Qeveria, në rrezikun e ndëshkueshmërive

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 6 vite më parë

Aleksandër Çipa
Qeveria, në rrezikun e ndëshkueshmërive

Aksion apo reformë është kjo që po bën qeveria kundër vjedhësve, abuzuesve dhe përfituesve të energjisë elektrike që shet korporata e rikthyer sërish nën administrimin e shtetit? Reformë apo shndërrim është sipërmarrja e INUK-ut për shembjen e objekteve të paligjshme në mjediset urbane, në qendra të ndryshme ndanë bulevardeve e trotuareve apo edhe në zonat bregdetare të vendit? Cili është dhe deri ku do të shkojë impakti politik e social i tyre? Etj., etj.

Në debatin dhe diskutimin mediatiko-publik për këto aksione të tejzgjatura në harkun kohor të një viti qeverisjeje, po ndahen dy palë në dy këndvështrime. Opozitarët, duke u shfaqur si avokatues të ligjshmërisë dhe të individëve e shtresave të prekura e të ndëshkuar në pikëpamjen sociale e atë ekonomike dhe pala pro-qeveri, si dhe fanatikë pozitivë kundër informalitetit dhe realitetit shqiptar të tranzicionit.

Tabloja padyshim që është edhe më komplekse. Pasojat gjithashtu mund të rezultojnë edhe më të tilla, sikundër edhe me mundësi apo delikatesë trazirash sociale. “Kampioni” i kësaj mundësie u shfaq në protestën masive të 22 nëntorit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilën opozita e vlerësoi dhe e përdori politikisht edhe për arsye të brendshme dhe si një koniunkturë ringritëse në marrëdhënie me publikun.

Sidoqoftë, kësi sipërmarrjesh të qeverisë “Rama” kanë pasur në heshtje një mbështetje prej mostrazimeve dhe gjenerimit të polemikave e debateve të brendshme. Fjala është që ndryshe nga kohë-përvoja e sipërmarrjeve të tilla, të ngjashme në qeverisjen e viteve 2000 me emrat kryeministrorë Nano-Meta, kur kryebashkiak i Tiranës ishte Kryeministri i sotëm Rama, tashmë ka mërguar “pengesa nga brenda”. Të paktën, në pikëpamjen partiake (!). Faktikisht kjo që po ngjet mund të quhet reformë me ndikim mbi mjedisin dhe pamjen e tij, por edhe në implementim të një mendësie të re për shoqërinë. Nënshtrimi ligjor duket se triumfon, ndonëse për mënyrën dhe procesin se si po imponohet ky realitet, ka debat e mospërputhje të mprehta, principiale, ideologjike dhe sidomos politike.

Qeveria e sotme po gjendet në një sipërmarrje të egër e të ashpër, me pasoja të sotme dhe sipas gjasave edhe të së nesërmes së afërt. Është një risk politik që bashkëjeton me profecinë që ka dy anë medaljeje: vetëndëshkimin dhe triumfin sipas vargut të Dritëroit te “Mundja e Lekë Dukagjinit” (E munda po sytë ç’më panë!). Gjer te mundja e plotë e mentalitetit të tranzicionit, gjer te triumfi i ligjshmërisë mbi traditën e paligjshmërisë, gjer te ngritja e ndëshkueshmërisë në nivelet sipërane të politikës dhe shtetarësisë abuzante të kësaj epoke, ka shumë për të bërë e … gjendet ndoshta një hapësirë humnerike që na ndan. Por ne po gjykojmë atë që po ngjet e atë që po jetojmë.

Mësymja e INUK-ut kundër godinave e mjediseve të investuara në mënyrë prepotente, në formë e mënyrë arrogante mbi mjedisin urban, kundër çdo logjike arkitekturale dhe sidomos përkundër çdo mundësie ndërhyrjeje për lejim të rikthimit në imazhin e rregulluar urbanistik, ka ende disa sfida.

Kjo betejë po rrezikohet në imazh, qoftë edhe nga disa pak raste të aktit selektiv apo edhe prej pritshmërisë për procedim ligjor. Komentet e shumë qytetarëve, mbi të cilët po shquaj njërin, atë të shkrimtares Miranda Haxhia për ndërhyrjen përgjatë trotuareve të Komunës së Parisit dhe mbi kioskat e ndërtimet vrastare tashmë të shembura, bëhen pjesë e një gjykimi më të pavarur përballë kontrastit të shembjes së të shumtëve dhe lënies të dikujt. (Nuk ka asnjë sqarim publik për murin e shkollës jopublike “Kristaq Rama” që ka zhdukur krejtësisht trotuarin te kjo rrugë). Ky është një rast nga Tirana, ka shumë pretendime të tjera në media dhe në rrjetet sociale që argumentojnë padrejtësinë e kësi selektimesh apo shmangiesh. Do të ishte dinjitoze që INUK apo sektorë mbështetës të këtij procesi të intensifikonin marrëdhënien e komunikimit me publikun dhe me mediat. Në grupin e reaguesve të besueshëm përfshihen edhe shumë juristë e një pjesë e mirë qytetarësh logjikë, të cilët ngrenë pyetje për koston financiare ende të panjohur të këtij procesi që po gjeneron një tjetër “odise të madhe” gjyqesh e ankimimesh nëpër gjykatat e vendit.

Kjo tablo kaq komplekse e një qeverie që kurajshëm i është futur betejës kundër paligjshmërisë natyrisht nuk ka vetëm subjektin e dukshëm, por më të ankthshëm, ka të padukshmin. Në gjithë format e veta informaliteti shqiptar postkomunist mbart pasoja dhe rreziqe ardhmërie. Çdo kundërmësymësi ndaj tij, i duhet të godasë njëkohësisht ato aspekte dhe brendi të shfaqura e të ngritura si regjim i patundshëm në jetën e vendit, sikundër edhe ndaj trashëgimisë e protagonistëve lejues të saj. Fjala është për ata ideatorë, themelues dhe mundësues, të cilët e shndërruan këtë model-monstër, në një strukturë tipike antisistem për krejt hapësirën dhe shoqërinë e sotme shqiptare.

Këtë kompleksitet, Kryeministri Rama duhet ta mirëmendojë e mirëstudiojë për të krijuar në tri apo katër muajt e ardhëm një rrethanë të re zgjidhëse për efektet e shumta dhe tensionuese që po krijon kjo reformë dhe aksioni kompleks e heterogjen i saj. Pasojat janë më të ndërlikuara dhe jo vetëm politike. Grupe të reja sociale dhe në nevojë do të gjenden padashur në ndjenjë antagoniste me qeverinë dhe ndoshta paaftësisë së saj për të shumëfishuar qasjet dhe zgjidhjet e lehtësimit social. Kjo është e mundshme edhe për arsye të realitetit rajonal dhe krizës globale, efektet e së cilës tashmë kanë mbërritur plotësisht në këtë vend.

Aleanca sociale e qeverisë me kësi shtresash duhet të mos vonojë e mënojë në kohën kur reformat kundër paligjshmërisë, informalitetit dhe abuzivizmit janë ende larg së qenë në pikun e tyre. Ky proces nuk mund të quhet ende rruga e pandalshme e reformës së qeverisjes Rama, pavarësisht se Kryeministri nuk shfaq evazivitet. Kohë dhe kapacitete të shumta penguese ka në horizont. Vështirësi dhe ankimtarë gëlojnë mes përditshmërisë me gjendje depresioni social e financiar në skajet e vendit. Këto të gjitha, për arsye të politikës, lehtësisht mund të orientohen të gjitha si antagonistë potencialë të qeverisë që po hyn në vitin e dytë. Këmbëngulja e Kryeministrit Rama, është e pakthyeshme, sikundër një shteg lehtësimi ai mund të gjejë vetëm ecjen dhe kujdesin për ngritjen e një piste, në të cilën të dhurojë zgjidhje sociale përkundër efekteve të mëdha sociale, të gjenerojë projekte mbështetëse, përkundër shembjes së projekteve të rrënjosura të paligjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë në kohën dhe epokën e tranzicionit tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama