Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bashkejetese apo aleance perkimesh ?

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Bashkejetese apo aleance perkimesh ?

Në të vërtetë, ne jemi një treg i vogël, ku indikacionet prej tregut global janë disi të çuditshme. Herë konstatohet se vijnë në kohë të rrufeshme dhe herë në kohëvonëse. Janë shumë arsye dhe faktorë që përcaktojnë këtë paradoksalitet ndikimesh. Për këtë arsye, shpesh ajo pjesë e shoqërisë civile që është më aktive, bëhet mirëfilli përcjellëse e drejtpërdrejtë e korrentit dhe idesë akute, që përjeton kontinenti ynë dhe bota globale. Për këtë shkak, shpesh mediat dhe kjo kategori e shoqërisë, krijojnë një lidhje reciproke, sa ka çaste kur duket se humbasin kufirin dhe përcaktueshmërinë përballë njëra-tjetrës. Diçka të tillë e perceptova përkohësisht nga pozicioni i përfaqësuesit të mediave në vitin 2005, kur vendi u përfshi në aktin elektoral kalendarik që do të mbartte edhe rotacionin e pushtetit politik.

Në këtë cikël elektoral u sigurua një event politik, i cili pati si aktorë, dhe pse jo, edhe si protagonistë, një pjesë të mirë të shoqërisë civile, e cila shfrytëzoi jo vetëm aksionin e drejtpërdrejtë vizionues, por vuri në shfrytëzim si infrastrukturë ndikimi, një pjesë të rëndësishme të mediave të vendit. Ky mekanizëm u përdor me efikasitet në afirmimin e saj, aq sa në atë sezon elektoral na u duk se shoqëria civile e suportuar fuqishëm prej mediave do të bëhej pjesë integrale e qeverisjes. Fragmentarisht kështu ndodhi. Por jetëgjatësia e kësaj përshtypjeje ishte fare e shkurtër dhe për rrjedhojë edhe fryti i imazhinuar i kontributit qeverisës të shoqërisë civile rezultoi vetëm një utopi apo iluzion naiv.

Prej asaj kohe, as ky element i shoqërisë civile nuk na ka dhënë shpjegime dhe një refleksion të posaçëm sqarues se pse ndodhi largimi nga qeverisësit apo qeverisja, e as mediat nuk e kanë

fokusuar siç duhet këtë eksperiencë.

Sidoqoftë, ky rast, shpreh më së miri dhe drejtpërdrejtë një eksperiencë shqiptare të marrëdhënies specifike të shoqërisë civile me mediat. Edhe rasti që përmendëm ekspozon oportunitetin që ngjizet në marrëdhënien e tyre apo në konjukturat e ndërsjella.

Raste të tjera dhe përditshmëria rrjedhëse nëpër vitet e këtij tranzicioni të demokracisë së afirmuar, por të vështirëpjekur, përbëjnë një përvojë eksplicite të marrëdhënies së ndërsjellët.

Shumica e përfaqësuesve më të zëshëm të mediave shqiptare, pra shumica e të quajturve profesionistë të mediave, kanë një përvojë vetjake dhe komunitare të vlefshme për t‘u përcaktuar si kontribut i shoqërisë civile. Në planin e parë, ky kontribut shpesh ka marrë formën e aksioneve civile, siç ka qenë për shembull rasti i të ashtuquajturit "Aksioni Civil" apo rasti i bashkangazhimit në tubime masive me organizatën MJAFT, gjatë edicionit të parë të saj. Natyrisht këto raste dhe shumë të tjerë të papërmendur, shprehin më së miri konstatimin tonë se ndoshta kanë munguar e mungojnë idetë, por nuk mund të thuhet se ka munguar angazhimi, reagimi dhe veprimi konkret i shoqërisë civile.


***

I famshmi politolog spanjoll, Ortega Gasset, dikur, duke i marrë mikrofonin një oratori, iu drejtua publikut me këto fjalë: I miri Zot ka nevojë për këta ‘çmendimtarë‘. Natyrisht në një këndvështrim dhe arsyetim qasues do të doja të ngrija retorikën time se pse sot mes shoqërisë civile dhe mediave nuk po funksionon mirë mekanizmi kontribuues për shkëmbime dhe prurje idesh?

Shumëkush prej nesh, mbetet në të njëjtin konstatim se shoqëria jonë vuan një regjim varfërie, jo vetëm në kuptimin sociologjik. E kam fjalën për regjimin e varfërisë së ideve dhe të lëvizjes ndryshuese. Ose e thënë ndryshe për shtimin cilësor të repertorit të ideve. Ky është një mision përbashkues mes mediave dhe segmenteve të shoqërisë civile të një vendi, i cili është në përpjekjet e vonuara të sendërtimit të demokracisë. Të dy këta faktorë kontribuues në demokraci, janë pjesë e një bashkëjetese me ndërsjelltësi. Duke iu referuar përvojës sime vetanake dhe komunitare, do të doja ta sillja refleksionin tim në një ndërdhënie të paorganizuar mes dy kategorive, pra shoqërisë civile dhe mediave. Si kryesues i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, organizata më aktive në kërkim të të drejtave të komunitetit profesional dhe përmirësimit të statusit ligjor të tyre, në tregun mediatik, kam ndjerë shpesh qenien vetanake në të dyja përkatësitë. Kur kam dalë publikisht në cilësinë e kryetarit të Unionit të Gazetarëve, natyrshëm kam përjetuar ndjesitë e përfaqësuesit të shoqërisë civile, pra të një organizate sindikale gazetarësh. Kam protestuar dhe kam formuluar drafte kërkesash dhe projekte kontratash të panënshkruara, për veten dhe kolegët e mi. Natyrisht kam pasur solidaritetin dhe mbështetjen mediatike, entuziazmin dhe përkrahjen, deri edhe falënderimin. Sikundër kam shijuar trishtimin e trashëguar për drojën prej pushimit arbitrar nga puna prej pronarit si dhe pashmangshmërinë e fatit vijues të tranzicionit tonë, si informalitet punëdhënieje dhe punëmarrjeje. Kam shijuar formulën e Ortegës: "Jemi të shtrënguar të jemi të lirë" si ekuivalente të një fraze tjetër të tij, "jemi të shtrënguar të jemi persona". Dhe kam jetuar në trishtimin e të ndjerit person në fat social të ndenjur. Natyrisht kjo ka lidhje me situatën kritike të procesit ende të palëvizur të vetërregullimit. Ky proces në mediat shqiptare është i vonuar dhe i penguar. Shkaqet janë të shumta dhe në situatën kritike në të cilën ndodhet ky komunitet profesional, kërkohet koordinimi me vetveten dhe me strukturat e shoqërisë civile. Kontekstet e veprimtarisë dhe aksioneve që realizon në misionin e vet kontribuues shoqëria civile, nuk e përjashtojnë këtë proces jetik për mediat dhe për komunitetin e gazetarëve profesionistë të vendit. Në këtë kuadër, shpesh jo vetëm i jemi referuar reagimit publik të shoqërisë civile kundër informalitetit dhe sistemit kanceroz të "punës në të zezë", por e kemi pohuar kaq publikisht nevojën për solidaritet dhe veprim koalicionist.

"Demokracia është sistemi që ka provuar dhe provon veten si më i mirë, më statiku dhe më i afti, pikërisht pse ka ditur të ruajë të sigurt brenda vetes lulëzimin e farës së dyshimit dhe kritikës", - shprehet sociologu gjerman Ralf Dahrendorf. Ne e dimë se shoqëria civile është një strukturë që e ka pozitiv instinktin "e dyshimit dhe kritikës". Ky aspekt përkon me misionin dhe kontributin universal që kanë gazetarët e për rrjedhojë edhe mediat. A mund ta shndërrojmë këtë përputhshmëri në vlerë koordinimi? Natyrisht që po. Në shoqërinë e hapur kjo është mundësi preventive dhe bashkëjeton me suksesin veprues. Shumë herë, strukturat e shoqërisë civile shprehin interesa madhore, madje kontribuojnë konkretisht për atë që është quajtur shpikja e avokatit Danton "sovraniteti i publikut". Mediat dhe shoqëria civile në këtë plan kanë gjithëherë përputhshmëri, i përkasin të njëjtit ideal dhe janë luftëtare të së njëjtës kauzë. Në këtë alternancë dhe përputhshmëri, mediat dhe kjo pjesë e shoqërisë gjenerojnë dhe garantojnë gravitetin e demokracisë, pra lëvizjen pozitiviste dhe risuese të shoqërisë.

Shpesh denoncimet apo afishimet publike të realizuara nga segmente të institucionalizuara të shoqërisë civile si MJAFT, Zyra e Mbrojtjes së Qytetarëve, ACAC, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, etj., etj., kanë kontribuar në shtimin e kurajës dhe të kontributit misionar të mediave në shoqëri, ky solidaritet ka shumëfishuar prirjet dhe kërkesat për të shtuar standardin dhe për të fituar ritëm të ri. Madje në jo pak herë sintonia objektive e mediave me shoqërinë civile, kanë ndikuar në shmangien e devijimeve kushtetuese, principiale dhe përdorimin e institucioneve për llogari autoritetesh dhe protagonizmash. Në këtë bashkëjetesë, natyrisht që konstatohen edhe probleme. Në të dyja këto struktura të shoqërisë së lirë, shfaqen apo ngrenë krye indulgjencat dhe tendencat për trafik negativ influence. Mediat më me ndikim në tregun tonë, tashmë janë posedim i grupeve të ndryshme të interesit, të politikës dhe të biznesit. Ndër të tjera është edhe kjo arsye që shpesh mediat zhgënjejnë qytetarët dhe adhuruesit e tyre, sikundër edhe shoqëria civile bie pre e nepotizmit apo ndikimit në aksionin dhe reagimet e veta për shkak të posedimeve mediatike.

Megjithatë, shoqëria civile, përmes protagonistëve dhe aktivistëve të saj më aktivë, është sot një bashkëpunëtore e medias dhe e shtypit në tërësi. Ajo është përcjellëse e parë e korenteve të demokracisë dhe sistemit të përbotshëm, sikundër edhe aleatja e parë e mediave për çështje të së drejtës. Kjo aleancë mjafton për një kontribut të shëndoshë, në raport me misionin për një shtet të së drejtës dhe të qytetarit. Me shtimin e këtij bashkëpunimi, arrihet të lehtësohet trishtimi dhe pezmi i njohur i Jevtushenkos, i cili kur e pyeti një plak se cila është drejtësia për të, plaku iu përgjigj: "Unë nuk e kam ndeshur ndonjëherë Drejtësinë, por drejtësia më e madhe është lufta për drejtësinë…". Mediat dhe shoqëria civile shqiptare janë në reminishencën e tyre me këtë fabul, pasi siç do të konstatonte Fareed Zakaria te libri "E ardhmja e LIRISË": "Ne gjendemi sot në përpjekjen midis liberalizmit kushtetues dhe demokracisë". Tensioni midis liberalizmit kushtetues dhe demokracisë përqendrohet te gjerësia e autoritetit shtetëror. Liberalizmi kushtetues është për kufizimin e pushtetit; demokracia është për akumulimin dhe përdorimin e tij...".

E kuptojmë të gjithë se sa e vështirë është sfida për këtë aleancë mikse, pasi ndërsa për shoqërinë civile është eminent rreziku i trafikimit të influencave të interesit, për mediat kancerogjene është censura dhe autocensura në informalitet.

* Refleksion përkitës me konferencën "Demokracia jashtë votës" ose pasim i shkrimit të kolegut Mustafa Nano

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama