Demokracia e sunduar nga të ikurit

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 5 vite më parë

Aleksandër Çipa
Demokracia e sunduar nga të ikurit

Opinioni publik te ne po i ikën i dëshpëruar diskutimit dhe debatit për substancën dhe parimet e demokracisë. Është një ikje prej dëshpërimit, jo prej mungesës së dëshirës për ta mbajtur atë në qendër të vëmendjes dhe shqyrtimit qytetar.

Sepse padëgjueshmëria dhe ndjeshmëria ndaj dhunimit dhe nëpërkëmbjes së demokracisë dhe normave të saj është një realitet i rëndë dominues. Kjo ngjet për arsye të njohura dhe për shkak të një realiteti të cilit gati fatalisht po i nënshtrohet shoqëria, për shkak të autoritetit të sunduesve, së pari për arsye të sunduesve partiakë.

E para, në këtë vend u shemb demokracia partiake. Autoriteti i njëshit e uzurpoi atë dhe e sfumoi, mandej e zhvleftësoi deri në injorim të formës formale të saj, statuteve apo normave dhe rregullave. Pas kësaj nisjeje u zhbënë e u zhvleftësuan format e tjera më themelore të saj, si demokracia parlamentare dhe ajo e votës. Më tej po rrënohet e zhbëhet dramatikisht demokracia e përfaqësimit dhe kriteri universal i saj; konkurrenca mbi hierarkinë e vlerave dhe meritokracisë.

Këtë debat të munguar, do të duhej ta rikthenim më së shumti në kontekst dhe me shkas nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, që u zhvillua këtë fundjavë.

Fokusimi në disa prej aspekteve më themelore të demonstruara në procesin ristrukturues të kësaj partie, si dhe në kuadër të ndryshimeve që paraprijnë amendimin e statutit të saj, vlejnë për të lexuar e parathënë diçka që ngjet pashmangshmërisht në të ardhmen e afërt me demokracinë politike dhe atë zgjedhore në vend.

Se sa është informalizuar respektimi dhe implementimi i rregullave dhe normave të demokracisë në jetën partiake dhe atë institucionale të vendit, kjo nuk ka nevojë të rrëfehet. Është aq e pasur historia e ikjes prej tyre, sa vlen të përmendësh emrat e politikanëve për të imagjinuar se ç’ka ngjarë me demokracinë. Autoriteti i kryetarëve partiakë, pasi ka eklipsuar plotësisht demokracinë e zgjedhjes apo përfaqësimit brenda partive, ia ka dalë të vërë nën hijen e tij edhe demokracinë e përfaqësimit në administratë dhe në jetën institucionale. Ky është protagonizmi dhe autorësia e parë e ikjes dhe devijimit të cilësive të demokracisë në këtë vend, ndonëse ajo nuk u mishërua kurrë plotësisht në praktikat dhe procedurat e pretenduara demokratike.

Aktin e dytë dhe njëkohësisht autorësinë më të madhe për këtë ikje nga demokracia e mbart e ashtuquajtura situatë e nevojës për arritjen e votave për qeverisje në Parlament. Mekanizmi që u implementua për kësi nevojash nisi së pari tek injorimi i statuteve partiake. Nuk u mblodhën për vite me radhë as Këshilli Drejtues, as Kongresi dhe natyrisht u sajua kundër statutit struktura e “një kryesie të vogël dhe një kryesie të madhe”.

Kjo ngjet sa herë kalojnë përgjithësisht dy vitet e para të qeverisjeve të partive kryesore. PD e kryesuar nga ish-kryeministri Berisha nuk e mblodhi prej kohësh Kuvendin Kombëtar. Statuti i partisë u shndërrua në një memuar dhe jo në një “Kushtetutë” të partisë, siç e kishte natyrë ta lëvdonte udhëheqësi jetëgjatë i kësaj force. Mëkatësinë e vet statutore e ka mishëruar në historinë e vet politike edhe lidershipi i PS-së. Sikundër në forcën e tretë politike, LSI-në, mishërohet formalizimi i informalitetit statutor.

Por historia e vënies së kritereve të demokracisë në funksion të nevojës për vota rasti apo koniunkture qeverisjeje është e ripërsëritur me gjithë shëmtinë e vet antidemokratike. E tillë u shfaq edhe kësaj here në Kuvendin Kombëtar të PD-së, kur u ndryshuan disa elemente statutore dhe paskësaj sipas gjasave, do të formalizohet amendimi i statutit në një kohë të ardhme. Ndërkohë që debati dhe diskutimi për listën e re emërore të anëtarësisë së Këshillit Kombëtar të PD-së, janë krejt të kotë, kur dihet se si dhe me sa lehtësi e ka selektuar e vendosur vetë ish-kryetari që ende nuk ka ikur nga drejtimi i Partisë. Në këtë listë figurojnë mbi 50 për qind e emrave të ish-drejtuesve dhe nëpunësve me devocion politik e partiak në administratën e qeverisjes së PD-së, të cilët tashmë më shumë se devocion për reformimin e PD-së dhe suksesin e kryetarit të ri, Basha, mbartin nënshtrimin shërbyes dhe devocionin e të qenët “veshëshëtitës” për ish-kryetarin partimbajtës “Berisha”.

Në këtë mënyrë dhe me kësi ndodhish, demokracia e pretenduar politike në vend, është zhvleftësuar dhe shndërruar thjesht në një koncept bosh e informal. Ajo është vënë nën sundim prej qeverisësve në detyrë dhe atyre të ikur. Shembullin më flagrant e gjejmë tashmë të ekspozuar në atë forcë dhe zotërim imponues e sundues që ka brenda partisë së vet, ish-themeluesi dhe udhëheqësi historik i kësaj force. Sikundër tashmë  dihet prej gjithkujt se mbetet një faktor i pakundërshtueshëm për çdo vendimmarrje dhe nismë politike të opozitës. Degradimi i demokracisë së mendimit ndryshe, në pëshpërimë ndryshe në mjediset ekstrapolitike dhe partiake, në fakt nuk mund të quhet kurrsesi demokraci, por alternativa e frikur e mendimit ndryshe dhe pakënaqësisë. Kjo formë e tillë shfaqet së pari në jetën e brendshme partiake e më pas në dimension edhe më të frikshëm në jetën politike të vendit e sidomos brenda aktorëve të shumicave qeverisëse.

Demokracia e sunduar nga të ikurit, është realitet me shumë të panjohura për të ardhmen e shoqërisë, partive dhe politikës shqiptare në përgjithësi. Këtë realitet, duket se për shkak të sundimit, forca e udhëheqësve dhe e lidershipit sundues nuk po e vlerëson për pasojat që mbart, por e shfrytëzon si mundësi për të sotmen ose më mirë aktualitetin sundues.

Pasojat e pritshme dhe ato që shtohen mund t’i lexojë kjo kastë politike te realitetet e ngjara në jetën politike të fqinjëve e sidomos të partive që i patën si model. Kur qëllimi dhe mania për sundim e zhbëjnë aq thellë demokracinë dhe praktikën bazë të sistemit, atëherë nepotizmi dhe klani janë mburojë dhe mekanizma jetëshkurtra shërbimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama