Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sa reale është frika përballë deflacionit

Shkruar nga: Adrian Civici  
Botuar më: 10 vite më parë

Adrian Civici
Sa reale është frika përballë deflacionit

Uljet e vazhdueshme të nivelit të inflacionit në Shqipëri, eurozonë apo akoma dhe më gjerë, në shumë vende të tjera të zhvilluara të botës po nxjerrin në skenë frikën dhe shqetësimin madhor të përballjes me deflacionin. Bankat qendrore duket se analizat për politikat monetare dhe vendimet për normën bazë të interesit po i fokusojnë me përparësi në problematikën e një përballjeje të mundshme me demonin “deflacion”. Megjithatë, në debatet, shpjegimet dhe qëndrimet e bankave qendrore, por dhe atyre tregtare apo të investimeve, në kuadrin e pritshmërive dhe adaptimeve me realitetin potencial deflacionist, mbizotërojnë disa pyetje dhe pikëpyetje thelbësore: a është reale frika e një skenari deflacionist? A po ndërmarrin bankat “vendime historike” të destinuara që të pengojnë ardhjen e deflacionit? A është kjo një luftë reale dhe një rrezik eminent, apo bëhet më shumë për efekte psikologjike dhe terapi preventive?

Në këta 12-15 muajt e fundit këto dyshime janë pothuajse të vërteta si për sisteme të mëdha si eurozona, SHBA etj., ashtu dhe për vende të vogla dhe ato në zhvillim. Në zonën euro, inflacioni rezulton 0.4 – 0.5% në muajt e fundit, ndërkohë që objektivi i BQE është 2%; në Shqipëri vetëm 1.5%-1.8% ndërkohë që objektivi i poshtëm ose minimal i BSH është 2%. Më shqetësues duket fakti se faktorët që ndikojnë në uljen e inflacionit për momentin rezultojnë më të fuqishëm dhe më ndikues se faktorët që ndikojnë në sens të kundërt. Politikat monetare duket po i afrohen limiteve të tyre me natyrë konvencionale dhe po fillojnë të mendojnë se mund t’u duhet të aplikojnë në mënyrë selektive apo në masë të gjerë politika monetare jokonvencionale. Megjithatë, një kategori ekspertësh e specialistësh të politikave monetare dhe raporteve inflacion/deflacion mendojnë se për momentin, bile dhe për një periudhë afat-shkurtër “nuk duhet të trembemi e të panikohemi nga fantazma e deflacionit”. Sa herë që përmendet fjala inflacion, ekonomistët dhe bankierët në veçanti e perceptojnë atë si një “fenomen më të dëmshëm se inflacioni i lartë”. Bazuar në eksperiencën e krizës së  viteve 1929-‘33 në SHBA, deflacionin aziatik dhe veçanërisht atë japonez të viteve 1990-2002 etj., konkludohet se “kur spiralja deflacioniste zgjerohet e zgjatet në kohë, politikat monetare fillojnë ta humbin eficencën e tyre dhe ekonomia shkon drejt recesionit të sigurt duke i bërë qeveritë dhe bankat qendrore të pafuqishme. Eksperienca tregon se lufta kundër deflacionit është më delikate dhe më e vështirë se lufta ndaj inflacionit, ndërkohë që politikat monetare rekomandohet që të jenë “reaktive” kundrejt inflacionit dhe “preventive” kundrejt deflacionit.

Mekanizmi i mësipërm kalon nëpërmjet disa etapave: 1) fillon me shpërthimin e një flluske imobiliare ose monetare, me dështimin e politikës monetare apo normës së këmbimit monetar, nga probleme strukturore të ekonomisë apo dhe sektorit bankar, të cilat pengojnë ringritjen dhe stabilizimin e ekonomisë mbas goditjeve të krizave të ndryshme dhe provokojnë një ulje të vazhdueshme të çmimeve; 2) ulja e çmimeve nuk e stimulon kërkesën, por e asfikson atë, duke bërë që ulja e inflacionit të provokojë rënien e prodhimit ose punën nën kapacitet të degëve të industrisë e shërbimeve. Bankat qendrore, me qëllim që të stimulojnë ekonominë, shkojnë deri në limite duke ulur normën bazë të interesit pothuajse afër zeros, por kjo ulje nuk jep më efektet e pritura, sepse politikat buxhetore kanë pak mundësi të jenë ekspansioniste, ndërkohë që edhe të ardhurat fiskale vijnë duke u ulur si pasojë e rënies së aktivitetit ekonomik; 3) Bankat qendrore janë të interesuar që në momentin e shfaqjes së tendencës deflacioniste niveli i inflacionit të jetë sa më i lartë, mundësisht në intervalin 3-4%në mënyrë që të shmangin “skenarët katastrofikë” që ekonomistët i cilësojnë si “kurthi i likuiditetit”, pasi nëse “kujdesi” për frenimin e deflacionit fillohet në kushtet e një inflacioni të ulët, atëherë politikat monetare është e sigurt që do kenë mundësi të vogla manovrimi dhe rrezik të uljes së besueshmërisë së tyre. E thënë ndryshe, deflacioni karakterizohet nga : ulje e konsiderueshme çmimesh dhe qëndrimi i tyre për një kohë të gjatë në këto nivele; rënie e kërkesës dhe konsumit; rritje ekonomike e ulët ose situata recesioniste; norma bazë interesi pothuajse zero të aplikuara nga bankat qendrore; ulje e dukshme e kreditimit të ekonomisë.

Në planin teorik, kjo skemë është analizuar në mënyrë specifike nga ekonomistë si Fisher, Summers, Akerlof etj., apo përgjithësisht nga mbështetësit e teorisë financiare të cikleve. Ndërsa në planin empirik, përtej rasteve klasike të deflacionit të fundit të shek. XIX (shkaktuar nga kontradikta ndërmjet masës monetare të limituar dhe shpërthimit të progresit teknologjik dhe revolucioneve industriale), depresionit të madh të viteve 1929-33, në 2-3 dekadat e fundit bota ka njohur disa raste të vështira deflacioniste : Japonia e periudhës 1990-2002 (shkaktuar nga shpërthimi i flluskës imobiliare dhe kriza e sistemit bankar), SHBA e viteve 1996-97 (mbivlerësimi i indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit), kriza aziatike e viteve 1997-98 (zhvlerësimi masiv i aktiveve), Argjentina dhe Hong-Kongu në vitet 2000-2002 etj. Por, a është deflacioni një fenomen “absolut”?, a është “sëmundja japoneze” një virus që mund të prekë çdo ekonomi në vende të ndryshme të botës?, …a ka një recetë shpëtimi nga rreziku deflacionist? Një pjesë e ekonomistëve si Becker, Sterling apo Blanqué mendojnë se “disa ekonomi janë më të imunizuara ndaj rrezikut deflacionist falë rigorozitetit strukturor të tyre në sferën bankare dhe atë ekonomike”, prandaj kur flitet për mundësinë e prekjes nga deflacioni duhet analizuar me kujdes “situata strukturore e tregjeve kryesore strategjike” në çdo vend. Situatat mund të jenë të ndryshme në SHBA, Japoni, Eurozonë, vendet BRICS etj.

Këtij shqetësimi me përmasa botërore iu bashkëngjit dhe FMN. Ch. Lagarde disa muaj më parë deklaroi se “ekzistojnë rreziqe reale të përballjes me deflacionin pasi rritja e çmimeve është mjaft më e vogël se objektivi i shumë Bankave Qendrore të botës”…”nëse inflacioni krahasohet shpesh me djallin që nuk duhet lënë të dali nga shishja, deflacioni është një përbindësh i egër që duhet luftuar me çdo çmim…pasi ai mund të shkatërrojë stabilitetin dhe rritjen ekonomike botërore”. Lagarde këshillon që “Bankat qendrore duhet të fokusohen politikat monetare konvencionale vetëm kur të konfirmohet tendenca e një rritje ekonomike të qëndrueshme”. Është hera e parë që një institucion ndërkombëtar si FMN-ja artikulon hapur rrezikun e skenarit deflacionist, ndërkohë që shumica e bankierëve qendrorë besojnë dhe vlerësojnë se “ky rrezik është akoma hipotetik dhe nuk është kërcënues për periudha afat-shkurtra”, megjithëse e pranojnë se ai është si “shpata e Demokleut”. Sipas tyre, deflacioni që materializohet në një ulje të përgjithshme të çmimeve për periudha afat-gjata, duhet dalluar nga dezinflacioni i cili nënkupton situata në të cilat ulja e çmimeve është e ngadaltë. Në situata të tilla, “politikat publike nuk duhet ta vënë më theksin tek rigoroziteti dhe shtrëngesat buxhetore pasi mund të provokojnë reduktim të shpenzimeve publike, të të ardhurave dhe favorizim të parashikueshmërive deflacioniste duke ndikuar akoma më shumë në afrimin e deflacionit.

Frika reale qëndron në dyshimin se ndoshta “dezinflacioni aktual i muajve apo vitit të fundit i konstatuar në SHBA dhe Europë mund të evoluojë drejt një spiraleje deflacioniste”. Një situatë e tillë, veç të tjerave,  rrezikon të provokojë një ulje të investimeve dhe të konsumit, se ajo do rivalorizonte dhe mbiçmonte përqindjet reale të interesit duke e bërë më të vështirë rimbursimin e borxheve publike dhe private. Ishte pikërisht frika ndaj inflacionit që disa nga bankat qendrore më të fuqishme si FED dhe BQE morën vendime “drastike” në politikat e tyre monetare dhe normat bazë të interesit duke nënvizuar se “inflacioni shumë i ulët kërkon politika monetare ultra akomoduese. Nën presionin e rrezikut deflacionist, autoriteti bankar europian (EBA) në 2014 vendosi që në kriteret kryesore të realizimit të stress test-eve për bankat europiane të përfshiheshin indikatorë që tregonin rezistencën dhe mundësitë e bankave për të përballuar një situatë deflacioniste në zonën euro.

Në SHBA frika ndaj deflacionit u ndje që në vitet 2008-2010 kur në krye të Fed ishte B.Bernanke, një njohës i mirë i problematikës së deflacionit së cilës i kishte kushtuar një pjesë të rëndësishme të punimeve të tij akademike. Deviza e Bernankes ishte “Deflacion : duhet bërë gjithçka që të mos gjendemi në një situatë të tillë”. Duke paramenduar pasojat shkatërruese që mund të kishte një cikël i gjatë çmimesh të ulëta dhe rritjeje ekonomike mediokre, Fed u angazhua në një politikë mbështetëse të paprecedent për tregjet dhe ekonominë amerikane. Kjo politikë e quajtur “quantitative easing” bëri që SHBA, nëpërmjet Fed të “krijonte” dollarë për të blerë obligacione shtetërore afat-gjata, nga janari 2008 deri në mars 2014 ta rrisë bazën monetare me 467% duke mbajtur njëkohësisht një normë bazë interesi pothuajse zero (0-0.25%). Duke iu “përgjigjur kërkesës për monedhë”, Fed i “nxiti agjentët ekonomikë që të braktisnin logjikën e tyre të reduktimit të shpenzimeve, të rifitonin besimin dhe të intensifikonin marrjen e kredive për të investuar dhe konsumuar”. Rritja ekonomike në SHBA duket në trend pozitiv, gjë që reflektohet në ndryshimin e kursit të Fed drejt një politike monetare të tipit “tapering” që synon të stabilizojë dollarin nëpërmjet reduktimit me nga 10 miliardë dollarë në disa etapa të bazës monetare. Fed nuk mendon se ekonomia amerikane është e imunizuar nga “virusi i deflacionit”, dhe nuk përjashton mundësinë që ajo të preket nga një periudhë të karakterizuar nga ulja e çmimeve, e kredive dhe pagave, gjë që do provokonte ulje të investimeve dhe konsumit, do komplikonte shërbimin e borxhit publik si pasojë e rritjes së përqindjes së interesave realë, dhe do thellonte diferencat ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Për pasojë, politika e “quantitative easing” nuk konsiderohet e tejkaluar dhe e mbyllur, por mbahet “në rezervë” për çdo moment shfaqjeje reale të skenarit deflacionist.

Edhe BQE, që deri kohët e fundit ka privilegjuar politikën e tipit LTRO (Long Term Refinancing Operations), e cila ndryshe nga modeli amerikan, ka privilegjuar metodën e kreditimit. Në këtë rast, BQE ka vënë në dispozicion të bankave tregtare një sasi të konsiderueshme kredie, duke e rritur bazën monetare jo si veprim direkt i saj, por në funksion të kërkesave të bankave për kredi. Sa më e madhe apo më e vogël të ishte kërkesa për kredi, aq më shumë shtohej apo reduktohej baza monetare. Por kjo politikë dha ndjeshëm më pak efekte pozitive në krahasim me modelin e SHBA : baza monetare në Europë në periudhën respektive janar 2008-mars 2014 u rrit vetëm 25%, ndërkohë që inflacioni në muajin maj 2014 ra në nivele historike prej 0.5%, ndjeshëm më poshtë se objektivi i BQE prej 2%. Në përgjigje të rrezikut të deflacionit dhe domosdoshmërisë së rritjes së kompetivitetit të ekonomisë europiane, BQE mori një vendim “historik” : uli në nivelin 0.15% normën bazë të interesit të euros, njoftoi lançimin e dy paketave të mëdha kredie 4-vjeçare për bankat europiane si dhe vendosi “në territor negativ (-0.10%) përqindjen e fitimit të likuiditeteve të depozituara pranë BQE”. Kjo masë jokonvencionale provokoi menjëherë një ulje të ndjeshme prej 25.4 miliardë euro të depozitave bankare pranë bankave qendrore të eurozonës, megjithëse mbetet akoma e paqartë nëse këto likuiditete do të injektohen menjëherë në ekonomi në formën e kredive dhe për pasojë do ndikojnë në rritjen e inflacionit brenda objektivit të BQE. Presidenti i BQE, Mario Draghi i cilësoi këto masa si “inkurajim të kreditimit dhe injektim të likuiditeteve në ekonominë reale” dhe sfidë për frenimin e dezinflacionit dhe frikës ndaj shfaqjes së deflacionit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama