Dialogu duhet kërkuar ndryshe

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 6 vite më parë

Fatos Lubonja
Dialogu duhet kërkuar ndryshe

Sot po flitet shumë për mungesën e dialogut të konsensusit midis maxhorancës…dhe opozitës si pengesë e zhvillimeve pozitive në Shqipëri. Ajo që bie në sy është se flitet thuajse vetëm duke iu referuar deklaratave të ndërkombëtarëve, duke i lidhur me statusin e Shqipërisë – a thua se e keqja më e madhe që i vjen vendit nga mungesa e dialogut është mosmarrja e këtij statusi të mallkuar. Së fundi, Moore u bëri thirrje udhëheqësve politikë shqiptarë të shohin se si u arrit dialogu midis udhëheqësve kosovarë dhe atyre serbë, duke synuar, kësisoj, në një farë mënyre, ti vërë në sedër politikanët shqiptarë. Fyle nga Brukseli deklaroi, po ashtu, se e mirëpret vullnetin e maxhorancës për dialog me opozitën.


Sipas mendimi tim, mënyra se si po shtrohet kjo çështje përmban një gabim të madh për të cilin po kontribuojnë edhe ndërkombëtarët. Gabimi qëndron në dy aspekte: në atë se statusi dhe konsensusi apo dialogu po mistifikohen shumë: a thua se arritja e statusit dhe e dialogut të jenë një qëllim në vetvete, dhe jo tregues të arritjeve të vërteta demokratike në Shqipëri dhe, e dyta, se pikërisht duke u trajtuar kështu, në mënyrë kaq sipërfaqësore, po bëhet gjithçka për tu inskenuar një lloj dialogu (nëpërmjet p.sh. takimit Rama-Basha), që, do të thotë, duke ua ngarkuar këtë detyrë liderëve të partive kryesore politike, pa kuptuar se e keqja e mosdialogut janë pikërisht ata dhe se, prandaj, për të arritur dialogun e vërtetë politik në Shqipëri, në mënyrë që vërtet të ndryshojë gjendja, duhen kërkuar rrugë të tjera.


Them "rrugë të tjera" pasi kjo rrugë ka bërë që politikanët tanë, të cilët në thelb nuk kanë asnjë interes që ne të hyjmë në Europë, përveçse që të fitojnë sa më shumë legjitimitet ndërkombëtar në bëmat e tyre kundër interesit të shqiptarëve, të gjejnë mënyrat efikase për tiu shmangur rrezikut të hyrjes vërtet në Europë, çka, për ta, do të thotë bërje e Shqipërisë një shtet i së drejtës, që, po të funksiononte vërtet, do ti eliminonte bandat politike që kryesojnë ata.


Mënyra kryesore që kanë gjetur politikanët tanë është kthimi i tyre në një kafshë politike që ka mësuar gjithnjë e më mirë përdorimin e një gjuhe të dyfishtë: një për ndërkombëtarët, në sytë e të cilëve bëjnë garë se cili është më demokrat, më i gatshëm për konsensus dhe dialog, dhe një tjetër, konfliktuale, për brendapërbrenda vendit. Kjo gjuhë është zhvilluar në atë nivel sa vihet re edhe një "ndarje pune" midis pëllumbave dhe skifterëve në partitë reciproke, ku të parët bëjnë të moderuarit, kurse të dytët vazhdojnë të mbajnë ndezur ndjenjat e urrejtjes për kundërshtarin.
Në fakt, gjendja në terren është e tillë sa që tu thuash shqiptarëve se dialogu është i mundur, është njëlloj sikur tu thuash se është e mundur të ketë dialog midis tigrit dhe luanit se kush do ta hajë një pre. Këtë askush nuk e beson sot me çfarë i kanë parë dhe i shohin sytë. Mjaft të kesh parasysh "kacafytjet" midis Berishës dhe Ramës në Parlament për të kuptuar se ku është niveli i mundësisë së tyre për dialog. Por ndërkaq nuk mungojnë deklaratat si ajo e Ramës në Bruksel, se qeveria ngulmon të përfshijë edhe opozitën në reforma, apo e Majlinda Bregut që deklaroi se PD-ja e mbështet edhe ajo fort integrimin e Shqipërisë. Vini re gjuhën e dyfishtë. Kur bëhet fjalë për vlerësimet e të dyja palëve për qeverisjet reciproke, nuk gjen karbon më të zi se sa ai me të cilin e vizatojnë ata njëri-tjetrin. Rama e të tijtë të tmerrojnë kur i dëgjon të denoncojnë ato që ka bërë Berisha në vitet e qeverisjes në të gjitha sferat me grabitjen e pasurive të shqiptarëve, me kapjen e institucioneve e me radhë. Berisha e Basha nuk lënë gjë pa thënë kur denoncojnë mashtrimet elektorale, lidhjet e maxhorancës me krimin, arbitraritetin dhe arrogancën e saj, duke parashikuar një të ardhme si e Greqisë për Shqipërinë. Atëherë, kur gjendja për të dyja palët është kaq katastrofike, le të na thonë të dyja palët se përse e merituaka Shqipëria statusin e vendit kandidat, për të cilin të dyja palët thonë se u qan zemra me konsensus?


Po polemizohet këto ditë mbi marrëveshjen që ka bërë qeveria me FMN-në. Edhe një herë, si përherë, opozita po u bie kambanave të alarmit me fjalët "rrënim", "shkatërrim" i së ardhmes së shqiptarëve. Edhe një herë, si përherë, maxhoranca akuzon se këto po bëhen për faj të opozitës që, kur ishte në pushtet, abuzoi sa mundi me shqiptarët dhe, sigurisht, po hesht për premtimet që spo i mban e që rezultojnë mashtrime.


Në këto kushte, pra, askush prej tyre nuk ulet të shohë realitetin e të bëjë dialog për atë se si mund ta ndryshojmë gjendjen që të dyja palët e quajnë katastrofike. Sepse, që të bëjnë këtë, duhet që opozita të njohë përgjegjësitë për atë se ka dështuar në qeverisjen e saj dhe maxhoranca se ka mashtruar kur ka bërë premtime elektorale të pambajtshme e se, në shumëçka, po vazhdon të njëjtën rrugë të ish-ëve të tyre.


Dialogu do të duhej të fillonte pikërisht këtu: në njohjen e kësaj përgjegjësie të dyfishtë. Por është pikërisht kjo që as u shkon ndër mend bajlozëve tanë me gjuhë të dyfishtë. E kjo histori duket se do të vazhdojë pa fund, gjithnjë me gjuhë të dyfishtë.


Prandaj gjykoj se problemi i vendosjes së dialogut duhet nisur nga kërkimi i rrugëve të tjera, edhe nga ndërkombëtarët, për ta ndërprerë këtë gjuhë të dyfishtë që ata e stimulojnë duke e përdorur edhe vetë. Dialogu mund të fillojë vetëm kur janë të qarta përgjegjësitë për këtë gjendje dhe të vendoset drejtësia, dhe jo duke u bërë thirrje përgjegjësve me shpresë se do tu vijë një ndriçim hyjnor e të kthejnë rrugë. Sepse historia e politikanëve tanë tregon qartë se sa më shumë rrinë në pushtet, aq më shumë ndihen të paprekshëm dhe të pandëshkueshëm, aq më shumë bëhen paranojakë, të papërgjegjshëm dhe jashtë kontaktit me realitetin, aq më konfliktualë brenda e aq më hipokritë jashtë. Pra këtu qëndron problemi edhe me ndërkombëtarët. Edhe ata nuk arrijnë ti vënë politikanët tanë përpara përgjegjësisë pasi i konsiderojnë interlokutorët e vetëm. Aq më pak u shkon ndër mend të nxisnin në Shqipëri një përmbysje të këtyre interlokutorëve, pasi kanë frikë se edhe më keq do të bëhej gjendja në një kohë kur punët në Europën e Bashkuar po shkojnë rrokopujë pasi fronti i antieuropianëve po rritet dita-ditës. Prandaj ska më komod se sa me ta në këtë gjendje që është Shqipëria – në fakt siç e kanë katandisur ata. Burokratët e Brukselit mbajnë hapur bisedimet e një procesi me interlokutorë që flasin gjuhën që ata duan të dëgjojnë, kurse kusuret e gjuhës tjetër të këtyre interlokutorëve, që ata i legjitimojnë përditë, i paguajnë shqiptarët.


Kjo analizë të çon në përfundimin se para së gjithash dialogun duhet ta imponojnë shqiptarët, dhe jo për statusin e hyrjes në një Europë që sdihet a do të ekzistojë kur tu vijë radha shqiptarëve për të hyrë, por për të zgjidhur hallet e tyre. Dhe që ta bëjnë këtë duhen së paku tri gjëra të rëndësishme sa vetë demokracia:


Së pari, do të duhej një opinion publik që të shprehej nëpër media, nëpërmjet shoqërisë civile, nëpërmjet protestave e të gjitha mjeteve demokratike, deri edhe nëpërmjet akteve të mosbindjes civile, kundër kësaj politike. E pamë forcën e një trysnie të tillë vetëm në protestat kundër armëve kimike. Ajo duhet të zgjerohet në të gjitha fushat se rreziku dhe e keqja që i ka ardhur dhe i vjen Shqipërisë nga ky lloj konfliktualiteti irracional i klasës sonë politike është më i madh se sa ai i armëve kimike. Vetëm nën trysni të tilla politikanët tanë do të ishin shumë më të përgjegjshëm, prandaj dhe më të gatshëm për të pranuar përgjegjësitë dhe për të hapur dialog.


Së dyti, na duhet një drejtësi e pavarur që zbaton ligjin dhe vetëm ligjin për të gjithë njëlloj. Një drejtësi e tillë do të eliminonte konfliktualitetin shkatërrues midis partive politike, të mbetur gjithherë pa ndëshkimin e fajtorit, duke i bërë politikanët shumë më të përgjegjshëm në ato që bëjnë dhe që sbëjnë. Sepse, tek e fundit, edhe konflikti politik duhet, madje është edhe i dobishëm e konstruktiv, por vetëm kur ka një arbitër që i jep të drejtë njërit apo tjetrit.


Së treti, na duhet çlirimi i shtetit dhe i institucioneve të tij nga kontrolli i partive. Një shtet me institucione që funksionojnë në interes të qytetarit dhe jo të klientelizmit të partive, nuk do të lejonte të ndodhte ajo që ndodhi p.sh. kur u arrit konsensusi për administratën dhe, megjithatë, nuk u respektua pasi, gjithnjë duke përdorur gjuhën e dyfishtë, të dyja partitë e kanë si rregull të veprojnë më një anë duke aprovuar ligje europiane e më anë tjetër duke kapur shtetin për interesat e klientelës së tyre.


Edhe ndërkombëtarët, me aq sa kanë mundësi e ndikim, duhet të punonin shumë më fort për të rritur këtë trysni se sa për të ulur Ramën e Bashën në tryezën e një dialogu të rrejshëm ku të bëjnë sikur e të na thonë se, përsa i përket statusit, të dyja palët janë në konsensus të plotë. Kështu siç janë punët brenda vendit, shqiptarët duhet të mos manipulohen nga konsensusi i partive politike pro statusit, por të ngrenë pyetjen: kujt i shërben më shumë statusi, interesit të tyre apo atij të udhëheqësve politikë për tu legjitimuar në mënyrë që të lehtësojnë, kësisoj, sundimin e tyre kundër interesave të shqiptarëve?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama