Tragjedia e vrasjes dhe deshtimi i katarsisit

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 6 vite më parë

Fatos Lubonja
Tragjedia e vrasjes dhe deshtimi i katarsisit

Pas vrasjes së Artan Santos, kryeqyteti përjetoi këto ditë një ngjarje tjetër me fuqi të lartë tronditëse. Një djalë i ri, bir artistësh, që ka thuajse të njëjtën moshë me sistemin që kemi ndërtuar pas rënies së komunizmit, vrau katër veta, duke shënuar një pikë kulminante të jetës së tij midis krimit, burgut dhe drogës. Ngjarja është tronditëse më shumë se të tjerat jo vetëm nga numri i të vrarëve, por edhe pasi, për nga konteksti i moshës dhe origjinës së autorit, ka më shumë forcë për të na bërë që ta shohim veten në pasqyrë.

 

Familja dhe shoqëria


Nuk ka dyshim se një nga gjërat që godet është fakti se vrasësi është bir i një familjeje artistësh, ndër të cilët e ëma është edhe deputete. Ta do mendja se një fëmijë i tillë do të duhej të kishte përfunduar studimet e të punonte për doktoraturën apo të ishte bërë edhe ai një aktor apo artist. Ta do mendja se ky do të duhej të ishte ndonjë nga ata që, edhe në sajë të filmave që ka parë për shkak të profesionit të prindërve, do të kishte zhvilluar ca më shumë ndjenjën e empatisë, për të mos e ngritur pistoletën me aq lehtësi kundër një qenieje tjetër njerëzore. Si ka mundësi? Ku ka gabuar kjo familje?


Me të drejtë dhe pa të drejtë, sipas meje, revoltimi i shumë njerëzve u drejtua për kah familja. Them “me të drejtë” se nuk mund të mohohen përgjegjësitë e prindërve në këtë histori. Nuk e njoh dhe as dua të hyj në jetën private të  familjes Xhuvani. Mendja më së shumti të shkon në faktin se një jetë dedikuar skenës dhe filmit mund të ketë lënë mbas dore të birin në një moshë delikate dhe devijimi i tij për nga droga dhe krimi të jetë rasti tragjik i jetës së disa fëmijëve të cilëve u mungon dashuria dhe përkujdesi prindëror. Përgjegjësia e tyre më e madhe, megjithatë, vjen më pas: në mbështetjen që i kanë dhënë kur e kanë parë qartë se i biri është kthyer në një kriminel dhe jeton si një kriminel. Në përdorimin madje të pushtetit për t’i mbuluar apo zbutur krimet e tij duke u pajtuar me të papajtueshmen, bashkëjetuar me të pabashkëjetueshmen në vend se t’i kundërvihen asaj, jo vetëm si prindër, por edhe si qytetarë.


Thashë gjithashtu “pa të drejtë” pasi, sipas meje, problemi është se nuk kemi të bëjmë thjesht me një rast të veçantë prindërish të veçantë. Pa dashur të harroj tërë ato familje të ndershme që kanë bërë gjithçka për të edukuar e shkolluar fëmijët e tyre, nuk mund të mohojmë se numri i të rinjve, veçanërisht meshkuj, që jetojnë me krim e drogë, shpesh të lidhur njëri me tjetrën, është dramatikisht i madh në këtë shoqëri. Droga dhe krimi janë një problem shoqëror jo thjesht familjar, që lidhet me kushtet që kemi krijuar ne për rritjen, edukimin dhe punësimin e një rinie të shëndoshë. Prandaj them se nuk janë vetëm prindërit përgjegjës për këtë djalë që ka marrë rrugën e krimit, por edhe shoqëria me të cilën ai është rritur, sistemi i vlerave që i ka transmetuar ajo. Nuk do shumë fjalë për të përshkruar këtë sistem dhe modelet e njeriut që ai ka ndërtuar. Mjaft të shikosh se sa intelektualë janë të detyruar të punojnë në shërbim pushtetesh mafioze. Mjaft të shikosh sistemin arsimor mizerabël ku mësuesit kanë humbur autoritetin dhe respektin jo vetëm për faj të tyre, por edhe për faj të tyre. Mjaft të shikosh mjaft politikanë të Ekzekutivit, deputetë të Legjislativit, gazetarë e pronarë mediash që drejtojnë opinionin publik deri te prokurorë, gjyqtarët e policë për të konstatuar se jetojmë në një shoqëri ku, më së shumti, e keqja shpërblehet dhe e mira ndëshkohet. E në këtë shoqëri nuk ka se si të mos krijohen edhe aberracione të tilla ekstreme, nganjëherë madje edhe si reaksion ndaj saj.


Policia


Një nga justifikimet që kanë shefat tanë të policisë kur ankohesh për ndonjë krim është: Po vrasje ndodhin edhe në Nju Jork, vjedhje ndodhin edhe në Paris. Është e vërtetë, por vrasjet e vjedhjet që po ndodhin te ne, për shkak se njerëzit, veçanërisht të rinjtë, jetojnë e mbijetojnë nëpërmjet krimit, janë shumë të mëdha në numër për një popullsi që nuk e dimë a është gjithë-gjithë 2.5 milionë brenda vendit. Problemi është se bie në sy një lloj bashkëjetese e policisë me krimin. Shumë nga kriminelët që qarkullojnë të patrazuar në Tiranë – jo domosdoshmërisht të gjithë vrasës, por njerëz që kanë para nëpër duar në sajë të krimit – njihen nga policia. E kam përmendur edhe një herë tjetër në një shkrim atë që më tha një i huaj që njihte mirë gjendjen tonë, duke e krahasuar me atë të Rumanisë: Edhe atje ka mafie, më tha, por ndryshimi qëndron në atë se një mafioz në Rumani nuk e ble kurrë një makinë ultra të shtrenjtë, sepse e di se do të bjerë menjëherë në sy të policisë e do të kapet. Kurse këtu te ju mafiozët kapardisen me makina të tilla mu në mes të Tiranës. Problemi është se pajtimi me të papajtueshmen dhe bashkëjetesa me të pabashkëjetueshmen janë bërë normë edhe për policinë. Gjatë kësaj vere i kam telefonuar policisë më shumë se dhjetë net radhazi gjatë fundit të gushtit dhe fillimit të shtatorit për t’u ankuar për muzikën e një lokali me emrin “Folia” që ndodhet jo më larg se 100 metra nga Ministria e Brendshme, për shkak të zhurmës së llahtarshme që lëshon ai lokal në orët e pasmesnatës. Kam shkruar edhe më parë për këtë fenomen duke vënë bast me lexuesin se e njëjta gjendje do të përsëritej edhe me maxhorancën e re. “Po njoftojmë grupin e shërbimit” ishte përgjigja që më vinte nga ana tjetër e telefonit. Unë nuk di çfarë bënte grupi, por shërbimi që kam pritur prej tij nuk më ka ardhur asnjëherë sepse zhurma e llahtarshme nuk ka ndaluar që nuk ka ndaluar. Mendja nuk mund të mos të të shkojë se lokale të tilla popullohen me të tillë njerëz të armatosur si Xhuvani që kanë edhe para, edhe pistoleta, edhe lidhje me pushtetin, nga të cilët policia edhe ushqehet, edhe trembet.

 

Drejtësia


Unë nuk e di se si mund të jetë i qetë në ndërgjegjen e tij ai prokuror që një vrasje si ajo që ka kryer Xhuvani para tre vjetësh e ka cilësuar kapërcim të mbrojtjes së nevojshme? Po gjyqtari që i ka dhënë për një vrasje vetëm dy vjet? Nuk e di. Ata qofshin. Por një gjë di gjithashtu: se në duar njerëzish të tillë drejtësia kthehet në padrejtësi, prandaj ata dhe njerëz si ata nuk duhet të jenë prokurorë dhe gjykatës. Madje mua më duket se ata duhet të akuzohen jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht për vrasjen që ndodhi. Sepse të lësh një vrasës të lirë pasi ai të ka paguar apo sepse të kanë ndërhyrë politikisht do të thotë t’i krijosh atij mundësi të vrasë përsëri. Dhe, nëse ai vret, a je ti pa përgjegjësi ligjore?
Megjithatë, më duhet ta pohoj se nuk mjafton ndëshkimi i njerëzve të tillë për të ulur drejtësinë në vendin e vet në prokurorinë dhe gjykatat tona. Sfida për të pasur prokurorë e gjykatës të drejtë duhet të nisë nga sfida për të pasur njerëz me ndjenjën e drejtësisë. E më duket se kjo sfidë është e njëjtë me sfidën për të pasur sa më shumë të rinj që refuzojnë të marrin rrugën e drogës e krimit që mori Xhuvani. Është një sfidë në krye të së cilës duhet të jetë politika. Por për mua ajo s’ka sy për Qabe.


Politika


Një nga gjërat më të shëmtuara që ndodh në këto raste është pervertimi që u bën politika tragjedive të tilla që, përndryshe, mund të shërbenin si një katarsis për shoqërinë. Siç e thashë, Kostandin Xhuvani ka lindur bashkë me të ashtuquajturën demokraci shqiptare. Ajo që duhet të bëjë politika dhe politikanët që na kanë drejtuar në këta vjet do të duhej të ishte një reflektim i thellë mbi atë se ku kemi gabuar ne që fëmijët e artistëve në vend se të bëhen të paktën njerëz të ndershëm, bëhen vrasës. E pra, nëse ka politikan që do të duhej të mendonte e reflektonte më shumë për këtë, ky është Sali Berisha, që ka qenë në pushtet më shumë se gjithë të tjerët. Mirëpo nuk ndodh kjo. Me kulturën politike primitive që e karakterizon e që ka kultivuar në partinë e tij, ai nxiton ta thjeshtëzojë dhe ta reduktojë të gjithë ngjarjen për të nxjerrë përfitim për veten: Sipas tij, vrasja ndodhi për shkak të Partisë Socialiste që e ka lënë të lirë vrasësin pasi është biri i një deputeteje të saj. Këto janë bandat e qeverisë që qarkullojnë të lira nën mbrojtjen e Kryeministrit vetë.

 

Ok, por si ka mundësi, zotëri, që këta vrasës janë bërë vrasës gjatë kohës kur ke qeverisur ti, sepse Xhuvani ka qenë adoleshent kur erdhe ti në pushtet dhe ndenje jo pak, por tetë vjet, derisa ai u bë burrë? Nëse ai ka qenë i përfshirë në trafiqet e drogës së Lazaratit, a nuk ke përgjegjësi edhe ti që i lejove ato trafiqe? Nëse Partia Socialiste e LSI sot po qeveris me banda kriminale, a nuk ke përgjegjësi edhe ti që këto banda nuk i ke luftuar e asgjësuar kur ishte në pushtet, madje me LSI ishte edhe në koalicion? Po pse nuk ka ndodhur kjo luftë ndaj këtyre bandave? Sepse me logjikën e përdorimit të bandave dhe të të fortëve e vrasësve ke punuar edhe ti. Ja, kjo është puna. Nga ana tjetër, Edi Rama bën shfaqjen e radhës të hipokrizisë duke dalë së bashku me nënën aktore, të veshur me të zeza, që përlotet teksa jep dorëheqjen… çuditërisht në selinë e Kryeministrisë. E gjithë skena është ndërtuar për t’u shfrytëzuar politikisht, për t’i kujtuar opozitës Gërdecin dhe 21 janarin si kundërpërgjigje e për të qetësuar të revoltuarit që kërkojnë linçimin e aktores deputete. Asnjë fjalë për të hyrë pak më thellë në shkaqet e këtij krimi. Asnjë fjalë për akuzat se ka futur kriminelë në Parlament e në Administratë. Mjaftohet me atë që ka thënë, se dëshmia gjyqësore e këtyre njerëzve është e pastër, duke harruar se çfarë thotë po vetë për këtë gjykata e gjyqtarë që shpesh kanë lëshuar këto dëshmi, siç kanë dënuar vetëm dy vjet një vrasës si Xhuvani.


Kësisoj, të udhëhequr nga këta tribunë të rremë, pas tronditjes së parë që i nxit të futen në kuptimin më të thellë të kësaj tragjedie, njerëzit i humbasin këto ndjenja për t’i zëvendësuar shumë shpejt me ndjenjat e luftës për pushtet midis dy bandave e duke e dështuar kështu (si shumë herë të tjera) rastin për ta përjetuar këtë që ndodhi si një tragjedi nga e cila duhet të lindë vetëdijësimi, katarsisi e nevoja për shpëtimin tonë të vërtetë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama