Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbi takimin Rama- Vucic

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Lubonja
Mbi takimin Rama- Vucic

Nuk është e lehtë të japësh një mendim objektiv për takimin Rama-Vuçiç në Beograd, kryesisht për shkak se mediat e gazetarët shqiptarë që kanë asistuar atje i gjej tejet të njëanshëm; po ashtu nuk kam mundësi të lexoj edhe ato që shkruan shtypi serb për të kundërbalancuar; ndërkaq, ai ndërkombëtar, paradoksalisht, ka qenë shumë më pak i interesuar sesa me rastin e ndeshjes. Por, nga sa kam ndjekur deri tani, mendoj se e kam një gjykim pak a shumë të konsoliduar përsa i përket pyetjes se përse shkoi Rama në Beograd.


Nëse përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është se Rama shkoi në Beograd për të punuar për bashkëpunimin midis dy vendeve në emër të një të ardhmeje europiane, për të na ulur gjakrat edhe pas asaj që ndodhi në Beograd, për të ndihmuar bashkëjetesën e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan me të tjerët, atëherë zor se mund të jesh entuziast për takimin. Jam më shumë i mendimit të atyre që thonë se takimi ishte një vazhdim i tifozllëkut nacionalist të ndeshjes Serbi-Shqipëri sesa një reflektim pas ndeshjes. Si konfirmim të kësaj kemi qoftë reagimet nacionaliste të mediave në Tiranë e Prishtinë, qoftë reagimin e Presidentit serb Nikoliç e të shtypit nacionalist serb me fotot lakuriq të Ramës, deklaratën e vetë Vuçiçit, i cili tha se ishte një rast i humbur, qoftë situatën e nderë që u krijua në Preshevë, qoftë reagimin në Mitrovicë e Graçanicë, ku dhjetëra serbë dolën e paralajmëruan protesta si reagim. Kemi edhe “Washington Post” që shkruante se shkrirja e akujve mes dy vendeve nuk zgjati as sa një konferencë shtypi.


Pse shkoi Rama në Beograd


Nuk kam qenë brenda për të dëgjuar takimin kokë më kokë, por ajo që pashë jashtë më tregoi se ai takim nuk ka qenë një dialog i hapur, i sinqertë, por takimi i dy liderëve të ndodhur në sanduiç midis ndërkombëtarëve, (për të cilët ata kanë aq shumë nevojë), që bëjnë thirrje për bashkëpunim e ulje në dialog dhe nacionalistëve të frustruar në vendet e tyre, që bëjnë thirrje për urrejtje deri edhe vrasje të armikut. Sipas gjykimit tim, të kërkosh të punosh për një të ardhme ndryshe midis popujve shqiptarë dhe serbë do të thotë të kesh guximin të çlirohesh nga frustrimet nacionaliste më së pari si lider dhe pastaj të kërkosh të çlirosh edhe popullin tënd. Rama, ashtu sikurse Vuçiç, dështuan kësaj here duke treguar se kanë zgjedhur atë më të lehtën: kalërimin e këtyre frustrimeve. Ata u bënë më së shumti shprehës të këtyre frustrimeve duke i veshur me një aparencë që erdhi kryesisht në sajë të gjuhës së dyfishtë që janë të detyruar të përdorin për shkak të gjendjes në sanduiç.


Pse janë serbët të frustruar e gjen goxha mirë të shpjeguar edhe në mediat shqiptare. Janë të frustruar sepse kanë dalë humbës nga gjithë ajo çka bënë në ish-Jugosllavi; sepse i ka dënuar e gjithë bota dhe këtë nuk e kanë përtypur dot si përgjegjësi të tyre. Lidhur me shqiptarët janë të frustruar sepse humbën Kosovën, pasi u bombarduan nga NATO dhe se nuk mund ta pranojnë që shqiptarët, të cilët i kanë konsideruar gjithnjë inferiorë, të triumfojnë mbi ta me ndihmën e Europës. Vuçiç i ka fituar votat dhe pushtetin duke shfrytëzuar pikërisht këtë frustrim, prandaj zor se do të ishte i gatshëm të kërkonte ndjesë edhe publikisht për thirrjet “vrasje shqiptarëve” që lëshuan tifozët e tij radikalë, siç do të duhej të kishte ndodhur.


Po shqiptarët pse janë të frustruar, aq më tepër tani që kanë fituar edhe Kosovën ndaj serbëve? Sepse historikisht janë sakrifikuar nga më të fuqishmit pasi nuk kanë pasur peshë në rajon. Sepse nuk qenë në gjendje të luftonin për shtetin e tyre, por ua bënë shtetin më së shumti dhuratë Fuqitë e Mëdha (edhe me Kosovën u përsërit kjo histori); se ata që mbetën jashtë kufirit kanë jetuar të frustruar pasi janë trajtuar me racizëm nga popujt sllavë që ndiheshin superiorë. Sepse kanë qenë dhe kanë mbetur shteti më i dobët në Ballkan dhe popullsia më e varfër. Po të lexosh me vëmendje shtypin shqiptar të para vizitës së Ramës, thuajse të gjithë e shprehin këtë frustrim duke pretenduar se tani nuk jemi më ata inferiorët, se tani jemi superiorë ndaj serbëve, se Rama nuk shkon sot me sindromën e Hoxhës kur shkoi në Beograd si vasal, se tani jemi në NATO. Se ne jemi më afër Europës sesa serbët e të tjera si këto.


Rama shkoi në Beograd edhe për të konfirmuar këtë “superioritet” të shqiptarëve ndaj serbëve, për t’u bërë pra zëdhënës i këtij frustrimi që me fjalë të tjera mund të quhet kompleks inferioriteti i pakapërcyer. Dhe sipas meje, nuk duhej të shkohej me këto mendje, se kush është superior e kush inferior, se kush do të fitojë e kush do të humbasë si në një ndeshje futbolli.


Kësisoj, takimi me Vuçiçin për Ramën them se i shërbeu më së shumti thjesht si një paradhomë nga ku doli në skenë për të bërë deklaratën që bëri për Kosovën e për të cilën ai duhet të ketë qenë i vetëdijshëm se do të shkaktonte atë reagim. Ajo deklaratë ishte kulmi i vizitës ashtu siç ishte droni kulmi i ndeshjes së futbollit, duke tjetërsuar qëllimin e vizitës, ashtu si droni tjetërsoi qëllimin e ndeshjes. Të gjitha të tjerat do të harrohen.


Nuk dua të them me këtë se Rama duhet të mbante heshtje për Kosovën, sepse, nëse marrëdhëniet me Serbinë janë këto që janë, dihet se kjo vjen kryesisht për shkak të Kosovës. Por ai tha një fjalë fatale sipas meje, që është pikërisht e kundërta e asaj që duhet të thuhet kur kërkohet dialog midis palëve konfliktuale. Duke folur mbi Kosovën ai tha se qëndrimet i kemi të ndryshme, por realiteti është një dhe i pamohueshëm. Mirëpo dialogu kryhet pikërisht pasi ka dy palë që shohin apo interpretojnë ndryshe një realitet. Vetë fakti që Kosova është njohur nga 108 vende dhe jo nga të gjitha vendet e Kombeve të Bashkuara (ndër to edhe shtete të fuqishme si Kina e Rusia) tregon se ka vende që këtë çështje e shohin ndryshe dhe sigurisht që në krye të tyre do të jetë Serbia. E përsëris thënien e Jaspersit që kam cituar edhe në shkrimin tjetër: “Tragjedia fillon atëherë kur të dyja palët e identifikojnë veten me të vërtetën”. Arti i dialogut është pikërisht respektimi i të vërtetës së tjetrit edhe kur nuk je në një mendje me të. Ja pse duhej gjetur një gjuhë tjetër, që kjo të mos merrej si provokim. Sikurse tha gazetari Buzhala, edhe vendet perëndimore ia thonë privatisht Serbisë një gjë të tillë dhe jo publikisht. Edhe Rama mund t’ia thoshte privatisht Vuçiçit, kurse publikisht mund të mjaftohej me pak fjalë, duke deklaruar se kemi qëndrime të ndryshme, nuk jemi marrë vesh, por besojmë dhe shpresojmë se vizioni për të ardhmen e përbashkët në Europë do të na ndihmojë të gjejmë zgjidhjen më të mirë për të dy popujt. Ndërkaq, ajo që tha Rama nuk u duk si rezultat i çka ishte biseduar sinqerisht atje, por si një deklaratë e përgatitur për t’u thënë, pavarësisht se çfarë ishte biseduar, që të merrte votat e tifozerisë nacionaliste shqiptare apo që të mos i thoshin se vajte në Beograd për të shitur Kosovën.


A ishte provokim ajo që tha apo jo? Pyetja shtrohet: kush e përcakton se ç’është një provokim, ai që e bën apo ai që e pëson? Sipas meje, ai që e pëson, kurse ai që nuk e di apo bën sikur nuk e di se po bën një provokim, ose është budalla, ose është i painformuar, ose është shejtan-budalla. Dhe, sipas meje, nuk lahet kjo duke i thënë Vuçiçit: hajde ti në Shqipëri dhe thuaj çfarë të duash e ne nuk do të ta quajmë provokim. Po pse ia paskemi ne borxh Vuçiçit që të vijë të thotë çfarë i pëlqen kundër shqiptarëve? Pastaj, a nuk e quajtëm ne deklaratën e Irineit në Tiranë provokim dhe gati e mbytëm Janullatosin që e ftoi? Dhe a nuk u bë edhe Rama dora vetë një nga protagonistët e sulmit ndaj Janullatosit për këtë? Prandaj them se kanë të drejtë ata që thonë se takimi ishte vazhdim i ndeshjes së futbollit me mjete të tjera. Rezultatin e kësaj ndeshjeje, sipas tifozëve shqiptarë, e gjeje duke lexuar kronikën që na erdhi nga Beogradi nga Andi Bushati, sipas të cilit Rama kishte hedhur në Beograd një dron të dytë, që për shqiptarët do të thotë një afirmim të krenarisë kombëtare, kurse për serbët një provokim dhe poshtërim mu në zemër të Serbisë. Duke parë edhe ekzaltimin e Bushatit që vinte në dukje epërsinë “europiane” të Ramës mbi homologun e tij serb; këtë 3 – 0 që Rama i paska shënuar Serbisë, mund të thuhet se Rama do të kthehet në Shqipëri krenar dhe do të pritet siç u prit Lorik Cana me fitore në xhep. Por, për rezultatin e ndeshjes, duhet të presim vendimin e “UEFA-s”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama