'Erozioni i sovranitetit' ligjor dhe konflikti 'nen kapote'

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 9 vite më parë

Aleksandër Çipa
'Erozioni i sovranitetit' ligjor dhe konflikti 'nen kapote'

Në këtë vend nuk ngjet rritja dhe natyrisht humbet ndjeshmëria për kohën dhe moshën ndryshuese të njeriut. Ky paradoks bashkëjeton edhe me dukurinë e konstatuar prej politikanit-shkrimtar Ben Blushi në librin e fundit “Hëna e Shqipërisë”; atë të zvogëlimit demografik të shqiptarëve për një periudhë të afërt perspektive.

Ka diçka shumë serioze që nuk shkon në jetimin e kohës natyrore të njeriut dhe sidomos të jetës së përfaqësimit që udhëheqësi apo udhëheqësia në përgjithësi i bën shoqërisë apo vendit. Ky problem i madh që shton pasojat (sidomos në këtë dhjetëvjetëshin e fundit dhe sipas gjasave edhe në disa vite që vijnë), nuk po trajtohet si i tillë. Pra si problem apo çështje e madhe jo vetëm shoqërore, politike dhe sociale, por mbi të gjitha kombëtare. Problemi në fjalë nuk po mendohet dhe përjetohet si i tillë kolektivisht. Ankthi apo pesha e tij përjetohet vetëm me ankimtari individuale. Secili qahet tek tjetri, askush nuk qan për tjetrin. Të gjithë së bashku nuk e bëjnë dot një reagim apo barrierë penguese për mosvijimin e mëtejshëm të problemit apo zmadhimin e mëtejshëm të tij. Në raportet bilaterale politike, kriza e përcaktimit të përgjegjësisë dhe fajtorit, vijon të shfaqet përmes amullisë dhe ngatërrimit. Çdo protagonist qeverisjeje në këtë vend i ikën përgjegjësisë, por sidomos analizës. Në këtë mënyrë, cikli i përsëritjes ngjet si cikël rrëzimi e ngritjeje, por jo si një proces zhvillues që e mira jote të jetë tejkalimi im dhe e keqja ime të sjellë zëvendësimin prej teje. Dalldia e pakënaqësisë së qytetarëve vjen gjithmonë përmes durimit dhe maturisë, ndërsa ajo e kryekundërshtarit politik afishohet në kreshendo patologjike qysh në muajt e parë, pas ikjes nga pushteti. Në këtë gjendje shfaqet aktualisht edhe marrëdhënia e qytetarëve me opozitarizmin politik në vend. Kriza është në kulmin e efektit dhe ndikimit të saj social dhe ekonomik mbi të gjitha shtresat poshtë politikanëve dhe matanë tyre. Një krizë që peshon e tillë si mbi opozitarët e nivelit të ulët të të ardhurave sociale, ashtu dhe të atyre militantëve të “pashpërblyer” të së majtës. Në këtë gjendje, brendia dhe nevoja për ikjen nga kjo krizë mbetet te kolegjialiteti dhe konstruktivizmi i shoqërisë.

Ankimtaria e opozitës është natyralitet në çdo shoqëri. Ajo përfaqëson institucionin moral dhe kundërshtues të një shoqërie demokratike, përballë qeverisë. Kapja e pushteteve nuk është gjë përballë kapjes së opozitës politike të një vendi. Në këtë plan, kuota e demokracisë politike, fatmirësisht, konsiderohet e lartë dhe e tillë duhet ruajtur, ndërkohë që historia politike e Shqipërisë së këtyre 24 viteve ka momente kur këtë fenomen e ka shfaqur jo vetëm si tendencë, por edhe si ndërhyrje reale.

Mirëpo raporti i rotacionit me procesin ndryshues politik të forcës që bie nga qeverisja është thelbi dhe premtimi i cilësishëm i qeverisjes së ardhshme. Vetëm kështu dhe natyrshëm përmes përgatitjes dhe sjelljes konstruktiviste, qeverisja e ardhme duhet të kontrastojë me pararendësen.

Këto ditë, në mediat tona, është vënë në epiqendër akuzash një politikane e re e së djathtës zyrtare në vend, zonja Grida Duma. Një goditje e bazuar mbi një fakt juridik, që mësyn dhe natyrisht tenton, ndotjen publike të imazhit të saj. A është kjo një arsye që i shkon logjikës për të respektuar tentativat ndryshuese të elitës apo lidershipit të një pjese të spektrit politik?! Unë do të thoja, kjo është një formë dhe armë e vjetër që ripërdoret në kushte dhe për protagonistë të rinj në skenën apo ndeshjen politike në vend. Kësi detajesh zbulojnë “armët nën kapotë” të pushtetit politik që rishfaq “uniformat e konfliktit bipartiak” në skenën e vendit.

Në Shqipërinë e sotme ndodh dhe riprovohet e thëna e Konicës që në këtë vend nuk ka rini, por dikush që lind më shpejt dhe dikush më vonë. Politikani i fillimviteve ‘90 nuk ndryshon shumë nga ai i pas dy dekadave e gjysmë. Nuk e kemi fjalën për ndryshimin e emrit apo shtatit, por për atë raport dhe brendi që krijon ai, domethënë politikani, me veten dhe me qytetarët. Në Shqipërinë e sotme ky i fundit, qytetari-zgjedhës, po përmendet rrallë e më rrallë. Gati si festë jo e përvitshme fetare! Një sjellje që karakterizon oligarkinë, thotë me të drejtë Fatos Lubonja. Por në të vërtetë në rastin shqiptar, kjo oligarki është diçka më specifike, një lloj skote që po çngjyros jo vetëm dallesat dhe përkatësitë politike mes së majtës së përzier dhe së djathtës së pabërë. Biznes-politikani ose politikan-biznesmeni është aktualisht e vetmja kategori sunduese në këtë vend. Ky tip sunduesi ka transferuar jo vetëm format dhe brendinë e zotërimit, por mbi gjithçka ka fituar dimensionin e një skote që po ngjiz formën më vrastare të bashkimit të politikës me pushtetin ekonomik. Për rrjedhojë kemi hyrë në një dekadë të nënshtrimit serioz të pushteteve të tjera të shoqërisë dhe demokracisë institucionale, prej kësi kreaturash tranzicioniste. Kjo kompozitë po ngjiz një krizë jetëgjatë ligjzbatuese, korruptimi, psikologjike dhe funksionale, e cila fatkeqësisht nuk mund të zgjidhet prej politikës e siç po dëshmon realiteti, as nga rotacionet që sajon politika.

Kjo krizë, siç konkludohet edhe prej konstatuesve të tjerë, buron prej dëmtimit dhe mosfunksionimit të ingranazheve të sistemit dhe zhvlerësimit të ndëshkueshmërisë ligjore, duke e konvertuar atë në pandëshkueshmëri.

Në kësi rrethanash dhe situatash të mbartura e të ricikluara, shteti institucional as e mbulon e as e zhbën atë që Francis Fukuyama e cilëson si fenomen të “erozionit të sovranitetit”. Fjala nuk është për sovranitetin shtetëror në raport me territoret apo palët ndërkombëtare, por me vetveten, pra me sovranitetin e brendshëm. Territoret e pakontrolluara nga forcat e rendit dhe të sigurisë, pa drojë mund të shihen si pika ku është shuar sovraniteti i veprimit dhe administrimit institucional. Në kohën e gjatë të këtij tranzicioni, kësi pikash te ne i la të pakontrolluara politika. Sovraniteti ligjor u shndërrua në “gropë”, pikërisht për interesa elektorale, koniunktura zgjedhore dhe sidomos për arsye të makutërisë korruptive që shfaqi klasa politike dhe skotat e shërbestarëve të bindur.

Një ditë më parë, zyrtari më i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Xhonatan Mur, për sa i përket tensionit politik mes dy palëve në vend për disa çështje e vuri theksin tek ajo ç’përfaqëson Presidenti dhe Kryeministri në vend. Nënkuptimi i saj lidhet me mosmarrëveshjet që konsumohen aktualisht si debat publik i politikës, por që në thellësi fshihet arsyeja reale për konflikt. Pra, pushteti i “kapotës” mbulon armët e palëve, pra fsheh mundësinë e mbërritjes sonë në kohën e realitetin pa “erozion në sovranitetin” e ligjit dhe shtetit ligjor. Riaktualizimi i një konflikti të tillë zhbën sovranitetin e ligjit dhe ndan si përgjatë gjithë tranzicionit pushtetet institucionale në “pro opozitë e pro qeveri” dhe në këtë mënyrë tradhtohet si edhe më parë premtimi dhe projekti për demokraci ligjore.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama