Opozita eshte jashte pistes

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 6 vite më parë

Aleksandër Çipa
Opozita eshte jashte pistes

Ajo që ngjau dhe sidomos ajo që zhurmoi pas vizitës së Kryeministrit Rama në Beograd, mund të karakterizohet edhe sipas vargut të nobelistit grek, Odisea Elitis: “E rëndë bota ta jetosh, por për pak krenari ia vlente”.

Tashmë në Tiranë janë çështje dhe probleme të tjera. Qeveria e Kryeministrit Rama është në një udhë qeverisjeje ku spikat në dukje dhe, herë-herë edhe në brendi, vendosmëria për rikthimin e autoritetit të ligjit. Kjo vendosmëri po atakohet prej zërave të lirë dhe disa asosacioneve për tendencën e një autoriteti arbitrar ndaj së drejtës juridike apo edhe të prezumimit të “po”-së apo “jo”-së ligjore për raste shembjesh të ndërtesave prej INUK-ut. Kjo natyrisht përkon me aksionin sfidant për lirimin e hapësirave publike, të ikjes nga shëmtia urbane dhe informale si dhe për të krijuar së paku, jo vetëm estetikë urbane, por edhe një fasadë funksionale ndanë bulevardeve dhe mjediseve publike.

Zhurma për këtë aspekt po bëhet e madhe dhe në jo pak momente mbetet në atë modelin atipik shqiptar, ku kufiri mes së ligjshmes dhe vendosmërisë qytetare për të tejkaluar informalen është shumë e ngatërruar. Në këtë qasje, herë me të drejtën e principit dhe herë me qëndrimin absurd të solidaritetit me trashëgiminë informale, bien edhe mediat e kolegët e opinionbërjes të ndarë, si në kohë të ashpra të tranzicionit postkomunist, sa majtas edhe aq edhe djathtas. Në këtë ndarje atmosfera dhe debati publik po ripolitizohet dhe po mbarset me masën e padurueshme të antagonizmit agresiv. Në krye të kësaj tendence rishquhet ish-kryetari i PD-së, ish-kryeministri Berisha, politikani që edhe për shkak të mandatit të deputetit, po e refuzon kategorikisht pleqërinë politike, duke dashur të imponojë refuzimin dhe kundërshtinë patologjike ndaj gjithçkaje që bën kjo qeverisje. Kundërshtia politike e tij ndaj Kryeministrit Rama, nuk është vetëm thjesht e një protagonisti apo personazhi me histori të rrallë politike. Sjellja dhe pozita e tij individuale është e mbështetur gjithaq nga një infrastrukturë dhe mbështetje me skalione, që dukshëm po riorganizohet dhe investohet për ilaritete dhe sulme intensive politike. Rasti dhe pozicionimi më skandaloz e qesharak  i opozitës është ky i tanishmi me vizitën e Kryeministrit në Beograd. As ish-kryeministri Berisha dhe aq më pak as ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, nuk mund të konsumojnë nevojën e qëndrimit zyrtar të PD-së për një vizitë të tillë që thyen tabunë e kalendarit të munguar serbo-shqiptar.

Mësymja në shtim për ilaritet dhe refuzim prej opozitës së zotit Berisha, po synon të plotësojë si në hapësirën virtuale, perceptimin e ri për një krizë shumëplanëshe që mban apo ka mbërthyer pandreqshmërisht, vendin dhe këtë shoqëri.

Në përballje me këtë kundërshtar të nënvleftësuar në shfaqje, koalicioni i së majtës në qeverisje kryesuar prej Kryeministrit Rama, problemin më të madh e ka në thellësi të vetes dhe në brendi të funksionimit të administratës së saj bipartiake.

Pasi ka kaluar viti i parë i qeverisjes, imazhi i Kryeministrit është plotësuar me kujdes dhe ka fituar simpati diplomatike e partneritet në mjedisin ndërkombëtar. Mirëpo “mola” në mjedisin e brendshëm politik, nuk ka kursyer kohë dhe asgjë tjetër, për të mavijosur e mbishquar pakënaqësinë jo vetëm sociale, por edhe atë politike brenda llojit. Beteja për rikthim të ligjshmërisë, për autoritet dhe forcë të institucioneve të rendit dhe sigurisë, për autoritet shtetëror po zhvillohet në një mjedis me dasi të thella. Kjo betejë ka edhe hise të madhe prej bllokimit dhe tensionit ndërinstitucional. Pakënaqësia nga majtistët e papërfshirë në pushtet e administratë dhe pakënaqësia nga elementët e standardit të dyfishtë brenda koalicionit PS-LSI, po merr përmasën e një sëmundjeje të frikshme. Por pakënaqësi ka edhe brenda deputetëve të koalicionit në Parlamentin ku mungon opozita e udhëhequr nga doktor Berisha dhe me moderator kryetarin Basha.

Në këtë tablo të skenës politike, Kryeministri Rama duhet t’i ikë dëshirës dhe investimit të fundit të doktor Berishës për udhëtim në pistën e preferuar të konfliktit dhe krizës së bojkotit. Tejzgjatja apo mbyllja në kohë e bojkotit të opozitës nuk është detyrë apo dëshirë e Kryeministrit Rama.

Ky bojkot opozitar zvogëlon mundësinë reformuese të opozitës. Shkakton pësimin e konsumimit të një kohe jo për projekt të ri, por për sjellje dhe luftë të vjetër, sikundër ekspozon negativisht si në pakontroll, qeverisjen e zotit Rama. Po ngjet në një këndvështrim, ajo që ngjau dikur me opozitën e majtë. Këtij vendi po i shkaktohet tranzicion e nuk po i konsumohet koha e tejzgjatur e tranzicionit. Në këtë mekanizëm po injorohet padrejtësisht përgjegjësia politike që rrjedh prej mandatit për mandatin e besuar nga sovrani. Ilariteti dhe akuzat populiste të shpërndara së pari si direktiva nga ish-kryeministri Berisha, por qesharakëzojnë opozitën dhe shembin pa nisur idenë e ristrukturimit dhe reformimit të saj. Po iket nga substanca e konstruktivizmit, të cilin e karakterizon çdo establishment që është njëra pjesë e rotacioneve qeverisëse të vendit, si dhe e përball imazhin e vendit me kontinentin dhe qendrat politike ndërkombëtare si marrëdhënie me një vend të vogël që nuk e braktis  trashëgiminë tribale nga ajo partiake. Për këtë arsye, opozita e futur në “rrethin e rritjes” prej atit politik Berisha, ka humbur rrugën dhe qeveria zotëron dhe sheshin edhe përsheshin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama