Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ekzili masiv, strategji piramidale

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 10 vite më parë

Aleksandër Çipa
Ekzili masiv, strategji piramidale

Lajmi më i papritur dhe i rënë si “rrufe në qiell të pastër” ishte ai i tubimit të rreth 600 personave në Portin e Vlorës, me qëllim ekzilimin e tyre në vendet e BE-së.

Ishte një masë qytetarësh e ardhur nga zona periferike, rurale dhe që natyrisht i përkasin një perimetri të caktuar gjeografik në qarqet e Fierit, Beratit dhe Vlorës. Reagimi i Policisë së Shtetit dhe autoritetit portual, si dhe i Policisë Kufitare në mënyrë të veçantë, ishte i menjëhershëm refuzues dhe natyrisht edhe i gjendur para një situate të paparalajmëruar.

Është një tubim surprizë dhe tentativë e tillë edhe më befasuese. Për të nisur kjo tentativë, për t’u shpërndarë dhe për të krijuar një masë aq të madhe qytetarësh, ka dashur një kohë relativisht të konsiderueshme. Natyrshëm është dashur më shumë se dy apo tri ditë. Për këtë arsye, një lajm i tillë i qarkulluar jashtë vëmendjes së reporterëve lokalë, jashtë dijenisë së agjentëve lokalë të antikrimit e atyre të drejtorive të Policisë së Shtetit në qarqe, jashtë dijenisë dhe sidomos syçeltësisë së shërbimit inteligjent të vendit, të le hapësirë për gjithfarë dyshimesh dhe hamendësimesh. Natyrshëm edhe mendjelehti pranohet kur mund ta lidhë menjëherë me skenarë të mundshëm e të befasishëm, diabolikë e shpërthyes. Sikundër të shtojnë mundësitë për dyshime të reja, konspiracione të mundshme, si dhe për aludime politike e skenarë të cilët kanë të bëjnë në thelbin e tyre, me sigurinë, stabilitetin dhe sidomos vënien në provë të shtetit ligjor.

Ky lajm dhe ngjarja që lidhet me të, do të duhej të alarmonte së pari, gjithë sistemin zinxhir të institucioneve të sigurisë kombëtare.

Ky tubim ka peshën specifike dhe propagandistike të një “buum-i” antireklamë ndaj Shqipërisë shtetërore, besueshmërisë publike dhe sidomos asaj europiane ndaj vendit. Në mënyrë të veçantë, mund të konsiderohet një atentat i pastër ndaj autoritetit të qeverisjes dhe institucionalizmit ligjor e shtetëror në pikat kufitare të vendit.

Pas deklaratës së menjëhershme të Drejtorisë së Kufirit të Policisë së Shtetit, do të duhej të kishim gjatë 24 orëve reagime të vrullshme nga këshilli i Sigurisë Kombëtare, nga Komisioni Parlamentar për Mbrojtjen dhe Sigurinë Kombëtare, nga Ministria e Brendshme dhe natyrisht qeveria.

Po pse është e nevojshme që ky reagim zinxhir të bëhet i menjëhershëm dhe me forcë koordinuese?

Kjo duhet të ndodhë pashmangshmërisht, pasi në të kundërt, kërcënon besueshmërinë ndaj qeverisë dhe shtetit prej mediave ndërkombëtare dhe sidomos kancelarive të huaja e atyre fqinje. Një reagim kundër çdo tentative apo skenari dhe sidomos kategorikisht ndalimi i ekzilit masiv, duhet të bëhet jo për të privuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, por për të mos krijuar artificialisht një kthim pas, të autoritetit dhe besueshmërisë ndaj shtetit tonë. Nuk është kjo gjendja. Pas këtij skenari nuk duhet të kërkojmë të huaj e në asnjë mënyrë armikun brenda vetes, por të investigohet institucionalisht dhe në pistë të plotë ligjore se cilët dhe prej nga buron ky frymëzim apo ide për një ekzil masiv, i cili ka dy dekada e gjysmë që është lënë pas në historinë e re të shqiptarëve. Modeli se si dhe si u projektua për të ndodhur është i njëjtë me atë të trafikimit, të firmave piramidale dhe mashtrimit tipik abuziv me psikologjinë dhe mendësinë e turmës rurale e periferike. Në analizën e këtij lajmi tinëzar, nuk duhet të përjashtohet askush dhe natyrisht nuk mund të përfshihet gjithçka që krijon kontekste apo hamendësime me konfliktualitetin apo refuzimin tradicional mes pozitës dhe opozitës së sotme në vend.

Ekzili masiv i tentuar dje në qytetin portual të Vlorës, i iniciuar në rrethana plotësisht të pandriçuara dhe në kushte të një paralajmërimi plotësisht të munguar, ka një domethënie shumëplanëshe. Kjo tentativë e rrezikshme natyrshëm që mund të mbartë arsyen dhe qëllimin politik, por nuk përjashton edhe arsyen prej shkaqeve të brendshme që buron nga përditshmëria problematike dhe me mungesa, e qytetarëve që e dëshirojnë dramatikisht atë.

Tentativa e ekzilit masiv dje në Vlorë, ka vlerën dhe domethënien paralajmëruese për një përqendrim të qeverisë dhe transferim të vëmendjes së saj tek ajo vatër me rreze dhe perimetër që bashkon periferitë dhe zonat rurale në zonën me dendësi demografike të vendit, siç është Ultësira Perëndimore në Shqipërinë e Mesme.

Ky tubim fillestar duhet “zbardhur” se si dhe prej kujt u ideua, kush e nismoi dhe natyrisht, kush mund ta ketë organizuar, kush janë “agjencitë tubuese”, sikundër edhe cilët mund të rezultojnë si përfitues prej fillesës dhe ndodhisë së saj.

Kjo tentativë dhe lajmet pasuese që lidhen me fillimin apo qoftë edhe vijimin e mundshëm, mënyra se si dhe prej kujt u njoftua e u lajmërua, janë një skenar i qartë që godasin si një thikë me disa tehe, politikisht, besueshmërisht, në planin social, ekonomik dhe atë informal shtetin dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Tentativa dhe ndodhia prologuese e tij, kanë kuptimin e një strategjie tipike me firmat piramidale dhe me gropat e mëdha të informalitetit në epokën e këtyre dy dekada e gjysmë të tranzicionit shqiptar.

Kryeministri Rama dhe rrjeti i institucioneve larg dhe pranë tij, nuk kanë komoditetin të presin nga pozita vëzhguese apo pritëse. Kësi episodesh apo ngjarjesh që tashmë do të jenë objekt i trajtimit dhe analizës në mediat tradicionale, shpengueshmërisht në ato sociale dhe sidomos në gjuhën e debatit dhe polemikës partiake, shpesh janë pararoja e ndodhive trazuese ose paradhoma të krizave që burojnë prej shumë gjeneratorëve, politikë apo ekstrapolitikë. Vërshimi i nesërm apo i pasnesërm i këtij lajmi në mediat tona, ato të rajonit dhe sidomos ndërkombëtare, do të paraprijë shumë komente, do të shtojë edhe më skepticizëm, do të konsumojë shumë energji etj.

Pas këtij lajmi padyshim ekziston më shumë se një skemë dhe po shfaqen shumë më tepër se disa çështje. E para që duhet t’i lexojë rrufeshëm dhe t’i administrojë zotësisht është qeveria dhe institucionet e kësaj shumice parlamentare që ka konsumuar gati gjysmën e vitit të dytë të qeverisjes.

 

 

Gazeta Shqip

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama