Lazarati, tumori malinj dhe metastazat

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 6 vite më parë

Fatos Lubonja
Lazarati, tumori malinj dhe metastazat

Pas ngjarjeve të fundit me trafikun e drogës, që flasin për një përshkallëzim serioz të fenomenit, si dhe instrumentalizimin nga opozita që po na thërret të ngrihemi në këmbë, a thua se na ka ardhur sot bajlozi nga deti kur ai ka qenë i shtruar këmbëkryq këtu prej vitesh, disa kritikë brenda maxhorancës – si Ben Blushi p.sh. – kanë hedhur idenë se qeveria duhet të veprojë duke ndërhyrë në Lazarat. Kjo do të ishte, sipas tyre, edhe prova se qeveria nuk është e përfshirë në trafikun e drogës.


Duket se nuk ka arsyetim më bindës. Ky do të ishte një operacion që do t’i rriste lart kuotat e qeverisë. Ndërkaq, nga ana e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, qëndrimet janë të kujdesshme. Ata premtojnë për një ndërhyrje, por,… “në kohën e duhur”.


Pse ky hezitim ndërkohë që ta do mendja se maxhoranca, që kur ishte në opozitë dhe premtonte rilindje, do të duhej ta kishte pasur një plan të qartë për trajtimin e kësaj plage?


Sipas meje, një shpjegim i këtij “kujdesi” gjendet në argumentet që dëgjon, edhe nga goja e lazaratasve, se industria e drogës mban me bukë shumicën e familjeve të Jugut. Se nuk janë vetëm banorët e Lazaratit që ushqehen me shitjen 200 euro kg të kanabisit që kultivohet aty, por edhe familjet e atyre që punojnë me sezone në Lazarat, edhe ata që punojnë në bizneset dhe punët e tjera që kanë këta. Pastaj janë edhe trafikantët që kanë ngritur rrjetin e transportimit të drogës nga Lazarati në Europë që marrin pjesën e luanit: (thuhet se kjo është 4000-200=3800 euro për kilogram). Dihet se këta kanë investuar; kështu që duhet të llogarisim edhe ata që punojnë në restorantet, hotelet, ndërtimet, dyqanet, pikat e karburantit – kryesisht vetëm shërbime – që kanë hapur këta për të pastruar paratë e pista. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se, pa paranë e gjithë këtyre, do të falimentonin edhe shumë biznese jo të pista, si p.sh. dyqanet e mallrave të ndryshme, apo klinika private shëndetësore e dentare etj., që i kanë klientë njerëzit që ushqehen direkt apo indirekt nga trafiku. Por edhe bankat që ruajnë paratë e tyre duhen llogaritur. Jo vetëm, por, për rrjedhojë, edhe vetë taksat që mbledh shteti për të mbajtur administratën do të pakësoheshin. Prandaj, kujdes, të thonë… ndërhyrja në Lazarat do të ishte si operacioni i një tumori malinj, që do të krijonte hemorragji të madhe dhe që, po ashtu, do të lëshonte metastazat e tij tjetërkund, në mënyrë edhe më agresive.


Në të vërtetë pyetja që shtrohet është: cila është vatra e tumorit? Personalisht mbroj tezën se kemi të bëjmë me një tumor që është zhvilluar si rezultat i një mutacioni të sistemit kapitalist që kemi importuar nga ndërhyrja në të e virusit shqiptar. Me “virus shqiptar” kam parasysh si nevojën e mbijetesës së një shoqërie që doli nga diktatura me një ekonomi të mbaruar, prandaj dhe krejtësisht të paaftë për të garuar në tregun e lirë botëror, aq edhe kulturën e pasurimit të shpejtë, me çdo mjet, që u përhap gjatë këtyre njëzet vjetëve me një shpejtësi galopante. Në këtë kuptim tumori i drogës është vetëm një nënvariant i këtij tumori të madh. Edhe korrupsioni kapilar, edhe piramidat financiare, edhe shkatërrimi i territorit e i natyrës me çimentifikimin e tyre, edhe universitetet private që shesin diploma, edhe stërmbushja e kastravecëve me pesticide, edhe… edhe… janë variante të ndryshme të manifestimit të këtij tumori.


Për të vazhduar arsyetimin duhet thënë se kjo ekonomi kriminale ka, si faqe tjetër të medaljes, politikën dhe shtetin kriminal. Avioni që mbeti në Divjakë është vetëm maja e ajsbergut e këtij fenomeni. Në rastin e drogës p.sh. duhet të kemi parasysh se paraja e pisët ushqen, duke i helmuar, edhe strukturat shtetërore. Ka shumë burime që flasin për lidhje të trafikantëve dhe të parasë së tyre me shtetin, që nga ato me policët dhe shefat e tyre, përgjegjës për të kontrolluar rrugët e territorin, deri lart në partitë politike dhe institucionet shtetërore ku droga ngjitet nëpërmjet rrugësh të njohura dhe të panjohura, në pikën sa nuk dallohet më se ku mbaron krimi i organizuar dhe ku fillon politika dhe shteti.


Dhe këtu unë gjej shpjegimin e dytë të “kujdesit” të qeverisë ndaj ndërhyrjes në Lazarat. Ideja se shteti është një gjë dhe krimi i organizuar një gjë tjetër nuk qëndron në rastin Shqipëri. Në Shqipëri nuk mund të flitet, madje, as për segmente të krimit që kanë kapur segmente të shtetit. Krimi dhe shteti në Shqipëri janë në simbiozë, me çka nuk dua të them që çdo shtetar merret me krim, por se ata nuk mund të qëndrojnë në pushtet pa lidhjet direkt apo indirekt me krimin. Se, në një rreth vicioz, më një anë krimi buron nga një sistem i helmuar politiko–ekonomiko-mediatik dhe, më anë tjetër, ky sistem kriminal gjeneron krim.


Në këto kushte, për ndërhyrjen në Lazarat mund ta përdorja atë metaforën sipas së cilës qeveria nuk mund ta luftojë krimin sepse kjo do të thotë të presë degën e pemës mbi të cilën qëndron. Por kjo metaforë mund të kthehet edhe kokëposhtë e të thuhet se krimi nuk është pema, por është fryti që lind e rritet në pemën monstër të sistemit politiko–ekonomiko-mediatik që kemi ngritur. Dhe prandaj çështja se kush duhet “prerë” bëhet edhe më e ngatërruar sepse, në fakt, bëhet fjalë për çrrënjosje, gjë që s’i intereson as krimit dhe as pushtetit, në fakt krimpushtetit.


Në këto kushte, sipas meje, e vetmja rrugë që ka qeveria është të bëjë sikur po e lufton krimin, gjithë duke vazhduar të ushqehet nga krimi. Duket se ky është shpjegimi më i thellë i “kujdesit” që po tregon qeveria për të ndërhyrë në Lazarat: duhet të kryhet një operacion që do të ketë sa më shumë efekt të jashtëm pa krijuar “hemorragji” të brendshme. Në fakt, një nga detyrat më të rëndësishme që kanë politikanët tanë dhe mediat në shërbim të tyre, për të cilën paguhen shumë herë më tepër nga krimi sesa nga paratë publike, është pikërisht krijimi i kësaj fasade. Në këtë lojë hyn edhe teatri maxhorancë-opozitë që luhet sa në Parlament e sheshe, aq edhe në media. Ndërrimi i roleve në skenat me greva urie dhe çadra pranë Kryeministrisë është shprehja më e padurueshme e këtij spektakli që nuk emocionin më jo vetëm shqiptarët, por as ndërkombëtarët.


Dy fjalë për zgjidhjen


Në këtë pikë jam i sigurt që shumë lexues do të kërkojnë atë që ma kanë kërkuar edhe herë të tjera: zgjidhjen. Mund edhe të më thonë se, duke e përgjithësuar kaq shumë problemin, e fshiva problemin, prandaj gjërat le t’i marrim me radhë. Një operacion në Lazarat, që do të ndërpriste prodhimin e drogës atje, do të ishte një sinjal i fortë edhe në kokën e çdo shqiptari se ka ardhur koha të mendojnë ndryshe lidhur me pasurimin e shpejtë e me rrugë kriminale. Jo, me këtë shkrim nuk dua të them se nuk duhet bërë operacioni në Lazarat, por se ky, edhe po u bë, do të jetë një operacion imazhi, që s’duhet të na mashtrojë e se, prandaj, duhet të kërkojmë diçka më të thellë. Sipas meje, zgjidhja duket kërkuar duke qenë të qartë më së pari për tërë kompleksitetin e sëmundjes, si dhe pwr faktin se kemi një maxhorancë, opozitë dhe media në shërbim të tyre që punojnë çdo ditë me sloganin “të ndryshojë gjithçka që të mos ndryshojë asgjë”, pra që nuk kërkojnë zgjidhje, por vetëm pushtet. Në kërkim të zgjidhjes po i referohem një ideje që solli gazetari investigativ, njohës shumë i mirë i lidhjes së krimit të organizuar me politikën në Ballkan, Drew Sullivan, në intervistën e tij në “Shqip” të Rudina Xhungës. Ai e krahasoi Shqipërinë me Çikagon në kohën e Al Kapones kur ky ishte aq i fuqishëm, saqë, me paratë e tij mund të blinte politikanët, gjyqtarët, hetuesit, policinë, gazetarët dhe të sundonte pa u prekur. Mënyra që u gjet për ta çrrënjosur këtë sistem në Çikago ishte ndërhyrja nga jashtë. Pra, në atë rast, ishte qeveria federale e SHBA që emëroi disa të paprekshëm dhe të pakorruptueshëm nga sistemi që vepruan për shembjen e tij.


Problemi te ne është se çfarë mund të bëhet në një vend i cili është i gjithi Çikago e Al Kapones. Nuk mund të reshtim së kërkuari nga njerëzit, veçanërisht nga të rinjtë, kurajë për ta sfiduar këtë sistem nga brenda, por, për të qenë realistë, në një vend që është i gjithi Çikago ndodh një proces paradoksal: sa më shumë që njerëzit ndërgjegjësohen për të keqen që i ka zënë, aq më të pafuqishëm ndihen ndaj saj dhe aq më të prirw i sheh t’i nënshtrohen asaj për shkak të kësaj pafuqie. Situata, në thelb, është e ngjashme me regjimin komunist: njerëzit ishin thuajse të gjithë të vetëdijshëm se ai sistem ishte kundër tyre, por të gjithë punonin për të. E vetmja gjë që prisnin shqiptarët ishte një ndërhyrje nga jashtë që t’i shpëtonte dhe, po ashtu, një zgjidhje individuale: të iknin nga ai vend për të jetuar në një vend normal.


Në fakt, zgjidhja “nga jashtë” për të cilën flet Sullivan tregon se sa e vështirë është gjetja e një zgjidhjeje nga brenda në kushte të tilla. Edhe regjimet komuniste nuk do të kishin rënë pa luftën e ftohtë nga jashtë që sigurisht u kombinua edhe me një rezistencë nga brenda. Në Shqipëri zgjidhja erdhi në formën më të keqe sepse rezistenca nga brenda ishte më e dobëta. Virusi shqiptar që prodhoi tumorin që po na mbyt erdhi pikërisht prej kësaj. Edhe ky tumor, sistem i krimit të organizuar që ka kapur shtetin, nuk mund të bjerë pa ndihmën nga jashtë – e në këtë aspekt ndërkombëtarët duhet të mendojnë më seriozisht, sipas meje, për politika më efikase. Por, ndërkaq, sa më e fortë të jetë rezistenca nga brenda, aq më shpresa ka që zgjidhja që do të vijë më pas të jetë më e mirë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama