Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Alibitë dhe magjitë e korridorit të Veriut

Shkruar nga: Feti Zeneli  
Botuar më: 17 vite më parë

Feti Zeneli
Alibitë dhe magjitë e korridorit të Veriut

Të majtët nuk u mjaftuan me pengesat institucionale që sajuan për mosndërtimin e rrugës Durrës-Kukës gjatë qeverisjes së tyre tetëvjeçare, megjithë “dobësinë” amerikane për zhvillimin dhe integrimin perëndimor të Kosovës, duke vazhduar edhe tani në opozitë ta bëjnë në mënyrë “parimore” një gjë të tillë, nëpërmjet kërkesës politike për zbardhjen e “abuzimeve” në procedurat tenderuese. Po, pse duhet të ketë kaq pasion dhe padurim për këtë çështje, ndërkohë që ajo është bërë objekt hetimi nga organi i prokurorisë, i cili, sikundër dihet nga të gjithë, vazhdon të jetë vegël në duart e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj politikë? Sigurisht, askush nuk mund t’i vendosë “duart në zjarr” për të vërtetën apo alibinë e një akuze të tillë, megjithatë, fakti i ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash, prej gati 61 km, nga një kompani prestigjioze amerikane sikundër është “Bechtel & Enka JV”, përbën një provë sigurie, e kundërt nga ajo që fantazojnë politikanët tanë të majtë.

Nga ana tjetër, qëndrimi përçmues e demagogjiko-abuzues, që mbajtën qeveritarët e majtë në vitet ’99-’05, tregon se “inatin” më shumë sesa me qeverisjen e PD, ata e kanë me “veriorët” apo “çeçenët”, brenda dhe jashtë kufijve tanë. Në sezonin e parë të qeverisjes demokratike, që përfshin periudhën ’92-’97, çështja kosovare u anatemua prej tyre si shkak i katrahurës shqiptare, ndërsa lideri demokrat, Sali Berisha, u cilësua si nxitës i tensioneve politike për përkrahjen e idesë së demokratizimit të Kosovës. Bilé, anatemimi dhe përfolja për përkrahjen pasionante të një çështjeje të tillë, me pasoja për demokracinë shqiptare, vazhduan edhe në trajtën e justifikimit të ngjarjeve të ’97, për të cilat u tha, se u sajuan me qëllim nxitjen e trazirave në Kosovë. Me pak fjalë, Berisha akuzohej se po sakrifikonte demokracinë shqiptare për çështjen kosovare, gjë që ishte një absurditet komunist, ndërkohë që dihet tashmë botërisht se cili është shkaku i vërtetë i këtyre ngjarjeve; pra, falimentimi i skemave piramidale. Sidoqoftë, nuk mund të mohohet afiniteti politik i qeverisjes demokratike me të ardhmen e çështjes kosovare e kombëtare në përgjithësi, e cila asnjëherë nuk u konceptua përtej detyrimeve patriotike të dheut amë. Në vitet e gjata të qeverisjes majtiste ka qenë demagogjia dhe cinizmi që kanë shoqëruar veprimtarinë tonë politike në shërbim të çështjes kosovare.

Inicimi i taksës “Majko” ishte konkretizimi më i qartë i një qëndrimi të tillë përçmues e abuzues ndaj kësaj çështjeje. Ish-opozita e asaj kohe u shpreh qysh në fillim kundër mbledhjes së një takse të veçantë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, duke e konsideruar një sjellje të maskuar fiskale të qeverisë për mbushur buxhetin e tharë nga shpenzimet e rënda elektorale të vitit 2001. Sidoqoftë, qëllimin e vërtetë të mbledhjes së kësaj takse të veçantë, shqiptarët arritën ta mësojnë në vitet e mëvonshme, duke parë që fondet e krijuara vit pas viti për këtë qëllim u përdorën për të ulur deficitin buxhetor dhe borxhin publik të qeverisë. Natyrisht, në këtë konkluzion arrijmë jo vetëm duke parë që s’u ndërtua asnjë kilometër nga ky segment i rëndësishëm rrugor, që i shërben zhvillimit tonë të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror si komb, por duke iu referuar edhe ligjit mbi realizimin dhe shpenzimin e buxhetit të shtetit në kohën e qeverisjes social-komuniste. Dhe, me afro 50-60 milionë euro të grumbulluara deri në vitin 2005, do të ishte ndërtuar një segment i konsiderueshëm i gjatësisë së kësaj rruge. Ndërsa, po të kishte qenë predispozicioni dhe sinqeriteti i duhur për kryerjen e këtij investimi të rëndësishëm kombëtar, kishte mjaft mundësi të tjera financiare për kryerjen e një investimi të tillë të rëndësishëm për ekonominë dhe kombin shqiptar.

Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë është një investim strategjik për shëndoshjen dhe zgjerimin e tregut shqiptar dhe atij kosovar, si dy barkushet e një zemre. Ata që kanë diktuar dhe formuluar në mënyrë të padukshme vendimmarrjen e qeverisjeve majtiste të pasnëntëdhjetë e shtatës, deri më 3 korrik 2005, natyrisht që nuk kanë qenë dakord me zhvillimin e një projekti të tillë, pasi binte ndesh me interesat e përfaqësuesve të tyre të sipërmarrjeve ekonomike në tregun shqiptar. Të gjithë jemi dëshmitarë për vendin, llojin dhe mënyrën e investimeve publike të kryera nga qeverisjet socialiste, të cilat kanë anuar nga interesat e fqinjit tonë jugor dhe interesat private të ish-pushtetarëve shqiptarë. Me ndryshimet politike që sollën zgjedhjet e përgjithshme politike të 3 korrikut 2005, ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë i erdhi dita e pagëzimit të saj. Një investim i tillë u vendos në axhendën qeverisëse sa për vlerat ekonomike, po aq dhe për impaktin demokratik të integrimit gjithëshqiptar në familjen evropiane, parë kjo dhe në kuadrin e krijimit të kushteve për efektivitetin dhe mirëfunksionimin e tregut rajonal midis trojeve shqiptare në përgjithësi. Magjia e tregut është e tillë që ka arritur të bashkojë mbi bazën e parimeve të interesit reciprok edhe pikat më të largëta të globit apo sipërmarrësit e kombësive të ndryshme, jo më potencialet ekonomike të shqiptarëve që jetojnë si fqinjë administrativë me njëri-tjetrin, për shkak të padrejtësive historike të së kaluarës.

Në vitet e para të tranzicionit, shumë nga bashkëkombësit tanë të këtyre trojeve janë bërë iniciatorët e parë të përhapjes së sipërmarrjes private në Shqipëri, kryesisht në fushën e tregtisë, turizmit dhe shërbimeve. Megjithatë, investimet e tyre në atdheun mëmë mbetën simbolike edhe për faktin se nuk u mirëpritën dhe nuk u stimuluan administrativisht prej institucioneve të ndryshme të shtetit shqiptar. Kjo lloj arrogance e pakuptueshme e shtetit amë ndaj biznesit shqiptar përtej kufijve tanë vazhdoi edhe në vitet e mëvonshme, duke e mbajtur disi larg tregut tonë këtë lloj biznesi rajonal. Në mënyrë të veçantë, ky lloj qëndrimi ishte i pajustifikueshëm, sidomos pas shkëputjes së plotë administrative të kësaj krahine prej vartësisë serbe. Megjithëse qysh prej 5-6 vitesh ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë midis Shqipërisë dhe Kosovës, përsëri eksport-importi midis tyre nuk ka njohur ndonjë zhvillim të ri. Eksportet shqiptare në Kosovë nuk përbëjnë as 7% të volumit gjithsej të tyre, ndërkohë që ruhet i pacenuar roli dominues i eksporteve nga vendet ish-jugosllave. Pa i paragjykuar politikisht dhe pa i stimuluar patriotikisht këto lloj treguesish, është i pajustifikueshëm niveli i ulët i integrimit të këtyre dy tregjeve ndërshqiptare me njëri-tjetrin.

Të kishte një bashkëpunim më efektiv midis këtyre dy tregjeve, Kosova nuk do të cilësohej sot prej analistëve të huaj si “Palestina e Evropës” dhe veriu i vendit tonë nuk do të trajtohej si simbol i varfërisë shqiptare. Në këto kushte, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë mbetet çelësi magjik i çeljes së këtij bashkëpunimi dhe zhvillimi, ku përfitimet më të mëdha buxhetore dhe valutore i takojnë vendit tonë, për shkak të mundësive turistike e tregtare që ofron bregdeti shqiptar për kosovarët dhe bashkëkombësit tanë përtej kufijve shtetërorë të vendit tonë.

Këtë pohim nuk e bëjmë në kuadrin e patriotizmit demagogjik, por të patriotizmit ekonomik. Vërtet ekonomia e tregut është një institucion mbipolitik, por kjo s’do të thotë që gjatë ndërtimit të saj të mos udhëhiqesh nga politika kombëtare. Ekspertët parashikojnë që në vitet e para pas ndërtimit të kësaj autostrade, fitimi për ekonominë shqiptare të jetë mbi 300 milionë dollarë në vit, për të ardhur më pas, derisa të ndikojë në dyfishimin e GDP së Shqipërisë dhe të Kosovës. Rruga Durrës-Kukës ka rëndësi të jashtëzakonshme, jo se është projekti i parë madhor që kalon mespërmes zonës më të varfër të vendit tonë, por, ngaqë lidh Shqipërinë me Kosovën, me Serbinë Jugore e Maqedoninë dhe fuqizon portin e Durrësit, duke e lidhur me një nga korridoret më të rëndësishme të Evropës, siç është Korridori 10.

Nga ana tjetër, ne nuk duhet të tregohemi të rezervuar edhe për përfitim tjetër të madh që buron nga ndërtimi i një vepre të tillë infrastrukturore, i cili lidhet më faktin e integrimit të gjysmës së kombit të martirizuar shqiptar me gjysmën tjetër të këtij kombi, të komunistizuar në mënyrën më barbare për 50 vjet më radhë. Shqiptarët, pavarësisht pasojave të padrejtësive historike, përfaqësojnë, ndoshta, një prej kombeve bazë për emërtimin evropian të kontinentit tonë. Është tragjikomike tendenca e përçarjes dhe përbuzjes së sotme të disa kancelarive evropiane ndaj çështjes kosovare dhe asaj shqiptare në përgjithësi. Sidoqoftë, shqiptarët vazhdojnë të jenë këmbëngulës dhe të motivuar, jo vetëm për identitetin e tyre të padiskutueshëm evropian, po edhe për integrimin e shpejtë dhe të merituar në gjirin e familjes evropiane, pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Integrimi euroatlantik është ëndrra e kahershme e shqiptarëve pa dallim feje, bindjeje e ideje. Në raport me Kosovën dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë, Shqipëria ka patur dhe ka statusin atëror të realizimit të aspiratave të tyre kombëtare. Por jo gjithnjë ajo e ka ushtruar këtë funksion patriotik, në shërbim të përparimit dhe integrimit gjithëkombëtar. Historiku i kësaj çështjeje është mjaft i gjatë, por shpesh ngjall emocione të pakëndshme, nëse i referohemi. Megjithatë, mjafton të përmendim se një çështje e tillë asnjëherë nuk mund ta kishte zgjidhjen e duhur brenda regjimeve totalitare e despotike.

Por, edhe në demokracinë e brishtë shqiptare, kjo zgjidhje ka qenë e pamundur të arrihej në standardet e kërkuara. Shikoni ecurinë e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë gjatë viteve të pluralizimit dhe menjëherë do të bindeni për problematikën që ka ekzistuar në këtë drejtim, megjithëse politikanët kosovarë kanë ofruar vazhdimisht ide konkrete dhe partneritet. Në “librin” e mendimit vizionar të Rugovës për demokracinë, jo pak faqe i janë kushtuar edhe çështjes së integrimit ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe këto ide kanë qenë po kaq largpamëse e të studiuara, sa dhe strategjitë e investitorëve të huaj potencialë që kanë prekur këto 16-17 vitet e fundit “tokën e izoluar” për 45 vjet rresht nga komunizmi më i egër në botë. Sipas një vizioni dhe strategjie të tillë, u çel para 12 vitesh në Shqipëri edhe “Dardania Bank”. Rugova ishte ideatori i këtij investimit kuptimplotë të qeverisë së Kosovës në Shqipëri. Por, presidenti i ndjerë, tashmë, Ibrahim Rugova, paralelisht me këtë iniciativë ka qenë i pari politikan i lartë i kombit shqiptar që ka hedhur edhe idenë e ndërtimit të autostradës Durrës-Prishtinë, duke e konceptuar atë para së gjithash, si korridor të integrimit ndërshqiptar, në kushtet, kur Kosovës ia mbyllnin gjithnjë e më shumë pikëkalimet e mëparëshme drejt Evropës. Nuk e di sesi mund të rrihej indiferent e duarkryq prej politikës shqiptare përballë një situate në tillë!... Ndërsa tani nuk po arrij të kuptoj sesi mund të shtyhesh më tej në këtë mëkat!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama