Nëntori 101, kimik e komik

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 7 vite më parë

Artan Hoxha
Nëntori 101, kimik e komik

 TRE KRYEMINISTRA PER NJE KOMUNE!

Tre kryeministra, njëri turk e dy shqiptarë, drekuan, më 23 tetor, bythë-më-bythë, rreth sofrës prizrenase. Ndonëse në tetor, takimi u shërbente zgjedhjeve të 3 nëntorit në Kosovë, ndaj me nëntorin lidhet. Tre kryeministrat nuk bënë dot më shumë se të nxirrnin në balotazh kandidatin e Kryeministrit Thaçi, që fitoi me një grusht votash më 1 dhjetor. Shprehja “Turqia është Kosovë e Kosova Turqi” u tërhoq të nesërmen sapo u vrenjt Serbia. Kryeministri ynë u sha me analistët. Për kaq vlejti gjithë ajo shfaqje treshe.

 

NE KORÇE PËRKUJTOHET 23 QERSHORI I FITORES RILINDASE

Zëvendëskryetari i Bashkisë Korçë, më 3 nëntor e votë plebishitare, u zgjodh kryetar për gjysmën e mbetur të mandatit të lënë në mes nga kryetari që u bë zëvendës i Kryeministrit, vetëm zyrtarisht, se, në të vërtetë, Kryeministri zëvendës e të dytë veç vetes s’ka në këtë botë.

Festa u prish nga regjistrimi, me zë e figurë, i Fiks-it të Top-it të Tanit të ndjerë. Zyra elektorale socialiste shpërndante dy mijë lekë për votues. Socialistët thanë se ishin para për dieta; demokratët dolën në protestë se për ta ishin para për vota si më 23 qershor; LSI-stët thanë se nuk ishin nga ajo lagje ku ishte bërë regjistrimi, ndaj ngritën supet të çuditur.

 

RREZIMI I BELLE AIR

Kompania që u ngrit në fluturim tetë vite më parë pas rrëzimit të Albatros-it, mbeti në pistë. Sipas medias, zëvendësim i aksionerëve apo i kompanisë – kjo është dilema, njëherazi edhe progresi në tetë vite e ndërkohë mijëra pasagjerë mbetën në tokë e trokë, por më të paktët e më fatlumet, disa qindra, ose tërhoqën paratë për biletat e paguara si dikur te firmat piramidale, ose u transportuan me avionë si në një rast evakuimi lufte apo cunami.

 

LOJERA FATI ME LOJËRAT E FATIT

Operacioni policor që nisi vrullshëm në tetor, gjatë nëntorit përfundoi në çil-e-mbyll. Ke NIPT a s’ke NIPT; ke mik a s’ke mik; je majtas a djathtas; t’ra kok a pil, do mbyllen fare-fare a s’do mbyllen fare-fare. Loja vazhdon.

 

TATIMET DHE DOGANAT TEJKALOJNE PLANIN

Në nëntor u dha sihariqi që plani i ulur në tetor me 25%, u tejkalua me 5%, si dhe u miratuan kontratat me Deloitte për borxhin dhe me Crown Agents për Doganat.

Në kontratën me Deloitte thuhet se veprimet aritmetike nuk janë e nuk duhen kuptuar si audit i standardeve ndërkombëtare, ndërsa në relacionin shpjegues mbi kontratën për Parlamentin e popullin thuhet se këto veprime janë audit i standardeve më të larta ndërkombëtare.

Në kontratën me Crown Agents pjesët më domethënëse ishin në anekset e saj dhe Parlamentit iu kërkua ta miratonte pa i parë anekset, symbyllazi e vetiu, siç edhe e miratoi më 14 nëntor, kur populli dhe deputetët e kishin mendjen gjetiu.

 

SHTATE N’ARRATI, I TETI N’HISTERI

Shtatë të burgosur morën arratinë, rehat e pa rezistencë, po atë ditë që qeveria drekonte dhjetë orë rresht në malin e Dajtit. Të shtatë menduan se po aq kollaj sa nga Burgu i Drenovës mund të arratiseshin edhe nga ky planet, por gabuan. Ndaj i kapën e i rikthyen aty ku ishin, e kjo mund të shërbejë si provë se një ekskursion i këtillë nuk ia vlen.

Gjithsesi, që një i burgosur e ka mendjen në arrati, kjo kuptohet. Por, që ministri i Brendshëm të thoshte “dorëzohuni sot se nesër do jetë vonë”, kjo s’mund t’i shkonte kujt ndër mend, pasi për këdo me mend në kokë, ministri i demokracisë parlamentare nuk mund të bjerë në histeri gjakatare.

 

SHPETIM GJIKA, KURBANI PER STATUSIN

Me këtë argument në letrën e tij të nëntorit, Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, synon t’u mbushë mendjen vendeve anëtare për të miratuar në dhjetor statusin që Komisioni e dha në tetor.

Gjika i Vlorës duhet dënuar. Kështu, edhe Vlora nuk është më e Gjikës e bëhet vetëm e Ramës, edhe Shqipëria merr statusin e shumëpritur e të humbur tri vite rresht. Na e bëj hallall o Shpëtim. T’rroftë emri, se sakrifikimit nuk i shpëton.

Gjithsesi, nuk mbyllet me kaq. Merre me sportivitet, se nëse ti do bëhesh kurban për statusin, atëherë, për një ngjarje më të madhe – ajo për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE – radha për kurban i vjen Sali Berishës.

Por këtë ti e di tashmë se çdo ditë flitet në gazetat e krahut tënd politik, e natyrisht që kjo nuk të ngushëllon, por mos kij gajle se më pas vjen momenti kulmor – anëtarësimi në Bashkim Europian – e ky, sigurisht që kërkon më të madhin e kurbaneve, atë Rama&Meta, që mund të ndajnë qelinë e përbashkët për pjesën e mbetur të jetës, për hatër të anëtarësimit, në të njëjtën përqindje siç po ndajnë sot pushtetin.

E, në këtë rrjedhë të kurbaneve për integrimin, fatlumi mbetet vetëm Lulzim Basha, për të cilin koha ka treguar se gëzon bekimin e përhershëm të të Plotfuqishmit. Për bestytnillarët e qerratallarët kjo vërtetohet edhe nga rasti më i fundit kur, sipas tyre, i Plotfuqishmi e mori Sokol Olldashin në gjirin e vet e ia hoqi Lulit edhe këtë siklet.

 

SOKOL OLLDASHI DHE BASHKEFSHATARET

Shumë gjëra m’u kujtuan, o mik, atë natë kur mësova se kishe marrë arratinë nga kjo botë. Bashkë ishim më shumë se miq në një rreth rinor miqsh durrsakë që mblidhte, kundër ligjësive të kohës, pinjollë të familjeve mike e armike të regjimit.

M’u kujtua që në ato ditët e trazuara të janarit e shkurtit 1991, në më pak se gjysmë ore, mobilizoje gjimnazistët e Durrësit në mitingjet mbështetëse për demokracinë e brishtë kundër regjimit të shndërruar në zombi.

U kujtova se të isha betuar, vite më parë, pas asaj here, e para dhe e fundit në fakt, kur ktheheshim bashkë në Tiranë, se nuk do të udhëtoja kurrë më me ty në timon.

U kujtova edhe që kohë më parë e nisëm në të ngrysur dhe e mbyllëm në të gdhirë, me letra, uiski dhe plot biseda gazmore, ti, Sabri Godo, Pashkot (baba&bir) dhe unë. I Plotfuqishmi Godon ndoshta e mori për ta pasur pranë për këshillat e tij të urta, Pashkot (babë&bir) për idetë e guximshme dhe harenë e pashtershme e ty ndoshta për të shijuar rrëfenjat e tua gjithë kripë e piper, a ndoshta për të të dhuruar sa më shpejt përjetësinë në atë botën matanë pa ligjet e rëndesës e të fërkimit që të bezdisnin aq shumë në këtë botën tonë të këndejme.

Por, atë natë e në ditët më pas, duke parë e dëgjuar muhabetet e të ngeshmëve në internet, që nga ato me skenarë rozë deri tek ato të vrasjes perfekte, m’u kujtuan mjaft fjalë të urta mbi thashethemexhinjtë, ngatërrestarët dhe shejtanbudallenjtë e katundeve tona, fjalë që kanë dalë që në lashtësi dhe gjejnë zbatim edhe sot, duke vërtetuar kësisoj se ka ndryshuar vetëm mjeti, por jo përmbajtja e muhabetit e as sjellja e muhabetqarëve.

 

E PASHE XHAXHI ENVERIN

Në programin shkollor e parashkollor duhet përfshirë urgjentisht, me përshtatje sipas grupmoshës, vjersha “E pashë xhaxhi Enverin, s’e kisha parë kurrë…” pasi, të gjithë fëmijët e kësaj moshe që nuk u kishte rënë për hise ta shihnin, e panë, me goxha portret, këtë 29 Nëntor, në fotot që Kryeministri i hodhi në faqen zyrtare të Kryeministrisë e të tijën në Facebook.

Thuhet se Kryeministri nisi t’ua mësojë vetë vjershën fëmijëve që i kishte ftuar në selinë e rilindur kryeministrore me rastin e rilindjes së “Natës së Bardhë”. Kush s’beson, le të shohë në www.kryeministria.al

 

QARI NGA ARMET KIMIKE

Çështja e armëve kimike siriane ishte më e rëndësishmja e nëntorit të 101-të të Shtetit të Pavarur Shqiptar, çështje që jo vetëm diktoi zhvillimet e të gjithë muajit, por, me sa duket, do të këtë ndikim përgjatë gjithë shekullit të dytë të pavarësisë.

Kryeministri i tha “PO” Amerikës për një copë të vogël trualli, mjaftonte që të gjitha punët t’i bënin e të gjitha harxhet t’i hiqnin amerikanët. Ata thanë OK. Edhe që mbetjet e demontimit të largoheshin nga vendi. Ata thanë OK. Edhe të na pastronin plehrat nga rrugët, plazhet dhe lumenjtë. Ata thane OK. S’do kish bërë keq t’u kërkonte edhe të pastronin kanalet vaditëse e kulluese të bujqësisë, apo edhe haletë e zyrave të shtetit, bareve e pub-eve, kanalet e ujërave të zeza e ca punë të tjera të rëndomta kësisoj. OK do thoshin të gjorët.

Deri të mërkurën, më 13 nëntor, Kryeministri i qëndroi fjalës së dhënë. Shpjegoi, me vetësiguri e vetëkënaqësi, se bëhej fjalë për “një luftë të llojit të ri, atë të çarmatosjes me paqe të regjimit kriminal të Asadit”. Për projektin tha se “hapet më 15 nëntor”, i bindur se do mbeteshin të gjithë gojëhapur atë ditë nga mrekullia e tij profetike.

Popullit i hyri frika nga kimia e armëve si nga alkimia e shtrigave e, nga frika, i mbushi brekët. Opozita, e lënë mënjanë, iu bashkua brekëmbushjes popullore dhe Kryeministri, me popull, parti e ushtri brekëmbushur, i mbushi edhe vetë dhe e braktisi, brenda një dite, frontin e luftës së tipit të ri që premtoi se do e mbante me trimëri.

Por, siç thonë, jo çdo e keqe vjen për të të bërë keq. Europa po na thotë se u treguam dinjitozë. Ndoshta-ndoshta brekëmbushjen tonë nga frika e armëve kimike Europa e kuptoi sikur ne u trimëruam e ia dhjemë Amerikës e ndaj tani e meritojmë statusin. Qar e qyl e paçim e qoftë kështu era e gjakut të luftërave në të ardhmen tonë europiane.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama