Shkrirje ne PD apo...?

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Besnik Mustafaj
Shkrirje ne PD apo...?

Javët e fundit, edhe pse periudhë e nxehtë pushimesh, ka filluar të dalë gjithnjë e më në qendër të debatit tonë publik tema e riorganizimit të dy blloqeve politike. Artikulimi i këtij preokupimi është shenja më e pagabueshme se kemi hyrë përfundimisht në një vit elektoral. Dhe këtu nuk është fjala aspak për numërimin e kohës mbrapsht, në përputhje me kalendarin e imponuar nga Kushtetuta e vendit. Fjala është për atë atmosferë të veçantë, që krijohet para zgjedhjeve e, në të cilën, në një mënyrë a në një tjetër, përfshihet e gjithë shoqëria.

Por, ndezja kaq herët e motorëve e sidomos tema, për të cilën ka filluar të diskutohet, ndërkohë që nuk është hartuar ende ligji i ri elektoral, që do të thotë se shumë nga modalitetet, mbi të cilat do të mbështetet zhvillimi i këtyre zgjedhjeve, pra, ndezja kaq herët e motorëve të politikës dhe sidomos tema, për të cilën ka filluar të diskutohet, dëshmon edhe se të gjitha partitë, përfshirë edhe dy partitë lokomotiva, Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, ndjehen substancialisht të pasigurta për t‘u përballur vetëm me elektoratin dhe po kërkojnë formula të rivitalizohen sa nuk është vonë. Këtij konstatimi të përgjithshëm, do t‘i shtoja si qytetar i këtij vendi edhe shpresën, po të përgjithshme, se kjo përpjekje për riorganizim të dy blloqeve politike do të sjellë një pjekuri të re të formacioneve partiake shqiptare.

Më tej shqetësimi im natyrshëm përqendrohet te zhvillimet e mundshme ose të dëshirueshme brenda së djathtës. Për të qenë i sinqertë, as që më ha meraku pse e majta është e përçarë, apo pse Partia Socialiste shfaqet para opinionit publik me gjuhën dhe stilin e një shoqate parapolitike. Në të djathtë, atje ku është e kristalizuar dukshëm edhe energjia politike transformuese e vendit, janë paralajmëruar lëvizje të rëndësishme. Po flitet për shkrirje partish me Partinë Demokratike, siç po flitet edhe për federata apo konfederata. Dhe nuk janë zëra të dorës së dytë, ata që janë dëgjuar tashmë. Është shprehur deri edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha.

Njëri nga intelektualët tanë më të shquar dhe më të angazhuar në shpjegimin dhe interpretimin e problematikës së tranzicionit tonë, profesor Artan Fuga, shkruan në një nga esetë e tij se ka një frikë të tmerrshme nga autodidaktët. Po sa burra të mençur në Shqipëri, nga ata, që përpiqen të jenë të dobishëm për vendin jo duke marrë poste, por duke hedhur dritën e mendjes së tyre në rrugën, nëpër të cilën po ecën atdheu dhe shoqëria, e kanë një frikë të tillë nga autodidaktët? Me siguri që shumë.

M‘u kujtua kjo frikë e profesor Fugës teksa lexoja këto ditë deklarata apo komente të ndryshme kolegësh politikanë rreth opsioneve, që pritet të shtrohen para të djathtës në procesin e rikonfigurimit të saj, nëse ky rikonfigurim ndodh vërtet. Njëri prej tyre është federate apo konfederata. Jo thjesht nga kureshtja, por me përgjegjësinë e njeriut që ndoshta do të duhet të shprehet me votë për këtë opsion, u përpoqa të kuptoj se çfarë përfytyrohet më federatë apo konfederatë të së djathtës. Ende nuk kam gjetur asnjë shpjegim sadopak të qartë as nga propozuesit e as nga politikanët e niveleve më të larta, që janë shprehur të hapur ndaj një propozimi të tillë, përfshirë këtu edhe kryetarin Berisha, edhe nënkryetarin Patozi. Më takon të besoj apriori se kjo formulë politike nuk është përdorur si sinonim i koalicionit. Do besuar, pra, se po flitet për një dukuri të re në realitetin tonë politik, apo jo? Ndërkohë, udhëheqësit e partisë time shfaqen aq të sigurt teksa shprehen të hapur për federatën apo konfederatën e të djathtës. Unë jam i detyruar të besoj se ata e dinë përse bëhet fjalë. Po përse nuk na kthjellojnë pak edhe neve, anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku, sipas statutit, vjen për miratim vullneti i tyre?

Me aq sa munda të gërmoj nëpër historitë e partive të djathta më të rëndësishme evropiane, gjeta plot eksperienca dhe modele organizatash që shkriheshin së bashku në një moment të caktuar të historisë së tyre, si dhe akoma më shumë eksperienca koalicionesh paraelektorale apo paselektorale. Por jo federim dhe as konfederim organizatash të ndryshme, qofshin ato edhe me programe e statute të përafërta. Si do të ishte një ngrehinë politike si kjo që po na propozohet? Nuk do të kishte strukturimin klasik të një partie, merret vesh. Nuk do të kishte as rregullimin funksional të një koalicioni, edhe kjo merret vesh. Ndryshe pse do të përdorej një terminologji e re? Çfarë fizionomie origjinale do të kishte kjo krijesë politike, e cila, sipas udhëheqësve tanë, do të bënte të mundur futjen në qesen tonë deri edhe të votës së fundit të djathtë? Pse, vetëm me votat e konfirmuara të së djathtës do të fitojmë ne edhe një mandat të dytë? Po ndonjë aftësi të re, për të ngjallur një shpresë të re, një hov të ri tek elektorati i pavendosur, i cili tashmë është edhe shumicë në shoqërinë tonë, a do të ketë kjo ngrehinë politike me emërtim të ardhur kryesisht nga bota sindikaliste, federatë apo konfederatë? Nuk më shqitet nga mendja frika, që i ngjallin profesor Fugës autodidaktët.

Krejt ndryshe e kam arsyetimin për shkrirjen e disa partive të djathta shqiptare në një. Deri tani një gatishmëri të tillë e kanë shprehur publikisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova dhe kryetari i Partisë Demokrate të Re, Genc Pollo. Por mund të vijnë shumë shpejt edhe të tjera. Ama, do saktësuar, në përputhje me përcaktimin që na jep shkenca politike, se fenomeni i shkrirjes së partive nuk është i ngjashëm me përrenjtë që përpihen nga lumi. Procesi i "shkrirjes" piqet dhe kryhet së pari në secilën parti veç e veç e pastaj ato të gjitha bashkë "ngrihen" ose "ngjizen" në një parti të vetme, të zmadhuar në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, e cila zakonisht merr një emër të ri, që nuk është emri i asnjërës nga partitë, që kanë përbërë brumin e saj.

Rasti më i fundit, dhe plotësisht i suksesshëm në Evropë, ka ndodhur në Francë. Partia e Presidentit të asaj kohe, Jacques Chirac, Rassemblient pour la République (RPR)- Bashkimi për Republikën - Partia Republikane, një krah shumë i fuqishëm i partisë së ish-presidentit Giscard d‘Estain, Union Démocratique de France (UDF) - Bashkimi Demokratik i Francës - dhe disa parti të tjera të vogla, u "shkrinë" e mandej u "ngrinë" nëpërmjet një kongresi të jashtëzakonshëm në një parti të vetme, e cila mori emrin e përkohshëm Union de la Majorité pour le President (UMP)- Bashkimi i Shumicës për Presidentin. Kjo ishte partia që i siguroi Chirac-ut mandatin e dytë presidencial. Por procesi i "shkrirjes-ngrirjes" nuk u quajt i përfunduar, pavarësisht provës së parë, që kaloi me sukses. U deshën edhe më shumë se dy vjet kohë, periudhë gjatë së cilës Nikolas Sarkozy dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm dhe drejtoi një debat të zjarrtë brenda partisë, debat që u mbyll po me një kongres të jashtëzakonshëm, ku ka marrë pjesë edhe një delegacion i Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryesuar nga Zoti Berisha.

Nëpërmjet këtij debati, ku ishte përfshirë e gjithë anëtarësia e partisë e veçanërisht elita e saj, është siguruar kompaktësimi organik i partisë si një organizatë themelisht e re. Në kongresin e jashtëzakonshëm, ku Berisha ishte dëshmitar entuziast, u paraqitën katër kandidatë për kryetar. Fitoi, siç dihet, Sarkozy. Me atë rast u miratua statuti i ri i partisë, ku sanksionohen edhe fraksionet dhe kushtet për legalizimin e tyre, një fenomen i paparë ky në historinë e të djathtës goliste franceze. U votua me parimin «një anëtar, një votë» edhe për emrin e ri e përfundimtar të partisë: Union du Mouvement Populaire (UMP) - Bashkimi i Lëvizjes Popullore. Pak muaj më vonë, partia UMP zhvilloi dy fushata shembullore, duke fituar dhe madje thellë edhe zgjedhjet presidenciale, edhe ato parlamentare. Partia e re, «shkrirja-ngrirja» e së cilës zgjati afro pesë vjet, kishte arritur të zgjonte një shpresë të mrekullueshme jo vetëm tek anëtarësia e saj e shtuar nga shkrirja, por te shumica dërrmuese e shoqërisë franceze. Dhe, në fund të fundit, ngjallja e kësaj shprese te mbarë shoqëria ishte edhe qëllimi strategjik i lëvizjes rigjeneruese politike, për bashkimin e disa partive në një.

Duke përshkruar, sado përmbledhtazi, "rastin francez", besoj se kam shprehur edhe pikëpamjen time se si duhet bërë edhe te ne shkrirja e disa partive të djathta. Ka më shumë se një vit që unë kam pohuar publikisht se do më dukej shumë i dobishëm një rithemelim i Partisë Demokratike së bashku me disa parti të së djathtës. Nëpërmjet kësaj kujtese sot, dua të përsëris se e mbështes një projekt të tillë, me kusht që të plotësohen me kujdes standardet. Duke pasur parasysh kalendarin e zgjedhjeve të ardhshme, druhem se është shumë vonë për ta filluar tani. Kemi humbur shumë kohë. Dhe nuk mund të hyjmë në fushatë me motorin e makinës të hapur. Ndërtimi i një partie, sidomos i një partie që zotohet të drejtojë vendin drejt modernizimit të tij, është një punë titanike, horizontale dhe vertikale, ku ndërthuren pazgjidhshëm aspektet organizative me aspektet programore dhe statutore. Rrjedhimisht, kjo nuk mund të jetë kurrsesi vendim apo marrëveshje kabinetesh. Të paktën jo në demokraci. Edhe për një krushqi të thjeshtë pyeten zakonisht të gjithë anëtarët e familjes. Ndryshe, profesor Artan Fugës dhe sivëllezërve të tij mendjendriçuar do t‘u dukemi autodidaktë edhe pas tetëmbëdhjetë vjetësh pluralizëm e do t‘u kallim datën. Dhe do të ishte e rrezikshme nëse ne besojmë se mund të qeverisim mirë pa ndjerë pas qafës mendimin e tyre kritik.

"Rasti francez" duket se njihet ndër ne demokratët edhe përtej rrethit të ngushtë të anëtarëve të delegacionit tonë, që mori pjesë në kongresin unifikues të partisë së Presidentit Sarkozy. Kësaj eksperience iu referua para pak ditësh njëri nga personalitetet historike në PD, Emin Gjana, kur komentoi rikthimin e mundshëm të Genc Pollos dhe Tritan Shehut ndër ne. Rikthimi i tyre nuk do të ishte një fenomen i ri në PD. Para tyre janë rikthyer Genc Ruli, Leonard Demi, Preç Zogaj, Arben Imami e plot të tjerë më pak të njohur për publikun e gjerë. Por rikthimi i tyre ka qenë dhe mbetet një veprim individual i secilit, çka e ka thjeshtuar integrimin e tyre në strukturat e partisë e madje edhe në drejtimin e saj. Sipas këtij modeli mund të jetë fare i lehtë dhe rikthimi i Pollos, Shehut apo kushdo tjetër. Mjaft të shkojnë qysh nesër të regjistrohen në seksionin demokrat të lagjes ku banojnë dhe të fillojnë të paguajnë kuotat. Ma merr mendja se këtë ka pasur parasysh edhe Gjana, kur u uroi sinqerisht mirëseardhjen. Bashkohem edhe unë me këtë urim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama