Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

DAJAKU DHE FSHESA

Para dy ditësh, po këtu ku po shkruaj unë, shkruante Mentori. Kikia jo Nazarkoja. Shihte ëndrra me sy hapur, se çdo të bënte vaki, sikur në Shqipëri të zbarkonin për të bërë fushatë, Obama apo Veltroni a Merkeli. Me thënë të drejtën, nuk qe ëndrra e tij, po e Muç Nanos, që e kish parë e shkruar ca ditë para tij dhe Mentori vetëm po e vazhdonte ëndrrën. Meqë ku hanë dy, ka vënd edhe për tre, mora penën edhe unë të ngjyej nga ëndrra e tyre fisnike, se më të shumtit e neve që shkruajmë, kemi katandisur të lexojmë, lëvdojmë a shajmë njëri-tjatrin dhe na duket se e ndreqëm botën, ndërsa në fakt, "të qartët" e kësaj bote vazhdojnë të tyren, të bëjnë para e të mbyllin pazare.

Dëgjo Mentor. Një vrimë në ujë do bënte Obama e Merkeli në Shqipëri, po të vinin vetëm me idera e vizione. Të mënçurit po i hodhe në mes të të marrëve, pa u dhënë edhe mjetin për t‘i zbatuar mënçuritë e tyre, nuk vlejnë një lek. Mustafa Kruja, kujton se më ‘21, kur ministër i Brendshëm ishte Mehdi Frashëri, ndër më vizionarët dhe idealistët shqiptarë të kohërave, ngrihet Kapidani i Mirditës dhe shkon në Tiranë që ta takojë e t‘i qahet. Ministri e pret sipas modave që kish mësuar në Evropë ku edhe kish studiuar dhe i kërkon pa një pa dy, që Mirdita duhet t‘i lërë zakonet e mesjetës dhe t‘i shtrohet ligjit të shtetit, të dorëzojë armët dhe të paguajë taksat. Pastaj qeveria do të investonte për rrugë, shkolla e përparim atje në male. Mirëpo Kapidani nuk kish shkuar për këto, po për të kap ndonjë lek nga qeveria, se, po të bëheshin këto që i thosh Mehdi beu, ai mbetej pa punë pastaj. Del nga zyra e ministrit dhe e mban vrapin në Orosh, ku mbledh krerët e bajraktarët dhe u thotë: "Qeveria nuk do që të na japë para qyl, po do që të dorëzojmë armët e të paguajmë taksat". Rezultatin Mentor e ke në Librën i Historisë: Mirdita u hodh kundër qeverisë dhe për pak mori edhe Tiranën. Kjo do bënte vaki edhe këtu po të vijnë Obamrat e Merkelat që shef në ëndërr ti e Muçi, apo Veltronrat që shof në ëndërr unë.

Le pastaj, kur e shtyn ëndrrën edhe ca më tej, duke folur për transparencën e fushatës së mbledhjes së fondeve nga Obama për zgjedhjen e vet. Këtu nuk po vazhdoj me ëndrrën tënde, po po të tregoj historinë time. Më 2005-ën, kur Partia më vuri kandidat në fshatrat e Kavajës, unë, që e mora seriozisht atë punë, vajta e mblodha të lexoja një vandak libra se si bëhen fushatat poshtë e përpjetë nëpër oksident. Mes tyre, ishte edhe një librushkë e botuar nga Instituti Republikan i Amerikës, ku shpjegonte se si duhej të mblidhte fondet kandidati. Aty shpjegonte që duheshin marrë në telefon një për një zgjedhësit, ku t‘u shpjegohej nga një pikë e programit dhe t‘u kërkohej ndonjë lek ndihmë, qoftë edhe një gjysmë dollari. Kjo, sipas librushkës, do ta bënte zgjedhësin të lidhej me një lloj kontrate me kandidatin dhe të ndjente se kandidati ishte burrë i përkushtuar e i ndershëm. Opingën! Kur në Shqipëri është bërë zakon që votat të blihen si pa gjë të keq, e gati është zyrtarizuar bursa e votave, merre me mënt që sipas librushkës duhet të shkoja jo për t‘u dhënë para, po për t‘u kërkuar. I futa një të qeshur dhe e lashë atë punën e librit. Tani, që të kthehem tek ëndrra jote fisnike, ti pret që të vijë Obama dhe të marrë nëpër telefon njerëzinë e t‘u kërkojë para për fushatën. Bejkeri kur erdhi në Tiranë më ‘91, ne i puthëm këmbët se prisnim të hapte valixhen e të na ndante dollarë me grushta, lere pastaj sikur ai, në atë mitingun e madh të Tiranës, të thosh që kam ardhur t‘u jap ide, por si fillim secili duhet të më japë nga një dollar për fushatën. E merr me mënt sa do ish bërë pirgu i gurëve që do t‘i kishim lëshuar kokës?!

Ndërsa ai burri që kisha unë përballë në Kavajë, nuk ish aq i marrë sa të merrej me librushkat e Institutit Amerikan, ishte burrë i qartë ai, dhe sot është deputet. As ia ke dëgjuar zënë në Kuvend dhe as që ia ke për të dëgjuar, po punët e veta di t‘i mbyllë si duhet. E ti vjen e më tregon Obamën. Rri a Mentor të kam rixha. As më pak e as më shumë, e njëjta gjë ndodhi në Kashar para dy javësh. PS-ja vuri kandidat atje një burrë të urtë e të mënçur dhe realisht burrë i ndershëm. Shpresoj të më besosh në llaf, se njihemi aq sa për ta bërë këtë. E ku shkoi ky burri i mënçur e i ndershëm? Shkoi kovë pusi, e doli i katërti në zgjedhje. Të gjithë e shpallën hapur që votat u blenë dhe ti do që të sjellësh Obamën që ta provojë edhe ai këtu.

E provoi një herë Evropa me ne më ‘14-ën, kur na solli Vidin të na qeveriste. Erdhi ai i shkreti, princ gjerman i biri i botës, me dosje, ligje e rregulla, me pantallona të hekurosura e jakë të bardhë. Erdhi me të gjitha tertipet e shtetit, po kish harruar dy gjëra: dajakun dhe fshesën. Dajakun, për t‘u hapur veshët atyre që s‘duan të dëgjojnë dhe fshesën që të fshinte nga faqja e këtij vëndi gjithë llumin e pisët politik që gëlonte këtu. Edhe fundi i Princit dihet: në krye të gjashtë muajve e përzumë, se zgjodhëm të rrijmë me Haxhi Qamilin dhe Esat Pashanë. Nuk është qeverisur ndonjëherë ky vënd me mëntë e Mehdi Beut e të Nanos, po me ato të Esat Pashës e të Saliut.

Mentor, po të vijë Obama me gjithë dajak dhe fshesë, edhe ka ndonjë gjasë të bëjë punë, përndryshe s‘do t‘i zënë këmbët dhe, si Vidit të shkretë. Mirëpo, meqë kjo s‘është punë që bëhet, ka vetëm një udhëdalje. Të gjejmë Obamat tanë këtu mes shqiptarëve dhe, në se ky popull s‘është ende në atë shkallë zhvillimi, se në vënd të Obamave zgjedh Salinjtë, oburra, të mos lodhemi së bëri detyrën tonë për t‘ia arritur asaj dite.

QYPI ME ... FLORI

Njoh shumë, për të mos thënë të gjithë, tregëtarët e antikave që lëvrijnë nëpër Shqipëri dhe para ca kohe më vjen njëri syresh dhe më thotë gjithë siguri e sekretllëk se dinte një vënd ku ishte një thesar. Thesari na qenkësh fshehur brenda në themelet e një ure mesjetare nga ndërtuesi i saj, i cili, pasi kishte ndërtuar urën paskësh groposur aty edhe një qyp me flori. E mbajta veten dhe me qetësi u përpoqa t‘i shpjegoj se si mund të ishte aq i rrjedhur sa të besonte marrëzira të tilla. Si mund të besonte që ndërtuesi i një ure, që kishte harxhuar një pasuri të tërë dhe shumë vjet punë e përpjekje për ta ngritur urën, pasi ishte shkundur deri në metelikun e fundit për këtë vepër, në fund të çonte dëm edhe një qyp tjetër me flori, për ta futur në themele!!! Në ktë vend ku s‘mbush dot as një qyp me bajga, ti dashke të gjesh qyp me flori.

Më shihte si kuak dhe dukej që mëdyshej midis arsyetimit tim dhe ëndrrës me florinj. Mirëpo si e mori veten nga goditja e parë, m‘u kthye sërish gjithë siguri.

- Epo kështu ishte zakoni atëhere.

- Ku e ke lexuar a dëgjuar këtë zakon ti. Ta them unë me siguri, se kurrë dhe askund, nuk ka egzistuar një zakon i tillë. Për më tepër, që kush do qe ai budalla që do varroste qypin me flori, që të vije ti pastaj e ta merrje, o që të marrtë Perëndia mëntë më keq se t‘i ka marrë.

Pasi fola gjerë e gjatë me të, them se e binda dhe u ndjeva i kënaqur se më thotë mëndja se shpëtova një urë mesjetare nga shkatërrimi i sigurt për të gjetur thesare që nuk egzistojnë. Edhe para një jave, një tjetër urë e vjetër u bë pre e këtyre të marrëve të rrezikshëm që kërkojnë të gjejnë flori. E kam fjalën për Urën e Kamares, por janë me dhjetra urat e vjetra, të mëdha e të vogla, që e kanë pësuar nga ky vandalizëm idiot dhe i pa sens. E quaj kështu, pasi është absolutisht e pamundur që të kenë gjetur qoftë edhe një grosh të vetëm, e megjithatë vazhdojnë të gërmojnë e hedhin në erë pa u lodhur. Unë e bëra timen, tani, kushdo nga ju që më lexoni do të gjendet në të tilla situata, me hajvanë të tillë, do t‘i lutem t‘ua shpjegojë me durim këtë punë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama