Tirana mesdhetare, Beogradi polar

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 6 vite më parë

Aleksandër Çipa
Tirana mesdhetare, Beogradi polar

Ta poshtërosh tjetrin për atë që s’e ka! Përmes këtij konstatimi duhet t’i jepet fund debatit apo diskutimit aq euforik që kaploi mediat dhe rrjetet sociale në shqip, pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama në Beograd. Mirëpo kjo ngjau për herë të parë në Serbi, në kryeqytetin e saj Beograd dhe nga Kryeministri i Shqipërisë së vitit 2014: “Kosova e pavarur, e njohur deri më tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga gjykata, është realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian … E të jemi të vërtetë deri në fund: pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm dhe e ka kthyer në strategjik bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe serbëve. Çdo perceptim i ri i Serbisë është më se i mirëpritur. Ne e çmojmë dialogun Kosovë-Serbi. Ky dialog është një sukses europian”. Kësaj deklarate, Kryeministri i po këtij viti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, iu përgjigj: “Së pari nuk kam pritur një provokim nga Rama dhe që do të flasim për Kosovën, nuk e di ç’lidhje ka me të. Unë nuk do të lejoj askënd ta ulë Serbinë këtu në mes të Serbisë. Më vjen keq që zoti Rama ka shfrytëzuar këtë rast të flasë për tema që nuk kemi rënë dakord që do të flasim, por unë mendoj që Serbinë nuk do ta ulë askush”.

Cilësimi provokacion nga Kryeministri serb, mesa duket mbetet i vetmi mjet reagues ndaj një realiteti që ka emrin Kosovë, të cilin Serbia e ka pranuar tashmë si të imponuar dhe jo të vetëpranuar përgjatë 10 vjetëve të fundit.

Matanë kësaj çështjeje në takimin bilateral Rama-Vuçiç, ka pasur mbi 55 minuta bisedë e diskutim për çështje të cilat mbesin ende të panjohura specifikisht, por që janë raportuar në axhendën e vizitës.

Realiteti politik dhe ai i marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Serbi mbetet ende i ngarkuar me pasione dhe me ftohtësi zyrtare. Beogradi jo vetëm duket, por mbart në sjelljen dhe relacionet diplomatike me Tiranën, sjelljen dhe mentalitetin e traditës së vet. Diçka e huazuar dhe e mbajtur në fuqi si ftohtësi, madje me ngjashmëri polare, përballë një gatishmërie dhe shtyse kapërcimi, prej Tiranës mesdhetare. Ky kontrast mes kryeqyteteve politike të dy vendeve nuk është i tillë në planin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare. Madje vizitës së Kryeministrit shqiptar pas 68 vjetësh në Beograd, kohën më të madhe ia mori Forumi Ekonomik Serbi-Shqipëri. Ndërkohë që në marrëveshjen e nënshkruar me prezencë të delegacioneve të të dyja vendeve u përfshinë doganat dhe aspekte të reciprocitetit ekonomik e tregtar, si dhe në fushë të investimeve.

Ekonomia dhe shkëmbimi tregtar mes dy vendeve e ka tejkaluar me kohë gjendjen dhe trashëgiminë e politikës konfliktuale dhe antagoniste. Në një lloj mënyre, ky tejkalim ose e ka injoruar me kohë provokimin që pësoi dje Kryeministri Vuçiç, ose e ka të qëllimshëm kontrastin mes ekonomisë e politikës.

Kryeministri Rama, në sjelljen dhe atë çka artikuloi politikisht dhe diplomatikisht në Beograd, dëshmoi dhe fitoi një rol e nivel të ri të diplomacisë shqiptare. Dha zërin e munguar të një Kryeministri shqiptar në Beograd për një normë të lartë reciprociteti. Diçka e tillë në kohën e shkuar të diplomacisë sonë ka qenë dhe është dëshmuar vetëm si mungesë.

Udhëtimi i Kryeministrit Rama drejt Luginës së Preshevës, takimet dhe kërkesat që paraprinë këtë udhëtim në Beograd, për më shumë kujdes dhe përkushtim ndaj shqiptarëve në këtë rajon, janë aspekti tjetër kurajoz i qeverisë së Shqipërisë për të mos lënë më në fuqi dhe poshtërueshëm margjinat e interesimit shtetëror ndaj pakicave shqiptare jashtë kufijve shtetërorë.

Në gjithë performancën, por më së shumti në atë çka artikuloi dje në Beograd, Kryeministri Rama ka fituar sfidën për të krijuar një perceptim të ri për Kryeministrin e Shqipërisë në kohë dhe në raport me rajonin. Deklarimet e tij lanë shijen e të thënave prej një politikani të Brukselit. Madje në perceptim të drejtë, mund të thuhet se rolin e moderatorit pranë të zotit të shtëpisë ku gjendej si vizitor, për një Ballkan që i është përcaktuar fati i integrimit europian, e mori vetë dhe qartësisht, mysafiri.

Pak kohë më parë, komisioneri për Zgjerimin, i larguari Stefan Fyle, në letrën e lamtumirës shprehte besimin … “që Serbia do të jetë e aftë t’u përgjigjet sfidave kryesore dhe të vazhdojë të luajë një rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor”. Ky rol i pretenduar si trashëgimi e Europës zyrtare për shtetin ballkanik në adresë të rajonit, duket se tashmë ka ardhur në kohën për të pasur jo vetëm rivalë, por edhe pretendentë për rotacion shteti prijëtar në Ballkan, e jo për të lënë në fuqi një trashëgimi që ka humbur vlerën e simbolikën e cilësimit testament. Është mundësia për të çmuar atë që prej gati dy dekadash e pohojnë përsëritshëm në gjuhën e diplomacisë dhe politikës integruese përfaqësues të shumtë të Perëndimit dhe BE-së. Shqipëria mund të shtojë në historinë e re të rajonit një kohë dhe qasje sjelljesh të reja. Kryeministri Rama ia ka dalë dje ta fitojë vëmendjen dhe simpatinë e opinionit rajonal e atij europian, për një Shqipëri së cilës i shkon kostumi i faktorit dhe aktorit luajalist, sikundër edhe roli i shtetit që së drejtës së vet, i pranëvë kurajën dhe rolin e të qenët, pa kompleks e pa drojë.

Absurdi i diplomacisë mes dy vendeve tashmë nuk ka për brendi një shkak si Kosova, e cila është më vete, por një mirazh se Tirana po sillet si mesdhetare, pranë Brukselit dhe Beogradi nën rryma polare, më afër Moskës. Duke qenë në Ballkan, të dyja kryeqytetet meritojnë dhe kanë fatin e së njëjtës klimë… dhe jo vetëm pse janë në të njëjtin territor gjeografik!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama