shfaqje dhe këtë nivel kulturor e politik që demonstron dhe mbart klasa politike e vendit. Imitimi i keq i tyre, prej nesh, është pa mëdyshje një investim negativ për shoqërinë dhe breznitë e reja.

Unë s‘kam iluzion se fjalori i politikanit apo Kryeministrit të nervozuar Berisha nuk ka asgjë për t‘u krahasuar me atë të analistit apo opinionbërësit Nano. Mirëpo kur rastësisht, apo për shkak të gjendjes dhe sinqeritetit reagues, kolegu Nano bie pre e fjalës së thënë prej emocionit, padashur ka rënë në pozitën gabuese të neglizhimit të etikës së komunikimit.

Në mediat tona është garantuar tashmë e gjithë premisa për një nivel dhe start të ri profesional. Në këtë raport, kolegu Nano është individi profesional që ka edhe atribute të protagonistit iniciues për formulimin dhe veprimin e Kodit Etik në mediat dhe veprimtarinë gazetareske.

Guximi i tij për të thënë pa kompleks të vërtetat apo për t‘u përballur si mbrojtës i perceptimeve të publikut dhe i opsioneve kundër qeverisjes, lexohen prej meje dhe një mase të madhe kolegësh si investim i kurajshëm profesional. Të njëjtën gjë mund të them edhe për disa kolegë të tjerë, si Fatos Lubonja, Andrea Stefani, Andi Bushati, Skënder Minxhozi, Fatos Baxhaku etj., etj. (Ndjesë kolegëve të papërmendur!), të cilët janë aktualisht emrat që po përballen me qeverisjen si oponentë të fortë të saj, por edhe si konstatues të meritave reale. Një pjesë e tyre, ku kryelistohet edhe zoti Nano, njihen tashmë si denoncues dhe investigatorë, të cilëve u mungon krahasimi me të shkuarën tonë profesionale.

Në këtë kontekst, konsistenca dhe "kokëfortësia" e kolegut tjetër, Mero Baze, për të vijuar kërkimin nëpër afera dhe lidhje komprometuese qeveritarësh, të lënë shijen dhe të forcojnë konstatimin se puna e tyre e madhe po e bën më të zvogëluar misionin e opozitës së vendit. E thënë me verbin populist, përballë dosjeve dhe rasteve të publikuara prej kolegut Baze: "Opozita nuk vlen sa Mero".

Mes misionit profesional që kemi dhe cilësisë që gëzojmë, vazhdimisht mbetet i nevojshëm respekti dhe nënshtrimi pozitiv ndaj Kodit Etik. Për këtë arsye ne duhet të heqim dorë prej këtij vetëdënimi të shkeljes dhe dhunimit të Kodit Etik. Sepse siç do të shprehej Oscar Wilde: "Një shoqëri shtazërohet më tepër nga përdorimi i përhershëm i dënimit, se sa nga rishfaqja e herëpashershme e krimit".

Le ta shohim një herë si "krim" edhe ne gazetarët mëkatin tonë të komunikimit dhe përdhosjes së fjalës që i japim lexuesit dhe audiencës sonë! Sepse pas ripërsëritjes së këtij "krimi" moral, vjen vetvetiu edhe krimi tjetër, ai i politizimit të cilësisë dhe statusit tonë profesional. Mendoj si shumica e jonë, se "atë kohë për kësi gabimesh" ne e kemi kapërcyer prej kohësh, së paku në ndërgjegjen tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama