Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Partitë dhe populistët

Shkruar nga: Ralf Dahrendorf  
Botuar më: 17 vite më parë

Ralf Dahrendorf
Partitë dhe populistët

Nuk është kohë e mirë për partitë politike, në veçanti për ato me orientime tradicionale. Ikën kohërat në shtetet e vjetra demokratike, kur mund të bëheshin llogaritë mbi dy parti bazë - njëra social-demokrate, kurse tjetra më djathtas qendrës - që sundonin skenën politike.

 
Në shtetet e reja demokratike të botës pas-komuniste asnjëherë nuk u lindën të tilla sisteme dypartiake. Në kohën e sotme dy partitë më të mëdha rrallë mund të shpresohen se mbledhin dy të tretat e votave të zgjedhësve. Shumë shpesh u duhet të formojnë “koalicion të madh”. Votat e tjera copëtohen në shumë pjesë - nëse nuk do të shfaqet një forcë politike, që të shkëputet drejtpërdrejt përmes strukturash të vjetra partiake, duke zgjuar ndjenja popullore nacionaliste ose socialiste, apo kombinim të atyre dhe të të tjerave.

Tatëpjeta e partive pasqyron tatëpjetën e klasës. Proletariati i vjetër dhe borgjezia e vjetër kanë perënduar. Në vend të tyre ne shohim atë që ndonjëherë quhet “shoqëri e niveluar e klasës së mesme”, dhe pse me një elitë të rëndësishime të superpasanikëve nga njëra anë dhe të shtresave më të ulta të shoqërisë nga ana tjetër.

Është lëkundur pikërisht struktura e shoqërisë. Nuk ka kurrfarë grupesh sociale, në bazë të të cilave të mund të krijohen organizata të përhershme. Në njëfarë kuptimi, njerëzit janë, nga pikëpamja sociale, politikisht të pastrehë. Kjo do të thotë se interesat e tyre ndryshojnë sipas ndryshimit të situatave. Kjo do të thotë gjithashtu se ata nuk po gjejnë më strehim politik në partitë, por reagojnë ndaj situatave, gjendjeve të turbullta shpirtërore dhe para së gjithash, ndaj apeleve të ndjenjave, për të mos thënë ndaj emicioneve a zemërimeve.

Ky është kushti ku lulëzojnë populistët. Në disa raste ata janë individualitete të veçanta si presidenti Ugo Çaves (Hugo Chávez) i Venezuelës (dhe të tjerë liderë latino-amerikanë) ose ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni (Berlusconi). Më tepër ata hyjnë në skenën politike nga skajet, por ia arrijnë të formojnë një grupim shumë të personalizuar, si Jorg Hajder (Jörg Haider) dhe Partia e tij austriake e Lirisë, Zhan-Mari LePen (Jean-Marie LePen) dhe Nacionalistët e tij Francezë, Anxhej Leper (Andrzej Lepper) dhe Partia e tij Fshatare Polake ose kryeministri Robert Fiko (Fico) dhe Udhëheqja e tij në Sllovaki. Kësaj liste mund t’i shtohen shumë emra të tjerë.

Lista na flet për dy gjëra. Njëra prej tyre është ajo, se është një numër i habitshëm liderësh populistë që kanë mundur të vijnë në pushtet vitet e fundit. Sukesi i tyre pasqyron pavendosmërinë e elektoratit dhe, gjithnjë e më tepër, padrejtësinë e perceptuar të globalizimit dhe gjithashtu frikën e shumë njerëzve nga pakicat, emigrantët dhe të huajt në përgjithësi.

Këta populistë premtojnë zgjidhje, të cilat jepen si zakone apo norma të moderimit, dukshëm, të një politike demokratike centriste dhe internacionalizmi, i cili synon të promovojë paqen dhe prosperitetin. Ngandonjëherë shtron pyetjen, mbase po përjetojmë jo kaq fundin e historisë si fundin e historisë së iluminuar, ndoshta, të iluminizmit në vetëvete.

Por një shikim tjetër mbi listën e populistëve, gjithashtu, na flet dhe për një diçka tjetër: shumica e tyre nuk janë të përjetshëm. Nëse ata pranojnë zgjedhjet dhe rezultatet e zgjedhjeve, ata mund të ikin pothuajse kaq shpejt, saç erdhën. Votuesve nuk u duhet shumë kohë, për të zbuluar se premtimet e populistëve ishin boshe. Duke ardhur në pushtet, ata thjesht bëjnë/drejtojnë qeveri të keqe. Duke sjellë dy shembuj të paradokohshëm, polakët dhe sllovakët do ta kuptojnë së shpejti se qeveritë e tyre të reja populiste do t’u sjellin më tepër dëm se dobi njerëzve dhe vendit të tyre.

Padyshim, ky nuk është ndonjë ngushëllim kushedi se çfarë. Nga njëra anë, disa liderë populistë mund të mos pranojnë rezultatet e zgjedhjeve pasardhëse. Silvio Berluskonit iu desh një kohë e gjatë për të pranuar se kishte humbur. Përveç kësaj, episodet populiste janë shenja të një paqëndrueshmërie m’u në themel, që nuk i shërben as përparimit kombëtar, as nuk jep ndihmesë në rendin ndërkombëtar. Austria pagoi për interludin (ndërkalljen) e Hajderit, kurse Franca nuk pati kurrfarë përfitimi nga turi i fundit i zgjedhjeve mes presidentit Zhak Shirak (Jacques Chirac) dhe Lepenit në zgjedhjet e fundit presidenciale (shkrimi është botuar në gusht 2006 - përk.).

A ka ndonjë ilaç? Vitet e fundit, partitë politike kanë patur reputacion të keq në shtyp, dhe për këtë ka gjithfarëlloj shkaqesh. Megjithatë ato kryejnë vërtet funksion të dobishëm, duke lidhur interesat dhe problemet, ndërkaq duke siguruar element stabiliteti në sistemin politik.

Partitë ekzistuese duhet të rimarrin urgjentisht mbështetjen e qytetarëve. Që t’ia arrijnë kësaj, është e domsdoshme qartësi programore, ndershmëri organizative dhe të kuptuar të shqetësimeve të shoqërive, që kanë humbur strukturat e veta tradicionale. Ato struktura ikën përgjithmonë, por një rend liberalo-demokratik nuk mund të arrijë sukses me anën e një politike situative, e ndërtuar mbi pakënaqësinë popullore. Për atë, është e domosdoshme sensi i afatit të mesëm dhe një angazhim për debat racional të problemeve, përderisa një traditë, e cila mund të rimëkëmbet - tradita e të menduarit iluminist - është më e rëndësishmja nga të gjitha.

 * Sociolog, filozof, politolog dhe politikan gjermano-britanik. Autor i shumë librave dhe ish-Komisioner Evropian nga Gjermania, është anëtar i Dhomës së Lordëve të Britanisë (British House of Lords), ish-rektor i Shkollës së Ekonomisë së Londrës (London School of Economics) dhe ish-drejtor i Kolegjit të Shën Antonit (St. Antony’s College) në Oksford.

Përktheu: Vladimir Mustaqi

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama