Futbolli politik i Beogradit

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 5 vite më parë

Aleksandër Çipa
Futbolli politik i Beogradit

Ndeshja Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Europianit “Francë 2016”, ndezi siç edhe pritej publikun serb dhe natyrshëm edhe atë shqiptar. Një ndezje e cila vështirë të përshkruhet në gjithë shtrirjen dhe energjinë e shpërndarë të saj.

Ngjau siç mund të pritej; Serbia refuzoi, si rrallë ndonjë vend tjetër, praninë e “Tifozave Kuq e Zi” në shkallët e stadiumit të Beogradit. Por vendimi i Federatës Serbe të Futbollit për refuzim të pranisë së tifozëve shqiptarë, duket se u sfidua nga atdhetarë të mbërritur nga vendet e Europës ku jetojnë dhe mbajnë shtetësinë. Por ndjenja dhe gjaku kombëtar në lëvrimin e vet tejkaluan pengesën-frikë, duke u bërë prezent në ndeshjen e aq shumëpritur dhe aq shumëdiskutuar.

Orët e parandeshjes vunë në provë sërish tensionin mes dy shteteve të Ballkanit. Policia serbe ndali e mbajti për disa orë të bllokuar grupin e madh të gazetarëve shqiptarë, si dhe përfaqësues të tjerë, mes të cilëve edhe ambasadorin e Shqipërisë në Beograd. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati në kohë, reagoi, duke thirrur ambasadorin e Serbisë në Tiranë, të cilit iu kërkuan shpjegime për këtë sjellje dhe pengim të papranueshëm jo vetëm për arsye të ndeshjes, por edhe për normë korrektese mes dy shteteve dhe diplomacisë reciproke.

Koha e tensionit nuk mbeti aty, por vijoi me incidente të tjera dhe sidomos me agresivitet masiv tifozësh të vendit pritës.

Në kohën e ndeshjes u gjeneruan dhe u përjetuan episode, të cilat shkaktuan elektrizim, si kurrë ndonjëherë të atmosferës dhe opinioneve publike, ndër dy vendet e mes dy kombeve. Serbia përdhosi me dhunën e futbollistëve dhe të tifozëve të vet fushën e stadiumit të Beogradit. Një dhunë, e cila e rikthen këtë shtet dhe krejt serbët, në epiqendër të vëmendjes dhe ndëshkimit moral ndërkombëtar.

Një vend që historisë së sotme të ndeshjes me ekipin përfaqësues të shqiptarëve, i shtoi provën tjetër të antagonizmit historik kombëtar. Naivisht dhe patologjikisht tifozët serbë dhe jo vetëm ata, u vetëndëshkuan dhe u poshtëruan në sytë e opinionit ndërkombëtar.

Serbët kanë pësuar mbrëmë një humbje të thellë jo vetëm prej topit. Futbolli politik i tyre ua shndërroi topin e fushës së blertë në një “gjyle” ndëshkimi në sytë e botës. Kjo sjellje dhe patologjia e turmës së tifozerisë së tyre, e tejkalojnë provën e thjeshtë të një patosi nacionalist.

Mes dy vendeve tona, lehtësisht dallohet se diplomacia e tyre dhe politika, nuk bëhen dot infrastrukturë e tejkalimit të mërive kombëtare të rrënjosura thellë historisë së gjakuar.

Një ndeshje e tillë, produkt i futbollit politik të Beogradit, vlen si kampion për të shquar se në shoqërinë e sotme serbe, rivaliteti natyral zëvendësohet prej aforfesë 0-3. Për të ikur prej saj, serbët e 2014-s e kanë të pamundur të shkëputen prej pasionit të ndenjur agresiv dhe dhunues, të njohur e mishëruar në historinë e 100 vjetëve të paraardhësve të tyre. Mes tyre dhe nesh, distancën më të madhe me Europën, kanë dekada që po e shtojnë me pasion të dhunshëm vetë ata. Kësaj here, këtë distancë e thellojnë e shtojnë edhe më shumë për veten. Në këtë mënyrë na lënë ne, shqiptarëve në dinjitetin e një pasioni për futboll të adhurueshëm. Ndërkohë që veten e tyre e grishin e shtyjnë drejt një futbolli politik. Ky lloj futbolli i tyre, nuk jep gol dhe fitore, por vetëm ndëshkim. Një ndëshkim e turp jo vetëm thjesht për një eliminatore europiani, por për vlerën e qytetërimit që s’mbart e s’dëshmon për vetveten e fqinjësinë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama