Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Kolumbianet' ne Lazarat urrejne reporteret

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 10 vite më parë

Aleksandër Çipa
'Kolumbianet' ne Lazarat urrejne reporteret

Unë jam një ndër gazetarët që “i kam qenë vdekjes shumë afër” në Lazarat. E futa në thonjëza “i kam qenë vdekjes shumë afër”, pasi përkon me titullin e një poezie të vlerësuar ndërkombëtarisht të Besnik Mustafaj. Në të vërtetë, historia është e ndodhur. Ishte një grup i madh njerëzish që u vërsulën mbi mua atëherë vetëm pse isha reporter i së përditshmes më të madhe në vend dhe kisha raportuar për bëmat e disa prej protagonistëve që grabisnin, dhunonin, vidhnin dhe bllokonin rrugën kombëtare që kalonte ndanë fshatit, pasi tani ajo gjarpëron mes përmes zonës “grosiste” të tij. Në atë vërsulje të egër me bajoneta, tyta, breshëri dhe kallashnikovë, mjaftoi një çast fatlum që një ndër djemtë e shkëlqyer të fshatit L. Boci, ndërhyri duke më mundësuar daljen e përgjakur nga egërsia e atij grupi. Por ngjarja ime e dikurshme reale është tashmë e largët në kohë. Ajo ngjau në shtator të vitit 1998.

Si ajo, tronditëse, e re dhe po aq pranë tragjikes, ngjau me një tjetër koleg dje në Lazarat. Me gazetarin kurajoz të Kronikës, Gerti Xhaja, dhe një grup xhirimi të “A1 Report”. Kolegu është gjendur për disa çaste në pengmbajtje dhe i dhunuar, kërcënuar dhe në rrezik real për jetën. Automjeti i televizionit për të cilin ai punonte, është shkrumbuar plotësisht. Ndërkohë që në rastin tim të largët në kohë, (pra, 16 vjet më parë) unë u gjenda nën sulmin e disa të ngjashmëve me ata të kolegut Xhaja, së bashku me dy kolegë të tjerë Raimond Kolën dhe Thanas Dinon. Edhe Gerti ishte vetë i katërt në makinë.

Pra, në këtë mënyrë, gazetari pas 16 vjetësh dhe padyshim edhe më shumë, në mjediset e këtij fshati me zhvillim dhe shtim demografik sa një qytezë, është i rrezikuar për shkak se shkakton “konflikt interesi” jo me fshatin dhe banorët masivë, por me një grup që jeton në një gjendje paramilitare prej gati 20 vjetësh. Kjo kronikë e ripërsëritur mes grupeve të krimit dhe gazetarëve në këtë fshat është shprehje domethënëse për sfidën që i bën krimi dhe individët e tij në këtë fshat, ligjit, shtetit dhe shoqërisë moderne. Një sfidë që tejkalon çdo lëvdim apo pretendim për qeverisje normale në harkun e 20 viteve në një pjesë të territorit administrativ të republikës. Krimi gjendet i strukur apo i strehuar herë në një banesë e herë në një sipërfaqe në Lazarat, por mungesa e shtetit është një brengë dhe shfrim i mijëra banorëve të këtij fshati. Historia e hashashit të tranzicionit në këtë fshat, mposhti edhe historinë e diskriminimit në komunizëm.

Në të vërtetë, ngjarjen nuk e përsërit fshati, por trashëgimtarët e lindur në tranzicion prej krimit, në këtë fshat. Ata kanë hyrë e kanë krijuar folenë e tyre, në mënyrën më të lehtë të mundshme. Nuk janë të gjithë pjesëtarë të Lazaratit, pohojnë me këmbëngulje ekspertët e policisë dhe reporterët e Kronikës në media. Ata i dhanë këtij fshati imazhin e një oazi kriminaliteti, ndërkohë që e shkuara dhe trashëgimia janë tjetër gjë dhe kanë tjetër dimension. Ndërsa vitet e fundit e shndërruan atë në një territor të dalë kryekëput jashtë kontrollit shtetëror.

Operacioni i ndërmarrë së fundi nga Policia e Shtetit në Lazarat duhet parë, trajtuar dhe artikuluar si operacion për të marrë nën kontroll territorin dhe për të demilitarizuar një pjesë të banorëve dhe grupet paramilitare kriminale pengmbajtëse. Në këtë pikë nuk ka dhe s’duhet menduar negocimi, por natyrisht duhet tejkaluar plotësisht gjakderdhja. Ndërhyrja policore është plotësisht legjitime. Kjo është sfidë në emër të ligjit dhe natyrisht edhe më shumë se kaq. Kjo është radha për të cilën shteti qëndroi i munguar kaq e kaq vite në Lazarat, duke u shndërruar emri i tij, në simbol i të mundurit, të përdorurit, të politizuarit dhe të mposhturit.

Beteja kësaj here nuk është mes policisë që nuk hyn dot në fshat për shkak se dalin gra e fëmijë, por mes shtetit, ligjit dhe të armatosurve të paskrupullt e kriminelë. Nuk mund të justifikohet sulmi me armë ndaj qytetarëve, gazetarëve dhe shtetit. Në çdo vend të botës së sotme diçka e tillë do të ishte ndëshkuar me ligj dhe vetëm me ligj. Nderi i Policisë së Shtetit nuk vihet në vend duke u futur policët në qendër të Lazaratit apo në rrethinat e tij, por atëherë kur çdo qytetar nga Lazarati bëhet aleat i policit dhe ligjit dhe jo partner kriminal me policin e molepsur apo gjykatësit e blerë. Partnerët kriminalë të të armatosurve në Lazarat që gjenden në Tiranë apo në vendet fqinjë, janë pika kyçe ku ndërpritet e nesërmja kriminale dhe mund të shënojë mbylljen e kësaj historie të zezë antishtet në këtë fshat. Kjo betejë duhet të ketë fund për të mos ripërsëritur më historinë e një shteti qesharak dhe të një vendi që kampionin e anarkizimit e le të patrazuar dikund në skaje, si për shembull në Lazarat. Dekolumbianizimi i Lazaratit nuk vlen thjesht si një histori e kërkuar suksesi prej qeverisësve aktualë, por edhe si një çështje çlirimi të shtetit dhe politikës nga “kapja e trashëguar” e krimit dhe oazeve që krijoi gjatë tranzicionit.

I vetmi partner i vyer dhe i munguar fatkeqësisht, për ligjin dhe shtetin në këtë fshat, sot e nga mot, duhet të jenë bijtë e emigracionit dhe përfaqësuesit e shkëlqyer të migruar në qytetet kryesore të vendit. Kjo është një pikë e shëndetshme ku mund të nisë një histori suksesi për dekriminalizimin e emrit të një fshati me një të shkuar e të ardhme kryekëput tjetër nga ajo e këtyre 20 viteve të fundit. Lënia e Lazaratit pa krim shënon aktin e pasurimit të vetë shtetit me atë që shumëkush e njeh si koncept të ligjshmërisë dhe barazisë ndaj ligjit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama