Kredibiliteti i humbur dhe militantizimi i shoqërisë

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 6 vite më parë

Fatos Lubonja
Kredibiliteti i humbur dhe militantizimi i shoqërisë

Nëse do të shprehja me dy fjalë problemin kryesor që ka klasa jonë politike sot në raportin me publikun, do të thosha: i mungon kredibiliteti. Çkuptohet me kredibilitet të një force politike? Thjesht çfarë kuptohet edhe në raportin tonë me një njeri tjetër: mbajtja e fjalës së dhënë, e premtimeve, përputhshmëria e asaj që thua me atë që bën.


Nëse do të kujtojmë premtimet elektorale të Partisë Socialiste përpara zgjedhjeve, nuk mund të mos bjerë në sy lehtësia me të cilën janë bërë disa premtime dhe, po ashtu, lehtësia me të cilën janë "harruar" ato. Për shembull: premtimi i shërbimit shëndetësor falas, premtimi i legalizimeve gratis, i kompensimit të plotë brenda dy vjetëve të ish-të përndjekurve politikë; premtimi për transparencë, premtimi për 300 mijë vende pune, premtimi për konkurse të ndershme dhe jo pa to ose me farsa konkursesh. Për të mos përmendur historinë e armëve kimike ku Kryeministri, ndërkohë që na kishte premtuar se pushtetin e kishim ne, populli, ndërsa ai ishte thjesht shërbyes, u kishte premtuar amerikanëve me kokë të vet ti sillte ato në Shqipëri.


Normalisht mjafton një gënjeshtër për të humbur besimin, kurse maxhoranca ka bërë shumë të tilla. Për të mbuluar këto gënjeshtra është përdorur "arka bosh" e shtetit e lënë nga PD-ja. Por a mund të thuhet se nuk e dinin që arka ishte bosh? Jo. E kemi ditur të gjithë – madje Rama i ka denoncuar borxhet qëkur ishte në opozitë. Dikush mund të ngrejë pyetjen: Po si thua ti, a mund të fitonte PS-ja sikur të dilte e të thoshte: "O njerëz, ne nuk ju premtojmë gjëra që si realizojmë dot, veçanërisht pa parë një herë se si është arka e shtetit, pasi kemi shumë të dhëna që ajo është bosh"? Sipas meje, po – sikur të shtonte edhe diçka tjetër: "Por ne ju premtojmë se të gjitha ato që kemi premtuar do ti mbajmë e, mbi të gjitha, premtimin se nuk do tju vjedhim e grabisim", – e ta bënin këtë realitet. Por askush nuk e ndërmerr këtë lloj politike. Pse kështu? Mos ngase u është krijuar bindja se gënjeshtra me këtë popull funksionon më mirë për pushtetin sesa e vërteta? Sipas meje, jo, është më e komplikuar se kaq. Por le ta shtjelloj idenë time pasi të shkruaj edhe për kredibilitetin e opozitës.

* * *


Problemi i opozitës me kredibilitetin, sipas mendimit tim, është sot edhe më i madh. Sepse jo më larg se disa muaj më parë ajo është ndëshkuar pikërisht për zhgënjimet e mëdha përsa u përket premtimeve të pambajtura. Prandaj tingëllojnë padurueshmërisht jo kredibël deklarimet e Berishës kundër mafiozëve, ndaj të cilëve kishte premtuar luftë – madje ishte i detyruar të luftonte kur ishte në pushtet – dhe që, në fakt, gjatë qeverisjes së tij qenkan fuqizuar aq shumë, sa i morën edhe pushtetin. Janë po ashtu të pabesueshme "analizat" e Bashës nëpër takimet që bën, sipas të cilave, zgjedhjet u humbën për shkak se opozita i mashtroi qytetarët me premtime të gënjeshtërta, të cilat ata, naivë deri në idiotësi, i besuan.


Por kriza e kredibilitetit të opozitës thellohet edhe më kur ke parasysh jo vetëm hendekun midis asaj që ka premtuar e asaj që ka bërë në pushtet, por edhe midis asaj që ka thënë kur ishte maxhorancë dhe asaj që thotë sot. Lulzim Basha deklaroi para disa ditësh, duke cituat Reganin, se problemi në një demokraci "është gjithmonë qeveria", jo opozita. Por deri dje a nuk ia faturonin opozitës destruktive të Ramës shumë mosrealizime të tyre? Si ka mundësi që tani bëjnë thirrje për revolta popullore – dhe ta do mendja se e kanë fjalën për një simulim revoltash me militantët e vet, siç ka bërë edhe opozita e mëparshme? A nuk jemi në aplikimin sot pikërisht të asaj që kanë denoncuar dje?


Sipas meje, e di edhe Basha vetë që thotë të pavërteta të mëdha. Edhe ai, ashtu si rivali i tij në pushtet, duket sikur pandeh se gënjeshtra funksionon më mirë sesa e vërteta. Po a është kështu? Apo janë të shtrënguar të gënjejnë pasi nuk e thonë dot të vërtetën, gjithë të vërtetën.


Për mua është kjo e dyta: thonë gjysmë të vërtetat e tjetrit, që asgjësojnë njëra-tjetrën, pasi nuk thonë dot të vërtetën e tyre. Dhe kjo ka kohë që ndodh duke iu rrëzuar përtokë kredibilitetin. Por problemi është: si qëndrojnë në këmbë këto parti me këtë kredibilitet të rrëzuar? Sipas meje, dy janë faktorët kryesorë që kompensojnë mungesën e kredibilitetit dhe justifikojnë gjuhën e gënjeshtrave: I pari është monopoli ndaj politikës që kanë dy partitë kryesore. Njerëzit janë të detyruar të blejnë mallin e tyre fals pasi në tregun e politikës nuk ka mall tjetër. E dyta, ky monopol mbahet në këmbë nëpërmjet luftës së vazhdueshme për militantizimin e shoqërisë, ndryshe llogorizimin e njerëzve, ndarjen e tyre sipas sloganit enverist "o me ne, o kundër nesh". Dhe kjo sjell zhdukjen e hapësirave ku mund të lindë diçka e re apo të qëndrojë pjesa më racionale e shoqërisë, por edhe institucionet e pavarura të tilla si mediat, Gjyqësori, shoqëria civile. Kjo luftë justifikon edhe gënjeshtrën si mjet. Kredibiliteti i humbur i partive kompensohet kësisoj me besnikërinë e militantëve, me mobilizimin e tyre për luftë kundër armikut (në fakt për vende pune), si dhe (kur vjen puna për tiu drejtuar pjesës së zhgënjyer) me thirrjen për zgjedhjen e së keqes më të vogël.


Në periudhën ku kemi hyrë maxhoranca është duke përdorur në funksion të kësaj strategjie tri elemente kryesore. Së pari, po shfrytëzon namin e keq që ka lënë opozita e sotme kur ka qenë në pushtet. Pra, duke vazhduar të denoncojë e të nxjerrë prova që tregojnë se sa larg kishte shkuar në korrupsion, skandale e në dëme, sikur kërkon të lërë në harresë premtimet e gënjeshtërta që na ka bërë. Së dyti, po punëson sa të jetë e mundur të vetët, duke zëvendësuar përsëri kredibilitetin me militantizmin. Së treti, po përdorur karotat e pushtetit, duke afruar sa të jetë e mundur intelektualë, gazetarë në krahun e vet. Kësisoj, denoncimi i gënjeshtrave apo mosmbajtja e premtimeve i mbetet vetëm armikut, i cili – për shkak të pikës së parë – nuk është kredibël. Me këtë nuk dua të them se ska bërë asnjë punë të mirë në kahun e mbajtjes së ndonjë prej premtimeve, por dominante më duket çka thashë më sipër.

* * *


Opozita, nga ana e vet, në traditën e vjetër po synon të rifitojë kredibilitetin e humbur duke u mjaftuar me denoncimin e të këqijave që po bën maxhoranca. Nuk jam kundër, por si po e bën këtë dhe a mjafton kjo? Është krijuar një situatë kaq absurde, saqë i sheh zëdhënësit e opozitës të shprehin ditë për ditë një lloj gëzimi mediatik për çdo vrasje që ndodh në Shqipëri, pasi kjo provuaka se sa poshtë ka rënë policia që tani drejtohet nga kundërshtari. Megjithëse njerëzit e dinë mirë se tërë problemet me krimin e vështirësitë ekonomike te ne janë probleme të trashëguara, opozita vazhdon tu flasë atyre sikur të jenë militantë syverbër. Dhe e bën këtë me vetëdije, sipas strategjisë që përmenda më sipër. Në fakt, kredibiliteti i një opozite si kjo që kemi do të mund të fitohej ose nëpërmjet një pendese të madhe – që më të shpeshtën shoqërohet edhe me dorëheqje të rëndësishme; ose me një pastrim të madh, që më së shumti bëhet nga të rinjtë në parti. Kurse opozita jonë nuk shfaq as pendim dhe as pastrim. Vetëm denoncon duke dashur të përçojë idenë se përderisa i denoncoj këto gjëra, kur të vij në pushtet nuk do ti bëj. E dinë edhe vetë se nuk ka ndodhur kështu, po punë e madhe që nuk ka ndodhur kështu. Ajo që ka ndodhur ka qenë ardhja, megjithatë, në pushtet. Mjaft të presësh gabimet e kundërshtarit dhe të luftosh pa reshtur për polarizimin dhe boshatisjen e hapësirës midis dy armiqve dhe këto e zëvendësojnë për mrekulli pendesën dhe pastrimin. Shtoi kësaj edhe idenë e kultivuar nga gazetarët e llogoreve që e quajnë "antiopozitarizëm" kundërvënien ndaj opozitës që asaj ti duket se puna e gazetarëve apo shoqërisë civile është marrja vetëm me qeverinë dhe heshtja ose mbështetja ndaj saj, se përndryshe janë shërbëtorë të pushtetit. Kësisoj, nuk do të vonojë dita kur do të hedhë edhe parullën "të bashkohen të gjithë plehrat kundër Ramës".


E vërteta është se kësaj strategjie militantizimi të shoqërisë i ka dalë boja. Njerëzit e dinë mirë se problem mund të jetë maxhoranca, mund të jetë opozita, mund të jenë edhe të dyja, dhe se te ne është mëse evidente se që të dyja kanë problemin e madh të mungesës së kredibilitetit. Në këto kushte, nga një maxhorancë sado pak racionale pritet që të reshtë përdorimin e pushtetit për të militantizuar njerëzit – dhe të fillojë të lërë hapësirat për ata që duhet të jenë media, shoqëri civile e institucione të pavarura, e jo ti pushtojë ato. Nga opozita pritet të bëjë denoncimin e së keqes brenda vetvetes më së pari, që të mund së sjellë pastrim dhe pendim, e prandaj edhe kredibilitet dhe mbështetje nga të pavarurit, dhe jo militantizimin e shoqërisë. Por nga sa duken bathët, ky vullnet politik mungon krejtësisht nga të dyja palët. Prandaj ka vetëm një rrugë: iu duhet marrë me guxim dhe përditë hapësira që ata tentojnë ta uzurpojnë çdo ditë. Të presësh që ata do të mundësojnë hapjen e këtyre hapësirave vetë, është iluzion me pasoja të rënda.

Panorama

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama