Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dhimbja për artistët e Bregut

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 10 vite më parë

Aleksandër Çipa
Dhimbja për artistët e Bregut

Në bregdet të Himarës ka një histori vijuese për kulturën dhe etnokëngën shqiptare. Ka mbi 100 vjet që kjo krahinë kontribuon në  fondin e fonotekës kombëtare të polifonisë. Në kohë të ndryshme, kjo vijimësi duket se riciklon fatet e këngëtarëve dhe krijuesve të këngëve të Bregut, ose si u pëlqen shumë vendasve, këngës himarjote. Në vitet 1930 grupi i Neço Muko Himarjotit u shndërrua në protagonist dhe sjellës i parë i artefaktit më jetëgjatë të muzikologjisë shqiptare. Ai grup regjistroi pllakat e matricës “Pathe”, në të cilat u bashkëregjistruan edhe ato të këngëtares së famshme, Tefta Tashko, dhe të cilat janë sot një visar i rrallë kulturor.

Kjo traditë në fillim të viteve 1960 u rigjallërua në Himarë me Grupin e Himarës, i cili pati për korife Dhimitër Varfin, apo grupin e “Vajzave të Dhërmiut”. Në fillim të viteve 1970, tradita vijoi me një  kulm të ri, Grupin e Pilurit. Në këtë mënyrë visari etnokulturor i këtij visi nuk u pakësua, nuk u tret e nuk humbi, por u shtua dhe gati në një reminishencë me ngjyrën blu të Jonit që nuk zhbëhet, edhe ajo u pasurua e shtoi shkëlqim, saqë sot mbetet diçka rrëzëllitëse e shkakton pasione e shijim masiv jo vetëm në hapësirën bregdetare, por në krejt atë shqiptare.

Në ditët e viteve të fundit, historia e ikjes së protagonistëve, apo siç thuhet në gjuhën e polifonisë, korifenjtë, po shëmbëllen me atë të  viteve 1930. Është i njëjti cikël dhe e njëjta heshtje e dhimbshme. Para shumë viteve ikën disa nga zëbukurit e Grupit të Himarës, të  cilët e lanë gati në vetmi moshe korifeun e tyre më të shkëlqyer Dhimitër Varfin. Pas tij erdhi Katina Beleri, një zë dhe zgjim brilant i këngës himarjote. Por ikën ata burra të këngës që lanë një koleksion të papërsëdytshëm polifonie në fondin e RTSH dhe atë të ish-Institutit të Kulturës Popullore, sot Qendra e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare. Diçka e tillë nuk ngjau dhe ende nuk po ngjet me këngën polifonike të Pilurit. Këngëtaret dhe interpretueset magjike të kësaj polifonie si Erimioni Mërkuri apo Vasillo Lapa, qysh në krye të viteve 1990 humbën në emigracion, ndonëse zëri dhe pasioni i tyre ishte në pikun e vet. Ky largim paralajmëroi shpërbërjen e një grupi që kishte shumë për të bërë e për të lënë. Mirëpo një kohë e re e nevojës sociale kishte mbërritur. Administrata kulturore e vendit nisi udhëtimin nëpër tranzicion, ku paqëndrueshmëria dhe kërkimi i modelit mbetet ende vijues. Raporti midis modernitetit dhe postmodernitetit kulturor me trashëgiminë dhe autentiken kombëtare mbetet përherë i debatueshëm dhe imponimi i kulturës globale është gjithherë edhe më grishës. Në këto kushte edhe vëmendshmëria institucionale duket se është më e pakët dhe më e pafuqishme për të mbajtur në preferencë traditën, kulturën e trashëgimisë dhe prurjet herë të pacilësishme dhe herë të sajuara të kësaj të fundit. Në këtë rrjedhë, duket se ajo për më pikanten e kësaj tradite, bëhet përditë e më shumë e pafat.

Mirëpo kur flasim për polifoninë, folklorin dhe trashëgiminë autentike kulturore, nuk mund të lëmë pa vënë në dukje rrallësinë që qëndron tek individët, te gjenerata apo ajo brezni artistësh, të cilët mbesin unikë në prurjen dhe fondamentin e tyre të lënë. Në këtë kontekst një term i dekadave të fundit për këngëtarët dhe interpretuesit e polifonisë, përbën shenjimin apo cilësimin më domethënës të fenomenit që ata përfaqësojnë. E kemi fjalën për polifonët. Ata janë të veçantë  dhe fatkeqësisht po bëhen përherë e më të pakët numerikisht. Jeta dhe fati i tyre ikës është gati i njëjtë me ata të viteve 1930 në viset e bregdetit të Himarës. Shpesh ikin nga jeta e frymtë pa pasur moshën  apo “radhën e ikjes fizike”. Të tillë e patën fatin e tyre polifonë si Qirjako Bala dhe kësaj jave edhe Vangjel Gjicali i Grupit të Pilurit. Dy emra që përfaqësojnë një cilësi dhe vlerë vokale e mjeshtërore në interpretimin e polifonisë shqiptare të mbi 40 vjetëve rresht. Ata u ndanë nga jeta, i pari para pak vitesh dhe i dyti, katër ditë më parë, ndërkohë që duhet thënë se meritonin të përcilleshin edhe institucionalisht. Loti dhe vaji i të afërmve, i bashkëkëngëtarëve të tyre është pjesë e një regjie, tradite-riti dhe kulture që e bën edhe më të shenjtë e më të shtrenjtë traditën bregase, por në mënyrë të veçantë i jep traditës kulturore shqiptare një gjurmë dhe peng dhimbjeje për disa yje të saj. Homazhi përcjellës për këtë soj artistësh ngjet me atë të tragjedive, ndërkohë që ai ka një mungesë, të cilën nevojitet ta ngrenë institucionet tona në një traditë që dallon atë që pasuron shpirtin kulturor të trevës, krahinës dhe kombit të vet, nga një qytetar i zakonshëm. Në dekadat e fundit, disa popuj kur përcjellin personalitete dhe individë që bëjnë histori suksesi në jetën e tyre, e thyejnë heshtjen me duartrokitjen e fundit, e cila masivisht bashkon shumë adhurues, mirënjohës dhe vlerësues të veprës së të ikurit. Për polifonët si përcjellje e fundit, vlen dhe bëhet e shenjtë përcjellja me motivin elegjiak apo këngën emblematike të tyre. Kjo traditë e re, zgjon vlerësimin ndryshe, por edhe bën më të bukur kujtimin për këtë sua të rrallë artistësh kombëtarë. Në përcjelljen e polifonit Vangjel Gjicali, këtë fundjavë në Pilur, mungoi pikërisht diçka e tillë. Ajo që e bëri atë të përjetshëm në këngët e tij “Bejkë e bardhë”, “Shko moj shko kuacë e kuqe”, e shumë këngë të tjera që buçitën e lanë mbresa të pashlyeshme në skenat e festivaleve kombëtare shqiptare apo që janë tashmë e përherë fond i vyer i fonotekës së polifonisë shqiptare. Kjo është forma më e vyer e dhimbjes së bukur për artistët shqiptarë të polifonisë. Le ta shndërrojmë atë në rit, sikundër e kërkoi dikur Fan Noli, për përcjellje të fundit të vetes nga bota e frymtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama