Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Republika e vogel perballe flamurit te perjetshem

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Republika e vogel perballe flamurit te perjetshem

Këto ndryshime janë pjesë e përpjekjeve për implementimin e paketës "Ahtisari" në Kushtetutën e re të vendit. Debati në momentin e parë nuk pati atë vlagë që mund të kishte në një rrethanë tjetër, për vetë faktin se shumëkush në Kosovë e cilësoi si "hajgare" të çastit. Mirëpo, menjëherë në mediat dhe shtypin e Prishtinës vërshuan interpretimet e para, pro dhe kundër, duke e lënë shumicën pro kontestimit të rrufeshëm të heqjes së kësaj date nga kalendari zyrtar i republikës. Në të vërtetë, Kosova natyrshëm që ka tashmë "orën" për të investuar fitimin e integritetit në të gjitha dimensionet e fjalës.

Integriteti shtetëror i saj është ende i paardhur dhe vetëm i premtuar. Prej gjithë tranzicionit post-Milosheviç në Kosovë po eksperimentohet delegimi me kurnacëri. Kjo periudhë është vërtet lodhëse dhe u desh vetëm akti i shpalljes zyrtare të Pavarësisë dhe i njohjeve të para ndërkombëtare për ta ringjallur shpresën dhe energjizmin qytetar në Kosovë. Institucionet e Kosovës në këta 11 vjet janë në sprovën më të pashembullt, sikundër mund të thuhet se vazhdojnë të jenë nën regjimin protektorues. Ndërsa në të gjitha praktikat fillestare të shtetformimit është folur për strukturat paralele, për paplotësi dhe pasaktësi institucionale, deri edhe për periudha anarkike, në Kosovë mund të flitet për fenomenin tipologjik të dualitetit institucional (QEVERI-UNMIK) dhe në rrethana si këto të sotme edhe për një tranzicion fragmentar tri-institucional (QEVERI-UNMIK-EULEX).

Delegimi me kurnacëri i kompetencave dhe autoritetit ligjor, natyrisht që mbart një aspekt thelbësor pozitiv, sepse ruan strukturat delikate të shtetit të ri, sikundër edhe shmang goditjet që planifikojnë kundërshtarët potencialë të republikës së re-Kosovë. Mirëpo, përkundër këtij aspekti, po shfaqen në shumëplanësi, defekte dhe pasoja të cilat sipas të gjitha gjasave po mbjellin premisa të reja penguese për procesin e brendshëm prosperues të shoqërisë dhe vendit, si dhe po krijojnë rezerva dasuese për çështjet themelore të kësaj pjese kombëtare, në shtetin e vet. Shprehje e këtij disproporcioni mes nevojës institucionalizuese dhe mëvetësisë shtetërore të Kosovës me përkatësinë testamentale të saj, me sa duket është edhe "incidenti" legjislativ për Ditën e Flamurit.

Kjo sprovë e sugjeruar dhe e kontekstuar prej paketës "Ahtisari" në të vërtetë, është krisja e parë mes nevojave ditore që paraqet procesi dhe procedimi legjitimues në shtetin e Kosovës dhe trashëgimisë dhe konteksteve historike që ka ajo në raport me shtetin tradicional të shqiptarëve. Natyrisht, Shqipëria zyrtare bëri shumë mirë që nuk ka një reagim të shpejtuar për këtë debat të brendshëm parlamentar në Kosovë. Mirëpo, kategoria e profesionistëve të historisë dhe historiografisë kombëtare do të ishte me vend të reagonin në kohë. Sepse shumëkush e di se e vërteta për ditën kombëtare të 28 nëntorit 1912, është e barasvlefshme në dëshirë dhe dashuri për çdo qenie shqiptare. Nuk ka kufi dhe nuk ka administratë që e dason këtë lidhje dhe këtë bashkim natyral me kalendarin kombëtar. Ky kalendar i përket shumicës prej 95 për qind të banorëve të Republikës së Kosovës dhe mohimi i tij natyrisht do të ishte një akt diskriminues, të cilin nuk ka qeveri apo administratë që mund ta përballojë.

Kjo çështje e sapondezur në Parlamentin e Kosovës, është gati reminishenciale me aktin amendues të Kushtetutës në Parlamentin e Shqipërisë, akt ky i kryer në befasi dhe pa iu nënshtruar një diskutimi dhe debati në nivel ekspertësh dhe mendimtarësh të çështjeve dhe kulturës juridike. Diferenca krahasimtare mes dy vendeve është logjike, por metoda proceduese është gati e njëjtë. Në këtë mënyrë procedimi fshihet realisht edhe shmangia që udhëheqësia politike në hapësirën e dy shteteve shqiptare i bën së drejtës qytetare për t‘u pyetur dhe për t‘u dëgjuar. Guximi imponues, ose thjeshtësisht arbitrariteti i këtyre udhëheqësive shkon deri aty sa mund të cenohet lehtësisht edhe trashëgimia, edhe kalendari i trashëguar kombëtar, edhe Kushtetuta e për rrjedhojë sistemi qeverisës. Imponime të tilla së pari deformojnë dhe keqpërdorin mandatin e besimit qytetar.

Sovrani nuk nxehet dhe nuk reagon sipas seancave që kalon një Parlament apo një qeveri. Sovrani e mbledh të drejtën e vet reaguese, deri në atë pikë, sa përmbyset çdo mundësi e mëtejshme tolerimi. Reagimi qytetar për mundësinë e heqjes me Kushtetutë të festës zyrtare të deritanishme, të Flamurit në Kosovë, është shprehja e parë vetëpërmbajtëse. Në këtë rast, politikanët e vendit kanë hyrë në ‘ujërat e egra‘ të politikës. Ata pavarësisht nga ‘kapitaneritë e shumta" të komunikimit, duhet të kenë në konsideratë tundjen reale të anijes së shtetit të ri që kryesojnë. Shumëkush e di, jo për shkak të patriotizmit verbal, se "dyreku" i përjetshëm i përkatësisë kombëtare ka drejtësinë e shtizës së flamurit, ndërsa shteti që bëhet tashmë, në thelbin e vet, ka mitin e prekshëm të simboleve etnopërkitëse. Pasoja politike që sjell ky cenim, është e pallogaritshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama